Lidhja e shpirtërores me jetën tonë të përditshme

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Kujt i përkasim? Cili është qëllimi i jetës këtu në tokë? Ku do të shkojmë pas vdekjes? Këto pyetje i kanë munduar mendimtarët për shumë kohë. Ne kemi marrë përgjigje nga shumë njerëz dhe burime, disa të besueshëm dhe disa jo. Unë kam zgjedhur të ndjek përgjigjet dhe mësimet e Profetit Muhamed (a.s) dhe ato që jepen nga Islami. Unë do të mundohem t’i lidh këto mësime me jetën e përditshme në shumë mënyra. Kurani thotë se unë jam krijuar për një qëllim. Domethënë për të adhuruar Zotin Një: “Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër, pos që të më adhurojnë”[1] “E Ne i thamë: “O Adem, ti dhe bashkëshortja juaj banoni në xhenet dhe hani lirisht nga frutat e tij kah të doni, por mos iu afroni asaj bime (peme) e të bëheni zullumqarë (të vetvetes suaj). Po djalli i bëri që ata të dy të mashtrohen në atë (pemë ose xhenetin) dhe i nxori ata nga ajo (e mirë) që ishin në të e Ne u thamë: “Zbritni (dilni), jeni armiq të njëri-tjetrit, e ju deri në një kohë në tokë keni vendbanim dhe dëfrim”[2]

Pra ne i përkasim Zotit, por është mëkati ynë, ai që na largon ne nga Ai. Kjo është ajo që mësova nga historia e krijimit. Në këtë mënyrë jam përpjekur gjithë jetën time, që të lidhem me Zotin, të kthehem tek Ai, sa herë që mëkati më largon nga Krijuesi. Kjo është një betejë e vazhdueshme, që ndodh çdo minutë të çdo dite. Prandaj është shumë e rëndësishme për mua, të lidhem shpirtërisht me Zotin çdo ditë.

Ka shumë mënyra për t’u lutur dhe për t’u lidhur me Zotin – disa prej praktikave të mia janë të zbatueshme për myslimanët dhe disa mund të bëhen nga kushdo.

Pesë namazet e përditshme:

Para së gjithash dhe për këtë i jam mirënjohës Allahut, unë zbatoj pesë namazet e përditshme të myslimanit. Nuk mund të ketë lidhje më të fuqishme shpirtërore, sesa të arrish tek Prania Hyjnore me anë të faljes rituale. Ai mund të jetë shumë sfidues, veçanërisht përpjekja për t’u ngritur për namazin para agimit. Ndonjëherë më sfiduese është përpjekja për të falur pjesën tjetër të namazeve ndërsa punoj në spital.

Asnjëri prej spitaleve ku punoj, nuk ka krijuar një vend, ku myslimanët mund të falen. Prandaj duhet të improvizoj një vend për t’u falur në kohë. Shumë herë falem i ulur në faltoren e spitalit. Herë të tjera falem në makinë pasi largohem nga njëri spital dhe nisem për tek tjetri. Shumë herë bashkoj namazin e drekës dhe të pasdites, sepse shpesh jam shumë i zënë duke u kujdesur për pacientët.

Kjo është një betejë e përditshme, por për mua një përkujtues i fuqishëm është fakti, që më sheh Krijuesi dhe se detyrimi im i parë është ndaj Tij. Kjo më lejon të mbetem i lidhur shpirtërisht me Zotin çdo ditë. Mund të duket e vështirë që të falesh çdo ditë pesë herë, por nëse i premton vetes dhe Zotit për ta bërë këtë, do të mahnitesh se si bëhet si një natyrë e dytë. Secili namaz të ha vetëm pak minuta dhe mund të jetë një përvojë e shpejtë dhe e bazuar në një ditë të ngarkuar.

Lutjet personale për Zotin:

Ne mund të bëjmë gjithashtu lutje jo rituale për t’u lidhur me Zotin, si duaja. Këto janë lutje “të rregullta” personale, kur i drejtohesh Zotit drejtpërdrejt për gjëra të ndryshme. Kjo është një mënyrë e përsosur për të forcuar lidhjen tënde me Zotin. Çdo ditë flas me Zotin dhe i them se çfarë ndiej (edhe pse Ai e di) dhe i kërkoj atë që dua. Kjo më ndihmon që t’i afrohem Atij dhe kjo thellon afërsinë time me Të.

Për shembull në mëngjes e nis ditën duke thënë: “O Allah, ti je Zoti im; asnjë nuk e meriton të adhurohet përveç Teje. Ty të mbështetem dhe Ti je Zoti i Arshit të madh. E di që Zoti di gjithçka dhe mund të bëjë çdo gjë. O Zot kërkoj mbrojtjen Tënde nga e keqja e vetes sime dhe nga e keqja e të gjitha krijesave, që u ke dhënë pushtet mbi ne. Me të vërtetë Zoti im është në rrugën e drejtë”. Transmetohet se Profeti Muhamed (a.s) ka thënë, se asgjë nuk do ta pikëllojë atë që e thotë këtë ditën dhe natën.

Para se të nis procedurën mjekësore them Bismilahi-rrahmani-rrahim që do të thotë: “Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit”. Unë them gjithashtu: “O Zot, asgjë nuk është e lehtë përveç asaj që Ti e bën të lehtë. Çdo vështirësi bëhet e lehtë me vullnetin Tënd”. Para se të ha ose të pi diçka, duhet të them përsëri Bismilahi-rrahmani-rrahim”. (Shpesh harroj ta them këtë, veçanërisht nëse jam i uritur ose i etur).

Lidhja me shpirtëroren rrugës për në punë

Një mënyrë tjetër, me të cilën mund të lidhemi me shpirtëroren, është duke dëgjuar CD ose kaseta, ndërsa udhëtojmë për në punë. Kam vendosur që ta filloj udhëtimin për në punë me fjalinë e Zotit. Kam një koleksion CD-sh të Kuranit të lexuar nga Imami i Xhamisë së Madhe në Mekë, zëri i të cilit është shumë i bukur. Por zakonisht e kaloj udhëtimin e mëngjesit duke dëgjuar “Edicionin e mëngjesit” në NPR. Do të përpiqem të dëgjoj më shumë Kuran në mëngjes. Ndërsa udhëtoni për në punë ju mund të përdorni kasetën tuaj të preferuar shpirtërore/fetare.

Të lutesh me fëmijët dhe të lutesh për ta

Unë me fëmijët e mi zakonisht i lutemi Zotit me zë, që t’i mbrojë ata para se të bien në gjumë. Kjo është bërë zakon, saqë sa herë që harroj (ose jam i lodhur) vajzat e mia ma kujtojnë të lutem për to. Unë them: “Eudhu bil- lahi min sherri kuli hasid, që do të thotë: “I kërkoj mbrojtje Zotit nga e keqja e atyre që kanë zili”. I lutem gjithmonë Zotit, që të mbrojë bashkëshorten dhe fëmijët e mi, sepse pa mbrojtjen e Tij ne jemi me të vërtetë të dobët.

Është shumë e rëndësishme të flasim me fëmijët tanë për fenë. Nëse Zoti është i rëndësishëm për ne, ashtu si Ai është për mua, atëherë Zoti u prezantohet fëmijëve natyrshëm. Nuk është e rëndësishme se sa mund t’u flasësh për Zotin; mund t’u lexohen pjesë nga shkrimi i shenjtë, mund t’u tregohen historitë e profetëve, ose thjesht mund t’u tregosh se Zoti i do. Është veçanërisht sfiduese përfshirja e aktiviteteve në ditën tonë plot tension, por unë duhet t’i dyfishoj përpjekjet e mia për të vepruar kështu.

Përtëritja e besimit gjatë gjithë ditës

Gjatë ditës dhe natës mundohem t’i mbush mendimet e mia me vetëdijen për Zotin. Unë mundohem ta shoh dhe ta kuptoj Atë sa më shumë të jetë e mundur, sepse Ai është burimi i çdo gjëje të mirë në jetën time. Megjithatë përveç lutjes, ka dhe mënyra të tjera për t’u lidhur shpirtërisht, veçanërisht për ata që nuk kanë një besim dhe lidhje të thellë me Krijuesin hyjnor. Ne duhet të mësojmë të vlerësojmë të gjitha aspektet fizike të ditës.

Çdo ditë na jepet një shans për ta jetuar jetën. Ky është rasti ynë për të korrigjuar gabimet, që mund të kemi bërë në të kaluarën dhe të bëjmë sa më shumë që mundemi në atë ditë të re. Era që na fryn në fytyrë (edhe nëse është era e fortë e Çikagos në shkurt) është një përkujtues, se ende mund të marrim frymë, se ne kemi dhuratën e çmuar, jetën, që u është mohuar padrejtësisht shumë njerëzve në këtë botë. Si mjek pulmonar, jam shumë i vetëdijshëm sa e vyer është të kesh mundësi të marrësh frymë.

Me çdo “tungjatjeta” ose “mirëmëngjesi” që u themi të tjerëve, mund të bëjmë një lidhje paqeje dhe vullneti reciprok. Edhe një buzëqeshje mund ta bëjë këtë lidhje. Profeti Muhamed (a.s) na ka thënë: “Buzëqeshja në fytyrën e vëllait tënd është sadaka”. Unë e praktikoj këtë me të gjithë njerëzit, jo vetëm me myslimanët, dhe kur i buzëqesh dikujt, e bëj nga thellësia e zemrës. Po bëj pikërisht atë, që Profeti (a.s) na ka mësuar: “Përhapeni paqen tek të tjerët…”

Dhe ndërsa dita përfundon….

Në fund të ditës duhet të kalojmë një çast reflektimi për atë që kemi bërë gjatë ditës. Kjo na lejon të planifikojmë, se si mund të bëhemi njerëz më të mirë nesër. Nuk është e lehtë ta bësh këtë, sepse zakonisht në shkojmë drejt e në shtrat dhe flemë. E pranoj se nuk e bëj këtë aq shpesh sa duhet, por po e marr këtë rresht si një përkujtues të fortë për veten që të filloj të veproj kështu.

Nuk ka fund për mënyrat e shumta me të cilat mund të lidhemi me natyrën shpirtërore në jetën tonë të përditshme. Ajo që duhet të bëjmë, është të hapim sytë dhe të marrim dritën e diellit.

[1] – Sure Dharijat: 56.

[2] – Sure Bekare: 35 – 36.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *