Mu dha rasti që, në të njëjtën kohë kur po meditoja mbi historinë e Karunit ashtu siç paraqitet në Kuranin Famëlartë, të lexoja edhe librin “Konsumimi i jetës” të filozofit dhe sociologut të shquar Zygmunt Bauman. Përmes një reflektimi filozofik mbi historinë e Karunit dhe njohjes me idetë e Baumanit në përgjithësi, veçanërisht në serinë e tij mbi “likuiditetin”, zbulova një lidhje të thellë filozofike dhe shoqërore ndërmjet kësaj historie në kontekstin kuranor dhe mendimit të Baumanit. Është sikur projekti intelektual i Baumanit, në hollësitë e tij, të ketë ardhur për të shpjeguar atë që Kurani e ka përmbledhur në mënyrë të përqendruar në historinë e Karunit, sidomos në lidhje me prirjen konsumeriste, materializmin dhe transformimin e vlerave në shoqërinë moderne.
Kjo lidhje nuk mbështetet vetëm në ngjashmëri sipërfaqësore, por në një nivel më të thellë që ka të bëjë me mënyrën se si njeriu e kupton veten dhe vendin e tij në botë.
Karuni si simbol filozofik i materializmit
Historia e Karunit është një nga rrëfimet e përjetshme kuranore, e cila e tejkalon kufirin e një ngjarjeje historike dhe shndërrohet në një model simbolik me lidhje të ngushtë me natyrën njerëzore kur ajo zhytet në materializëm dhe e redukton ekzistencën e saj në pasuri dhe pushtet. Karuni nuk ishte thjesht një person që u shfaq në një faqe të historisë dhe më pas ajo faqe u mbyll e u harrua; ai është një model që përsëritet dhe do të vazhdojë të përsëritet. Me fjalë të tjera, Karuni nuk është vetëm një individ, por një ide dhe një sëmundje shoqërore që përsëritet në kohë dhe hapësirë.
Lëngëzimi i vlerave dhe mbizotërimi i materies
Ideja qendrore në projektin intelektual të Baumanit është koncepti i tij mbi “modernitetin e lëngshëm”, ku vlerat dhe marrëdhëniet shoqërore bëhen të rrjedhshme, të paqëndrueshme dhe pa një referencë të lartë e të qëndrueshme. Në këtë gjendje, referenca kryesore bëhet materia, produkti dhe ajo që njeriu zotëron nga të mirat materiale.
Si pasojë, njeriu shndërrohet në një qenie që përpiqet vazhdimisht të zotërojë dhe të konsumojë gjithnjë e më shumë, duke e bërë këtë në kurriz të qëndrueshmërisë shpirtërore, morale dhe kuptimore të jetës së tij.
Rrjedhshmëria e vlerave dhe epërsia e materies
Në historinë e Karunit shohim se ai përfaqëson një gjendje të hershme të kësaj rrjedhshmërie të vlerave. Aty pasuria nuk ishte thjesht një mjet, por ishte vetë referenca e vetme e kuptimit, ku vlerat morale dhe shpirtërore (si drejtësia, përulësia dhe orientimi drejt jetës së përtejme) humbasin qëndrueshmërinë e tyre përballë tundimit të pasurisë.
Me fjalë të tjera, Karuni është një model i njeriut që ka humbur boshtin e qëndrueshëm të kuptimit, gjë të cilën Bauman përpiqet ta përshkruajë dhe ta analizojë në epokën moderne.
Materia si identitet dhe qëllim
Bauman e sheh njeriun në shoqërinë konsumuese si një qenie që nuk përkufizohet më nga ajo që prodhon apo kontribuon për shoqërinë, por nga ajo që konsumon dhe zotëron. E njëjta gjë vërehet edhe te Karuni, i cili e përkufizonte veten dhe mburrej me atë që kishte, deri në atë pikë sa u verbua nga pasuria e tij.
Në këtë kontekst, të mençurit nga populli i tij i thanë: “Mos u gëzo (me mendjemadhësi), sepse Allahu nuk i do ata që e teprojnë në gëzim.”[1]
Kjo ishte një përpjekje për të forcuar një parim thelbësor: materia nuk është rruga e vetme drejt lumturisë, qetësisë dhe stabilitetit shpirtëror, dhe nuk është qëllim në vetvete, por ka vlerë vetëm nëse ndihmon në arritjen e qëllimit më të madh: “Dhe kërko me atë që të ka dhënë Allahu banesën e përjetshme (Ahiretin), mos e harro pjesën tënde në këtë botë, dhe bëj mirë ashtu si të ka bërë mirë Allahu ty, dhe mos kërko shkatërrim në tokë; vërtet Allahu nuk i do shkatërruesit.”[2]
“Mua më është dhënë vetëm nga dituria ime”: individualizëm absolut
Në këtë kontekst kuranor, trajtohet një ide e rëndësishme filozofike: a është pasuria rezultat i meritës së pastër individuale, apo një kombinim faktorësh si rastësia, konteksti shoqëror dhe historik, dhe dhurata hyjnore?
Kurani e kritikon qëndrimin e Karunit sepse: mohon dimensionin hyjnor të dhurimit dhe injoron drejtësinë dhe ndërvarësinë shoqërore.
Nga një këndvështrim filozofik, kjo i ngjan kritikës ndaj individualizmit absolut, i cili e injoron rolin e shoqërisë në suksesin e individit. Një nga kritikët më të njohur të kësaj ideje është John Rawls, i cili argumenton se edhe aftësitë tona (inteligjenca, talenti, aftësitë) nuk janë plotësisht të krijuara nga vetë ne.
Edhe Bauman, në analizën e tij për shoqërinë e konsumit dhe “modernitetin e lëngshëm”, thekson se njeriu modern shpesh e sheh suksesin si rezultat të pastër të aftësive personale, duke injoruar strukturat shoqërore, historike dhe marrëdhëniet njerëzore që e bëjnë atë sukses të mundur.
Kështu edhe Karuni, sipas Kuranit, kur u këshillua të falënderonte Allahun dhe të përdorte pasurinë për mirësi, ai u përgjigj: “Kjo më është dhënë vetëm për shkak të dijes sime.”
Kjo shpreh një individualizëm të skajshëm që e shkëput njeriun nga çdo burim më i lartë i vlerës dhe nga çdo dimension i përbashkët njerëzor e hyjnor.
“Ai doli para popullit të tij me zbukurimin e tij”: marketingu i vetes dhe shndërrimi i njeriut në mall
Në librin e tij “Konsumimi i jetës”, Bauman tregon se njeriu në shoqërinë konsumuese nuk mjaftohet vetëm duke konsumuar mallra, por ai vetë shndërrohet në një mall që vlera e tij matet me aftësinë për të zotëruar. Bauman thotë: “Askush në shoqërinë e konsumatorëve nuk mund të bëhet subjekt pa u shndërruar më parë në mall.”
Në këtë mënyrë, njeriu në shoqërinë e konsumit shndërrohet në një makineri të madhe marketingu, por produkti që reklamohet në radhë të parë është vetvetja. Bauman thekson idenë se shoqëria konsumuese bazohet në ekspozim : në të, pamja materiale dominon mbi thelbin, forma mbi përmbajtjen.
Prandaj individi në këtë shoqëri përpiqet të shfaqet, të duket dhe të dallohet nga të tjerët. Kjo është pikërisht ajo që bëri Karuni kur: “Doli para popullit të tij me zbukurimin e tij.” Dhe njerëzit thanë: “Ah sikur të kishim atë që i është dhënë Karunit! Vërtet ai ka një fat të madh.”
Një nga idetë më të rëndësishme të Baumanit është se shoqëria konsumuese, megjithëse prodhon bollëk mallrash, krijon një ankth të vazhdueshëm, sepse dëshirat nuk ngopen dhe produktet vijnë njëri pas tjetrit me shpejtësi. Kështu lind një etje e fortë për të poseduar gjithçka të re, si dhe frika nga humbja e saj.
Kjo gjendje quhet “ankthi i mungesës”, ku konsumimi nuk sjell lumturi, por përkundrazi thellon ndjenjën e mangësisë. Në këtë mënyrë, në shoqëri lind një dëshirë dhe një zili ndaj atyre që zotërojnë këto produkte materiale, si dhe një aspiratë e brendshme për t’u bërë si ata.
Rreziku i veprimit të Karunit nuk qëndron vetëm në mendjemadhësinë e tij për atë që posedonte, por në faktin se ai u shndërrua në një model të dëshirës për masat dhe mendjet e thjeshta. Ky çast i shfaqjes së pasurisë së tij nuk ishte thjesht një skenë mburrjeje, por një moment që prodhoi dëshirë përmes krahasimit dhe konsumit.
Me fjalë të tjera, Karuni nuk ishte vetëm i pasur, por ai u bë një makineri propagande, prodhues i dëshirave dhe formësues i imagjinatës kolektive mbi suksesin, ashtu siç bëjnë sot të ashtuquajturit “të famshmit” në epokën moderne.
“Dhe thanë ata që ishin pajisur me dije: Mjerë ju, shpërblimi i Allahut është më i mirë”: vetëdija mbrojtëse
Këtu, si gjithmonë, shfaqet roli i mendimit, dijes dhe vetëdijes së thellë për pasojat dhe realitetin e gjërave. “Ata që ishin pajisur me dije” janë ata që e mbrojnë njeriun nga rrëshqitja në valën populiste që shenjtëron pamjen dhe materien, duke u mahnitur prej tyre dhe duke i ngritur mbi thelbin njerëzor.
“Dhe Ne e fundosëm atë dhe shtëpinë e tij në tokë”: rënia e pashmangshme
Përmbledhtazi, modeli i Karunit është një model që riprodhohet në çdo epokë. Në botën e sotme, ku vlera matet me pasuri, prodhim dhe konsum, shfaqet “Karuni modern” në forma të ndryshme:
Në kompani dhe institucione që synojnë vetëm grumbullimin e fitimit material në kurriz të vlerave njerëzore,
Në individë që e reduktojnë suksesin e tyre vetëm në para,
Në studentë që e shohin dijen thjesht si mjet për punë dhe fitim,
Në sisteme dhe ligje që lehtësojnë rritjen ekonomike të të pasurve pa marrë parasysh mirëqenien sociale, moralin dhe vlerat shpirtërore.
Kështu, historia e Karunit konsiderohet një tekst simbolik i hershëm për atë që Bauman e përshkruan si kriza e shoqërive moderne në konceptin e “modernitetit të lëngshëm”.
Modeli i Karunit është modeli i shkëputjes së njeriut nga thelbi i tij moral dhe shpirtëror dhe shndërrimit të tij në një qenie thjesht materiale. Shoqëria konsumuese moderne e riprodhon këtë “karunizëm” në forma të reja: në adhurimin e famës, në shenjtërimin e të pasurve dhe në lidhjen e vlerës së njeriut me pasurinë, ndjekësit apo format e jashtme të suksesit.
Prandaj mesazhi i Kuranit e tejkalon ngjarjen historike dhe shndërrohet në një kritikë të vazhdueshme ndaj çdo sistemi që e bën pasurinë qëllim në vetvete në vend të një mjeti.
Ky model i Karunit, nëse përhapet dhe thellohet, sjell shkatërrimin e shoqërisë dhe “fundosjen” e marrëdhënieve sociale dhe qetësisë së saj, ashtu siç u fundos Karuni dhe shtëpia e tij në tokë. Ky fund nuk është vetëm ndëshkim, por edhe një ligj filozofik historik: kur njeriu — dhe po ashtu shoqëria — devijon nga thelbi i tij njerëzor dhe moral, rënia bëhet pasojë e pashmangshme.
Autor: Ebu Bekër Xhunejd
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Sure Kasas: 76.
[2] – Sure Kasas: 77.



















