Profeti (a.s) merr pjesë në rindërtimin e Qabes

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Allahu i Lartësuar thotë: “Me të vërtetë, Faltorja e parë e ngritur për njerëzit, është ajo në Bekë, e bekuar dhe udhërrëfyese për popujt.”[1]

Njëherë Ebu Dherri e pyeti Profetin (a.s): “Cila është xhamia e parë që është ndërtuar në tokë?” “Qabja” – tha ai. “Po pastaj?” “Xhamia Aksa” – u përgjigj ai. “Sa është periudha midis tyre?” “40 vite” – u përgjigj ai. E gjithë toka konsiderohet xhami për ty – vazhdoi ai. Kudo që të jesh fale namazin![2]

Në lidhje me ndërtimin e Qabes, nuk dihet me saktësi se kush është ai i cili e ka ndërtuar për herë të parë. Disa thonë se e kanë ndërtuar engjëjt e disa të tjerë thonë se e ka ndërtuar Ademi (a.s). Ajo që dihet me saktësi është se Qabja është ndërtuar përpara Ibrahimit (a.s) dhe Ismailit (a.s), mirëpo me kalimin e viteve ajo është rrënuar, dhe i ngelën vetëm themelet, mbi të cilat Ibrahimi (a.s) dhe Ismaili (a.s) e rindërtuan atë. Allahu i Lartësuar thotë: “Kur Ibrahimi dhe Ismaili ngritën themelet e Qabes, u lutën: O Zoti ynë! Pranoje prej nesh këtë vepër. Me të vërtetë, Ti je Ai që dëgjon dhe di gjithçka.”[3]

Pesë vjet përpara se Profetit Muhamed (a.s) t’i zbriste shpallja hyjnore, Qabja ishte drej rrënimit për shkak të një zjarri që kishte rënë.

Tashmë, kurejshët ishin të detyruar që të rindërtonin Qaben për shkak të pozitës që ajo gëzonte. Ata ranë dakort që në ndërtimin e saj të kontribuonin vetëm me atë pasuri që ishte e pastër. Ata nuk do të pranonin pasurinë e fituar nga kamata apo atë pasuri që u ishte marrë njerëzve në mënyrë të padrejtë. Për të rindërtuar Qaben, në fillim ata duhet ta shembnin  dhe pastaj të fillonin punimet. Mirëpo nga vetë pozita që ajo gëzonte në mesin e tyre, ata kishin frikë që ta shembnin, derisa i pari që e mori iniciativën ishte Uelid ibn Mugire dhe pas tij filluan të tjerët. Ata vazhdonin të shkatërronin derisa arritën tek themelet e Ibrahimit (a.s) dhe pastaj vendosën që të rindërtonin Qaben, ku për çdo fis përcaktuan se cilën pjesë të saj do të rindërtonte. Në rindërtimin e Qabes morri pjesë edhe i Dërguari i Allahut (a.s).

Kurejshët i mblodhën gurët në një vend dhe pastaj filluan të ndërtonin derisa arritën në momentin ku duhet të vendosnin gurin e zi në vendin e vet. Në këtë moment, ata filluan të kishin zënka me njëri-tjetrin, zënka të cilat zgjatën katër apo pesë ditë. Zënkat u shtuan aq shumë së për pak në Qabe mund të kriste një luftë me përmasa katastrofale. Mirëpo Ebu Umeje, propozoi që si gjykatës të tyre të merrnin personin e parë i cili do të hynte në Qabe. Kështu që ata ranë dakort. Ishte vullneti i Allahut që personi i parë i cili hyri ishte Profeti (a.s), të cilin kur e panë të gjithë njëzëri brohoritën: “Ky është besniku.” “Ky është Muhamedi dhe ne jemi të kënaquar që të na gjykojë.” Kur Profeti (a.s) e mori vesh se çfarë ata kishin vendosur, kërkoi prej tyre një copë pëlhure, vendosi gurin në të dhe kërkoi prej të parëve të çdo fisi që gjithsekush prej tyre të kapte një copë të pëlhurës. Ai kërkoi prej tyre që ta ngrinin atë deri në lartësinë e vendit ku do të vendosej guri. Më pas, Profeti (a.s) e mori gurin nga copa e pëlhurës dhe e vendosi tek vendi i vet. Kështu, pra fëmijë të dashur, ne vërejmë mençurinë e Profetit (a.s) i cili përmes zgjuarsisë së tij, shuajti një luftë që ishte gati të shpërthente, fundi i të cilës nuk dihej.

By: ardhmëriaonline.com

[1] Sure Ali Imran: 96.

[2]  Buhariu (3425) dhe Muslimi (520)

[3] Sure Bekare: 127.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *