Veprimet mubah (të lejuara) gjatë namazit
1 – Qarja nga frika e Allahut: Abdullah Ibn Shukhajr (r.a) tregon: “E kam parë të Dërguarin e Allahut (a.s) duke u falur dhe nga ai dëgjohej zë nga e qara”[1]
2 – Falenderimi i Allahut pa zë (në namaz) pas teshtimës: Rife`atu Ibn Rafia (r.a) tregon: “Po falesha pas të Dërguarit të Allahut (a.s) kur teshtiva. Unë thashë: “Elhamdu lil`lahi hamden kethiran mubareken fihi ue mubareken alejhi kema juhib`bu rab`buna ue jerda”. Pasi mbaroi namazin, i Dërguari i Allahut (a.s) tha: “Cili prej jush foli në namaz”? Askush nuk u përgjigj. I Dërguari i Allahut (a.s) e tha edhe njëherë tjetër të njëjtën gjë, mirëpo askush nuk u përgjigj. Herën e tretë ai tha përsëri: “Cili prej jush foli në namaz”? I thashë: “Unë o i Dërguar i Allahut”. I Dërguari i Allahut (a.s) tha: “Çfarë the”? Thashë: “Elhamdu lil`lahi hamden kethiran mubareken fihi ue mubareken alejhi kema juhib`bu rab`buna ue jerda”. I Dërguari i Allahut (a.s) tha: “Pasha Atë, i Cili mban shpirtin tim në Dorën e Tij, kam parë tetëdhjetë e ca engjëj duke nxituar për ta shkruar atë”[2].(650)
3 – Buzëqeshja në namaz: Xhabiri (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) po falte namazin e Ikindisë bashkë me sahabët e tij dhe buzëqeshi në namaz. Kur mbaroi namazi, i thanë: “O i Dërguar i Allahut! Ti buzëqeshe, ndërsa po faleshe”. Ai (Paqja qoftë mbi të) tha: “Mikaili kaloi afër meje dhe krahët i kishte me pluhur, ai qeshi me mua, kurse unë buzëqesha me të. Po kthehej nga një popull që kishin bërë lutje”.[3](651)
4 – Mallkimi i shejtanit: Ebu Derda (r.a) tregon: “I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) u ngrit për t’u falur. Ne dëgjuam prej tij duke thënë: “eudhu bil`lahi minke – I kërkoj mbrojtje Allahut ndaj teje” e më pas tha: “Të mallkoj me mallkimin e Allahut”. Këtë të fundit e tha tre herë dhe zgjaste duart, sikur donte të kapte diçka. Kur mbaroi namazi, i thamë: “O i Dërguar i Allahut! Të dëgjuam duke thënë disa fjalë, që nuk i ke thënë më parë dhe të pamë duke zgjatur duart (për çfarë arsye e bëre këtë)”? I Dërguari i Allahut (a.s) tha: “Armiku i Allahut, Iblisi, më erdhi me një shtizë zjarri dhe deshi të ma hidhte fytyrës. Atëherë i thashë tre herë “eudhu bil`lahi minke”, ndërsa më pas i thashë: “Të mallkoj me mallkimin e Allahut” tre herë, mirëpo përsëri nuk u nënshtrua. Atëherë zgjata dorën që ta kap. Betohem në Allahun, se sikur të mos ishte lutja e Sulejmanit (Paqja qoftë mbi të), do ta lidhja atë (Iblisin), ndërsa fëmijët e Medinës do të luanin me të”[4]
5 – Kthimi i selamit me dorë: Ibn Umeri (r.a) tregon nga Suhejbi (r.a), i cili ka kaluar pranë të Dërguarit të Allahut (a.s), ndërkohë që ai po falej dhe e ka përshëndetur me selam. Ai (a.s) ia kishte kthyer selamin me shenjë. Lejthi – një nga përcjellësit – thotë: “Mendoj se e ka kthyer selamin me gishta”[5].
6 – Falja në shpinën e tjetrit: Sejar ibn Ma`rur tregon, se Umeri (r.a) ka thënë: “I Dërguari i Allahut (a.s) e ndërtoi këtë xhami dhe bashkë me të edhe ne: muhaxhirët dhe ensarët. Nëse ka dyndje në xhami, namazliu le ta bëjë sexhden mbi shpinën e vëllait të tij”[6]. Një ditë Umeri (r.a) pa disa njerëz duke u falur në rrugë. Ai u tha atyre: “Faluni në xhami”[7] Nafia thotë: “Kur Ibn Umeri (r.a) nuk gjente vend ku të falej në xhami, më thoshte (para se të fillonte falja): “Ule shpinën (që të bëj sexhden)”[8]
7 – Falja me këpucë: Shedad Ibn Eus (r.a) tregon, se I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Faluni me nalle (këpucë) e mos u ngjasoni çifutëve”[9]
Ebu Hurejra (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë “Kur ndonjëri prej jush falet, le të falet me këpucë ose le t’i heqë, (e nëse I heq), le t’i vendosë mes këmbëve, në mënyrë që të mos i shqetësojë të tjerët”[10]
Ebu Hurejra (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kur dikush prej jush falet, të mos i vendosë këpucët e tij në të djathtë apo në të majtë. Nëse në të majtën e tij s’ka njeri, le t’i vendosë aty dhe nëse nuk ka vend, le t’i vendosë mes këmbëve”[11]
Abdullah ibn Amri (r.a) ka thënë: “I Dërguari i Allahut (a.s) është falur zbathur dhe me këpucë”[12](659)
8 – Falja mbi shtrojë: Mejmune (r.a) thotë: “I Dërguari i Allahut (a.s) falej, kurse unë isha afër tij. Unë isha me menstruacione dhe ndoshta rrobat e mia e preknin atë kur falej. Ai falej mbi një shtrojë të vogël”[13]
Mugirah Ibn Shu’beh (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) falej mbi hasër (rrogoz) dhe mbi lëkura të regjura.[14]
9 – Lëvizjet e lehta në namaz: Aishja (r.a) tregon: “Unë flija afër të Dërguarit të Allahut (a.s) kur ai falej dhe këmbët e mia i kisha të shtrira drejt Kibles. Kur ai binte në sexhde, m`i largonte këmbët e mia dhe unë i mblidhja ato, Kur ngrihej nga sexhdja, i shtrija përsëri. Në atë kohë nuk kishte ndriçim nëpër shtëpi”[15]
10 – Shikimi në namaz: I Dërguari i Allahut (a.s) shikonte në namazin e tij, mirëpo nuk e lëvizte fare kokën.[16] Ky lloj shikimi përfshin shikimin në sexhde, në vendin ku vendos ballin, apo përpara vetes.
11 – Të pështysh në të majtë, kur shpërqendrohesh në namaz: Uthman Ibn Ebi Asi (r.a) shkoi tek i Dërguari i Allahut (a.s) dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut! Shejtani ka ndërhyrë në namazin tim, duke më ngatërruar leximin e Kuranit”. I Dërguari i Allahut (a.s) tha: “Ky shejtan e ka emrin Khanzeb. Nëse ndjen ngacmim prej tij, kërko mbrojtje nga Allahu dhe pështyj tre herë në të majtë”[17]
12 – Mbytja e gjarprit dhe akrepit: Ebu Hurejrah (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka urdhëruar të vriten dy “të zinjtë” gjatë namazit; akrepi dhe gjarpri”[18]
13 – T`ia kujtosh imamit leximin e Kuranit, kur ai harron apo ta korrigjosh atë kur gabon: Abdullah ibn Umeri (r.a) tregon: “Kur i Dërguari i Allahut (a.s) na fali një namaz, ai pati pështjellim gjatë leximi të Kuranit. Pasi mbaroi, i tha Ubejit: “A u fale me ne”? Ai tha: “Po”. I Dërguari i Allahut (a.s) i tha: “Çfarë të pengoi që ta ma tregoje/korrigjoje?!”[19]
14- Leximi i dy apo më shumë sureve në një rekat: Abdullah ibn Shakiki thotë: “E pyeta Aishen (r.a): “A i bashkonte dy sure në një rekat i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të)?!” Ajo u përgjigj: “Bashkonte suret Mufasal”[20] Nafia tregon, se Ibn Umeri (r.a) lexonte në një rekat të namazeve farz dy ose tre sure të Mufasalit përnjëherësh”[21]
Autor: Rushit Musallari
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Ebu Daudi (904). Hadith i vërtetë.
[2] – Ebu Daudi (773). Hadith i vërtetë.
[3] – Darakutni (666). Hadith i dobët.
[4] – Muslimi.
[5] – Ebu Daudi (925). Hadith i vërtetë.
[6] – Ebu Daudi (925). Hadith i vërtetë.
[7] – Ahmedi. Hadith i vërtetë.
[8] – Ibn Ebi Shejbeh. Hadith i vërtetë.
[9] – Ebu Daudi (656). Hadith i vërtetë.
[10] – Ebu Daudi (654). Hadithi i vërtetë për shkak të dëshmive përforcuese.
[11] – Hakimi (954). Hadith i vërtetë.
[12] – Ebu Daudi (653). Hadith i vërtetë për shkak të dëshmive përforcuese.
[13] – Buhariu dhe Muslimi.
[14] – Ebu Daudi (659), Hadith i vërtetë për shkak të dëshmive përforcuese.
[15] – Buhariu (382) dhe Muslimi (512).
[16] – Tirmidhiu (587).
[17] – Muslimi (2203).
[18] – Ebu Daudi (921). Hadith i vërtetë.
[19] – Ebu Daudi (907). Hadith i vërtetë për shkak të dëshmive përforcuese.
[20] – Muslimi (717).
[21] – Maliku (97). Thënie e vërtetë.



















