Republika e Trinidadit dhe Tobagos është një shtet në jug të Karaibeve, në një distancë prej 11 km nga bregu verilindor i Venezuelës. Trinidadi dhe Tobago konsiderohen një arkipelag i përbërë nga dy ishuj kryesorë: Trinidadi, ishulli më i madh, dhe Tobago, si dhe 21 ishuj të vegjël të tjerë.
Popullsia e tij është rreth 1.5 milion banorë, një përzierje e indianëve vendas, afrikanëve dhe indianëve nga Azia. Shumica e myslimanëve aty janë nga afrikanët (45%), të sjellë si skllevër për të punuar në bujqësi dhe miniera, dhe nga aziatikët (46%), të cilët u sollën nga Britania nga Podkontinenti Indian.
Trinidadi dhe Tobago janë njohur me Islamin shumë herët, para zbulimit të ishujve në vitin 1533, kur myslimanë nga Afrika Perëndimore kryen udhëtime të hershme për të zbuluar botën e re. Spanjollët gjetën aty shumë gjurmë islame, përfshirë xhami ku brenda kishte biblioteka që përmbanin Kuranin dhe disa libra të jurisprudencës islame sipas medh’hebit Maliki, të përhapur në Afrikën Perëndimore. Megjithatë, prania islame aty u zhduk dhe me të edhe këto gjurmë.
Në vitin 1777, Spanja pushtoi Trinidadin dhe solli një numër të konsiderueshëm afrikanësh, kryesisht nga Senegali dhe rrethinat e tij, për të punuar në ishull. Shumica e tyre ishin myslimanë që mbështetën praninë islame, u integruan me banorët vendas dhe krijuan lidhje martese, gjë që çoi në konvertimin e shumë prej tyre në Islam.
Vala më e madhe e myslimanëve erdhi kur Britania pushtoi Trinidadin dhe më pas u shfuqizua skllavëria në vitin 1834. Autoritetet dhe kompanitë britanike u mbështetën në kolonitë e tyre në Podkontinentin Indian për të sjellë punëtorë për fermat dhe minierat. Në fakt, shumë nga banorët e Podkontinentit Indian, myslimanë dhe hindu, u vendosën aty dhe sot përbëjnë rreth një të tretën e popullsisë së Trinidadit dhe Tobagos, duke rritur kështu numrin e myslimanëve dhe duke shfaqur dukshëm identitetin islam në vend.
Në vend u themeluan disa shoqata islame, të cilat punuan për përhapjen e fesë, për promovimin e koncepteve të sakta islame dhe për të tërhequr ndjekës të feve të tjera drejt Islamit, duke mbrojtur besimin islam nga ndikimet e huaja dhe të gabuara.
Me shfaqjen e dukshme të veprimtarive të hapura islame dhe rritjen e numrit të atyre që pranonin Islamin, filloi një luftë kundër Islamit dhe myslimanëve për të kufizuar praninë islame në vend. Këto përpjekje, sidomos nga institucionet misionare, ishin për të tërhequr popullsinë drejt krishterimit me mjete të ndryshme.
Myslimanët filluan një “xhihad” për të mbrojtur fenë nga ndikimet e huaja dhe për të parandaluar që myslimanët të largoheshin nga sheriati dhe besimi i tyre. Ata arritën të ndalonin përhapjen e misionarizmit që synonte mashtrimin e myslimanëve duke përdorur slogane islame.
Institucionet islame arritën fitore të mëdha, duke parandaluar përhapjen e ideve të gabuara dhe duke rikthyer tek Islami ata që ishin konvertuar ose devijuar nga rruga e drejtë. Ato gjithashtu tërhoqën shumë ndjekës të feve të tjera drejt Islamit në Trinidad dhe Tobago.
Sot, numërohen 100 xhami, secila me një shkollë për mësimin dhe recitimin e Kuranit dhe gjuhës arabe, dhe 70 shkolla islame për edukimin e brezit të ri në përputhje me mësimet islame.
Si rezultat i punës së shoqatave islame, pranisë islame iu dha forcë dhe ndikim politik dhe ekonomik në vend; disa myslimanë janë ministra, anëtarë të Senatit dhe të Parlamentit. Autoritetet njohin festat islame si ditë zyrtare me pagesë dhe qeveria e Trinidad dhe Tobagos paguan dy të tretat e buxhetit për arsimin islam, ndërsa shoqatat islame kanë arritur të udhëheqin të gjithë komunitetin mysliman.
Përfundim: Myslimanët në Trinidad dhe Tobago kanë luftuar shumë për të provuar ekzistencën e tyre, pavarësisht fushatave të egra për të shkatërruar identitetin e tyre fetar. Qëllimi është që myslimanët të ruajnë marrëdhënie të forta me bashkëbesimtarët e tyre në këtë vend, për të mos lejuar që përpjekjet e reja misionare t’i dobësojnë.
Burimi: dawa.center
Përktheu: Elton Harxhi



















