Nevoja jonë për një edukim imanor dhe shpirtëror

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Ne kemi nevojë për një edukim me besim të shëndoshë, i cili mbjell në zemër kuptimet e mirëfillta hyjnore: frikërespektin ndaj Allahut, shpresën tek Ai, gjetjen e prehjes pranë Tij, dashurinë për Të, kënaqësinë me Të, mbështetjen tek Ai, kthimin tek Ai me pendim, bindjen ndaj urdhrave të Tij dhe dorëzimin ndaj gjykimit të Tij dhe të të Dërguarit të Tij.

Allahu i Madhëruar thotë:  “Jo, për Zotin tënd, ata nuk do të jenë besimtarë të vërtetë, derisa të të marrin ty për gjyqtar për kundërshtitë mes tyre; e pastaj, të mos ndiejnë kurrfarë dyshimi ndaj gjykimit tënd dhe të të binden ty plotësisht”[1] Gjithashtu, Allahu i Madhëruar thotë: “Ndërsa përgjigjja e vetme e besimtarëve, kur thirren tek Allahu dhe i Dërguari i Tij, që ai të gjykojë midis tyre, është: “Dëgjojmë dhe bindemi”. Pikërisht këta janë të shpëtuarit”[2]

Nga elementet e këtij edukimi është të mbajturit vazhdimisht parasysh  kuptimet që lidhen me jetën e përtejme (ahiretin), si: vdekja, varri, ringjallja, tubimi i njerëzve, qëndrimi para Allahut, llogaria, regjistrat e veprave, peshorja e veprave, ura e Siratit, Xheneti dhe Xhehenemi.

Me fjalë të tjera, ne kemi nevojë për një formë të përkushtimit shpirtëror, asketik, i maturuar ndaj Allahut,  të cilën disa e kanë shprehur me fjalët: Të jesh i sinqertë në marrëdhënien me Allahun e vërtetë dhe të sillesh me moral të mirë me. Krijesat

Pikërisht kësaj i referohet fjala e Allahut të Madhëruar: “Vërtet, Allahu është me ata që e kanë frikë dhe që janë punëmirë..” [3]

Ky është shpirti i fesë së vërtetë: devotshmëria ndaj Allahut dhe bamirësia ndaj njerëzve. Prandaj, sufizmi i vërtetë, para së gjithash, është devotshmëri dhe moral i lartë.

Ibn Kajjimi thotë: “E gjithë feja është moral. Ai që të tejkalon në moral, të tejkalon edhe në fe.” E njëjta vlen edhe për devotshmërinë.

Ibn Kajjimi, në veprën e tij “Medarixhus-Salikin”, përcjell nga disa prej sufinjve të hershëm këtë përkufizim të tesavufit: “Sufizmi  është morali. Ai që të tejkalon në moral, të tejkalon edhe në sufizëm.”

Ky është sufizmi që dëshirojmë: sufizmi i edukimit dhe i moralit kuranor e profetik; sufizmi që ushqen besimin, zbut zemrat, nxit motivimin, forcon vullnetin, edukon shpirtin dhe përmirëson sjelljen, në dritën e Kur’anit, Sunetit dhe udhëzimit të të parëve tanë të devotshëm. Ky është sufizmi për të cilin kujdesemi dhe drejt të cilit ftojmë.

Ky është sufizmi që përmbush misionin e pastrimit të shpirtit  që njihet si (tezkije), të cilit Kurani i referohet ndër karakteristikat e mesazhit të Muhamedit (a.s): “Është Ai që u solli të analfabetëve një të Dërguar nga gjiri i tyre, për t’u lexuar atyre shpalljet e Tij, për t’i pastruar.…”[4]

Kjo është gjithashtu “pozita e ihsanit” apo (përsosmërisë në adhurim), përmendur në hadithin e njohur të Xhibrilit, të cilin Profeti paqja e Allahut qoftë mbi të e përkufizoi me fjalët: “Ihsani është ta adhurosh Allahun sikur e sheh Atë, sepse, edhe nëse ti nuk e sheh Atë, Ai të sheh ty.”

Por, nëse sufizmi shndërrohet në pasivitet, siç shprehet në fjalët e disave: “Lërja krijesat Krijuesit dhe lëre mbretin në mbretërinë e tij!”, me qëllim që të braktiset urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja, atëherë një sufizëm i tillë është i papranueshëm.

E njëjta vlen edhe për shprehjen e tyre: “Allahu i ka vendosur robërit në atë që ka dëshiruar!” Kjo është një fjalë e vërtetë, por që përdoret për të justifikuar të pavërtetën.

Kështu, nëse tesavufi nënkupton zhveshjen e personalitetit të nxënësit përballë shehut të tij, siç thonë disa: “Kush i thotë shehut të tij: ‘Përse?’, nuk ka për të pasur sukses!” Gjithashtu, ata thonë: “Muridit (nxënësit) përballë shehut të tij i takon të jetë si i vdekuri në duart e atij që e lan (e përgatit) për varrim!” Kjo formë e  sufizmit është e papranueshme.

Nëse sufizmi nënkupton ndarjen ndërmjet së vërtetës shpirtërore (hakikati) dhe legjislacionit (Sheriatit) , siç thonë disa: “Kush i sheh krijesat me syrin e Sheriatit, i përbuz ato, ndërsa kush i sheh me syrin e hakikatit, i justifikon ato”, atëherë ne nuk kemi asnjë lidhje me një sufizëm të tillë.

Po kështu, nëse tesavufi shndërrohet në formë falli dhe tregtie me fenë në mesin e njerëzve të thjeshtë, të cilët udhëhiqen përmes përrallave dhe bestytnive, ndërsa për ta përgatiten hajmali, nuska dhe yshtje të ndryshme, atëherë një sufizëm i tillë është i pavërtetë dhe ne distancohemi prej tij.

Në përgjithësi, nëse sufizmi bëhet një vatër  bestytnish në mendim, të veprimeve që përmbajnë shirk në besim, të risive të shpikura në adhurim, të dobësimit të moralit, të sjelljeve pasive dhe të shpërfilljes së jetës, atëherë ne jemi të parët që e kundërshtojmë dhe e luftojmë atë.

Ripërtëritja e fesë arrihet përmes thirrjes drejt “Islamit të parë”: Islamit që solli Kurani Famëlartë, të cilin e shpjegoi Suneti i pastër dhe që sahabët, si dhe ata që i pasuan me përkushtim, e kuptuan dhe e zbatuan, përpara se atij t’i përziheshin elemente të huaja nga besimet dhe sektet e ndryshme, si dhe nga filozofitë e popujve të Lindjes dhe të Perëndimit.

Ne ftojmë drejt këtij Islami të pastër, pa ortakëri me asgjë tjetër; të kulluar, pa përzierje të huaja; gjithëpërfshirës, pa copëzim; të ekuilibruar, pa teprim dhe as mangësi; dhe që përfaqëson një rrugë të drejtë, pa devijime e pa anuar as djathtas, as majtas.

Allahu i Madhëruar thotë: “Kjo është rruga Ime e drejtë; prandaj ndiqeni e mos shkoni rrugëve të tjera që t’ju shmangin nga rruga e Tij. Kjo është ajo që ju porosit Ai për t’u ruajtur nga të këqijat..”[5]

Lutja jonë e fundit është: Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve!

Autor: Jusuf Kardavi

Përktheu: Mevlad Çollaku

By: ardhmëriaonline.com

[1] – Sure Nisa: 65.

[2] – Sure Nur: 51.

[3] – Sure Nahl: 128.

[4] – Sure Xhuma: 2.

[5] – Sure En’am: 153.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *