Një aspekt tjetër i neglizhencës sonë ndaj Kuranit

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Nuk ka dyshim se të gjithë muslimanët e dinë dhe besojnë se Kurani është mrekullia me të cilën Allahu e ka veçuar Profetin Muhamed (a.s), dhe se në të gjenden dije që nuk kanë fund në mrekullitë e tyre dhe urtësi që nuk shterojnë në çuditë e tyre. Këto dije dhe urtësi kanë nevojë për përdorimin e mendjes për t’i nxjerrë në pah, për vështrim të thelluar dhe për meditim të gjatë mbi kuptimet e tyre.

Është me rëndësi të madhe që muslimani të kuptojë tre çështje që lidhen me Kuranin:

1 Mangësia ndaj Kuranit nuk kufizohet vetëm në neglizhimin e leximit dhe recitimit të tij, por përfshin edhe neglizhimin e meditimeve dhe thellimit në kuptimet e tij njësoj. Vëre fjalën e Allahut:
“A nuk meditojnë mbi Kuranin, apo mbi zemrat e tyre janë të vulosura”[1]

2 Meditimi mbi Kuranin nuk është i kufizuar vetëm për dijetarët. Kurani nuk është shpallur që ta kuptojnë vetëm dijetarët apo njohtësit e gjuhës, por për të gjithë muslimanët, madje për mbarë njerëzimin, muslimanë dhe jomuslimanë. Përndryshe, ai nuk do të ishte argument për të gjithë njerëzit.

Çdo njeri mund të përfitojë nga Kurani sipas dijes, kuptimit dhe përpjekjes së tij.

Ka një dallim mes meditimit dhe reflektimit mbi Kuranin — që kërkohet nga të gjithë muslimanët — dhe nxjerrjes së dispozitave juridike e sheriatike, që është detyrë e dijetarëve dhe juristëve.

3 Dijet e Kuranit nuk kufizohen vetëm në shkencat fetare. Kjo duket e qartë për çdo musliman, por nëse shqyrtojmë librat e tefsirit, shumica e tyre zgjaten në çështje juridike dhe dispozita fikhu, ndërsa për shkencat e tjera që përmban Kurani ka mungesë vëmendjeje, nëse nuk mund ta quajmë neglizhencë.

Muslimanët dhe studiuesit duhet të orientohen drejt një studimi më të thelluar dhe meditimi më të gjerë mbi dijet dhe njohuritë e tjera që përmban Kurani, si dhe të plotësojnë atë që mund të ketë munguar te të parët, nëse vërtet besojmë se ky Kuran është mrekulli e përjetshme e Allahut dhe se urtësitë e tij nuk shterojnë.

Allahu i Madhëruar thotë: “Thuaj: Sikur deti të ishte bojë për fjalët e Zotit tim, me siguri do të shterej deti para se të shteronin fjalët e Zotit tim, edhe sikur të sillnim një tjetër si ndihmë.”[2]

Autor: Ebu Bekër Xhunejd

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

[1] – Sure Muhamed: 24.

[2] – Sure Kehf: 109.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *