Namazi: lidhje dhe ndikim

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Namazi është lidhje dhe komunikim, ngritje dhe qëndresë, përulje dhe nënshtrim, përgjërim dhe lutje, kthim tek Allahu dhe përunjësi, detyrim dhe nderim, qetësi dhe prehje, bindje dhe përgjigje ndaj urdhrit hyjnor, çlodhje dhe strehë shpirtërore.

Ai është shtylla e fesë, themeli i saj i palëkundur dhe baza e fortë mbi të cilën ngrihet Islami. Është shenja më e qartë e përkatësisë islame. Kush e fal namazin, e ka mbajtur fenë; ndërsa kush e shpërfill, e cenon dhe nuk ia respekton të drejtat, le ta rishqyrtojë përkatësinë e tij ndaj Islamit, sepse ndodhet përballë një rreziku të madh.

Namazi është detyrimi i parë praktik me të cilin ngarkohet myslimani. Ai e shoqëron besimtarin gjatë gjithë jetës, derisa të takohet me Allahun e Lartësuar. E shoqëron në vendbanimin dhe udhëtimin e tij, në shëndet dhe në sëmundje, për sa kohë që gëzon mendjen. Ai i qëndron pranë në të gjitha rrethanat e jetës. Besimtari nxiton për ta falur në kohën e caktuar, e kështu kraharori i zgjerohet, gjymtyrët i qetësohen, shpirti i lartësohet dhe zemra i pastrohet.

Prej namazit ai mëson disiplinën, renditjen e përparësive dhe ruajtjen e kohës.

Thirrja për namaz sjell freski dhe paqe, qetësi dhe siguri, sukses dhe shpëtim; ndërsa ecja drejt tij është udhëtim drejt mëshirës, faljes dhe amnistisë së Allahut.

Besimtari jeton me namazin nën hijen e një kopshti të begatë. Në të e përmend Zotin e tij, ripërtërin energjinë shpirtërore dhe forcon besimin. Ai e fuqizon vendosmërinë, e përmirëson veprimin e tij dhe i përgjigjet thirrjes së përsëritur të Zotit në Librin e Tij Fisnik: “Faleni namazin, jepeni zekatin dhe përkuluni me ata që përkulen!”[1]

Në këtë mënyrë ai realizon edhe kuptimin e fjalës së Allahut të Lartësuar: “Vërtet, namazi është detyrë e caktuar në kohë për besimtarët.”[2] (En-Nisa: 103)

Nëpërmjet namazit, besimtari ngrihet drejt mirësive që synon dhe shkallëve të larta, duke ecur mbi urën e adhurimeve, gurthemeli më i fortë i së cilës është namazi. Zemra e tij mbushet me qetësi teksa lexon fjalën e Allahut të Lartësuar: “Me të vërtetë, kanë shpëtuar besimtarët, të cilët janë të përulur në namazin e tyre, që largohen nga çdo gjë e kotë dhe që e japin zekatin.”[3]

Besimtari niset drejt xhamisë për ta falur namazin së bashku me xhematin e besimtarëve. Aty zemrat përshëndesin njëra-tjetrën, shpirtrat afrohen, zemrat pastrohen dhe synimet fisnike lartësohen. Si të mos ndodhë kështu, kur të gjithë i janë përgjigjur thirrjes: “Ejani në namaz!” Pas këtij takimi, ndikimi i namazit shfaqet në vepër dhe dhënie, në përpikëri dhe ndërtim.

Lidhja ndërmjet robit dhe Zotit të tij vazhdon pandërprerë; nuk kufizohet nga vendi dhe nuk pengohet nga koha, përveç rasteve të veçanta që myslimani i mëson në jurisprudencën e namazit. Dera e Allahut të Madhëruar është gjithmonë e hapur. Prandaj besimtari i rezervon namazit një vend në shtëpinë e tij, në treg, në vendin e punës dhe madje edhe gjatë çasteve të pushimit. Nëpërmjet tij ai lartësohet me përmendjen e Allahut dhe i jep mjedisit të tij shkëlqim e hijeshi me atë bashkëbisedim madhështor me Zotin. Kohë pas kohe ai përfiton edhe çaste për të falur namaze vullnetare e të bekuara, në mëngjes e në mbrëmje, në agim dhe në paradite.

Me këtë lidhje të vazhdueshme me Zotin e tij, besimtari ngrihet shpirtërisht dhe namazi bëhet gëzimi i zemrës së tij dhe burimi i qetësisë së tij. Ai është streha e tij e sigurt dhe kopshti i tij i mbushur me lule aromatike. Prandaj nuk është aspak çudi që ai të bëhet prej atyre njerëzve që e adhurojnë Allahun gjatë natës, të cilët Allahu i ka lavdëruar në shumë ajete të Kuranit, si në suren Furkan, në të cilin Allahu i Lartësuar thotë:  “Dhe ata që e kalojnë natën duke bërë sexhde dhe duke qëndruar në këmbë për Zotin e tyre.”[4]

Ndërsa në suren Dharijat Kurani përmend shpërblimin e të devotshmëve në botën tjetër dhe tregon se një nga veprat e tyre më të mëdha ishte adhurimi gjatë natës, kur njerëzit flinin. Allahu i Lartësuar thotë: “Vërtet, të devotshmit do të jenë në kopshte dhe pranë burimeve, duke marrë atë që do t’u japë Zoti i tyre. Ata më parë ishin bamirës. Ata flinin vetëm një pjesë të vogël të natës, ndërsa në agim kërkonin falje. Dhe në pasurinë e tyre kishte një të drejtë për lypësin dhe për të privuarin.”[5]

Po kështu, në suren Sexhde, Kurani na përshkruan gjendjen e besimtarëve përballë ajeteve të Allahut dhe mënyrën se si ndërveprojnë me to, qofshin ato ajetet e Librit të shpallur apo shenjat e Tij në gjithësi. Gjendja e tyre është kulmi i bukurisë dhe madhështisë. Ata kanë çaste vetmie me Zotin e tyre, me të cilat ndriçojnë netët dhe e mbushin kohën e tyre me adhurim. Gëzimi i mbulon dhe mëshira e të Gjithëmëshirshmit i përfshin. Allahu i Lartësuar thotë për ta: “Vetëm ata u besojnë ajeteve Tona, të cilët, kur u kujtohen ato, bien në sexhde dhe e madhërojnë Zotin e tyre me falënderim, pa treguar mendjemadhësi. Ata ngrihen nga shtretërit e tyre, duke iu lutur Zotit të tyre me frikë e shpresë dhe japin nga ajo me të cilën i kemi furnizuar Ne. Asnjë njeri nuk e di se çfarë kënaqësish për sytë u janë fshehur atyre si shpërblim për veprat që kanë bërë.”[6]

Me namazin, myslimani hyn në një shkollë edukimi të përditshme, jo më pak se pesë herë në ditë. Në të ai braktis të metat dhe zbukurohet me virtyte; pastrohet dhe ngjitet në shkallë më të larta shpirtërore. E mbulojnë flladet e mëshirës dhe e rrethojnë begatitë hyjnore. Drejtësia i zë vendin shtrembërimit, rruga e tij korrigjohet, gjendja e tij shpirtërore ekuilibrohet dhe peshorja e jetës së tij vendoset në drejtësi. Atëherë ai bie në sexhde falënderues ndaj Allahut, duke parë ndikimin e namazit në jetën e tij, dhe gëzohet që është përfshirë në përjashtimin e përmendur nga Allahu i Lartësuar në suren Me’arixh: “Me të vërtetë, njeriu është krijuar i paduruar. Kur e prek e keqja, ai dëshpërohet; e kur e prek e mira, bëhet koprrac. Përjashtim bëjnë ata që falin namazin, të cilët janë të vazhdueshëm në namazin e tyre.”[7]

Ky është namazi! Ndikimi i tij është i jashtëzakonshëm dhe veprimi i tij është i mrekullueshëm. Prandaj nuk është çudi që lutja e babait të pejgamberëve, Ibrahimit (a.s), ishte: “Zoti im! Më bëj mua prej atyre që e falin namazin, e po ashtu edhe pasardhësit e mi. Zoti ynë, pranoje lutjen time.”[8]

Po kështu, fjalët e para me të cilat Allahu i Madhëruar iu drejtua Musait (a.s), qyh në agimin e shpalljes, ishin: “Vërtet, Unë jam Allahu. Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Meje. Prandaj më adhuro Mua dhe fale namazin për të Më kujtuar!”[9]

Gjithashtu, Allahu i Lartësuar e urdhëroi Musain dhe Harunin që ta urdhëronin popullin e tyre për të falur namaz, duke thënë: “Bëjini shtëpitë tuaja vende adhurimi dhe faleni namazin!”[10]

Allahu e nderoi Ismailin (a.s) dhe e ngriti në pozitë. Mjafton të shohim marrëdhënien e tij me namazin dhe kujdesin që tregonte për familjen e tij, duke i nxitur ata që të falnin namaz Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe përmende në Libër Ismailin. Ai ishte besnik në premtimin e tij, ishte i dërguar dhe pejgamber. Ai e urdhëronte familjen e tij të falte namazin dhe të jepte zekatin, dhe ishte i kënaqur te Zoti i tij.”[11]

Allahu gjithashtu e përgëzoi Zekerijan (a.s) me lindjen e Jahjasë (a.s) dhe na tregoi gjendjen e tij në çastin kur mori këtë lajm të gëzuar. Ai ishte duke qëndruar në namaz, i përulur para Zotit të tij Bujar. Allahu i Lartësuar thotë: “Atëherë engjëjt e thirrën, ndërsa ai po falej në këmbë në mihrab: “Allahu të përgëzon me Jahjan, i cili do të vërtetojë Fjalën e Allahut; do të jetë prijës, i dëlirë dhe pejgamber prej të mirëve.”[12]

Po kështu, Allahu e përzgjodhi Merjemen mbi gratë e botës dhe, duke e nderuar me këtë zgjedhje, e porositi për namaz. Le të jetojmë nën hijen e kësaj dhurate hyjnore, ndërsa lexojmë fjalën e Allahut të Lartësuar: “Kur engjëjt thanë: “O Merjeme! Allahu të ka zgjedhur, të ka pastruar dhe të ka dalluar mbi gratë e botës. O Merjeme! Ji e përkushtuar ndaj Zotit tënd, bëj sexhde dhe përkulu me ata që përkulen.”[13]

Më pas kalojmë nga Merjemja te biri i saj, Mesihu Isai (a.s). Ndërsa ishte ende në djep, Allahu e bëri të fliste me ato fjalë të bekuara për ta shpallur të pafajshme nënën e tij të dëlirë nga shpifjet që iu bënë dhe për të pohuar njerëzoren dhe pejgamberllëkun e tij. Është domethënëse se ndër ato fjalë të bekuara gjendet edhe porosia për namazin. Allahu i Lartësuar thotë: “Ajo bëri me shenjë nga ai. Ata thanë: “Si t’i flasim një foshnje që është ende në djep?” Ai tha: “Unë jam rob i Allahut. Ai më ka dhënë Librin dhe më ka bërë pejgamber. Më ka bërë të bekuar kudo që të jem dhe më ka porositur për namazin dhe zekatin sa të jem gjallë.”[14]

Le të zhytemi edhe më thellë dhe të përfitojmë margaritarët më të çmuar, ndërsa dëgjojmë të Dashurin tonë, Muhamedin (a.s), duke folur për namazin. Ai thotë: “Kënaqësia e syrit tim është lënë në namaz.”

Dhe zemrat tona mbushen me freski e qetësi, kur e dëgjojmë – qofshin babai dhe nëna ime flijim për të – t’i thotë Bilalit (r.a): “Na qetëso me të, o Bilal!”

Kjo ishte gjendja e pejgamberëve, atyre që e njihnin vërtet Allahun, në marrëdhënien e tyre me namazin. Ata janë shembulli që duhet ndjekur nga kushdo që ecën në gjurmët e tyre dhe ndjek rrugën e tyre.

Marrëdhënia e tyre me namazin ishte nxitimi drejt tij, ruajtja e tij me përpikëri, përkushtimi në përmbushjen e të drejtave të tij, përulësia gjatë faljes dhe sexhdja me trup e me zemër.

Frytet e namazit shfaqeshin qartë në sjelljen e tyre: sinqeritet në fjalë dhe në vepra, moral i lartë me të afërmit dhe me të huajt, përmbushje e të drejtave të njerëzve, sakrificë, bujari dhe bamirësi.

Ata e mbrojtën veten me namaz, prandaj ai i pengoi nga çdo e shëmtuar, duke u bërë tek ta realitet fjala e Allahut të Lartësuar: “Vërtet, namazi të largon nga shthurja dhe nga çdo e keqe.”[15]

Ndërsa ata që nuk ia dhanë namazit kujdesin që meriton, u treguan të pakujdesshëm ndaj tij dhe nuk e falën ashtu siç kërkohet, nuk gjejnë në të as përulësi e as meditim, as drejtësi e as ekuilibër, as qetësi e as prehje. Ata e falin shpejt e shpejt, si sorra që godet me sqepin, me lëvizje pa shpirt, sikur dëshirojnë vetëm të çlirohen prej tij dhe ta heqin si një barrë nga supet. Për këta druhemi se mund t’i godasë kërcënimi i Allahut të Madhëruar: “Mjerë ata që falin namazin, të cilët janë të pakujdesshëm ndaj namazit të tyre, që e bëjnë atë për sy e faqe dhe ua mohojnë të tjerëve edhe ndihmën më të vogël.”[16]

Pasi e kryen namazin keq, pa përulësi dhe pa e ndier madhështinë e qëndrimit para Zotit të botëve, si pasojë edhe sjellja e tyre prishet dhe ata devijojnë nga rruga e drejtë.

Nuk ka dyshim se vazhdimi në këtë qasje të shtrembëruar ndaj namazit mund t’i çojë ata, pa e kuptuar, në radhët e hipokritëve, të cilët Allahu i Lartësuar i përshkroi me fjalët: “Kur ngrihen për namaz, ngrihen me përtaci; falen vetëm për t’u dukur para njerëzve dhe Allahun e përmendin shumë pak.”[17] (

Prandaj, kujdesuni për namazin! Me të përmirësohen gjendjet tona në këtë botë dhe në botën tjetër.

Allahu na bëftë mua dhe juve prej njerëzve të namazit, atyre që gjejnë kënaqësinë e syve në të, që pastrojnë shpirtrat e tyre duke e falur dhe që i lartësojnë shpirtrat e tyre duke e kryer atë ashtu siç duhet. Amin.

Autore: Zahra Oshin

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

[1] – Sure Bekare: 43.

[2] – Sure Nisa: 103.

[3] – Sure Mu’minun: 1 – 4.

[4] – Sure Furkan: 64.

[5] – Sure Dharijat: 15 – 19.

[6] – Sure Sexhde: 15 – 17.

[7] – Sure Mearixh: 19 – 23.

[8] – Sure Ibrahim: 40.

[9] – Sure Taha: 14.

[10] – Sure Junus: 87.

[11] – Sure Merjem: 54 – 55.

[12] – Sure Ali Imran: 39.

[13] – Sure Ali Imran: 42 – 43.

[14] – Sure Merjem: 29 – 31.

[15] – Sure Ankebut: 45.

[16] – Sure Maun: 4 – 7.

[17] – Sure Nisa: 142.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *