Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve, dhe më e mira e lutjeve dhe më e plota e paqes qoftë mbi hazreti Muhamedin, dhe mbi familjen dhe shokët e tij të gjithë.
O vëllezër të dashur!
Nga përcaktimi i të Gjithëdijshmit të Urtit është se Ai ka fshehur momentin se kur do të ndodhë Kiameti nga të gjithë krijesat e Tij. Megjithatë Pejgamberi ynë, i Dërguari i Allahut (a,s) u informua për shenjat e tij nga Zoti i Tij, i Lartësuar, i Cili thotë: “Njohtësi i të panjohurës, dhe nuk e bën të njohur askënd për të panjohurën e Tij, përveç atij që Ai ka zgjedhur nga pejgamberët.”
Një nga shenjat e Kiametit që Pejgamberi ynë (a,s) e ka përmendur është vrasja e hazreti Omerit (r.a)
“Mes teje dhe saj ka një derë të mbyllur.”
O vëllezër të nderuar:
Imami Buhariu ka transmetuar nga Hudhejfe (r.a) se ka thënë: “Ne ishim ulur pranë hazreti Omerit (r.a), dhe ai tha: Kush nga ju mban mend fjalën e të Dërguarit të Allahut (a,s) për fitnet?” Unë thashë: “Unë, ashtu siç e ka thënë.” Ai tha: “Ti je i guximshëm ndaj saj.” Unë thashë: “Fitnet e njeriut mbi familjen e tij, pasurinë, fëmijët dhe fqinjët e tij, ata pastrohen nga namazi, agjërimi, sadakaja dhe urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja.” Ai tha: “Jo, këtë nuk e dua, por fitnet që përplasen si valët e detit.” Ai tha: “Nuk ka dëm për ty, o prijës i besimtarëve, mes teje dhe saj ka një derë të mbyllur.” Ai pyeti: “A thyhet apo hapet?” U tha: “Thyhet.” Ai tha: “Atëherë nuk mbyllet kurrë.” Ne pyetëm: “A e dinte Omeri derën?” Ai tha: “Po, ashtu si një natë më parë, të nesërmen i tregova një transmetim që nuk ishte gënjeshtër. Ne vendosëm të pyesim Hudhejfen, kështu që urdhëruam Mesrukun ta pyeste, dhe ai tha: “Dera është Omeri”
Shumica e fitneve që janë shfaqur tek myslimanët që nga fillimi i Islamit deri në Kiamet, burimi i tyre është nga Lindja, ku ngrihet briri i djallit. Këtë e ka njoftuar i sinqerti dhe i besuari me fjalën e tij: “O Allah, bekoje për ne Shamin dhe Jemenin.” Ata pyetën: “Po Nexhdin?” Ai tha: “O Allah, bekoje për ne Shamin dhe Jemenin.” Ata pyetën: “Po Nexhdin?” Ai tha: “Atje ka tërmete dhe fitne, dhe aty ngrihet briri i djallit.”[1]
Në një transmetim tjetër nga Ibn Omeri (r.a) tregohet se ai dëgjoi të Dërguarin e Allahut (a,s) duke u kthyer drejt Lindjes dhe duke thënë: “Shihni, ja fitnet janë këtu, nga aty ngrihet briri i djallit.”[2]
Ndërsa në një transmetim nga Ibn Abasi (r.a) tregohet se Pejgamberi (a,s) u lut duke thënë: “O Allah, bekoji peshoret tona. Bekoje Mekën dhe Medinën tonë, dhe bekoje Shamin dhe Jemenin.” Një njeri nga njerëzit tha: “O Pejgamber i Allahut, po Irakun tonë?” Ai tha: “Atje është briri i djallit – partia dhe ndjekësit e tij, ose fuqia dhe energjia e tij – dhe aty shpërthejnë fitnet, dhe shfaqet ashpërsia në Lindje.”[3]
Dryni i fitneve”
O vëllezër të nderuar:
Hazreti Omeri (r,a) njihej në mesin e disa prej sahabëve si “Dryni që mbyllte fitnet” ashtu siç tregohet në hadithin e nderuar të transmetuar nga Ebu Dherri (r.a), i cili thotë: “Takova Omer ibn Hatabin (r.a), ai e mori për dore dhe e shtrëngoi atë, sepse ishte një njeri i fortë. I thashë: Lëshoje dorën time, o dryni i fitneve.” Omeri pyeti: “Çfarë është dryni i fitneve?” Ai tha: “Një ditë shkova tek i Dërguari i Allahut (a,s) dhe e gjeta ulur, dhe njerëzit ishin mbledhur rreth tij. Unë u ula në fund të tyre. Pejgamberi (a,s) tha: “Asnjë fitne nuk do t’ju prekë derisa ky të jetë mes jush.”[4]
Për këtë arsye, fitnet nuk u shfaqën gjatë kohës së tij, Allahu qoftë i kënaqur me të, sepse prania e tij ishte si një derë e mbyllur që pengonte shfaqjen e tyre. Ai ishte një derë e mbyllur fort. Por kur u vra dhe ra shehid u realizua paralajmërimi i të Dërguarit të Allahut (a,s), siç tregon Imam Buhariu nga Enes ibn Maliku, Allahu qoftë i kënaqur me të: “Pejgamberi (a,s) u ngjit në Uhud, dhe Ebu Bekri, Omar, dhe Othmani ishin bashkë me të, dhe toka dridhej nën ta. Ai tha: Qëndro, Uhud, sepse pranë teje ka vetëm një Pejgamber, një të sinqertë dhe dy dëshmorë.”[5]
Ebu Hurejra (r.a) tregon se Pejgamberi (a,s) ishte mbi Hira së bashku me Ebu Bekrin, Omerin, Othmanin, Aliun, Talhën dhe Zubejrinn, dhe shkëmbi lëvizi. Pejgamberi (a,s) tha: “Qetësohu, sepse pranë teje ka vetëm një Pejgamber, një të sinqertë dhe një dëshmor.”[6]
Po, o vëllezër të nderuar, kur u vra hazreti Omeri dhe ra dëshmor dera u thy, fitnet u shfaqën, u përhapën dhe vazhdojnë të shtohen deri në ditët tona.
Falënderimi i Allahut që nuk e vendosi vdekjen time në dorën e një njeriu që pretendon Islamin
O vëllezër të nderuar: Amr ibn Meimuni në lidhje me ngjarjen e vrasjes së hazreti Omerit (r.a) thotë:
“Unë po qëndroja pranë tij dhe mes meje dhe tij ishte vetëm Abdullah ibn Abasi (r.a). Në mëngjesin që ai (Omeri) u godit, po kalonte mes dy rreshtave të njerëzve, thoshte: Rreshtohuni drejt! Kur ata u rreshtuan, ai e parakaloi dhe dha tekbir. Ndonjëherë lexonte suret Jusuf, Nahl ose diçka të ngjashme në rekatin e parë, derisa mblidheshin njerëzit.
Sapo dha tekbir, e dëgjova duke thënë: Më vrau – ose më kafshoi – qeni, kur ai e goditi. Njeriu i pafe, një burrë i fortë dhe i madh kishte një thikë me dy anë, që nuk kalonte pranë askujt, qoftë djathtas apo majtas, pa e goditur; ai goditi trembëdhjetë burra dhe shtatë prej tyre vdiqën. Kur një nga myslimanët pa këtë, i hodhi atij një kapuç të gjatë, dhe kur njeriu i pafe mendoi se ishte kapur, preu fytin e vet.
Omeri mori dorën e Abdurrahman ibn Aufit dhe e vuri para për t’i prirë njerëzve në namaz.. Kushdo që pasoi Omerin, pa atë që po ndodhte. Ata që ishin në qoshet e xhamisë nuk e dinin se çfarë ndodhi, përveç se kishin humbur zërin e Omerit duke thënë: Subhanallah.
Abdurrahman u fal shkurt. Kur përfunduan, Omeri tha: O Ibn Abbas, shiko kush më vrau. Ai u përpoq pak dhe pastaj erdhi dhe tha: Djali i Mugires.
Omeri pyeti: Artizanin, pra mjeshtrin? Ai tha: Po. Omeri tha: Zoti e vraftë! Unë kisha dhënë urdhër që të sillej mirë me të. Falënderimi i Allahut që nuk e bëri vdekjen time në dorën e një njeriu që pretendon Islamin. Ti dhe babai yt – Abdullah dhe babai i tij, Ibn Abbas – donit që numri i të pafeve të shtohej në Medinë, pasiqë Abdullahu ishte më i buti prej tyre.
Abdullahu tha: Nëse do të doje, do ta kishim bërë, duke nënkuptuar se do ta kishin vrarë. Omeri tha: Ke gënjyer – d.m.th. ke gabuar – pasi keni folur në gjuhën tuaj, keni falur drejtimin tuaj dhe keni kryer haxhin tuaj.
Ai u dërgua në shtëpinë e tij dhe ne shkuam me të, dhe njerëzit nuk kishin përjetuar më parë një fatkeqësi të tillë si atë ditë. I sollën verë të butë që ta pinte, e cila doli nga brenda tij, pastaj i sollën qumësht, i cili doli nga plagët, dhe ata menduan se ai kishte vdekur.
Hymë tek ai dhe njerëzit erdhën duke u lutur për të…
Ai tha: O Abdullah ibn Omer, shiko borxhet që kam. Ata i numëruan dhe i gjetën rreth gjashtëdhjetë e tetë mijë ose diçka të tillë. Ai tha: Nëse pasuria e familjes së Omarit mjafton, paguaj prej tyre, në të kundërt, kërko tek Benu Adij ibn Ka’b; dhe nëse nuk mjafton pasuria e tyre, kërko tek Kurejshët. Mos i kërko të tjerëve. Kjo është pasuria ime, dhe shko tek Aishja, nëna e besimtarëve, dhe thuaj: Omeri po të dërgon selam, dhe lutet për të lejuar që të varroset me shokët e tij. Mos thuaj prijësi i besimtarëve ta kërkon, sepse sot nuk jam prijësi i besimtarëve.”
Abdullah ibn Omeri (r.a) i dha selam dhe kërkoi leje, pastaj hyri tek Aishja dhe e gjeti duke qarë. Ai i tha: Omer ibn Hatabi po të dërgon selam dhe kërkon leje të varroset me shokët e tij.
Ajo tha: Doja që (vendin e varrit) ta kisha për vete, por sot do t’i jap atij përparësi ndaj vetes. Kur erdhi (tek Omeri), i thanë: Ky është Abdullah ibn Omeri që ka ardhur. Ai tha: Më ngrini. Një njeri e mbështeti tek ajo dhe pyeti: Çfarë ke? Ai tha: Ajo që ti e do o prijës i besimtarëve; ajo ka dhënë leje.
Ai tha: Falënderimi i takon Allahut! Nuk ka pasur gjë më të rëndësishme për mua se kjo. Kur të më vijë vdekja, më mbartni, pastaj përshëndetni me selam dhe thoni: Omer ibn Hatabi kërkon leje. Nëse më jepet leje, atëherë më futni brenda; e nëse ajo më refuzon, atëherë më ktheni në varrezat e myslimanëve.
Transmetuesi thotë: Kur ai ndërroi jetë, dolëm me të dhe u nisëm duke ecur. Abdullah ibn Omeri dha selam dhe tha: Omer ibn Hatabi ka kërkuar leje.
Aishja tha: Futeni. Kështu ai u fut dhe u vendos atje, pranë dy shokëve të tij.
Përfundim: i lutemi Allahut të Lartësuar për një përfundim të mirë:
O vëllezër të nderuar: Marrja e begatisë së sigurisë mes njerëzve dhe humbja e shëndetit të trupit janë nga sprovimet më të mëdha dhe fatkeqësitë më të rënda. Për këtë arsye, i Dërguari i Allahut (a.s) i urdhëroi shokët e tij të kërkojnë mbrojtje nga fitnet “Kërkoni mbrojtje te Allahu nga fitnet, qofshin ato të dukshme apo të fshehta. Ata thanë: “Ne kërkojmë mbrojtje te Allahu nga fitnet, qofshin ato të dukshme apo të fshehta.”[7]
I lumtur është ai njeri që mund t’i kalojë ditët e fitneteve dhe sprovave duke qenë i qëndrueshëm në ato gjëra me të cilat Allahu i Lartësuar është i kënaqur me të, dhe e ruan gjuhën dhe dorën e tij për mos t’i lënduar myslimanët, ashtu sikur ka thënë Profeti (a.s): “Myslimani është ai nga i cili myslimanët janë të sigurtë nga gjuha dhe dora e tij.”[8]
O Allah, ruana nga të gjitha fitnetet, qofshin ato të dukshme apo të fshehta, na mëshiro ne, ji i kënaqur me atë që ishte Çelësi i Fitneteve dhe bashkoje me ne nën flamurin e të Dërguarit tonë (a.s)
Amin!
Autor: Ahmed Sherif Na’san
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Buhariu.
[2] – Buhariu.
[3] – Tabaraniju.
[4] – Tabaraniju në Eusat.
[5] – Buhariu.
[6] – Muslimi.
[7] – Muslimi.
[8] – Buhariu dhe Muslimi.



















