Nuk ka alternativë tjetër ndaj organizimit përveç kaosit
Ai që e refuzon idenë e organizimit në veprimtarinë islame, në të vërtetë po bën thirrje dhe po nxit drejt kaosit në këtë veprimtari. Mirëpo kaosi nuk ka qenë kurrë një parim i Islamit dhe as një nga sloganet e tij. Përkundrazi, ai ka qenë një prej parullave të lëvizjes së majtë, madje edhe emri i një prej fraksioneve ekstremiste të saj, të njohur në historinë e lëvizjes komuniste gjatë viteve dyzet dhe pesëdhjetë të shekullit të kaluar.
Refuzimi i organizimit do të thotë refuzim i planifikimit dhe mbështetje te spontaniteti
Thirrja për të refuzuar idenë e organizimit në veprimtarinë islame është, në të njëjtën kohë, thirrje për të refuzuar parimin e planifikimit dhe për t’u mbështetur te spontaniteti dhe improvizimi. Kjo përbën shkallën më të skajshme të prapakthimit që mund të arrijnë myslimanët, një gjendje që e dëshirojnë me padurim armiqtë e Islamit, ata që i zënë pritë dhe kurdisin komplote kundër tij.
Kaosi dhe spontaniteti janë e kundërta e forcës
Thirrja për të refuzuar organizimin në veprimtarinë islame nënkupton, rrjedhimisht, thirrjen për vazhdimin e gjendjes së dobësisë së myslimanëve. Kjo sepse forca nuk ka qenë dhe nuk mund të jetë kurrë fryt i kaosit, por vetëm rezultat i organizimit; nuk është produkt i spontanitetit, por i planifikimit të mirëfilltë.
Kaosi dhe spontaniteti janë e kundërta e unitetit
Thirrja për të refuzuar organizimin në veprimtarinë islame do të thotë gjithashtu shtyrje e myslimanëve drejt një copëzimi, përçarjeje dhe mosmarrëveshjeje edhe më të madhe, si dhe një lloj legjitimimi i pluralizmit të pakontrolluar të drejtimeve, shkollave dhe lëvizjeve islame. Kjo sepse uniteti i myslimanëve dhe uniteti i veprimtarisë islame – të cilat janë objektiva të kërkuara nga Sheriati – nuk mund të realizohen pa organizim. Njësimi është fryt i organizimit, jo i kaosit; fryt i planifikimit, jo i spontanitetit.
Kaosi dhe spontaniteti bien ndesh me ligjet universale të krijimit
Çdo gjë në këtë univers ekziston dhe funksionon, me urdhrin e Allahut të Lartësuar, mbi bazën e organizimit dhe të rendit. Kështu ndodh me planetët dhe galaktikat që lëvizin në hapësirë, me ndërrimin e natës dhe të ditës, me alternimin e stinëve, me procesin e fekondimit dhe të riprodhimit te njeriu dhe kafshët, si edhe me rrjedhën e jetës në trupin e njeriut përmes sistemeve të tij të ndërlikuara dhe tejet të sakta. E njëjta gjë vlen për të gjitha ligjet hyjnore që rregullojnë universin, njeriun dhe jetën. Të gjitha ato mbështeten mbi rendin dhe organizimin; ndërsa çrregullimi i këtij rendi sjell prishjen e funksionimit të tyre dhe pengimin e roleve e të funksioneve që ato kryejnë.
Allahu i Lartësuar thotë: “Me të vërtetë, në krijimin e qiejve dhe të Tokës, si dhe në ndërrimin e natës dhe të ditës, ka shenja për njerëzit e mençur.”[1] Po ashtu Ai thotë: “Edhe Dielli lëviz drejt vendqëndrimit të tij; ky është caktimi i të Plotfuqishmit, të Gjithëdijshmit. Edhe Hënës i kemi caktuar fazat derisa kthehet si degëza e tharë e hurmës. As Dielli nuk mund ta arrijë Hënën, e as nata nuk mund t’ia kalojë ditës. Të gjithë lundrojnë në orbitat e tyre.”[2]
Rendi dhe planifikimi janë themeli i çdo veprimtarie të suksesshme
Çdo veprimtari, sado e vogël dhe modeste të jetë, nuk mund të ketë sukses nëse nuk është e organizuar. Shumë energji dhe potenciale shpërdorohen e humbin në mungesë të organizimit, ndërsa një grup i vogël, por i organizuar, mund të arrijë rezultate të jashtëzakonshme.
Nëse një projekt për ndërtimin e një shtëpie, hapjen e një dyqani, mbjelljen e një kopshti, ngritjen e një shkolle apo një spitali, ose çdo punë tjetër e thjeshtë, kërkon domosdoshmërisht organizim – si hartimi i planeve, administrimi i financave, përcaktimi i përgjegjësive, përzgjedhja e zbatuesve dhe mbikëqyrësve, sigurimi i materialeve etj, – atëherë a nuk ka edhe më shumë nevojë për organizim veprimtaria islame, e cila shtrihet në fusha të shumta, synon objektiva madhore dhe përballet me komplote e sfida të panumërta?!
Organizimi është themeli i metodologjisë islame
Vetë metodologjia islame është ndërtuar mbi rendin, organizimin, integrimin dhe harmoninë. A është e arsyeshme që thirrja drejt kësaj metodologjie, përpjekja për ta rikthyer jetën mbi bazën e saj, ndërtimi i shoqërisë që beson në të dhe ngritja e shtetit që gjykon sipas Sheriatit të saj, të zhvillohen pa organizim?!
Sistemi i adhurimeve – si namazi, agjërimi, zekati dhe haxhi – në çdo detaj dhe dispozitë të tij mbështetet mbi rregulla dhe parime të qarta organizative.
Po kështu edhe sistemi shoqëror, ligji i martesës, dispozitat që rregullojnë familjen myslimane dhe organizojnë marrëdhëniet shoqërore, e të tjera si këto, janë të gjitha të ngritura mbi baza të qëndrueshme organizative.
Në të njëjtën mënyrë, edhe të gjitha sistemet e tjera që përbëjnë metodologjinë islame mbështeten mbi rregulla të sakta dhe të mirëpërcaktuara organizative.
Organizimi është një tipar i udhëzimit kuranor
Kurani Famëlartë – kushtetuta e myslimanëve dhe argumenti i Allahut ndaj gjithë njerëzimit – thekson në shumë prej ajeteve të tij, qoftë në mënyrë të drejtpërdrejtë, qoftë të nënkuptuar, domosdoshmërinë e organizimit, respektimin e tij dhe mosneglizhimin e tij.
Në kuadër të urdhrit që myslimanët të kenë një udhëheqje, së cilës t’i referohen dhe vendimit të së cilës t’i binden, Allahu i Lartësuar thotë: “O ju që keni besuar! Bindjuni Allahut, bindjuni të Dërguarit dhe atyre që janë në pushtet prej jush.”[3]
Është e qartë se udhëheqja dhe bindja janë çështje që lidhen drejtpërdrejt me organizimin.
Po kështu, duke përshkruar marrëdhënien ndërmjet pjesëtarëve të një grupi dhe udhëheqjes së tij, Allahu i Lartësuar thotë: “Besimtarë të vërtetë janë vetëm ata që besojnë në Allahun dhe në të Dërguarin e Tij, dhe kur janë me të për një çështje të përbashkët, nuk largohen pa kërkuar lejen e tij. Ata që kërkojnë lejen tënde janë pikërisht ata që besojnë në Allahun dhe në të Dërguarin e Tij. Prandaj, kur të kërkojnë leje për ndonjë punë të tyre, jepu leje kujt të duash prej tyre dhe kërko falje për ta tek Allahu. Vërtet, Allahu është Falës dhe Mëshirues.”[4]
Ndërsa duke përshkruar kohezionin dhe bashkimin e myslimanëve, veçanërisht në përballjen me armiqtë e tyre, Allahu thotë: “Allahu i do ata që luftojnë në rrugën e Tij të rreshtuar, sikur të ishin një ndërtesë e lidhur fort.”[5] Një ndërtesë e lidhur fort është rezultat i organizimit dhe disiplinës, e jo i kaosit apo çrregullimit.
Kështu, ajetet kuranore shtohen e shpërndahen në të gjitha fushat e udhëzimit dhe legjislacionit islam, duke theksuar rëndësinë dhe pozitën e organizimit në Librin e Allahut, të cilit nuk mund t’i afrohet e pavërteta, as nga përpara e as nga prapa; ai është shpallje prej të Urtit, të Denjit për çdo lavdërim.
Organizimi një nga tiparet e udhëzimit profetik
I Dërguari i Allahut (a.s), i cili ishte shembulli dhe prijësi i muslimanëve, i kushtonte një rëndësi të madhe organizimit.
Përkujdesja e Profetit (a.s) ndaj organizimit shfaqet qartë përmes thirrjes së tij të drejtpërdrejtë për caktimin e një prijësi ose zgjedhjen e një udhëheqësi në krye të çdo grupi apo ekipi pune, edhe nëse ata janë vetëm tre persona. Profeti (a.s) ka thënë: “Kur të jeni tre veta, caktoni njërin prej jush si prijës.”[6] Kjo përkujdesje e të Dërguarit të Allahut (a.s) për t’ua besuar çështjet e muslimanëve një prijësi ose udhëheqësi, në thelb është përkujdesje që punët dhe çështjet e tyre të jenë të rregulluara, të disiplinuara dhe të organizuara, qoftë në kohë paqeje apo lufte, në tregti apo gjatë udhëtimit, dhe qoftë kur bëhet fjalë për çështje të vogla apo të mëdha.
Sepse si do të zgjidhej një mosmarrëveshje — nëse do të ndodhte — nëse në grup nuk do të ishte dikush, fjala e të cilit dëgjohet dhe respektohet?!
Si do të përcaktohej drejtimi i lëvizjes — nëse do të kishte shumë alternativa — nëse nuk do t’i jepej dikujt autoriteti për të zgjedhur dhe për të vendosur?!
Pastaj, kush do t’i caktonte secilit person detyrën e tij dhe kush do t’i ndiqte të gjitha punët me udhëzim dhe korrigjim, nëse në këtë ekip pune nuk do të ekzistonin përkushtimi, udhëheqja, bindja dhe sistemi?!
E gjithë kjo ka të bëjë me çështjet më të thjeshta dhe më të lehta; po çfarë ndodh atëherë kur ato bëhen më të mëdha, më të ndërlikuara dhe më të shtrira?!
Pastaj, i Dërguari i Allahut (a.s) e vazhdon udhëzimin e tij profetik duke theksuar domosdoshmërinë e dëgjimit dhe bindjes ndaj udhëheqjes, kushdo qoftë ajo, për sa kohë që ajo është udhëheqje e ligjshme sipas Sheriatit. Ai (a.s) ka thënë: “Dëgjoni dhe binduni, edhe nëse vendoset mbi ju si udhëheqës një rob abisinas, sikur koka e tij të ishte si një kokërr rrushi të thatë.”[7]
Dhe që bindja e muslimanëve ndaj udhëheqjes të mos jetë vetëm në çështjet që ata i pëlqejnë dhe që përputhen me dëshirat e tyre, sepse kjo do të çonte në çrregullim të madh, në të këqija të rënda, në kaos dhe humbje të rendit, i Dërguari i Allahut (a.s) e vazhdon udhëzimin e tij duke thënë: “Ke për detyrë të dëgjosh dhe të bindesh në vështirësinë dhe lehtësinë tënde, në atë që të pëlqen dhe në atë që nuk të pëlqen, edhe nëse të jepet përparësi ndaj teje.”[8]
Duke paralajmëruar kundër fitnes (përçarjes), copëtimit të radhëve të muslimanëve — gjë që i dobëson ata, i nxit armiqtë kundër tyre dhe u jep atyre guxim — Profeti (a.s) ka thënë: “Kush e heq dorën nga bindja (ndaj udhëheqjes), do ta takojë Allahun në Ditën e Kiametit pa pasur asnjë argument për veten e tij. Dhe kush vdes pa pasur në qafën e tij besëlidhjen e bindjes ndaj prijësit, ka vdekur një vdekje të kohës së injorancës.”[9]
A nuk janë të gjitha këto nga bazat e organizimit, nga parimet dhe themelet e tij?
Organizimi themeli i veprimtarisë së të Dërguarit të Allahut (a.s)
Veprimtaria e të Dërguarit të Allahut (a.s) gjatë të gjitha fazave të profetësisë së tij — qoftë në Mekë apo në Medinë — në fushën e edukimit, përhapjes së thirrjes islame, luftës apo në fusha të tjera, ishte e ndërtuar mbi një këndvështrim të thellë dhe të qëndrueshëm ndaj organizimit, si dhe mbi një përkujdesje të madhe për të.
– Në Besëlidhjen e Parë të Akabes: I Dërguari i Allahut (a.s) mori besëlidhjen nga dymbëdhjetë burra prej banorëve të Medinës, në vendin e quajtur Akabe. Ibn Is’haku thotë: “Kur grupi u largua prej tij, i Dërguari i Allahut (a.s) dërgoi me ta Mus’ab ibn Umejr ibn Hashim ibn Abd Menaf dhe e urdhëroi që t’ua lexonte Kuranin, t’u mësonte Islamin dhe t’i pajiste me njohuri të fesë. Për këtë arsye, ai në Medinë u quajt ‘lexuesi (mësuesi) i Kuranit.”
– Në Besëlidhjen e Dytë të Akabes: Po ashtu, në Akabe, në fshehtësi dhe pa dijeninë e kurejshëve, i Dërguari i Allahut (a.s) mori besëlidhjen nga shtatëdhjetë e tre burra dhe dy gra prej banorëve të Medinës. Pastaj i Dërguari i Allahut (a.s) u tha atyre: “Zgjidhni prej jush dymbëdhjetë prijës (përfaqësues), që të jenë përgjegjës për popullin e tyre në atë që gjendet tek ata.” Ata zgjodhën prej tyre dymbëdhjetë prijës: nëntë nga fisi Hazrexh dhe tre nga fisi Evs.
Prijësit (përfaqësuesit) e Hazrexhit ishin: Es’ad ibn Zurare, Sa’d ibn Rabi’, Abdullah ibn Revaha, Rafi’ ibn Malik, El-Bera ibn Ma’rur, Abdullah ibn Amr ibn Haram, Ubade ibn Samit, Sa’d ibn Ubade dhe El-Mundhir ibn Amr.
Ndërsa prijësit e Evsit ishin: Usejd ibn Hudajr, Sa’d ibn Hejtheme, dhe Rifa’a ibn El-Mundhir.
– Në hixhretin e tij (a.s): Gjatë emigrimit të tij (a.s) shfaqen një sërë elementesh organizative që meritojnë studim dhe meditim, të cilat hedhin poshtë pretendimet e atyre që refuzojnë logjikën e organizimit në punën islame. Prej tyre janë:
1 – Kërkesa e tij ndaj Aliut ibn Ebi Talibit që të flinte në shtratin e tij, me qëllim që të hutoheshin idhujtarët, derisa ai (a.s) të largohej nga Meka dhe të arrinte në shpellën Theur.
2 – Zgjedhja e shpellës Theur, e cila ndodhej në drejtim të kundërt me rrugën për në Medinë, si një masë shtesë për t’i hutuar dhe çorientuar idhujtarët, të cilët e dinin me siguri se ai do të emigronte drejt Medinës.
3 – Ngarkimi i Abdullah ibn Ebi Bekrit që të sillte lajmet dhe informacionet që ndodhnin në Mekë, në mënyrë që ai (a.s) të ishte i informuar për zhvillimet rreth tij.
4 – Ngarkimi i Esma bint Ebi Bekrit që të siguronte ushqimin dhe pijet e nevojshme për ta.
5 – Ngarkimi i Amir ibn Fuhejres që në mbrëmje të kalonte me kopenë e tij pranë tyre, në mënyrë që ata të merrnin pjesën e tyre të qumështit, ndërsa thundrat e deleve të fshinin gjurmët e këmbëve që shkonin drejt shpellës, që vendi i fshehjes së tij të mos zbulohej nga idhujtarët dhe për të shtuar edhe më shumë hutimin e tyre.
Pra, nëse i Dërguari i Allahut (a.s)— i cili mbështetej nga shpallja dhe udhëzohej nga Allahu i Gjithëdijshmi dhe i Urti — ndërmori “një sërë organizimesh dhe një grup masash” në vetëm një ngjarje nga dhjetëra ngjarje të jetës së tij, atëherë çfarë mund të thuhet për këta “neglizhues” që pretendojnë se kanë xhelozi për Islamin dhe muslimanët, por pasi shpallja ka përfunduar, çështjet janë bërë më të ndërlikuara dhe sprovat janë shtuar për shkak të intrigave të armiqve, ata i thërrasin muslimanët që të largohen nga puna e organizuar islame?!
Përse nuk ndriçohen nga Suneti i të Dërguarit të Allahut (a.s), në mënyrë që të kenë sy me të cilët të shohin dhe veshë me të cilët të dëgjojnë?
Objektivat madhore të Islamit kërkojnë organizim
Për më tepër, puna për Islamin në mungesë të një shteti islam që qeveris me atë që ka shpallur Allahu, duhet të ketë si synim ndryshimin, domethënë ndryshimin e realitetit përmes Islamit, dhe jo të jetë thjesht një veprimtari këshilluese që bashkëjeton me realitetin ekzistues dhe bëhet pjesë e tij.
Ndryshimi islam i realitetit të injorancës (xhahilijetit) — i ideve dhe besimeve të tij, i sistemeve dhe legjislacioneve të tij, i sjelljeve dhe zakoneve të tij — nuk mund të realizohet përveçse përmes organizimit dhe një organizimi të saktë e të mirëstrukturuar.
Ai nuk realizohet vetëm përmes një këshille në një xhami apo një bisede në një forum; përkundrazi, kërkon përgatitje në çdo fushë.
Kërkon përgatitjen e njeriut besimtar që bart bindjen për ndryshimin islam dhe që është i gatshëm të përballojë kërkesat dhe përgjegjësitë materiale e shpirtërore të këtij ndryshimi.
Kërkon gjithashtu përgatitjen e programeve të ndryshimit, planeve të tij dhe metodologjive të tij.
Pastaj kërkon krijimin dhe përgatitjen e mjeteve të ndryshimit, shkaqeve dhe mënyrave të tij njerëzore, materiale dhe teknologjike.
Të gjitha këto kërkesa dhe të tjera të ngjashme me to nuk mund të sigurohen dhe të realizohen pa organizim.
Mungesa e organizimit e shndërron punën islame në një veprimtari thjesht këshilluese ose kulturore, e cila jeton në periferi të jetës së njerëzve: prek disa prej ëndrrave të tyre, zgjon disa prej ndjenjave të tyre, por shumë shpejt dobësohet dhe shuhet pa lënë pas vetes ndonjë gjurmë apo rezultat.
Madhështia e sfidës ndaj Islamit kërkon organizim
Nëse asaj që u përmend më sipër i shtohet edhe madhështia e sfidës me të cilën përballet Islami nga armiqtë e tij, si në nivelin vendor ashtu edhe në atë ndërkombëtar, atëherë organizimi në punën islame bëhet domosdoshmëri, nëse jo detyrim fetar.
Armiqtë e Islamit kanë dhjetëra organizata, lëvizje dhe struktura përmes të cilave komplotojnë kundër Islamit dhe pasuesve të tij.
Armiqtë e Islamit zotërojnë mjete dhe burime materiale të panumërta, si nga ana sasiore ashtu edhe cilësore.
Armiqtë e Islamit përdorin të gjitha teknologjitë moderne në luftën e tyre kundër Islamit, si në planifikim ashtu edhe në zbatim.
Për më tepër, armiqtë e Islamit lëvizin, komplotojnë dhe planifikojnë nga qendra globale dhe nga kampe e blloqe ndërkombëtare.
A është e arsyeshme që, pas gjithë kësaj, përballja islame të jetë e kufizuar, e paaftë, e paorganizuar dhe pa planifikim?!
Pas gjithë kësaj del në pah një pyetje e madhe dhe e rëndësishme:
Ku përfundon thirrja për të mos pasur organizim në punën islame? Dhe kush përfiton prej saj e kush humbet?
Në përfundim të kësaj fjale, ne u drejtohemi atyre që flasin për Islamin pa të drejtë me dy kërkesa:
1 – Të kuptojnë Islamin me kuptimin e tij të saktë, para se të marrin përsipër detyrën e thirrjes në të.
2 – T’i frikësohen Allahut ashtu siç duhet, duke kujtuar gjithmonë fjalën e të Dërguarit të Allahut (a.s): “Njeriu mund të thotë një fjalë, pa i dhënë rëndësi asaj, por për shkak të saj mund të bjerë në Xhehenem për shtatëdhjetë vjet.”
“Me të vërtetë, në këtë ka përkujtim për atë që ka zemër, ose që dëgjon me vëmendje dhe është i pranishëm.”[10]
Autor: Fet’hi Jeken
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Sure Ali Imran: 190.
[2] – Sure Jasin: 38 – 40.
[3] – Sure Nisa: 59.
[4] – Sure Nur: 62.
[5] – Sure Saff: 4.
[6] – Tabarani. Hadithi është Hasen.
[7] – Buhariu.
[8] – Muslimi.
[9] – Muslimi.
[10] – Sure Kaf: 37.



















