Bangladeshi është një nga vendet më të mëdha me shumicë myslimane në botë, pasi numri i popullsisë së saj tejkalon 170 milionë banorë, dhe myslimanët përbëjnë më shumë se 90% të gjithë popullsisë së saj.
Gjatë shekujve të gjatë, Islami ka qenë i pranishëm fuqishëm në ndërgjegjen e këtij populli, duke formësuar besimin e tij, duke orientuar kulturën e tij dhe duke ndikuar në jetën e tij shoqërore dhe në sistemin e vlerave dhe zakoneve.
Megjithëse shteti bazohet në një kornizë kushtetuese me karakter laik, Islami mbetet një realitet i rrënjosur në jetën publike dhe një element aktiv në formësimin e tipareve të shoqërisë bangladeshase. Ndikimi i tij shfaqet në jetën individuale, në marrëdhëniet familjare, në zakonet shoqërore dhe në festat fetare, si dhe shtrihet në fushat e arsimit dhe ekonomisë, duke i dhënë shoqërisë një karakter të qartë islam.
Islami hyri në tokën e Bengalit përmes rrugëve paqësore, të sjella nga tregtarët arabë, thirrësit e devotshëm dhe sufitë, të cilët mbërritën në këtë vend duke mbartur mesazhin e besimit dhe vlerat e mëshirës e drejtësisë.
Faqet e historisë dëshmojnë se Islami në këtë rajon nuk u përhap me shpatë, por u fut në zemra përmes sjelljes së lartë morale, thirrjes së urtë dhe trajtimit njerëzor fisnik.
Në këtë përhapje patën rol të spikatur një sërë figurash të thirrjes dhe sufizmit, në krye me shejh Xhelaluddin Shah Xhelal, shejh Shah Makhdum dhe shejh Khan Xhehan Ali – Allahu i mëshiroftë të gjithë – së bashku me një grup dijetarësh dhe thirrësish që lanë gjurmë të thella në historinë e vendit.
Roli i këtyre pionierëve nuk u kufizua vetëm në përhapjen e mësimeve fetare, por ata kontribuan gjithashtu në reformimin e shoqërisë, në forcimin e vlerave të drejtësisë dhe barazisë, si dhe në përmirësimin e kushteve jetësore dhe njerëzore të njerëzve. Falë përpjekjeve të tyre, Islami nuk mbeti thjesht një besim individual, por u shndërrua në një sistem shoqëror të plotë, në kuadër të të cilit u formësuan tiparet e një shoqërie të rrënjosur në vlerat islame dhe e mbushur me shpirtin e drejtësisë, solidaritetit dhe mëshirës. Kështu, Islami u integrua në strukturën e shoqërisë bangladeshe dhe me kalimin e kohës u bë një element thelbësor i ndërtimit të saj qytetërues, si dhe një nga themelet e identitetit të saj kulturor dhe shoqëror.
Prania reale e Islamit në jetën shoqërore në Bangladesh shfaqet qartë përmes shoqërisë së bazuar në xhami, ku xhamia përbën zemrën e gjallë të jetës së përditshme në zona të ndryshme të vendit. Nga fshatrat e largëta deri te qytetet e dendura; xhamitë janë të shpërndara në çdo lagje, duke shërbyer si qendra të njëkohshme të ndriçimit shpirtëror dhe shoqëror. Roli i xhamisë nuk kufizohet vetëm në kryerjen e namazeve, por shtrihet edhe më tej duke u bërë qendër e edukimit fetar, mjet për forcimin e solidaritetit shoqëror, pikënisje për aktivitetin e thirrjes islame dhe hapësirë për trajtimin e çështjeve shoqërore që prekin komunitetin. Pesë namazet ditore, namazi i xhumasë, mësimet fetare dhe aktivitetet e ndryshme islame kontribuojnë në forcimin e vetëdijes fetare dhe në ringjalljen e shpirtit të besimit në zemrat e njerëzve.
Këto atmosfera të besimit bëhen edhe më të ndritshme gjatë muajit të bekuar të Ramazanit, kur pamja e shoqërisë bangladeshase ndryshon, xhamitë mbushen me falës dhe shfaqjet e solidaritetit dhe mëshirës përhapen në një mënyrë që pasqyron thellësinë e pranisë islame në jetën e shoqërisë dhe forcën e ndikimit të saj në ndërgjegjen e njerëzve.
Po ashtu, sistemi arsimor islam në Bangladesh dallohet për përhapjen e gjerë dhe gjallërinë e tij të vazhdueshme, pasi shkollat private fetare, shkollat e mesme islame dhe mektebet e lidhura me xhamitë përbëjnë një sistem arsimor të integruar që kontribuon në forcimin e identitetit islam të shoqërisë.
Shkollat private fetare kanë një vend të veçantë për shkak të mbështetjes së tyre nga komuniteti dhe financimit të tij, si dhe për shkak se ato strehojnë miliona nxënës që marrin aty dije fetare dhe edukative. Këto institucione nxjerrin çdo vit një numër të madh dijetarësh, hafëzësh dhe mendimtarësh, të cilët luajnë një rol të rëndësishëm në përhapjen e vlerave islame, udhëheqjen e shoqërisë dhe ruajtjen e autenticitetit të saj fetar.
Nga ana tjetër, shkollat e mesme islame brenda kornizës zyrtare të shtetit kontribuojnë në zgjerimin e fushës së arsimit islam dhe në lidhjen e tij me sistemin kombëtar arsimor, duke mundësuar një prani më të gjerë të dijes fetare në fushën akademike. Kështu, arsimi islam në Bangladesh mbetet një nga shtyllat kryesore që ruan identitetin e shoqërisë dhe forcon praninë e saj islame në fusha të ndryshme të jetës.
Po ashtu, kultura fetare në Bangladesh përbën një nga shtyllat e forta mbi të cilat mbështetet shoqëria me karakter islam, ku shenjat e besimit depërtojnë në detajet e jetës së përditshme dhe reflektohen në sjelljen e individëve dhe në marrëdhëniet e tyre shoqërore. Gjatë muajit të bekuar të Ramazanit, shfaqet në mënyrën më të bukur figura e shoqërisë myslimane, pasi xhamitë mbushen me falës, shtrohen iftare kolektive, njerëzit i përkushtohen leximit të Kuranit dhe netët e Kadrit gjallërohen në një atmosferë të mbushur me përulësi dhe devotshmëri. Këto dukuri nuk janë thjesht rituale të përkohshme, por tradita të rrënjosura në ndërgjegjen e myslimanëve të Bangladeshit, që shprehin thellësinë e përkatësisë së tyre fetare dhe konfirmojnë praninë e Islamit në strukturën e shoqërisë.
Fitër Bajrami dhe Kurban Bajrami nuk kufizohen vetëm si dy festa fetare, por ato shndërrohen në periudha të solidaritetit shoqëror dhe forcimit të lidhjeve të vëllazërisë dhe mëshirës mes njerëzve, ku shfaqjet e bashkëpunimit dhe ndihmës reciproke shfaqen në format e tyre më të gjera.
Po ashtu, kultura e zekatit, sadakasë dhe veprave të bamirësisë përhapet gjerësisht, duke bërë që vlerat e dhënies dhe solidaritetit të bëhen pjesë e pandashme e jetës shoqërore, duke forcuar bazën morale të shoqërisë dhe duke konsoliduar strukturën shoqërore të mbështetur në vlerat islame.
Në këtë kontekst spikat edhe roli qendror i dijetarëve në shoqërinë bangladeshase, pasi ata në rajone të ndryshme të vendit mbajnë përgjegjësinë e edukimit fetar, udhëzimit shoqëror dhe aktivitetit të thirrjes islame, duke kontribuar kështu në ruajtjen e identitetit islam dhe forcimin e vlerave morale.
Po ashtu, institucionet dhe organizatat islame luajnë një rol aktiv në fushat e arsimit, zhvillimit shoqëror dhe punës humanitare, përveç përhapjes së vetëdijes fetare në shtresa të ndryshme të shoqërisë.
Kur ndodhin fatkeqësi natyrore, të cilat Bangladeshi i përjeton herë pas here, kjo frymë islame shfaqet në formën e saj më të lartë, ku institucionet islame dhe dijetarët dalin në ndihmë të të prekurve, ofrojnë ndihma humanitare dhe lehtësojnë vuajtjet e nevojtarëve.
Këto përpjekje zbulojnë dimensionin e thellë njerëzor të shoqërisë islame në Bangladesh dhe konfirmojnë se vlerat e solidaritetit dhe mëshirës nuk janë thjesht slogane, por një realitet i gjallë që mishërohet në sjelljen dhe praktikën e përditshme të shoqërisë.
Megjithatë, shoqëria me karakter islam në Bangladesh nuk është e paprekur nga sfidat që sjellin transformimet e kohës dhe ndryshimet e realitetit bashkëkohor. Valët e globalizimit, me modelet kulturore dhe vlerat shoqërore të importuara që ato sjellin, kanë gjetur rrugën e tyre në shoqërinë bangladeshase, të shoqëruara me përhapjen e prirjes konsumeriste, dobësimin e disa vlerave morale dhe shfaqjen e tendencave që nxisin disa grupe të largohen nga referenca fetare në mënyrat e jetesës dhe sjelljes.
Këto transformime ngrenë pyetje të thella rreth mënyrës se si mund të ruhet identiteti islam i shoqërisë në kushtet e një hapjeje të gjerë ndaj botës dhe një rrjedhe të vazhdueshme idesh dhe kulturash.
Po ashtu, sistemi i dyfishtë arsimor përbën një nga sfidat më të rëndësishme që përballon zhvillimin e shoqërisë islame në Bangladesh, pasi ndarja midis arsimit të përgjithshëm dhe atij islam mbetet ende e pranishme, gjë që ndikon në formimin e një personaliteti të balancuar që bashkon autenticitetin fetar me dijen moderne.
Shtohet gjithashtu fakti se herë pas here shfaqen dallime në pikëpamje dhe ixhtihade midis disa rrymave dhe institucioneve islame, gjë që mund të kufizojë efektivitetin e punës së përbashkët islame dhe të vonojë arritjen e objektivave për forcimin e vlerave islame në një shkallë më të gjerë.
Megjithë këto sfida, perspektivat e së ardhmes duken premtuese dhe inkurajuese, pasi shoqëria bangladeshase po dëshmon një rritje të dukshme të interesit të brezit të ri për Islamin dhe një rikthim gjithnjë e më të madh te burimet e dijes fetare.
Mediat sociale dhe teknologjitë moderne kanë kontribuar në hapjen e horizonteve të reja për thirrjen islame, ku ligjëratat shkencore, mësimet fetare dhe programet e davetit janë përhapur duke arritur shtresa të gjera të rinisë dhe duke riformësuar vetëdijen e tyre fetare në mënyrë të dukshme. Po ashtu, rritja e interesit për leximin e literaturës islame dhe ndjekjen e programeve edukative fetare është bërë një dukuri në rritje që pasqyron gjallërinë e pranisë islame në shoqëri.
Paralelisht me këtë, ekonomia islame në Bangladesh po përjeton një zhvillim të shpejtë, ku bankat islame po zgjerohen dhe institucionet e zekatit dhe veprimtarisë bamirëse po aktivizohen gjithnjë e më shumë, duke forcuar frymën e solidaritetit shoqëror dhe duke konfirmuar praninë e vlerave islame në fushën ekonomike.
Këto nisma kontribuojnë në ndërtimin e një sistemi ekonomik më të drejtë dhe më njerëzor, i cili pasqyron shpirtin e Islamit dhe synimet e tij në realizimin e ekuilibrit shoqëror.
Devotshmëria e thellë e popullit të thjeshtë, forca e institucioneve arsimore islame dhe përhapja e kulturës fetare në shtresa të ndryshme të shoqërisë janë të gjitha faktorë që e bëjnë të ardhmen e shoqërisë islame në Bangladesh më të ndritshme. Nëse arrihet një nivel më i madh integrimi midis arsimit islam dhe atij modern, nëse forcohet roli i dijetarëve në udhëzimin e shoqërisë dhe nëse konsolidohet fryma e unitetit midis rrymave islame, atëherë Bangladeshi është i aftë të ofrojë një model qytetërues të balancuar, të bazuar në drejtësi dhe vlera islame, dhe njëkohësisht të përgjigjet kërkesave të kohës.
Shoqëria islame në Bangladesh nuk është një ëndërr e largët, por një realitet i rrënjosur në histori, i mbështetur nga shekuj trashëgimie, nga një popull natyrshëm fetar dhe nga një prani e gjerë e vlerave islame në fusha të ndryshme të jetës.
Megjithë sfidat, kjo shoqëri po ecën me hapa të sigurt drejt një të ardhmeje më të konsoliduar, duke u bërë e aftë të kontribuojë në ndërtimin e një modeli njerëzor të drejtë dhe të balancuar, që frymëzohet nga vlerat islame dhe i mishëron ato në realitetin e jetës bashkëkohore.
Autor: Ahmed Sheuki Afifi
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com



















