Allahu i Madhërishëm ka veçuar kohë dhe vende të caktuara duke i bërë ato sezone të mirësive, ndaj muslimani është i vendosur t’i ndjekë dhe t’i shfrytëzojë ato për shkak të mirësive dhe bekimeve të shumta që përmbajnë. Ndër këto vende është Meka e Nderuar, ndërsa ndër kohët është muaji i Allahut, Muharrem; ky muaj me të cilin muslimanët presin vitin e tyre hixhri çdo vit, ku kujtojnë ngjarjen e bekuar të Hixhretit të Profetit (a.s) dhe domethëniet e mëdha që ajo përcjell, si sakrifica, qëndrueshmëria dhe mbështetja tek Allahu i Lartësuar.
Edhe pse fillimi i vitit hixhri – sipas sheriatit – nuk është i lidhur me adhurime apo festime të veçanta, vetë muaji Muharrem mbart vlera të mëdha dhe një status të posaçëm që muslimani duhet ta njohë dhe ta shfrytëzojë sa më mirë.
Nga vlerat e muajit Muharrem është se ai është një nga katër muajt e shenjtë
Allahu i Lartësuar thotë: “Te Allahu numri i muajve është dymbëdhjetë, sipas Librit të Allahut, që prej ditës kur krijoi qiejt dhe tokën. Prej tyre, katër janë të shenjtë. Kjo është feja e drejtë, prandaj mos i bëni padrejtësi vetes në to.”[1]
Dijetarët kanë rënë dakord se muajt e shenjtë janë: Dhul Ka’deh, Dhul Hixhxheh, Muharrem dhe Rexheb. Kështu na ka njoftuar Profeti (a.s), i cili ka thënë: “Koha ka bërë ciklin e saj duke u kthyer në gjendjen e ditës kur Allahu krijoi qiejt dhe tokën. Viti ka dymbëdhjetë muaj, prej të cilëve katër janë të shenjtë; tre janë të njëpasnjëshëm: Dhul Ka’deh, Dhul Hixhxheh dhe Muharrem, si dhe Rexhebi i fisit Mudar, i cili ndodhet mes Xhumada-s dhe Shaban-it.”[2]
Kuptimi i faktit që ai është nga muajt e shenjtë do të thotë se ai: është një nga muajt në të cilët adhurimet trefishohen (shpërblehen më shumë), shenjtëria e tyre është më e madhe dhe madhësia e gjynaheve bëhet edhe më e rëndë.
Prandaj, Allahu i Madhërishëm na ka tërhequr vëmendjen në këto muaj dhe na ka nxitur të lëmë padrejtësinë e të mos i bëjmë padrejtësi vetes duke bërë gjynahe, edhe pse nga muslimani kërkohet përpjekje për t’iu larguar mëkateve në çdo kohë dhe moment.
Ibn Rexhebi në librin “Lataif al-Ma’arif” ka thënë: “Profeti (a.s) e ka quajtur Muharremin “muaji i Allahut”, ç’ka tregon se lidhja e këtij muaji me emrin e Allahut tregon për nderin dhe vlerën e tij të madhe. Pasiqë Allahu i Lartësuar nuk lidh me Veten e Tij përveçse krijesat e Tij të veçanta, ashtu siç i ka cilësuar Muhamedin, Ibrahimin, Is’hakun, Jakubin dhe profetët e tjerë si robër të Tij, dhe ashtu siç ka lidhur me Veten e Tij Shtëpinë e Tij (Qabenë) dhe devenë e Tij (devenë e Profetit Salih).”
Po ashtu, arsyeja e lidhjes së tij me Allahun e Lartësuar mund të jetë edhe për t’u tërhequr vëmendjen njerëzve se Ai që e ka bërë këtë muaj të shenjtë është Vetë Allahu i Lartësuar. Prandaj, askush nuk ka të drejtë ta ndryshojë këtë status, ashtu siç bënin njerëzit në kohën e injorancës (Xhahilijetit), të cilët e deklaronin atë të lejuar në një vit dhe të ndaluar në një vit tjetër. Në këtë mënyrë, të gjithë janë të obliguar ta madhërojnë atë përgjatë viteve deri në Ditën e Kiametit.
Agjërimi gjatë këtij muaji është agjërimi më i mirë pas muajit të Ramazanit
I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Agjërimi më i mirë pas Ramazanit është muaji i Allahut, Muharrem, ndërsa namazi më i mirë pas namazit obligativ është namazi i natës.”[3]
Ibn Rexhebi ka thënë: “Ky hadith tregon qartë se agjërimi vullnetar më i mirë që bëhet pas Ramazanit është agjërimi i muajit të Allahut, Muharrem.”
Kjo vlen për agjërimin vullnetar të pakufizuar, për të cilin nuk ka ardhur ndonjë tekst specifik që tregon vlerën e tij, sepse agjërimi vullnetar për të cilin ekziston një tekst fetar i vërtetuar është më i vlefshëm se ai, siç është agjërimi i ditës së Arafatit apo gjashtë ditët e Shevalit. Agjërimi i ditëve të Muharremit bën pjesë te nafilet, por për shkak se për agjërimin e ditëve të këtij muaji ka tekst specifik, kjo u jep atyre një rëndësi të veçantë dhe përparësi në shpërblim. Kështu pra, agjërimi në muajin Muharrem ka shpërblim më të madh sesa agjërimi në ditët e tjera të zakonshme për të cilat nuk ka ndonjë tekst specifik.
Nga veçoritë e këtij muaji është se Profeti (a.s) e lidhi atë me Allahun e Lartësuar, duke thënë: “muaji i Allahut, Muharrem”. Kjo lidhje është një lidhje nderimi dhe madhërimi, që tregon për statusin e lartë të këtij muaji dhe vlerën e tij. Gjithashtu, hadithi tregon se është e pëlqyeshme agjërimi i sa më shumë ditëve të këtij muaji – sipas mundësive të muslimanit – për shkak të rritjes së shpërblimit dhe afrimit me Allahun e Lartësuar.
Dita e Ashurasë
Nga vlerat më të mëdha të muajit Muharrem është se brenda këtij muaji është dita e Ashurasë, e cila është dita e dhjetë e tij.
Kur Profeti (a.s) erdhi në Medine, i gjeti çifutët duke e agjëruar këtë ditë dhe pyeti për arsyen e kësaj. Ata thanë: “Kjo është një ditë në të cilën Allahu shpëtoi Musain dhe popullin e tij, dhe mbyti Faraonin e popullin e tij, ndaj Musai e agjëroi atë si falënderim ndaj Allahut.” Atëherë Profeti (a.s) tha: “Ne kemi më shumë të drejtë ndaj Musait sesa ju”, kështu që e agjëroi vetë dhe urdhëroi që të agjërohet.
Më pas, ai (a.s) tha duke sqaruar vlerën e kësaj dite: “Shpresoj te Allahu që (me agjërimin e saj) të fshijë gjynahet e vitit të kaluar.” Prandaj, agjërimi i Ashurasë u bë një nga sunetet e forta që muslimani duhet t’i kushtojë një rëndësi të veçantë duke e agjëruar atë, në kërkim të faljes dhe mirësisë së Allahut.
Po ashtu, Profeti (a.s) na ka orientuar që të agjërojmë një ditë para saj, në kundërshtim me atë që bënin hebrenjtë duke thënë: “Nëse jetoj deri vitin e ardhshëm, sigurisht që do të agjëroj edhe ditën e nëntë.” Për këtë arsye, është e pëlqyeshme (mustehab) që muslimani të agjërojë ditën e nëntë dhe të dhjetë, ose të dhjetën dhe të njëmbëdhjetën, në mënyrë që të bashkojë fitimin e vlerës së kësaj dite dhe përmbushjen e dallimit të ligjëruar (nga jomuslimanët).
Detyra e muslimanit gjatë këtij muaji
Njohja e vlerave të muajit Muharrem e bën muslimanin të ndërgjegjësohet për detyrën që ka ndaj këtij muaji të madh që po përjeton.
Gjëja e parë që muslimani duhet të bëjë në të është pendimi i sinqertë tek Allahu i Lartësuar. Angazhimi më i madh me të cilin muslimani duhet të merret në këtë muaj është ripërtëritja e besës me Allahun dhe pendimi tek Ai. Kjo është gjëja më e rëndësishme për të cilën ka nevojë muslimani në fillim të një muaji të madh e të një viti të ri; kështu ai bën autokritikë – nëse gjen mirësi, falënderon Allahun, e nëse gjen të kundërtën, ripërtërin pendimin, kërkon falje (istigfar) dhe vendos me vendosmëri që të ndreqë veten e tij.
Po ashtu, muaji Muharrem duhet të jetë një fillim i vërtetë për ripërtëritjen e marrëdhënies me Allahun e Lartësuar, përmes faljes së namazeve në kohën e vet, përkushtimit ndaj Kuranit të Madhërishëm duke e lexuar e medituar atë, shtimit të punëve të mira e adhurimeve – siç është agjërimi për shkak të tekstit profetik që ka ardhur për të –, dhikrit, duasë, si dhe përkujdesjes për respektimin e prindërve, mbajtjen e lidhjeve farefisnore dhe duke qenë dobiprurës për të gjithë njerëzit. Kjo është gjëja më e mirë me të cilën muslimani duhet të angazhohet në këtë muaj të bekuar.
E lusim Allahun e Lartësuar që ta bëjë muajin e Tij, Muharrem, një fillim të mbarë e me bereqete, të na mundësojë në të pendim të sinqertë, punë të mira e qëndrueshmëri në të vërtetën, si dhe t’i bëjë jetët tona të mbushura me adhurim ndaj Tij dhe përfundimet e veprave tona të pëlqyera prej Tij. Vërtet, Ai është i Vetmi që e zotëron këtë dhe është i Plotfuqishëm për këtë.
Autor: Jaser Abid
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Sure Teube: 36.
[2] – Buhariu.
[3] – Muslimi.



















