Vijimësi mbi sjelljet e imam Shafi’i-ut (r.h)
Ka disa persona, të cilët kanë këndvështrim vërtet të arrirë mbi moralin e bukur dhe të preferuar, dinë të flasim sa më mirë s’bëhet, por në planin praktik, i sheh se të zhgënjejnë që në alarmimin e parë. Prandaj do jetë bukur të përftosh nga pozicionimet personale të imam Shafi’i-ut, që tregojnë sesi ai e kontrolloi vetveten e tij në përputhje me moralin fisnik që kërkon dituria.
Prej këtyre mund të përmendim:
– Një person prej banorëve të Irakut i tha: “Cili është opinioni yt mbi Ebu Hanifen? Shafi`iu tha: “Është shkëlqesia i tyre (banorëve të Irakut)”. I tha: “Po Ebu Jusufi? Tha: “Është gjurmuesi më i mirë i hadithit, në mesin e tyre”. I Tha: “Po Muhamed ibn Haseni? Tha: “Është njohësi më i mirë i detajeve, ndër ta”. I tha: “Po Zufri?” Tha: “Analogjisti (arsyetuesi i ngjashmërive të çështjeve juridike) më i mprehtë i tyre”
Imam Shafi’iu i dha çdo të denji atë që i takon. Mospërputhja që ai kishte me disa prej imamllarëve (dijetarëve liderë) nuk e pengoi atë, që t’i lavdëronte ata. Dihet se ai ka marrë (nxënë) prej Muhamed ibn Hasenit, por krahas kësaj ai përpiloi një libër, ku ai pason përzgjedhjet e Muhamed ibn Hasenit dhe i kundërpërgjigjet atij nëpërmjet hadithit fisnik.
– Djali i Shafi’i-ut ka thënë: “Nuk e kam dëgjuar kurrë babanë tim të debatojë me dikë dhe ta ngrejë zërin e tij”; sepse britma dhe piskama përbëjnë fillimin e proklamimit të dështimit dhe falimentimit.
– El Muziniu ka thënë një ditë përpara Shafi’i-ut: “Filani –prej transmetuesve- është gënjeshtar i madh”. Shafi’iu i tha atij: O Ebu Ibrahim! Veshi fjalëve të tua më të mirat e tyre, – mos thuaj: Filani është gënjeshtar i madh, – por thuaj: Hadithi që transmeton ai nuk është gjë (që vlen të merret në konsideratë)”. Rezultati është i njëjtë!
– Imam Shafi’iu doli një ditë në pazar dhe pa një person, që e cenonte dhe përçmonte një dijetar dhe fliste kundër tij. Shafi’iu iu kthye nxënësve të tij dhe u tha: “Dëlirësojini dëgjimet tuaja nga vulgarizimet, njëjtë siç i pastroni gjuhët tuaja nga thënia e tyre. Dëgjuesi është partner i folësit. Abuzuesi vështron tek gjëja më e fëlliqur që ka në enën e tij dhe kujdeset që atë ta zbrazë në enët tuaja”
Dëgjuesi i të keqes është partner i saj,
Dhënësi i ushqimit është si ngrënësi,
Thënia e keqe që i thuhet personave,
Është më e shpejtë se rrëpira e vërshimit,
Kush shan të tjerët dhe tek sharja fton,
Njerëzit atë e shajnë, e meriton, s’e meriton.
– Rabi’a (r.h) thotë: “Shafi’iu u sëmur dhe unë hyra tek ai e i thashë: O Ebu Abdullah! Allahu ta forcoftë dobësinë tënde”. Ai më tha: “O Ebu Muahmed! Nëse Allahu e bën dobësinë time më të fortë se forca ime, kështu do më rrënojë”. I thashë: O Ebu Abdullah! Unë synoja veç mirë. Ai më tha: (Edhe) Nëse do ta lusje Allahun kundër meje, unë e di se ti veç mirë synon” Në këtë thënie aludohet, se nuk janë fjalët e njerëzve ato që merren për bazë, por në fakt për bazë merren domethëniet dhe synimet e këtyre fjalëve.
Rabi’a gjithashtu thotë: “Ia kam lexuar tridhjetë herë imam Shafi’i-ut librin “Er Risale” [është vetë Rabi’a ai që e transmeton këtë libër nga imam Shafi’iu] dhe për çdo herë Shafi’iu e korrektonte atë. Pastaj në herën e fundit tha: “Allahu i Lartësuar refuzon që ndonjë libër tjetër veç Librit të Tij, të jetë i saktë (pa asnjë gabim)”.
Shafi’iu (r.h) i është kundërvënë Malikut, Muhamed ibn Hasenit dhe gjithashtu ai ka pasur një medhheb (akademi juridike) të vjetër, të cilën e ka lënë dhe në vend të saj ka themeluar një të re. Përpilimin “Er Risale” ai e korrektoi në Meke, pastaj e korrektoi në Irak dhe pastaj kur u mbart në Egjipt e trajtësoi atë në trajtën përfundimtare. Njerëzit kanë në dorë vetëm librin “Er Risale” që ai e trajtësoi në Egjipt. Në fakt kjo është çështja e thënieve dhe përpjekjeve të bëra nga të gjithë dijetarët, ashtu që të gjitha ato janë objekt rishqyrtimi, debati, hulumtimi dhe korrektimi.
Prej fjalëve të Shafi’i-ut lidhur me shpirtmadhësinë dhe fisnikërinë:
Shafi’iu (r.h) ishte prej kishte shpirt të madh dhe ishte fisnik, gjë mbi të cilën tregon fjala e tij:
– “Kush do që vendimi i Allahut të jetë i mirë për të, le të mendojë mirë për njerëzit”
– Gjithashtu ai ka thënë: “Shpirtbardhësia ka katër kulme: moralin e përsosur, zemërgjerësinë, modestinë dhe devocionin”
– Ai ka thënë gjithashtu: “Tkurrja me njerëzit të sjell armiqësi dhe hapja totale me ta tërheq shokë të këqij. Duhet të jesh midis tkurrjes dhe hapjes”
– Ai ka thënë: “Sa pajim i keq është armiqësia kundër njerëzve në ditën e premtuar (ditën e Gjykimit),”
– Ai ka thënë: “Nuk është vëlla i yti ai person, që ke nevojë t’ia bësh qejfin (që të fitosh prej tij një favor që të takon)”
– Ai ka thënë: “Mos e poshtëro fytyrën para atij, që e ka për të madhe të të kthejë përgjigje”
– Një person i tha Shafi’i-ut: “Porositmë”! Ai i tha: “Allahu i Lartësuar të ka krijuar të lirë, ji i lirë ashtu siç Ai të krijoi”. Këtu bëhet fjalë për artikulimin e fukahave (dijetarëve të dispozitave fetare) të gjeneratave të para, të cilën fjalën “liri” e përdornin jo me kuptimin specifik të lirisë nga skllavëria, por me kuptimin e përgjithshëm të saj.
– Gjithashtu ai ka thënë: “Liria është nderi dhe devocioni. Nëse tubohen që të dyja tek personi, kësisoj ai është i lirë”.
– AI ka thënë: “Rinia është stolia e të lirëve”, ku me rini presupozon kuptimet e njohura të fisnikërisë, guximit dhe asistencës.
– AI gjithashtu ka thënë: “Nëse njeriu do ta shndërronte veten e tij deri sa ta bënte atë një shigjetë (në duart e njerëzve), sërish do gjendej në mesin e njerëzve dikush, që do ta urrente atë”.
– Dy burra po bënin kritikonin njëri-tjetrin tek Shafi’iu (r.h) dhe me këtë rast imam Shafi’iu (r.h) i tha njërit prej tyre: “Nuk do mundesh që t’i kënaqësh tërë njerëzit, ndaj rregullohu midis vetes tënde dhe Allahut të Lavdishëm. Kur të rregullohesh midis vetes tënde dhe Allahut të Lavdishëm, atëherë mos ki dert për njerëzit”
– Gjithashtu imam Shafi’iu (r.h) ka thënë: “Kam shoqëruar sufistët për dhjetë vjet e prej tyre nuk kam përfituar asgjë tjetër përveç këtyre dy thënieve: koha është shpatë dhe garancia më e mirë është të mos mundesh”
Është fakt se Shafi’iu qe shoqëruar me sufistët, të cilët i pati këshilluar, mësuar dhe disiplinuar, gjë e cila është theksuar edhe në jetëshkrimin e tij. Gjithashtu imam Shafi’iu edhe pse i kritikonte sufistët, gjithsesi ai përmend se prej tyre përfitoi dy nocione shumë të rëndësishme: atë se koha është shpatë dhe tjetrin se prej garantimit është që të mos mundesh, me kuptimin që njeriu ndodh të ketë dëshirë të bëjë një të keqe, porse Allahu i Lavdishëm dhe i Lartmadhëruar nuk i jep atij mundësi që ta realizojë të tillë gjë.
– Ai thoshte: “Të treguarit hijerëndë në shëtitje, është absurditet (i pakuptimtë), me kuptimin që nëse ti shkon në një shëtitje me familjen apo shokët e tu, është absurditet të tregohesh hijerëndë me ta, por përkundrazi lypset të tregohesh i thjeshtë dhe i hapur me ta.
– Tregohet se imam Shafi’iu i argëtonte nxënësit e tij me disa prej të rrallave të tij, në kuadrin e të cilave ai ka thënë: “Kam parë në Medine tre çudi e kurrë nuk kam parë sikurse ato: kam parë një person të falimentuar, që e kishte falimentuar kadiu (gjykatësi) për shkak të një grushti farërash, kam parë një burrë, dhëmbët dhe boja e flokëve të të cilit tregonin vjetërsinë e tij, por që u vërtitej më këmbë shtëpive të këngëtareve për t’iu mësuar këngën e që kur vinte koha e faljes, falej ulur, si dhe kam parë një burrë mëngjarash që shkruante me të majtën e tij, por që ia kalonte edhe kujt shkruante me të djathtën”
Në një kuvend tjetër u tha: “Një burrë prej banorëve të Medines kishte një djalosh, që i shërbente atij, mirëpo ishte i vonuar mendërisht, Burri i tha djaloshit: “Më blij një litar, gjatësia e të cilit të jetë tridhjetë krah”. Djaloshi i tij i tha: “Gjatësia e tij tridhjetë krahë, po gjerësia sa është?” Ai i tha: “Gjerësia… është fatkeqësia ime që të kam ty për hise”
Prej moraleve të Shafi’i-ut ishte fisnikëria e tij deri në atë gradë, sa thuhet se pavarësisht parave të shumta që i vinin atij, ai pati falimentuar (pati ngelur pa para) tre herë; dhe kjo i kishte ndodhur për shkak se ai i shpenzonte ato për nxënësit e dijes dhe hallexhinjtë.
Dijetarët bashkëkohës të imam Shafi’i-ut e nderojnë shumë atë e prej tyre ishte edhe imam Ahmedi; saqë Jahja ibn Mu’ini e kritikoi imam Ahmedin për këtë lavdërim. Thuhet se imam Ahmedi e mori për koke (frerit të kokës) mushkën (e Shafi’i-ut), e nderoi dhe e zbriti nga atë ajo, duke i thënë “O Ebu Abdullah”, si shenjë respekti dhe vlerësimi. Me këtë rast Jahja ibn Mu’ini i tha Ahmedit: “E teprove së madhëruari Shafi’i-un!” Ahmedi i tha Jahjas: Lëre këtë! Nëse do fikhun (shkencën e direktivave juridike islame) mos iu ndaj bishtit të mushkës (së Shafi’i-ut)”
Autor: Selman Aude
By: ardhmëriaonline.com



















