Islami, përmes Kuranit, Sunetit të Profetit dhe të gjitha mësimeve e udhëzimeve të tij, synon të plotësojë çlirimin e mendjes njerëzore nga çdo gjë që e sundon atë dhe që e pengon nga prodhimi i dobishëm. Këtu, ai e çliron atë përfundimisht nga pushteti i ndjekjes së masave të shkujdesura – nga njerëzit e thjeshtë – të cilët shpesh ecin pas baballarëve, udhëheqësve, ose pas mësuesve e dijetarëve, duke konsideruar se ata mendojnë në vend të tyre. Është e sikur t’u kishin dhënë mendjeve të tyre një leje të gjatë kalimtare, ku nuk u duhet të mendojnë, të diskutojnë, të pyesin e as ta ndezin këtë qiri për pak kohë që të përfitojnë nga drita e tij.
Është vërtet e çuditshme të shohësh disa njerëz në shoqëritë tona që i bllokojnë mendjet e tyre dhe nuk lejonë që ato të hapen ndonjëherë për punë e mendim. Kjo ndodh sepse personi e ka rehatuar veten, duke e përcaktuar qëndrimin e tij paraprakisht në mënyrë precize dhe të rreptë: të jetë me njerëzit, me shumicën. Nëse ata thonë për diçka “po”, ai thotë “po”; e nëse thonë “jo”, ai thotë thjesht “jo”. Ndërsa ai vetë – si një qenie njerëzore me mendjen, mendimin, kulturën, fenë dhe misionin e tij – në të vërtetë nuk ka asnjë qëndrim.
Kjo është vërtet diçka e mjerueshme: që njerëzit të heqin dorë nga të menduarit e tyre, nga personaliteti dhe nga përgjegjësia e tyre, ndërkohë që secili është përgjegjës për veten e tij dhe askush tjetër nuk mban përgjegjësi për të: “Çdo njeri është peng i asaj që ka kryer.”[1]
Për këtë ka paralajmëruar edhe Profeti i Islamit, Muhammedi (a.s), kur tha: “Mos bëhuni “imme’a” (ndjekës të verbër pa qëndrim), duke thënë: “Nëse njerëzit bëjnë mirë, edhe ne do të bëjmë mirë, e nëse bëjnë padrejtësi, edhe ne do të bëjmë padrejtësi”. Por edisiplinoni veten tuaj: nëse njerëzit bëjnë mirë, bëni mirë, e nëse bëjnë keq, mos bëni padrejtësi!”
Me këtë, Islami e lartësoi qëndrimin e njeriut, në mënyrë që ai të ketë qëndrimin e tij të përcaktuar, vendimin e tij personal dhe mendimin e tij të shprehur hapur, pa qenë i varur nga asnjë individ apo grup që t’i marrë mendjen e arsyen, të mendojë në vend të tij dhe të marrë vendime për të.
Kjo dukuri përhapet gjerësisht në vendet ku mungojnë liritë publike, ku disa njerëz tjetërsohen e udhëhiqen drejt asaj që kërkohet prej tyre, jo drejt asaj që ata duan për veten. Të gjithë shndërrohen në “ndjekës të verbër” të asaj që kërkon Faraoni, e jo të asaj që sheh mendja e tyre. Ata e përgënjeshtrojnë pejgamberin nëse e përgënjeshtron sundimtari, dhe i besojnë djallit nëse njerëzit i besojnë atij.
Zoti e mëshiftë poetin Sheuki kur shprehu qëndrimin e tyre në dramën “Mendja e Lejlasë”, duke thënë përmes gojës së disave prej tyre:
E dua Huseinin, por gjuhën e kam kundër tij e zemrën me të;
Nëse vendi tratohet e kërkon shpëtimin, bëhu një ndjekës pa mendje!
Islami nuk i mirëpret këto kategori; përkundrazi, i lufton dhe kundërshton shumicën e tyre, sepse ato shkatërrojnë e nuk ndërtojnë, mbysin e nuk ngjallin, dobësojnë e nuk forcojnë. Thirrja, edukimi dhe ligjvënia e Islamit bazohen në idenë që njerëzit të jetojnë ashtu siç i krijoi Zoti: me mendjet, talentet e ndërgjegjen e tyre. Sepse Zoti e zbriti Librin e Tij, dërgoi të dërguarit, krijoi gjithësinë dhe vendosi ligjet e Tij për “një popull që arsyeton” dhe për “atë që kanë mendje”.
Autor: Jusuf Kardavi
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Sure Muddethir: 38.



















