Burimi i Zemzemit

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Kur arabët i vendosën idhujt që i adhuronin në Qabe, burimi i Zemzemit u zhduk dhe si rrjedhojë vite me rradhë, ata u detyruan të bartnin ujë për së largu. Një ditë, gjyshin e Profetit (a.s), Abdulmutalibin e zuri gjumi në Qabe dhe pa në ëndërr se po gërmonte derisa e gjeti pusin e Zemzemit. Kur u zgjua, u shushat nga habia, sepse ai nuk dinte asgjë rreth burimit të Zemzemit. Të nesërmen ai pa të njëjtën ëndërr, por këtë rradhë ai pa se ku ishte vendi në të cilin gjendej burimi i Zemzemit.

Menjëherë Abdulmutalibi vendosi të gërmonte dhe të zbulonte burimin e Zemzemit. Asokohe ai kishte vetëm një djalë dhe bashkë me të filloi të gërmonte në vendin ku kishte parë ëndrën. Puna për të gërmuar dhe për të gjetur burimin e Zemzemit ishte tejet e vështirë. Ai iu lut Allahut që t’i dhuronte dhjetë djem dhe ai premtoi se kur të bëhej me dhjetë fëmijë, njërin prej tyre do ta flijonte për hatër të Allahut. Pas tre ditësh punë të lodhshme, ai e gjeti burimin e Zemzemit. Zbulimi i burimit të Zemzemit nga ana e Abdulmutalibit ishte tejet i rëndësishëm për arabët, sepse ata nuk kishin pse të bartnin më ujë nga ana e anës.

Vitet kalonin dhe Abdulmutalibit i lindën dhjetë djem të mirë e të fuqishëm. Tani kishte ardhur koha që Abdulmutalibi të mbante premtimin që kishte dhënë dikur. Ai i tregoi djemve për premtimin që i kishte dhënë Allahut dhe ata ishin razi që njëri prej tyre të flijohej. Për këtë, ata vendosën të hidhnin short. Abdulmutalibi i urdhëroi djemtë që secili prej tyre të merrte një shigjetë dhe në të shkruante emrin e vet. Abdulmutalibi i mori të dhjetë shigjetat dhe i çoi në Qabe. Atje ishte një njeri, detyra e të cilit ishte të zgjidhte njërën prej shigjetave. Ai zgjati dorën dhe zgjodhi shigjetën në të cilën ishte emri i Abdullahut, djalit më të ri dhe më të dashur të Abdulmutalibit. Në këto momente, Abdulmutalibi vendosi ta flijonte Abdullahun për të përmbushur premtimin e dhënë.

Por, shumica e udhëheqësve kurejshitë (arabë) që ishin prezent në Qabe nuk ishin dakord që Abdulmutalbi ta flijonte Abdullahun. Ata u përpoqën të gjejnë një zgjidhje për këtë. Dikush tha: Përse të mos shkojmë tek një plakë e urtë që jetonte në Jethrib dhe të marrim mendimin e saj. Abdulmutalibit i pëlqeu ky mendim dhe bashkë me Abdullahun dhe disa kurejshë shkuan në Jethrib tek plaka e urtë.

Plaka e urtë i pyeti: Sa është çmimi për jetën e një njeriu?

Ata thanë: Dhjetë deve.

Plaka tha: Në një krah do vendosni Abdullahun dhe në krahun tjetër do të vendosni dhjetë deve. Pastaj hidhni short. Nëse shorti i bie deveve, atëherë Abdullahu shpëton dhe ju do t’i therrni devetë e do t’jua shpërndani nevojtarëve. E nëse shorti i bie Abdullahut, atëherë ju do të shtoni dhjetë deve të tjera, e kështu me rradhë derisa shorti t’i bie deveve.

Abdulmutalibi e dëgjoi këshillën e plakës së urtë dhe kur shkoi në Qabe, hodhi short dhe shorti i ra Abdullahut. Ai shtoi dhjetë deve të tjera dhe hodhi short dhe shorti i ra përsëri Abdullahut. Ai e përsëriti edhe shumë herë të tjera shortin derisa u bënë plot njëqind deve. Tani shorti i ra deveve dhe kështu Abdullahu shpëtoi. Njerëzit përreth u gëzuan fort, megjithatë Abdulmutalibi dëshironte të sigurohej plotësisht që shorti ishte i drejtë dhe e hodhi shortin edhe tre here të tjera dhe në të trija rastet shorti i ra deveve. Njerëzit falenderuan Allahun dhe Abdulmutalibi i therri devetë dhe ia shpërndau të varfërve dhe nevojtarëve.

Më vonë Abdullahu do të martohej me Aminen dhe a e dini fëmijë të dashur se kush është fëmija që do të lindte nga martesa e tyre? Ai ishte profeti ynë i dashur, Muhamedi (a.s).

 

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *