Pranoje o njeri!

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

 

Kur Ademi dhe Havaja hëngrën nga pema, e kuptuan menjëherë madhësinë e gabimit në të cilin i kishte joshur Iblisi. Prandaj nxituan të largoheshin nga ai vend dhe pema mbeti larg tyre.  Allahu u tha: “A nuk jua kisha ndaluar atë pemë?” Fjala arabe “tilke” përdoret për diçka të largët, ndërsa para mëkatit u tha: “hadhihi shexheretu” “kjo pemë”, ku “hadhihi” përdoret për diçka të afërt.

Një veprim i çastit dhe spontan, që shpreh turpin para Allahut, i Cili i kishte paralajmëruar me paralajmërim të madh nga ai veprim dhe nga vesveset e shejtanit; e megjithatë ata ranë në atë që ishte ndaluar, ndonëse e kishin dëgjuar drejtpërdrejt paralajmërimin dhe e kishin kuptuar kërcënimin për pasojat e këqija nëse do të binin në të.

Qortimi hyjnor ishte i butë dhe i ëmbël edhe pas gabimit të bërë. Ai erdhi në formën e një pyetjeje pohuese dhe qortuese: “A nuk jua ndalova…?”… pra, ju ndalova madje edhe nga afrimi te pema dhe ju paralajmërova për armiqësinë e shejtanit.

Një qortim i dashur, që u tregonte atyre se dera nuk ishte mbyllur dhe se mëshira është më e gjerë. Ata tashmë prisnin udhëzimin pas asaj rënieje të dhimbshme. Kështu u vendos një ekuilibër mes dhimbjes së mëkatit dhe shpresës së pendimit.

“Ademi mësoi disa fjalë (se si të kërkonte falje) nga Zoti i tij, …” Fjalë të pakta, të lehta, të qarta dhe të drejtpërdrejta. Vetë shprehja “telekka” të jep ndjesinë e pritjes dhe të përmallimit për udhëzim. Pa zgjatje, pa vonesë dhe pa kushte të rënda për një pendim të pranuar; prandaj u përdor shkronja “F” që në arabisht tregon pasim të menjëhershëm dhe të shpejtë. Sa bukur është kur paralajmërimi para gabimit është i fortë, ndërsa qortimi pas tij është i butë sidomos për atë që e ka kuptuar mësimin. Çfarë mëshire e madhe që gabimet, kujtimi i të cilave na dhemb në këtë botë, mund t’i gjejmë si vepra të mira në peshoren tonë Ditën e Ringjalljes.

Kur njerëzit të kërkojnë falje, nxito ta pranosh faljen, luftoje egon tënde dhe harroje padrejtësinë.
Allahu thotë: “.. e kush fal e bën pajtim, shpërblimi i tij është tek All-llahu.” Sepse edhe ti je njeri që gabon, që ka nevojë që Allahu ta falë dhe që njerëzit ta falin.

Ato fjalë ishin thënie të sinqerta që buronin nga thellësia e zemrës, të përziera me lot të nxehtë të syrit. Nuk ka gjë më të dashur tek Allahu sesa loti i një pendimtari. Ata thanë: “Ata të dy thanë: Zoti ynë, ne i bëmë të padrejtë(i dëmtuam) vetvetes sonë…”

Ata e pranuan fajin pa u justifikuar me joshjen e shejtanit dhe kërkuan falje e mëshirë, që të mos bëheshin prej popujve zullumqarë para tyre, të cilët u ndëshkuan për shkak të gjynaheve të tyre.

“Fjalët” ishin në të vërtetë vepra, si ato me të cilat Allahu e sprovoi Ibrahimin: të lidhura me pastërtinë, me ruajtjen e natyrshmërisë (fitrës), me mbrojtjen e jetës, të të drejtave dhe të mjedisit, si dhe me shmangien e bindjes ndaj shejtanëve dhe ndihmësve të tyre.

Prandaj është thënë se Ademi thuhet se ështe i pari që vendosi kufijtë e Harem-it (në Meke), dhe u mësoi pasardhësve të tij shenjtërimin e tokës së bekuar në Mekë dhe rreth saj, si dhe shmangien e prerjes së pemëve të saj dhe shqetësimit të gjahut të saj. Nuk ka asgjë të çuditshme në këtë, sepse misioni i tij ishte mëkëmbësia në tokë dhe përmirësimi i saj.

Nga udhëzimi i Profetit (a.s)  është: “Kush e kryen Haxhin dhe nuk flet fjalë të pahijshme e nuk bën gjynahe, kthehet si dita kur e ka lindur nëna e tij.”

Nga përsosmëria e bamirësisë është që t’i bësh mirë atij që të ka bërë keq, dhe të përballosh fjalët dhe veprat e tij të këqija me falje dhe mirësi.

Gabimi i par i prindërve të par (Ademi dhe Havaja) ishte një i vetëm dhe ndodhi në Xhenet, në mënyrë që të mos gabonin në tokë; sepse toka ishte për ta vend i misionit, i autoritetit dhe i shenjtërisë: “Më është bërë toka vend faljeje dhe pastërtie.”

Ndoshta gabimi vetë mund të shndërrohet në mëshirë: të të çojë drejt saktësisë, të të mësojë përulësinë ose të të nxisë drejt veprave të mira që nuk do t’i bëje pa të.

Fjalët e thyera dhe të dhembshme të prindërve të parë vazhdojnë të na kujtojnë rrugën e sigurt drejt Allahut sa herë që mëkati na rrethon.

Prej tyre mësojmë të mos humbasim shpresën dhe të mos dorëzohemi përballë gabimit, edhe nëse përsëritet apo shndërrohet në një zakon që na rëndon dhe na tërheq. Ai që e ka caktuar ekzistencën e mëkatit, ka ligjësuar edhe pendimin, ka lehtësuar shkaqet e tij dhe e ka bërë rrugën e kthimit të hapur e të drejtpërdrejtë drejt Tij, pa ndërmjetës.

Ndjesa e tyre për falje ishte po aq e hapur sa vetë gabimi, dhe historia e tyre përsëritet shtatë herë në Kuran, duke theksuar ndodhjen e mëkatit, zbulimi i avretit dhe gjendjen e ngutshme të kërkimit të gjetheve të pemës për t’u mbuluar.

Kjo na mëson se askush nuk është i përjashtuar nga mundësia e gabimit, dhe se sinqeriteti nuk është pretendimi i pastërtisë apo shfaqja e përsosmërisë, por është kërkimi i faljes, pendimi dhe shlyerja e gabimit me atë që i përshtatet, duke pasur frikë Allahun më shumë sesa njerëzit. Duhet kuptuar gjithashtu  se publikimi i mëkatit është vetë një mëkat tjetër, që përbën shpërfillje dhe prishje të moralit të përgjithshëm.

Pas pendimit erdhi profetësia, nderi dhe përzgjedhja hyjnore; kështu që gjendja pas pendimit u bë më e mirë se ajo para mëkatit. Prandaj nuk ka vend për qortim apo nënçmim të padrejtë.

Por pendimi i vërtetë është i thellë dhe i sinqertë. Ndërsa disa prej pasardhësve pendohen vetëm për të rikthyer pozitën e humbur shoqërore për shkak të gabimit, dhe nuk u mbetet nga pendimi veç pamja e jashtme, si veshja apo forma e dukshme. Madje ndonjëherë nxitohen të dalin në krye, në udhëheqje apo në këshillim, duke përsëritur “unë isha kështu e ashtu…”.

Ndodh që ikja nga “pema e mëkatit” t’i çojë në një rënie tjetër edhe më të rëndë, si derdhja e gjakut, padrejtësia ndaj njerëzve, fanatizmi apo shpallja e të tjerëve të humbur.

Të dy morën pjesë së bashku në mëkat, dhe kështu ai u bë një gabim i përbashkët, ku secili prej tyre e nxiste dhe ia zbukuronte tjetrit. Prandaj ishte e bukur që edhe pendimi të ishte i përbashkët, me një zë të vetëm: “Ata të dy thanë: Zoti ynë, ne i bëmë të padrejtë(i dëmtuam) vetvetes sonë…”

Mëkatet tona kolektive dhe shkeljet tona ndaj tokës, si dhe devijimi nga detyra e mëkëmbësisë së drejtë, kanë sjellë një prapambetje qytetëruese, injorancë, përçarje, racizëm dhe një grumbull zakonesh mendore, emocionale dhe sjellore që na mbajnë të mbyllur në një rreth vicioz.

Ne nuk po arrijmë të gjejmë rrugën e drejtë drejt rregullimit të përgjegjësisë sonë në këtë tokë, qoftë si njerëz apo si muslimanë.

Vetëm ata të dy e morën përgjegjësinë e mëkatit të tyre dhe shijuan hidhësinë e zbritjes në tokë, si dhe vështirësitë e jetës së ndryshme në të. Ne nuk e kemi trashëguar fajin e tyre; kemi trashëguar natyrën e prirur për të mirën dhe për të keqen, dhe kjo është sekreti i njerëzisë sonë dhe i ngarkimit me përgjegjësi.

Prej tyre mësuam se mëkati nuk është gjendje e përhershme, por një çast kalimtar nga i cili zemra zgjohet më e butë dhe më e pastër.

Dhe mësuam se pendimi ka nevojë për lutje të sinqertë, për keqardhje dhe për ta pranuar para Allahut, dhe se lotët e vërtetë janë vaji që ndez kandilin e tij

Mësuam se zbritja në tokë nuk ishte ndëshkim në vetvete, sepse si mund të ishte ndëshkim kur Allahu i fali? Për këtë arsye Ibn Abasi ka thënë: “Allahu e zbriti Ademin në tokë para se ta krijonte atë (përfundimisht për të)”, duke iu referuar fjalës së Tij: “Unë do të krijoj një mëkëmbës (që do të zbatojë ligjet e Zotit) në tokë…,” Pra, ai u krijua për tokën, për ta ndërtuar dhe për ta përmirësuar atë.

Mësuam se ndër mëkatet më të mëdha është shkatërrimi në tokë dhe derdhja e gjakut. E megjithatë sot shohim përshkallëzim të prishjes mjedisore, financiare, politike dhe morale, si dhe një gjendje padrejtësie, dhune dhe vrasjesh të verbra në shumë vende të botës islame. Umeti që erdhi me Profetin e mëshirës, i cili solli ruajtjen e të drejtave dhe ndalimin e padrejtësisë!.

Çfarë faji duhet të pranoj unë tani?

Na përshkruajnë si thirrës dhe studentë të dijes, por këtu nuk është vendi të zbuloj mbulesën që Allahu më ka vendosur mbi gabimet e mia personale mes meje dhe Tij, gjëra që i kam mbajtur të fshehta dhe larg syve të njerëzve.

Ajo që kërkon pranim është diçka tjetër: se jeta e gjatë mes njerëzve dhe ndjekësve, sidomos, ka bërë që të zmadhohet brenda meje pesha e asaj që thonë njerëzit, çfarë shpresojnë, çfarë presin dhe çfarë mendojnë për ne. Kështu është pakësuar natyrshmëria, është shtuar kënaqësia e njerëzve dhe kujdesi i tepruar për opinionin e tyre, është dobësuar sinqeriteti dhe është zbehur sinqeriteti i pastër.

Shqetësimi është bërë seçfarë do të thonë njerëzit për ne? si do t’i komentojnë ata qëndrimet tona?

…Ndoshta edhe vetë ky pranim nuk del jashtë të njëjtit kontekst: si do ta komentojë miku lavdërues dhe si do ta shfrytëzojë armiku kundërshtar?

Ajo që kërkon pranim nuk është tjetër veçse që shqetësimi im të bëhet: sa ndjekës kam? sa libra u shitën? sa herë u ripostua? kë e kalova dhe kush më kaloi mua?

Duke harruar se do të vijë një ditë pa ne, dhe ndoshta do të jetë më e mirë — me lejen e Allahut — dhe lajmi ynë do të mbyllet, ndërsa ne do të bëhemi pika të vogla që nuk duken përballë figurave të mëdha, imamëve të sinqertë të dijes, thirrjes, sakrificës dhe xhihadit.

O Allah, kërkoj mbrojtje tek Ti që të jem i madh në sytë e njerëzve, ndërsa tek Ti të jem i vogël, o Mëshiruesi më i madh.

Autor: Selman Aude

Përktheu: Mevlad Çollaku

By: ardhmëriaonline.com

 

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *