Profeti ynë (a.s) ka thënë:“Mosha e njerëzve të umetit tim është midis gjashtëdhjetë dhe shtatëdhjetë (vitesh).” Jetëgjatësia e këtij umeti edhe pse është më e shkurtër se ato të popujve të mëparshëm, Allahu e ka kompensuar këtë duke bërë që shumë vepra të mira të kenë shpërblim sa periudha shumë të gjata kohore. Një prej tyre është Nata e Kadrit, për të cilën Allahu i Madhëruar thotë: “Nata e Kadrit është më e mirë se një mijë muaj.”[1]
Ndër kohët e bekuara që duhen shfrytëzuar dhe investuar me vepra të mira janë dhjetë ditët e Dhul-Hixhes. Për vlerën e tyre kanë ardhur ajete dhe hadithe.
Allahu i Madhëruar thotë: “Pasha dhjetë netët.” [2] Ibn Abasi, Ibn Zubejri dhe të tjerë kanë thënë se ato janë dhjetë ditët e Dhul-Hixhes.
Po ashtu Allahu thotë: “dhe ta përmendin emrin e Allahut në ditë të caktuara.”[3] Ibn Abbasi Allahu qoftë i kënaqur me të ka thënë: “Janë dhjetë ditët e Dhul-Hixhes.”
Në një hadith autentik, Profeti (a.s) ka thënë: “Nuk ka ditë në të cilat veprat e mira janë më të dashura tek Allahu sesa në këto ditë”, domethënë ditët e dhjetë të Dhul-Hixhes. Sahabët thanë: “O i Dërguari i Allahut, as xhihadi në rrugën e Allahut?” Ai u përgjigj: “As xhihadi në rrugën e Allahut, përveç një njeriu që del me veten dhe pasurinë e tij dhe nuk kthehet me asgjë prej tyre.”
Ibn Haxheri (r.h) ka thënë në “El-Feth”: “Ajo që duket më e qartë si shkak i veçantisë së dhjetë ditëve të Dhul-Hixhes është se në to bashkohen themelet më të mëdha të adhurimit: namazi, agjërimi, lëmosha dhe haxhi; dhe kjo nuk gjendet e bashkuar në ndonjë kohë tjetër.”
Në këto dhjetë ditë është e pëlqyeshme të shtohen sa më shumë veprat e mira për shkak të vlerës së tyre të madhe. Brenda këtyre ditëve ndodhet dita e Arafatit, e cila është dita më e mirë mbi të cilën ka lindur dielli, dhe po ashtu dita e Kurban Bajramit (Dita e Parë), që është dita e Haxhit të Madh dhe një nga ditët më të mira.
Për këtë arsye, një grup dijetarësh kanë thënë se dhjetë-ditëshit e Dhul-Hixhes janë më të mira se dhjetë-ditëshit e fundit të Ramazanit, ndërsa netët e Ramazanit janë më të mira për shkak të Natës së Kadrit.
Këto sezone të bekuara duhen shfrytëzuar me vepra të mira, si: tesbihu, tehlili, tekbiri dhe tahmidi: “SubhanAllah, Elhamdulilah, La ilahe il-lAllah, Allahu Ekber”, ose: “Allahu Ekber, Allahu Ekber, La ilahe il-lAllah, Allahu Ekber, Allahu Ekber ue lil-lahil hamd”, apo çdo formë tjetër që përmban madhërimin e Allahut dhe shpalljen e kësaj shenje të fesë.
Kjo duhet të bëhet gjatë hyrjes dhe daljes, në tubime, në tregje, në vende publike dhe në vendet e punës, pa dalë nga fryma e adhurimit dhe dinjiteti i tij. Megjithatë, kjo përmendje e Allahut dhe ky tekbir duhet të bëhen të dukshme, sepse kjo është një nga kuptimet më madhështore të këtyre ditëve. Allahu i Madhëruar thotë: “…që ta madhëroni Allahun për udhëzimin që ju dha.”[4] Ky është tekbiri i lavdëruar dhe i ligjësuar.
Ndër gjërat me të cilat mund të shfrytëzohen këto ditë është edhe agjërimi. Edhe pse nuk është vërtetuar se Profeti (a.s) i ka agjëruar të gjitha këto dhjetë ditë, shumica e dijetarëve kanë përmendur se agjërimi i tyre është i ligjësuar. Madje Imam Neveviu ka thënë se ai është “shumë i pëlqyer”.
Në realitet, agjërimi i ditës së Arafatit është vërtetuar qartë në Sahihun e Muslimit dhe libra të tjerë. Ndërsa dita e Bajramit është e ndaluar të agjërohet me pajtimin e dijetarëve. Po ashtu, ditët e Teshrikut pas Bajramit, sipas shumicës së dijetarëve, nuk lejohen të agjërohen, përveç atij që nuk ka mundësi të bëjë kurbanin e haxhit. Kurse ditët e tjera të dhjetëshit pra nga dita e parë deri në të nëntën, agjërimi i tyre është i pëlqyer sipas një grupi dijetarësh.
Një nga gjërat shumë të rëndësishme është se njerëzit zakonisht garojnë në veprat e jashtme. Pa dyshim, ato kërkohen dhe janë të rëndësishme, por duhet kuptuar se qëllimi i veprave të jashtme është ndikimi mbi zemrën.
Prandaj, ndër gjërat më madhështore me të cilat njeriu afrohet tek Allahu në këto ditë është t’i shfrytëzojë ato si mundësi për pastrimin e zemrës. Veprat e zemrës janë më të rëndësishme se të ato të gjymtyrëve, madje ato janë themeli i tyre. Po ashtu, të këqijat e zemrës janë më të rënda se të këqijat e jashtme, sepse ato janë burimi i tyre.
Çdo gjë që shfaqet jashtë ka një rrënjë të brendshme, qoftë e mirë apo e keqe. Për këtë arsye duhet të kujtojmë se këto dhjetë ditë nuk shfrytëzohen vetëm me dhikër, Kuran, tesbih dhe ruajtjen e pesë namazeve, por edhe me pastrimin e zemrës: me mendim të mirë për Allahun, me optimizëm dhe shpresë tek Ai, me pritjen e lehtësimit për të pikëlluarin, të brengosurin dhe të ngarkuarin, si dhe me mendim të mirë për muslimanët.
Duhet t’i interpretojmë fjalët, veprat dhe sjelljet e tyre në mënyrën më të mirë të mundshme, të flasim mirë për ta dhe gjuha jonë të mos përmendë asnjë musliman veçse me të mira, me lutje për falje dhe me lavdërim për atë që meriton.
Njeriu gjithmonë mund të gjejë diçka të mirë tek tjetri për ta përmendur. Profeti (a.s) e lavdëroi madje mbretin e Etiopisë, Nexhashiun, ndërkohë që ai ende nuk ishte musliman, duke thënë: “Atje është një mbret tek i cili askujt nuk i bëhet padrejtësi.”
Profeti (a.s) i lavdëroi edhe bujarët në kohën e xhahilijetit (periudha para Islamit), ashtu siç lavdëroi poetin për poezinë e tij dhe trimat për trimërinë e tyre. Prandaj njeriu duhet ta mësojë gjuhën e tij të flasë mirë për njerëzit dhe të ketë mendim të mirë për ta.
Po ashtu, duhet të përmirësohet marrëdhënia me njerëzit më të afërt, dhe ky është një kuptim shumë i rëndësishëm. Më të afërmit janë më parësorët për mirësi: si nëna, babai, bashkëshortja, fëmijët, fqinji, apo kolegu i punës. Të gjithë këta kanë një të drejtë shtesë mbi ne.
Prandaj duhet ta kuptojmë se qëllimi i këtyre dhjetë ditëve nuk janë vetëm veprat e jashtme me të cilat njerëzit garojnë mes tyre, por se veprat e zemrës dhe veprat e brendshme kanë ndikim më të madh dhe shpërblim më të madh tek Allahu i Lartësuar.
Ndër gjërat që dua ta theksoj është se rastet e adhurimeve vijnë njëra pas tjetrës, si dhjetë ditët e Dhul-Hixhes apo Ramazani. Megjithatë, ndonjëherë dëgjon disa prej ligjëruesve në xhami apo në tribuna fetare që e rëndojnë shumë gjuhën ndaj njerëzve.
Njeriu mund të vijë në xhami gjatë Ramazanit ose në këto dhjetë ditë dhe të dëgjojë nga hatibi apo ligjëruesi vetëm qortim dhe kritikë, me përsëritje të vazhdueshme të fjalëve si: “Ka agjërues që nga agjërimi nuk përfitojnë veç urisë dhe etjes”, apo: “Ka njerëz që falen natën dhe fitojnë vetëm lodhje e pagjumësi”, ose: “Ka lexues të Kuranit që Kurani i mallkon”, dhe: “Nëse njeriu kthehet te mëkati pas adhurimit, kjo është shenjë se nuk i është pranuar.”
E të ngjashme me këto forma të tepruara të qortimit ndaj një njeriu që në fakt ka ardhur duke kërkuar bindje dhe afrim tek Allahu.
Kjo ka bërë që një pjesë e njerëzve të mos kenë më dëshirë për vepra të mira, sepse mendojnë se ato nuk do t’u pranohen. Ata harruan se Allahu nuk e humb shpërblimin e atij që bën mirë dhe se Ai thotë: “Kush bën qoftë edhe sa një grimcë të mirë, do ta shohë atë; dhe kush bën qoftë edhe sa një grimcë të keqe, do ta shohë atë.”[5]
Prandaj duhet t’i mëshirojmë njerëzit, të kemi dhembshuri për ta dhe t’ua lehtësojmë shfrytëzimin e këtyre stinëve të adhurimit. Ky njeri ka ardhur duke agjëruar, duke u falur, duke dëshmuar se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Tij. Ndoshta ai ka dhënë zekatin, ndoshta ka kryer haxhin ose po përgatitet për të. Pra, ai pothuajse i ka mbledhur të gjitha shtyllat e Islamit bashkë me shtyllat e besimit, edhe pse mund të ketë mangësi apo mëkate.
Nuk është e saktë të thuhet se nëse njeriu bën një vepër të mirë e më pas bie në një mëkat, atëherë mëkati ia asgjëson veprat e mira. Peshorja ka dy anë. Allahu i Madhëruar thotë: “Ata që u rëndon peshorja me vepra të mira, do të jenë të shpëtuar kurse ata që e kanë të lehtë peshoren me vepra të mira, do të humbin veten e tyre,…”
Rëndimi i peshores vjen duke shtuar veprat e mira. Prandaj, nxitja e njerëzve drejt së mirës është një gjë, ndërsa pengimi i tyre prej saj me arsyetimin se veprës i mungojnë kushtet e përsosura është diçka tjetër. Kjo bën që shumë njerëz të zbresin që në shkallën e parë.
Ndërsa thirrësi i urtë është ai që ua lehtëson njerëzve rrugën dhe u thotë: provo dhe hyr! “Hyni në portën e qytetit! Kur të kaloni nëpër të, me siguri do të jeni fitues.”[6]
Kurthi i shejtanit dhe i pasuesve të tij është i dobët, ashtu siç Allahu i Lartësuar ka thënë.
Autor: Dr Selman Aude
Përktheu: Mevlad Çollaku
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Sure Kadr: 3.
[2] – Sure Fexhr: 2.
[3] – Sure Haxh: 28.
[4] – Sure Bekare: 185.
[5] – Sure Zelzele: 7 – 8.
[6] – Sure Maide: 23.



















