Konteksti i këtij rregulli:
Ky rregull rrjedh në mënyrë logjike nga rregullat e mëparshme që përcaktojnë se Sheriati është i ndërtuar për të sjellë interesa dhe për të evituar dëmet. Ky rregull është pranuar qartë ose në mënyrë të nënkuptuar nga shumica e juristëve, por ai që e ka sqaruar dhe trajtuar më së shumti këtë rregull është imam Shihabudin El Karafi. Ai ka thënë: “Dije se urdhëresat janë sintezë e interesvave, ashtu siç ndalesat janë sintezë e dëmeve.”[1] Gjithashtu ai ka thënë: “Ndalimi (Harami) bazohet tek dëmet, kurse obligimi (vaxhibi) bazohet tek interesat.”[2] Po ashtu ka thënë: “Urdhëresat e Sheriatit janë në sintezë me interesat e kulluara ose mbizotëruese, kurse ndalesat e tij janë në sintezë me dëmet e kulluara ose mbizotëruese.”[3]
Shpjegimi i këtij rregulli:
Në rregullin e katërt u sqarua se dispozitat e Sheriatit nuk dalin jashtë suazave të përfitimit të interesave konkrete dhe të mundshme (prevaluese) dhe ato përjashtojnë dëmet konkrete ose të mundshme (prevaluese). Ndërsa rregulli që po trajtojmë këtu vjen me një kuptim të ri, që është sintetizimi i urdhëresave dhe ndalesave nga interesat dhe dëmet. Kjo do të thotë se atributi i të mirës dhe të keqes (tek një gjë) i paraprin urdhërit dhe ndalesës fetare. Pra, urdhëresat fetare vendosen mbi bazën e interesave që synohen të arrihen, dhe ndalesat fetare vendosen mbi bazën e dëmeve që synohen të evitohen.
Ky rregull është një kundërpërgjigje e nënkuptuar ndaj atyre që besojnë se urdhëresat dhe ndalesat fetare nuk varen dhe nuk burojnë nga asgjë, as nga një interes e as nga një dëm. Sipas tyre, vetë interesi dhe dëmi nuk ekzistojnë si të tilla derisa të vijë një urdhër ose ndalesë fetare, dhe vetëm atëherë një veprim konsiderohet dobi sapo urdhërohet nga Sheriati dhe konsiderohet dëm sapo ndalohet prej tij.
Sakaq, rregulli ynë “Urdhëresat janë të sintetizuara me interesin që sjellin, kurse ndalesat me dëmet që sjellin” përcakton se interesat janë të tilla në vetvete dhe në realitetin e tyre, pavarësisht nëse ekziston apo jo një urdhër fetar për to, dhe pikërisht për këtë arsye Sheriati i ka urdhëruar. Po ashtu, dëmet janë të tilla në vetvete dhe në realitetin e tyre, dhe pikërisht për këtë arsye Sheriati i ka ndaluar, dhe jo e kundërta.
Argumentet e këtij rregulli:
Ajetet kuranore janë të qarta në atë se urdhëresat dhe ndalesat e Allahut të Lartësuar bazohen tek interesi dhe dëmi, e mira dhe e keqja, përfitimi dhe zarari, të cilat, shumicën e këtyre gjërave njerëzit i njohin. Ato (ajetet) nuk urdhërojnë diçka që është e dëmshme ose që nuk ka asnjë dobi në të, në mënyrë që më pas të konsiderohet interes. Po ashtu, nuk ndalojnë diçka që është e dobishme ose që nuk përmban asnjë dëm, në mënyrë që më pas të konsiderohet dëm.
1 – Allahu i Lartmadhëruar thotë: “Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon në mënyrë që t’jua vini veshin.”[4]
2 – Allahu i Lartmadhëruar thotë: “Allahu ju urdhëron që amanetet t’jua ktheni atyre që u përkasin dhe kur të gjykoni midis njerëzve të gjykoni drejt.”[5]
3 – Allahu i Lartmadhëruar thotë: “Ai (profeti) do t’i urdhërojë ata të bëjnë vepra të mira dhe do t’i ndalojë nga të këqijat; do t’jua lejojë të mirat e do t’ua ndalojë të këqijat.”[6]
4 – Allahu i Lartmadhëruar thotë: “Kur ata bëjnë një vepër të shëmtuar, thonë: Ne i kemi gjetur prindërit tanë që i bënin, por edhe Allahu na ka urdhëruar kështu. Thuaj: Allahu nuk urdhëron të bëhen vepra të pahijshme. Përse thoni për Allahun atë që nuk e dini. Thuaj: Zoti im urdhëron drejtësi. Drejtohuni vetëm nga Ai në çdo xhami e lutjuni Atij sinqerisht, me besim të pastër e të sinqertë.”[7]
Autori i këtij rregulli – d.m.th. imam Shihabudin El Karafi – ka thënë: “E vërteta qëndron se një veprim i dëmshëm pasohet me ndalesë për ta vepruar atë gjë të dëmshme. Dhe në një veprim që nuk përmban dëm nuk ka pse të jetë veprim i ndaluar. Metoda e induksionit të ligjeve është argumenti më i mirë për këtë.”[8] Pastaj ai vazhdon: “Metoda e induksionit tregon se dëmet dhe interesat (tek një veprim) i paraprijnë urdhëresave dhe ndalesave. Kurse shpërblimi dhe ndëshkimi vijnë pas urdhëresave dhe ndalesave. Në atë veprim që ka dëm, ai veprim ndalohet që të bëhet. Nëse njeriu e bën atë veprim, atëherë do të ndëshkohet. Në atë veprim që ka dobi, ai veprim urdhërohet që të bëhet. E nëse njeriu e bën atë veprim, atëherë ai do të shpërblehet. Kështu pra, shpërblimi dhe ndëshkimi janë në shkallën e tretë, urdhëresa dhe ndalesa në shkallë të dytë, kurse dëmi dhe interesi janë në shkallë të parë. Prandaj nëse urdhri dhe ndalesa do të shpjegoheshin me shpërblimin dhe ndëshkimin, atëherë do të duhej që një gjë të paraprinte vetveten me dy shkallë, gjë që është e pamundur. Për këtë arsye, disa studentë të paditur thonë: “Interesi i këtij urdhri është se ai shpërblehet”, duke e shpjeguar atë me shpërblimin dhe ndëshkimin, dhe kjo është një gabim.”[9]
Shembuj praktik të këtij rregulli:
1 – Allahu i Lartmadhëruar ka urdhëruar që të falet namazi, të jepet zekati, të agjërohet Ramazani dhe të kryhet haxhi. Të gjitha këto adhurime përfshijnë dobi shpirtërore, morale dhe sociale, të cilat nuk mund t’ia anashkalojë askush. Prandaj Sheriati ka urdhëruar dhe ka nxitur që ato të veprohen në përputhje të plotë me dobitë dhe efektet pozitive madhështore të tyre, që Allahu i ka vendosur tek ato (adhurime).
2 – Allahu i Lartmadhëruar ka urdhëruar që njeriu të pajiset me moralet e bukura dhe ka ndaluar moralet e shëmtuara. Dobitë e moraleve të mira janë të njohura tek çdo popull. Sa bukur është shprehur poeti kur ka thënë:
Vërtet, popujt qëndrojnë sa kohë kanë moral
Por, nëse morali i tyre zhduket edhe ata do të zhduken.
3 – Allahu i Lartmadhëruar e ka ndaluar pirjen e alkoolit dhe asnjë njeri i arsyeshëm nuk dyshon në dëmin dhe të këqijat që ai sjell. Pra, ndalimi i tij është në përputhje me dëmin e tij dhe i bazuar tek dëmi i tij.
4 – Dijetarët kanë rënë dakord unanimisht për ndalimin e konsumimit të drogës duke u bazuar në dëmet e tyre shkatërruese. Sipas tyre, ndalimi vjen pasi dëmi është i qartësuar dhe është i lidhur ngushtë me të.
5 – Për këtë arsye, Imam Gazaliu ka thënë: “Edhe buka, nëse do të ishte e dëmshme, do të ndalohej ngrënia e saj, dhe balta që disa e kanë zakon ta hanë nuk ndalohet veçse për shkak të dëmit që sjell.”[10]
Autor: Ahmet Rejsuni
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com
[1] – “El Furuk” i imam Shihabudin el Karafit, fq: 3/94.
[2] – “El Furuk” i imam Shihabudin el Karafit, fq: 2/188.
[3] – “El Furuk” i imam Shihabudin el Karafit, fq: 2/126.
[4] – Sure Nahl: 90.
[5] – Sure Nisa: 58.
[6] – Sure A’raf: 157.
[7] – Sure A’raf: 28 – 29.
[8] – “El Furuk” i imam Shiahbudin el Karafit, fq: 4/122.
[9] – “El Furuk” i imam Shihabudin el Karafit, fq: 4/122 – 123.
[10] – “Ihja ulumud din” i imam Gazalit, fq: 2/92.



















