Pasi Profeti (a.s) ndërroi jetë, sahabët ndoqën metodën e tij në nxjerrjen dhe deduktimin e ligjeve sheriatike, duke edukuar dhe trajnuar brezin pasues për të bërë ixhtihad. Ata e kishin të qartë metodologjinë e skicuar dhe të aplikuar nga Profeti (a.s). Metodologjia e sahabëve është e trupëzuar në hadithin e Muadhit (r.a). Kur i Dërguari i Allahut (a.s) e dërgoi Muadhin (r.a) në Jemen, e pyeti: “Si do të veprosh, nëse përballesh me një çështje”? Muadhi (r.a) tha: “Do të gjykoj me Librin e Allahut”. I Dërguari i Allahut (a.s) e pyeti: “Po nëse nuk e gjen në Librin e Allahut”? Muadhi (r.a) tha: “Do të gjykoj me Sunetin e të Dërguarit të Allahut”. I Dërguari i Allahut (a.s) e pyeti: “Po nëse nuk e gjen as në Sunetin e të Dërguarit të Allahut”? Muadhi (r.a) tha: “Do të jap maksimumin, për të dhënë mendimin tim të saktë”. I Dërguari i Allahut (a.s) i rrahu gjoksin dhe i tha: “Falënderimi i takon Allahut, i Cili i dha sukses përfaqësuesit të të Dërguarit të Allahut me atë që e kënaq të Dërguarin e Allahut”.([1])
Nga ky hadith dhe hadithe të tjera kuptohet, se sahabët kanë ndjekur këtë metodë për deduktimin e ligjeve sheriatike:
1- Referimi tek Libri i Allahut, pasi Kurani është baza e bazave dhe nuk lejohet anashkalimi i ligjit të përmendur në të.
2- Referimi tek Suneti, si kod shpjegues i Kuranit dhe në rastin kur nuk gjenin ligj të përcaktuar në Kuran.
3- Referimi tek ixhtihadi, për çështjet që nuk kishte ligj as nga Kurani dhe as nga Suneti.
4- Referimi tek lehtësimi si metodologji e përjetshme dhe si trupëzim i praktikës profetike. Aishja (r.a) ka thënë: “Sa herë që i Dërguari i Allahut (a.s) gjendej para dy alternativave, zgjidhte atë që ishte më e lehta, përderisa nuk mbarte mëkat”.([2]) Tabi`inët i kanë përshkruar sahabët si njerëzit më tolerantë. Umejr ibn Is`haku ka thënë: “Kam arritur shumë prej sahabëve të Profetit (a.s). Nuk kam parë njerëz me jetë më të lehtë dhe më tolerantë sesa ata”.([3]) Ubade ibn Nesejil Kindi ka thënë: “Kam arritur njerëz, të cilët nuk shtrëngonin, ashtu siç bëni ju”.([4])
5- Ixhtihadi në grup. Një gjë e tillë ka qenë praktikë e sahabëve. Kur Ebu Bekri (r.a) përballej me një çështje juridike, fillimisht hulumtonte në Librin e Allahut për ligjin e saj. Nëse e gjente atë në Kuran, i referohej atij dhe gjykonte në bazë të tij. Nëse nuk e gjente në Librin e Allahut (Kuran), atëherë hulumtonte nëse i Dërguari i Allahut (a.s) kishte gjykuar për të. Nëse gjente për të ligj në Sunet, i referohej atij dhe me të gjykonte. Nëse nuk gjente nga Suneti ndonjë gjë për këtë çështje, atëherë dilte para muslimanëve dhe thoshte: “Më është parashtruar një çështje juridike. Kam hulumtuar në Librin e Allahut dhe në Sunetin e të Dërguarit të Allahut (a.s), por nuk kam gjetur ndonjë ligj të caktuar për të. A mos dini ndonjë gjykim të të Dërguarit të Allahut (a.s) për një çështje të tillë”! Kur dikush thoshte: “Po, dimë se ai (a.s) ka gjykuar kështu e ashtu”, Ebu Bekri (r.a) i referohej gjykimit të Profetit (a.s) dhe thoshte: “Falënderimi i përket Allahut, i Cili ka bërë në mesin tonë prej atyre, të cilët e ruajnë Sunetin e Profetit (a.s)”. Nëse as ata nuk jepnin përgjigje, atëherë mblidhte elitat e dijetarëve të muslimanëve, konsultohej me ta dhe nëse ata binin në ujdi për çështjen, i referohej ujdisë së tyre dhe gjykonte në bazë të saj”.([5])
Kur Umer ibn Hatabi (r.a) emëroi Shurajhun si kadi të Kufes, i shkruajti: “Nëse të bëhet i qartë një ligj nga Libri i Allahut, gjyko në bazë të tij dhe mos pyet askënd tjetër. Nëse nuk të bëhet i qartë, atëherë referoju Sunetit të Profetit (a.s). Nëse nuk të bëhet i qartë as në Sunet, ateherë përpiqu në maksimum dhe gjyko sipas asaj që shikon më të arsyeshme dhe konsultohu për të me dijetarët dhe të përkushtuarit”.
Autor: Rushit Musallari
By: ardhmëriaonline.com
([1]) – Hadith i pranuar për shkak të dëshmive përforcuese. Tajalisi (559); Ibn Ebi Shejbeh, v. 7, f. 239; Abd ibn Humejdi (124); Darimiu (170); Ebu Daudi (3592, 3593); Tirmidhiu (1327, 1328); Bejhakiu, “Es-Sunenu`l-Kubrâ”, v. 10, f. 114; Ahmedi, v. 5, f. 230.
([2]) – Buhariu (6126); Muslimi (2327).
([3]) – Darimiu (130) me varg të pranuar.
([4]) – Darimiu (131) me varg të vërtetë.
([5]) – Darimiu (163); Bejhakiu në “Es-Sunenu`l-Kubrâ”, v. 10, f. 114. Transmetuesit janë të besueshëm, mirëpo Mejmun ibn Mihrani (tabi`in i besueshëm) nuk e ka arritur Ebu Bekrin (r.a).



















