Cila është më e rëndë: tradhëtia e mosedukimit të fëmijëve apo tradhëtia bashkëshortore?

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Para dy ditësh, më kanë bërë përshtypje fjalët e një babai që fliste për ndarjen e kohës midis tij dhe ish-gruas në lidhje me edukimin e fëmijëve. Ai po tregonte se si bashkë me ish – gruan e kishin ndarë javën në atë formë që kur të merreshin me edukimin e fëmijëve të ishin prezentë të dy së bashku. Po ashtu ajo që më bëri që t’i kushtoj më tepër vëmendje ishte fakti se ai kishte rënë dakord me ish-gruan se do t’i edukonin fëmijët mbi parimet themelore të edukimit, si për shembull edukimin sipas parimeve të besimit, edukimin nëpërmjet mekanizmave të duhur dhe kujdesi për arsimimin e tyre. Ata të dy kishin rënë dakord që në momentin që fëmijët do t’i pyesin se cila është arsyeja se përse ata janë divorcuar, duhet të thonin disa fjalë të veçanta, të përcaktuar nga vetë ata, dhe në asnjë mënyrë asnjë prej palëve nuk duhet të fliste keq për palën tjetër në prani të fëmijëve.

Kjo marrveshje e bërë midis dy prindërve të divorcuar për edukimin e fëmijëve të tyre është një model i suksesshëm, sepse fëmijët e tyre nuk janë jetimë ndaj të cilëve duhet të kenë keqardhje e mëshirë. Përkundrazi ata janë fëmijë të shëndoshë që meritojnë një edukim të posaçëm dhe nuk janë për të ardhur keq, por me kusht që prindërit të bashkëpunojnë dhe të koordinojnë me njëri-tjetrin për mënyrën e edukimit të tyre. Kur dy prindërit divorcohen, divorci shfaq tek fëmijët shumë anë negative, si për shembull arsimim të dështuar, trishtim, fëmija mbyllet në vetvete, humbje të emocioneve dhe agresivitet në sjellje. Por ne mund t’i kapërcejmë të gjitha këto anë negative, nëse prindërit e divorcuar kontribuojnë së bashku për rritjen dhe edukimin e fëmijëve.

Divorc nuk do të thotë që prindi të heqë dorë nga edukimi dhe rritja e fëmijëve, edhe nëse njëri prej prindërve merr kudejstarinë e tyre. Divorc nuk  do të thotë se pala tjetër nuk është përgjegjëse për edukimin dhe rritjen e tyre. Nëse hiqet dorë nga edukimi i tyre për shkak të  hakmarrjes  personale apo me shpëtuar nga e kaluara, atëherë kjo heqje dorë konsiderohet tradhti e Amanetit për të cilin janë ngarkuar të dy prindërit. E i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Secili prej jush është bari dhe përgjegjës për tufën e tij.”[1] Kështu pra, edukimi dhe rritja e fëmijëve është përgjegjësi e të dy prindërve edhe nëse ata janë të divorcuar.

Tradhëtia e mosedukimit të fëmijëve konsiderohet më e rëndë se tradhëtia bashkëshortore, sepse tradhëtia bashkëshortore mund të jetë tekë, epsh dhe gabim i momentit, prej të cilës ai që ka tradhëtuar reflekton dhe kthehet pas. Po ashtu tradhëtia bashkëshortore e ka efektin e saj negativ tek vetë  individi, tek secili prej bashkëshortëve. Kurse tradhëtia e mosedukimit të fëmijëve është e përhershme dhe e vazhdueshme. Ashtu sikurse dëmi i saj është më i madh ngase ajo ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në keqedukimin e fëmijës kur është i vogël dhe kur rritet e bëhet i madh. Kur është i vogël mosedukimi i fëmijës ndikon sepse kemi të bëjmë me devijim të sjelljes së fëmijës dhe kur rritet kemi të bëjmë me formimin e familjeve të këqija dhe të shpërbëra për shkak të keqedukimit apo shkujdesjes për edukim. Allahu i Madhëruar thotë: “O Ju që keni besuar! Mos e tradhtoni Allahun dhe të Dërguarin e Tij, as mos e tradhtoni me dashje amanetin, duke qenë të vetëdijshëm.”[2]

Prandaj është detyrë e prindërve, pas divorcit që të ruajnë amanetin e përkujdesjes ndaj fëmijëve të tyre, duke u siguruar atyre jetesën, duke i mirëedukuar, duke komunikuar me ta çdo ditë  dhe duke qenë të afërt me ta, veçanërisht në momentet e gëzimit, trishtimit, dhënies së orientimeve edukative apo të forcimit të marrdhënieve të tyre me Allahun e Madhëruar. E kush e braktis edukimin e fëmijëve apo tregohet neglizhent ndaj tyre ai ka bërë një mëkat shumë të madh, sepse i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “I mjafton njeriut si mëkat që të jetë shkak i devijimit ndaj atyre që ai është përgjegjës për t’i ushqyer ata.”[3]

Divorci është një vendim i lirë që merret prej bashkëshortëve. Ata të dy janë të lirë të bëjnë zgjedhjen e tyre të vazhdojnë apo jo bashkëjetesën. Megjithatë në të dyja rastet duhet që fëmijët të mirëedukohen. Cilido që mediton rreth Kuranit do të vërejë qartë se vendimi për t’u divorcuar është vendim me zgjedhje të lirë që bëhet nga secili prej bashkëshortëve. Prandaj kur Allahu i Madhëruar flet për divorcin nuk i përmend fëmijët sepse ata nuk kanë ndikim në vendimin e marrë prej prindërve. Por ajo që Allahu i Madhëruar ka përmendur është fakti se Ai ka urdhëruar që duhet të ndiqen disa hapa,  të cilat janë në dobi të mbrojtjes dhe edukimit të fëmijëve. Si fillim, Allahu i Madhëruar ka nxitur që bashkëshortët të mund të pajtohen mes veti përpara se të mendojnë divorcin. Nëse pajtimi midis tyre nuk realizohet atëherë ata duhet të divorcohen në mënyrën më të mirë. Një hap tjetër është se Allahu i Madhëruar e ka përcaktuar divorcin deri në tre herë me qëllim që bashkëshortët të kthehen në vatrën familjare. Kështu pra, Allahu i Madhëruar kur ka folur për dispozitat fetare të divorcit nuk i ka përmendur fëmijët, dhe megjithëse fëmijët nuk janë përmendur, hapat e ndërmarra janë të gjitha në dobi të fëmijëve. Kjo është mrekullia e Kuranit në lidhje me ekuilibrimin e përmbushjes së dobisë midis dy bashkëshortëve dhe midis fëmijëve.

Autor: Xhasim Mutaua

Përshtati në shqip: Elton Harxhi

[1] – Buhariu dhe Muslimi.

[2] – Sure Enfal: 27.

[3] – Ebu Daudi. Hadithi është i saktë.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.