Shtetet e Havarixhëve
Havarixhët Sufri u shfaqën në Magribin e largët (Maroku i sotëm) dhe e morën nën kontroll atë. Ndërsa havarixhët Ibadi u shfaqën në Magribin e mesëm dhe të ulët, duke nënshtruar nën ndikimin e tyre pjesë të gjera të atyre territoreve.
Në Sijilmasa u krijua një shtet i havarixhëve Sufri, i quajtur shteti i Beni Midrarëve.
Po ashtu u krijua shteti i havarixhëve Ibadi në Tahert, ku ata themeluan këtë qytet në vitin 161 hixhri. Abdurrrahman ibn Rustemi u bë imam i këtij shteti (shteti Rustemit), i cili zgjati nga viti 160 h. deri në vitin 296 h.
Sa i përket Omanit, ai ka qenë që nga fillimet e Islamit një qendër e qëndrueshme e medhhebit Ibadi. Ishte e natyrshme që pasuesit e këtij medhhebi të kishin ndikim në sistemin e qeverisjes, në formën e një imamati që e merrte sistemin dhe ligjet e tij nga medhhebi i përhapur në atë vend.
Imamatet në Oman
Imamati i parë (Imamati i Xhulandës): Imamati i parë në Omanin e pavarur filloi në vitin 132 hixhri, pikërisht në vitin kur ra shteti i Beni Umejjes dhe u ngrit shteti i Beni Abasit. Imam i parë ishte Xhulanda ibn Mes’ud ibn Xhulanda el-Xhulandani.
Një nga ngjarjet interesante të vitit 132 hixhri është se, përveç rënies së Omejadëve dhe ngritjes së Abasitëve, në të njëjtin vit u shfaqën tre imamë njëkohësisht: Xhulanda në Oman, Talib el-Hakk Abdullah ibn Jahja në Jemen dhe Ebu el-Hattab el-Muafiri në Afrikë. Ajo që është edhe më e veçantë është se të tre ishin Ibadi, prandaj ai vit u quajt “viti i imamateve”.
Imamati i Khurusitëve: Çështjet në Oman vazhduan të ishin të paqëndrueshme derisa Allahu solli një imam nga familja e Khurusitëve, i quajtur el-Varith ibn Ka’b, të cilit iu dha besa në vitin 179 hixhri. Shteti i Beni Khurusitëve vazhdoi deri pak pas vitit 400 hixhri.
Ky imamat përfundoi në mënyrë të dhimbshme dhe pas tyre erdhën Nabhana, gjatë sundimit të të cilëve gjendja e Omanit për sa i përket sigurisë dhe stabilitetit nuk ishte më e mirë se më parë, gjë që hapi rrugën për një imam të ri nga një familje tjetër.
Imamati i Ja’rubëve: Naser ibn Murshid ibn Sulltan el-Ja’rubi el-Himjari el-Ezdi ishte imami i parë i dinastisë Ja’rubite dhe mori imamatin në vitin 1034 hixhri.
Imamati i Busaidëve: Sundimi i Ja’rubëve kaloi te Ahmed ibn Seid el-Busaidi në vitin 1154 hixhri, i cili është stërgjyshi i familjes sunduese aktuale në Oman.
Burimi: islamstory.com
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com



















