Dhjetë fjalë të çmuara rreth meditimit në Kuranin fisnik

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Allahu i Madhëruar thotë: “Ky është një Libër i bekuar, të cilin ta kemi zbritur ty, që njerëzit të meditojnë mbi vargjet e tij dhe që të marrin mësim njerëzit e arsyeshëm.”[1]

Duhet ditur se ndër mënyrat më të rëndësishme për të medituar rreth Kuranit është leximi i tefsirit.

1 – Ajetet kuranore mesazhe nga Allahu që duhen zbatuar

Hasan ibn Aliu (r.a) ka thënë: “Paraardhësit tuaj e shihnin Kuranin si mesazhe nga Zoti i tyre. Prandaj, natën meditonin reth tyre, ndërsa ditën kujdeseshin t’i zbatonin ato.”[2]

2 – Allahu i flet njeriut në mënyrë të drejtpërdrejtë

Tabiini i shquar Muhamed ibn Ka’b el-Kureshi (r.h) ka thënë: “Kujtdo që i mbërrin Kurani, është sikur Allahu i Madhëruar t’i ketë folur drejtpërdrejt.”

Imam Gazaliu ka thënë: “Robi duhet ta lexojë Kuranin ashtu siç lexon një shërbëtor letrën që zotëria i tij ia ka dërguar, me qëllim që ta përsiatë dhe të veprojë sipas udhëzimeve të saj.”[3]

Në një transmetim tjetër, Muhamed ibn Ka’bi ka thënë: “Kujtdo që i mbërrin Kurani, është sikur ta ketë parë Profetin (a.s).” Pastaj lexoi ajetin: “Që nëpërmjet tij t’ju paralajmëroj ju dhe këdo që i mbërrin ai.”[4]

3 – Ajetet e Kuranit janë thesare

Imam Sufjan ibn Ujejne (r.h) ka thënë: “Ajetet e Kuranit janë si thesare. Kur hyn në një thesar, përpiqu të mos dalësh prej tij pa zbuluar se çfarë përmban.”[5]

4 – Ëmbëlsia e ajeteve të Kuranit

Bishr ibn es-Serij (r.h) ka thënë: “Ajeti i Kuranit është si hurma: sa më shumë ta përtypësh, aq më shumë ia nxjerr ëmbëlsinë.”[6]

5 – Kuptimi i ajeteve të Kuranit

Ibn Bishr el-Kattani (r.h) ka thënë: “Nuk kam parë njeri që të nxirrte nga ajetet e Kuranit kuptime që i duheshin më bukur sesa Ebu Sehl ibn Zijadi.” E pyetën Ibn Bishrin: “Cila ishte arsyeja për këtë?” Ai u përgjigj: “Ebu Sehli ishte fqinji ynë. Ai falej vazhdimisht natën dhe lexonte Kuran. Ngaqë e studionte kaq shumë, Kurani ishte bërë sikur ta kishte përpara syve, kështu që nxirrte prej tij çfarëdo kuptimi që dëshironte, pa vështirësi.”[7]

6 – Largimi nga meditimi i Kuranit është prej kurtheve të shejtanit

Ibn Hubajra (r.h) ka thënë: “Ndër kurthet e shejtanit është largimi i robërve të Allahut nga meditimi reth Kuranit, sepse ai e di se udhëzimi gjendet pikërisht nëpërmjet meditimit rreth tij.”[8]

7 – Kuranin e kupton ai që është i përkushtuar

Dijetari i shquar el-Harali (r.h) ka thënë: “Atë e kupton vetëm ai që i është përkushtuar plotësisht, duke u shkëputur nga çdo gjë tjetër.”[9]

8 –  Meditimi me kuptim të thellë

Imam Sujuti (r.h) ka thënë: “Është e pëlqyeshme që Kurani të lexohet me meditim dhe kuptim të thellë, sepse ky është synimi më madhor dhe qëllimi më i rëndësishëm. Nëpërmjet tij zemrat çlirohen nga ngushtimi dhe ndriçohen. Allahu i Madhëruar thotë: “Ky është një Libër i bekuar, të cilin ta kemi zbritur ty, që njerëzit të meditojnë mbi vargjet e tij.” Po ashtu, thotë: “A nuk meditojnë ata rreth Kuranit, apo i kanë zemrat të kyçura?”

Mënyra për ta bërë këtë është që njeriu ta angazhojë zemrën me përsiatjen mbi kuptimin e asaj që shqipton. Ai duhet ta kuptojë domethënien e çdo ajeti, të meditojë mbi urdhrat dhe ndalesat dhe të besojë se ato duhen pranuar e zbatuar.

Nëse ajeti i kujton diçka që nuk e ka zbatuar më parë, le të kërkojë falje dhe të pendohet. Kur të kalojë pranë një ajeti që flet për mëshirën, le të gëzohet dhe ta lusë Allahun për të; kur të lexojë një ajet për dënimin, le të ndiejë frikë dhe të kërkojë mbrojtjen e Allahut; kur të lexojë një ajet që e lartëson dhe e dëlirëson Allahun nga çdo e metë, le ta madhërojë Atë; dhe kur të lexojë një lutje, le të përgjërohet dhe të kërkojë atë që i nevojitet.”[10]

9 – Pastërtia e zemrës

Imam Ebu Abasi Ahmed ibn Axhibe (r.h) ka thënë: “Meditimi rreth Kuranit varet nga pastërtia e zemrës. Sa më shumë të pastrohet zemra nga dashuria për këtë botë dhe nga pasimi i dëshirave vetjake, aq më shumë shfaqen në të sekretet e fjalës së Zotit. Ndërsa sa më shumë të grumbullohen në pasqyrën e zemrës pamjet e krijesave të kësaj bote, aq më shumë njeriu pengohet nga sekretet e kuptimeve të Kuranit, edhe nëse është ndër dijetarët më të shquar të gjuhës.

Meqë Kurani është ilaç për sëmundjet e zemrave, Allahu i urdhëroi hipokritët të meditonin mbi kuptimet e tij, me shpresën se ajo sëmundje do të çrrënjosej nga zemrat e tyre. Por drynat që i kishin mbyllur zemrat i penguan ato të kuptonin fjalën e Atij që i njeh të fshehtat.

Ëmbëlsinë e fjalës së Allahut e shijojnë vetëm ata që janë shkëputur nga lidhjet që i largojnë prej Tij dhe që janë zhytur në rrymën e deteve të njëshmërisë hyjnore. Ata, zemrat e të cilëve janë pastruar nga çdo gjë që i largon prej Allahut dhe janë dëlirësuar nga turbullirat, përjetojnë fillimisht ëmbëlsinë e Fjalës së Tij e më pas shijojnë kënaqësinë e soditjes së Atij që e ka folur atë.”[11]

10 – Kurani është busulla orientuese

Imam Rabbani Serhindi ka thënë në letrat e tij: “Bashkoje drejtimin tënd drejt një kibleje të vetme!” Domethënë: Ndiq një imam dhe udhërrëfyes të vetëm dhe mos u shpërqendro pas të tjerëve!

Profesori Nursi (r.h) ka thënë: “Kur po lëkundesha në një hutim të thellë, papritur më lindi në zemër një frymëzim hyjnor nga Allahu i Lartësuar, i cili më thirri: “Fillimi i të gjitha këtyre rrugëve… Burimi i të gjithë këtyre përrenjve… Dielli i të gjithë këtyre yjeve që lëvizin nëpër orbitat e tyre… është Kurani fisnik.

Prandaj, bashkimi i vërtetë i drejtimit drejt një kibleje të vetme nuk mund të arrihet veçse nëpërmjet Kuranit fisnik. Kurani është udhërrëfyesi më i lartë… dhe mësuesi më i shenjtë, pa asnjë përjashtim. Që nga ajo ditë, iu drejtova Kuranit, u mbështeta fort tek ai dhe nisa të merrja prej tij…”[12]

Autor: Abdusemi Enis

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

[1] – Sure Sad: 29.

[2] – “Et Tibjan fi Adabi Hamili-l Kuran” fq: 54.

[3] – “Ihja Ulumi-d Din” fq (1/516).

[4] – Sure En’am: 19.

[5] – “Zadu-l Mesir” fq (2/370).

[6] – “El Burhan fi Ulumi-l Kuran” fq (1/471).

[7] – “Sijeru A’lamu-n Nubela” fq (15/521).

[8] – “Dhelhul Tabakati-l Hanabile” fq (2/156).

[9] – “Miftalu-l Babi-l Mukfeli li Fehimi-l Kurani-l Munezzeli” fq (1/28).

[10] – “El Itkan fi Ulumi-l Kurani”

[11] – “El Bahru-l Medid”

[12] – “Resailu-n Nursi”

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *