Ngarkimi i engjëjve me detyrime

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Nuk ka krijesa më të shumta në numër sesa engjëjt, të cilët kanë të përbashkët një gjendje të vetme: përkushtimin e pakushtëzuar ndaj adhurimit të Allahut, nënshtrimin e plotë dhe zbatimin e urdhrave të Tij. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar i ka veçuar ata duke i përmendur në shumë ajete të Kuranit fisnik, për shkak të mirësisë dhe pozitës së tyre të lartë.

Për të kuptuar të vërtetat që lidhen me gjendjen e veçantë të engjëjve dhe për t’i emërtuar gjërat me emërtimet e tyre të sakta, lind një pyetje që shtrohet nga ata që lexojnë rreth kësaj gjendjeje të veçantë të bindjes dhe përmbushjes së urdhrave nga këto krijesa të dritës: A mund të thuhet se engjëjt janë të ngarkuar me detyrimin për t’iu bindur Allahut, ashtu siç janë njerëzit?

Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, duhet të trajtojmë disa pyetje të tjera, të cilat do të na çojnë drejt përgjigjes së saj. Këto pyetje kanë të bëjnë fillimisht me kuptimin e ngarkimit me detyrime dhe lidhjen e tij me robërinë ndaj Allahut. Gjithashtu, nëse vërtetohet se ngarkimi i engjëjve me detyrime është një realitet i përcaktuar nga Sheriati, a është ky ngarkim i njëjtë me atë të krijesave të tjera, siç janë njerëzit? Dhe nga buron mospajtimi lidhur me këtë çështje?

Çfarë është ngarkimi me detyrime (et teklif)?

Nga ana gjuhësore, fjala “ngarkim me detyrime” nënkupton kërkimin e diçkaje që përmban vështirësi ose detyrimin për të kryer diçka që shoqërohet me vështirësi. Këtu bëhet fjalë për kuptimin e përgjithshëm të vështirësisë, i cili përfshin të gjitha llojet e ngarkimit me detyrime dhe të detyrimit në përgjithësi.

Ndërsa në kuptimin terminologjik fetar, ngarkimi me detyrime nënkupton: detyrimin e subjektit të ngarkuar me përgjegjësi për të zbatuar atë që kërkohet prej tij nëpërmjet ligjërimit të Allahut, të Madhëruar, qoftë përmes kryerjes së një veprimi, braktisjes së tij apo zgjedhjes ndërmjet kryerjes dhe braktisjes së tij.

Në këtë kuptim, edhe engjëjt janë të ngarkuar me detyrime, sepse Allahu u është drejtuar atyre me urdhra për kryerjen e veprimeve të caktuara, u ka besuar detyra dhe funksione të përcaktuara, si dhe u ka dhënë aftësitë dhe kapacitetet e nevojshme për t’i përmbushur dhe për t’i zbatuar ato. Në këtë mënyrë, ata janë të detyruar t’u binden këtyre urdhrave.

Ngarkimi me detyrime është rrjedhojë e robërisë ndaj Allahut

Vërtetimi se engjëjt janë të ngarkuar me detyrime varet nga sqarimi i marrëdhënies së tyre me kuptimet e robërisë ndaj Allahut. Në kuptimin e saj fillestar gjuhësor, robëria nënkupton përuljen dhe nënshtrimin. Në veprën Muhtarul-Sihah thuhet: “Thelbi i robërisë është nënshtrimi dhe përulja; ndërsa nënshtrimi i dikujt nënkupton ta bësh atë të përulur. Thuhet: rrugë e shkelur dhe e rrafshuar… Adhurimi nënkupton bindjen”.

Çdo gjë tjetër përveç Allahut të Madhëruar është rob i Tij dhe engjëjt bëjnë pjesë në këtë kategori. Allahu i Lartësuar thotë: “Nuk ka asnjë krijesë në qiej dhe në Tokë që të mos vijë tek i Gjithëmëshirshmi si rob.”[1]

Nëse robëria ka edhe një kuptim të përgjithshëm, që është përulja dhe nënshtrimi pa asnjë kufizim, kuptim ky që përfshin të gjitha krijesat, atëherë edhe engjëjt bëjnë pjesë në të. Kjo për arsye se Allahu i ka vënë ata në shërbim të bindjes dhe adhurimit ndaj Tij. Megjithatë, ky nënshtrim nuk do të thotë se ata nuk kanë mendje dhe aftësi dalluese, apo se veprojnë si makina të ngurta, të zhveshura nga vullneti i tyre. Në të vërtetë, ky është një përfytyrim krejtësisht i pasaktë.

Ne shohim se Kurani fisnik e ka lavdëruar mprehtësinë dhe gjykimin e drejtë të Xhibrilit, në fjalën e Allahut të Lartësuar: “I fuqishëm dhe me gjykim të mprehtë.”[2] Autori i veprës “Es-Sihah” thotë: “Fjala “mirreh” nënkupton forcën, por edhe mprehtësinë dhe qëndrueshmërinë e mendjes.”

Sa i përket kuptimit të veçantë të robërisë ndaj Allahut, atë e gjejmë të përkufizuar si një emërtim gjithëpërfshirës për gjithçka që Allahu e do dhe është i kënaqur me të, qofshin fjalë apo vepra të dukshme dhe të padukshme. Në këtë përkufizim përfshihen edhe adhurimet shpirtërore, si frika, dashuria e të ngjashme me to.

Vërejmë se të gjitha këto përfshijnë edhe engjëjt, sepse ata janë të urdhëruar të kryejnë veprime dhe të shqiptojnë fjalë që Allahu i Lartësuar i do dhe ata u binden këtyre urdhrave. Kështu, urdhërimi për kryerjen e tyre përbën një ngarkim me detyrime që lidhet edhe me ta.

Për më tepër, engjëjt i frikësohen Zotit dhe Krijuesit të tyre. Edhe përmendja e frikës së tyre ndaj Allahut përbën një argument se ata janë të ngarkuar me detyrime. Es-Sefarini është mbështetur pikërisht në këtë lloj adhurimi shpirtëror për të argumentuar se engjëjt janë të ngarkuar me detyrime, duke sjellë si dëshmi fjalën e Allahut të Madhëruar: “Ata janë të frikësuar nga frika ndaj Tij.”[3]  Ai ka thënë: “E gjithë kjo përbën ngarkim me detyrime dhe është rrjedhojë e tij.”

A është ngarkimi i engjëjve me detyrime i njëjtë me atë të njerëzve?

Nuk ka dyshim se ngarkimi i engjëjve me detyrime lidhet me natyrën e tyre, ashtu siç lidhet edhe ngarkimi i xhindëve dhe i njerëzve me natyrën e tyre.

Ngarkimi i engjëjve me detyrime është i pandashëm nga çështja e pagabueshmërisë së tyre, pasi ata nuk e kundërshtojnë Allahun në asgjë që Ai u urdhëron. Kjo ndryshon nga rasti i dy kategorive të krijesave të ngarkuara me përgjegjësi, xhindëve dhe njerëzve, të cilët janë krijuar me dobësi dhe padije.

Imam Sujuti e ka shprehur këtë dallim duke thënë se njerëzit janë: “të ngarkuar me detyrime, ndonëse mbi ta ushtrojnë ndikimin e tyre pengesa që i vështirësojnë përmbushjen e tyre, si epshi, lakmia, zemërimi, dëshirat vetjake, cytjet e shejtanit, dobësia fizike e të tjera të ngjashme, të cilat nuk ekzistojnë në rastin e engjëjve.”

Edhe Hafiz Ibn Haxheri ka bërë dallimin ndërmjet këtyre dy llojeve të ngarkimit me detyrime, duke thënë: “Bindja e engjëjve buron nga vetë natyra e krijimit të tyre, ndërsa bindja e njerëzve, në shumicën e rasteve, arrihet përmes përpjekjes dhe luftës kundër vetvetes, për shkak të natyrës me të cilën janë krijuar, e cila karakterizohet nga epshi, lakmia, dëshirat vetjake dhe zemërimi. Për rrjedhojë, adhurimi i tyre është më i vështirë.

Gjithashtu, bindja e engjëjve bëhet në përputhje me urdhrat që u drejtohen drejtpërdrejt, ndërsa bindja e njerëzve mbështetet herë në tekstet fetare, herë në ixhtihad dhe herë në nxjerrjen e përfundimeve juridike. Prandaj, ajo është më e vështirë. Për më tepër, engjëjt janë të mbrojtur nga cytjet e shejtanëve, nga ngjallja e dyshimeve dhe nga joshjet, të cilat janë të mundshme në rastin e njerëzve.”

Nga buron mospajtimi lidhur me çështjen e ngarkimit të engjëjve me detyrime?

Disa dijetarë të hershëm, si Ebu Hamid Gazaliu, si dhe disa dijetarë bashkëkohorë, mendojnë se një nga rrjedhojat e ngarkimit të engjëjve me detyrime duhet të jetë vërtetimi i premtimit dhe kërcënimit hyjnor për ta, ose supozimi se ajo që është bërë detyrim për njerëzit dhe xhindët duhet të jetë detyrim edhe për engjëjt.

Mendimi i saktë është se engjëjt, njerëzit dhe xhindët, ndonëse përfshihen të gjithë në kuptimin e përgjithshëm të ngarkimit me detyrime, kjo nuk nënkupton se duhet t’i ngatërrojmë këto kategori dhe të zbatojmë mbi njërën prej tyre ato që kanë të bëjnë me tjetrën. Secila formë e ngarkimit me detyrime ka natyrën dhe objektin e vet.

Ngarkimi i engjëjve me detyrime lidhet me pagabueshmërinë e tyre dhe mbrojtjen nga rënia në mëkate, ndërsa ngarkimi i njerëzve dhe i xhindëve lidhet me natyrën e tyre, e cila e pranon mundësinë e kryerjes së mëkateve.

Për më tepër, vështirësia që shoqëron ngarkimin e engjëjve me detyrime është më e vogël se ajo që shoqëron ngarkimin e njerëzve dhe xhindëve, sepse zbatimi i urdhrave, në rastin e engjëjve, nuk përmban vështirësi për ta, pasi nuk ka asgjë në të që bie ndesh me natyrën e tyre. Kjo ka ndikim edhe në pasojat që lidhen me premtimin dhe kërcënimin hyjnor – përkatësisht me Xhenetin dhe Zjarrin – të cilat zbatohen në rastin e xhindëve dhe njerëzve, por jo në rastin e engjëjve.

Po, engjëjt fisnikë janë të ngarkuar me detyrime

Po, mund të thuhet se engjëjt fisnikë janë të ngarkuar me detyrime. Ky është qëndrimi i përmendur nga dijetarët në këtë çështje të akides, duke pasur parasysh dallimet ndërmjet natyrës së ngarkimit me detyrime në rastin e engjëjve dhe asaj në rastin e dy kategorive të krijesave të ngarkuara me përgjegjësi, njerëzve dhe xhindëve, si dhe ndryshimet për sa u përket përfundimeve të tij në jetën e përtejme.

Nëse i drejtohemi teksteve sheriatike dhe shqyrtojmë Kuranin dhe Sunetin, nuk do ta kemi të vështirë të vërejmë argumentet që dëshmojnë se engjëjt fisnikë kanë një formë të veçantë të ngarkimit me detyrime. Megjithëse ata veprojnë me vullnetin e tyre dhe jo nën detyrim të imponuar, prapëseprapë bëjnë atë që u urdhërohet. Le të kalojmë, pra, te argumentet që dëshmojnë ngarkimin e tyre me detyrime.

Argumentet për ngarkimin e engjëjve me detyrime

Argumentet që dëshmojnë ngarkimin e engjëjve me detyrime gjenden si në Kuran, ashtu edhe në Sunet. Ato janë aq të shumta saqë nuk mund të numërohen të gjitha. Ndër më kryesoret mund të përmendim sa vijon:

Argumentet nga Kurani

1 – Fjala e Allahut të Lartësuar: “Përkundrazi, ata (engjëjt) janë robër të nderuar. Ata nuk flasin para Tij dhe veprojnë vetëm me urdhrin e Tij.”[4]

Argumenti që nxirret nga ky ajet është se gjendja e engjëjve karakterizohet nga bindja e plotë. Ashtu siç fjalët e tyre janë në përputhje me fjalën e Zotit të tyre, të Bekuarit dhe të Lartësuarit, edhe veprat e tyre mbështeten në urdhrin e Tij. Ata nuk kryejnë asnjë veprim pa qenë të urdhëruar për të. Vetë fakti që marrin urdhra dëshmon se janë të ngarkuar me detyrime.

2 – Ajetet që përmbajnë urdhrin për t’i bërë sexhde Ademit (a.s), si fjala e Allahut të Lartësuar: “Ne ju krijuam, pastaj ju dhamë formën e duhur e më pas u thamë engjëjve: “Bëjini sexhde Ademit!” Ata i bënë sexhde, përveç Iblisit, i cili nuk ishte prej atyre që bënë sexhde.”[5]  Gjithashtu, fjala e Tij e Lartësuar: “Kur t’i jap formën e plotë dhe t’i fryj prej shpirtit Tim, atëherë bini në sexhde para tij!”[6] Në këto ajete gjendet një urdhër i qartë për të bërë sexhde.

3 – Fjala e Allahut të Lartësuar: “Kur Zoti yt u shpalli engjëjve: “Unë jam me ju, prandaj forcojini ata që kanë besuar…”[7]  E gjithë kjo, siç thotë Es-Sefarini, përbën ngarkim me detyrime dhe është rrjedhojë e tij.

4 – Fjala e Allahut të Lartësuar: “Ata nuk flasin para Tij dhe veprojnë vetëm me urdhrin e Tij.”[8]  Po kështu, edhe fjala e Tij: “Ata nuk e kundërshtojnë Allahun për asgjë që Ai i urdhëron dhe bëjnë atë që u urdhërohet.”[9] Argumenti që nxirret nga këto dy ajete është se engjëjt u përmbahen vazhdimisht urdhrave të Krijuesit të tyre në fjalët dhe veprat e tyre. Ata nuk kryejnë asnjë veprim pa qenë të urdhëruar për të. Kjo dëshmon se ata janë të ngarkuar me detyrime.

5 – Ajo që vërtetohet në tekste të ndryshme fetare lidhur me detyrat e ndryshme që u janë besuar engjëjve. Çdo kategori engjëjsh është ngarkuar me një detyrë të caktuar, të cilën Allahu ia ka urdhëruar. Kështu, Xhibrili (a.s) është ngarkuar me shpalljen hyjnore, Israfilit i është besuar fryrja në Sur, Mikailit shiu dhe bimësia, Engjëllit të Vdekjes marrja e shpirtrave, ndërsa engjëjve të tjerë u është besuar ndihma e besimtarëve në beteja, si dhe detyra të tjera që kryejnë engjëjt (a.s). Ibn Hazmi ka thënë: “Allahu i Lartësuar ka bërë të qartë në tekstet e Tij se ata janë të urdhëruar, të ndaluar, të kërcënuar dhe të nderuar, si dhe u është premtuar se do t’u përcillet vazhdimisht nderimi. Ata janë ngarkuar me detyra të ndryshme, si regjistrimi i veprave, marrja e shpirtrave, përcjellja e shpalljes te profetët (a.s), administrimi i çështjeve të botës së epërme dhe të asaj të poshtme, si dhe detyra të tjera.”

6 – Fjala e engjëjve (a.s): “Ne nuk zbresim veçse me urdhin e Zotit tënd. Atij i përket gjithçka që është para nesh, gjithçka që është pas nesh dhe gjithçka që është ndërmjet tyre. Zoti yt nuk harron.”[10] Ky ajet është i qartë në dëshmimin se engjëjt janë të urdhëruar dhe, rrjedhimisht, janë të ngarkuar me detyrime.

Argumentet nga Suneti

1 – Ebu Hurejra (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kur Allahu e do një rob, thërret Xhibrilin dhe i thotë: “Unë e dua filanin, prandaj duaje edhe ti!” Atëherë Xhibrili e do atë. Pastaj thërret në qiell dhe thotë: “Allahu e do filanin, prandaj duajeni edhe ju!” Kështu, banorët e qiellit e duan atë. Më pas, atij i dhurohet pranimi në Tokë. Ndërsa kur Allahu e urren një rob, thërret Xhibrilin dhe i thotë: “Unë e urrej filanin, prandaj urreje edhe ti!” Atëherë Xhibrili e urren atë. Pastaj thërret te banorët e qiellit: “Allahu e urren filanin, prandaj urrejeni edhe ju!” Kështu, edhe ata e urrejnë atë. Më pas, urrejtja ndaj tij vendoset në Tokë.”[11]

Argumenti në këtë rast është se dashuria dhe urrejtja, si dy forma të adhurimit të brendshëm, nuk janë thjesht prirje, ndjenja apo emocione te engjëjt, por lidhen me urdhrin hyjnor për të dashur dhe për të urryer. Kjo përbën një formë të ngarkimit me detyrime.

2 – Ibn Abasi (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) i ka thënë Xhibrilit: “A nuk do të na vizitoje më shpesh?” Pas kësaj zbriti fjala e Allahut të Lartësuar: “Ne nuk zbresim veçse me urdhrin e Zotit tënd. Atij i përket gjithçka që është para nesh, gjithçka që është pas nesh dhe gjithçka që është ndërmjet tyre.”[12]

Argumenti në këtë rast është se zbritja e engjëjve në Tokë bëhet vetëm në përputhje me urdhrin e Allahut dhe se ata nuk zbresin veçse kur urdhërohen për këtë.

3 – – Enes ibn Maliku (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: ”Ditën e Kiametit do të vij te porta e Xhenetit dhe do të kërkoj të hapet. Rojtari do të më thotë: “Kush je ti?” Unë do t’i përgjigjem: “Muhamedi.” Atëherë ai do të thotë: “Për ty jam urdhëruar dhe nuk do t’ia hap askujt para teje.”[13]

Argumenti qëndron te fjala e rojtarit të Xhenetit: “Për ty jam urdhëruar”, e cila dëshmon se ai ka marrë një urdhër. Ndërsa urdhri përbën ngarkim me detyrime.

4 – Ebu Hurejra (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Portat e Xhenetit hapen të hënën dhe të enjten dhe i falen mëkatet çdo robi që nuk i shoqëron Allahut asgjë në adhurim, me përjashtim të atij që ka armiqësi ndërmjet tij dhe vëllait të vet. Atëherë thuhet: “Lërini këta të dy derisa të pajtohen.”[14] Në Sahihun e Ibn Hibbanit, me zinxhir të saktë transmetimi, përcillet edhe formulimi: “Lërini këta të dy derisa të kthehen”, domethënë, derisa të heqin dorë nga konflikti dhe të pajtohen.

Argumenti në këtë rast është se urdhri “Lërini” ose “Shtyjeni çështjen e këtyre të dyve” vjen nga Allahu i Lartësuar. Kjo vërtetohet nga një transmetim tjetër në veprën Mustakhrexh Ebi Avane, ku thuhet: “Atëherë Zoti i Madhëruar dhe i Lartësuar thotë…”. Edhe rrjedha e hadithit e përforcon këtë kuptim, siç kanë theksuar dijetarët. Pra, kemi të bëjmë me një urdhër hyjnor për ta shtyrë çështjen e këtyre dy personave që janë në konflikt, derisa të pajtohen. Ndërsa urdhri përbën ngarkim me detyrime.

By: ardhmëriaonline.com

[1] – Sure Merjem: 93.

[2] – Sure Nexhm: 6.

[3] – Sure Enbija: 28.

[4] – Sure Enbija: 26 – 27.

[5] – Sure A’raf: 11.

[6] – Sure Hixhr: 29.

[7] – Sure Enfal: 12.

[8] – Sure Enbija: 27.

[9] – Sure Tahrim: 6.

[10] – Sure Merjem: 64.

[11] – Buhariu dhe Muslimi me tekstin në fjalë.

[12] – Buhariu.

[13] – Muslimi.

[14] – Muslimi.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *