Vëllezër të nderuar!
Ndër shenjat e Kiametit për të cilat na ka njoftuar i Dërguari ynë, Muhamedi (a.s), dhe të cilat tashmë janë shfaqur, vazhdojnë të jenë të pranishme deri në ditët tona dhe do të vazhdojnë deri në Kiamet, është humbja e amanetit.
Ebu Hurejra (r.a) ka thënë: “Ndërsa Profeti (a.s) ishte ulur në një tubim dhe po u fliste njerëzve, erdhi një beduin dhe e pyeti: “Kur do të ndodhë Kiameti?” I Dërguari i Allahut (a.s) vazhdoi të fliste. Disa nga të pranishmit thanë: “Ai e dëgjoi atë që tha, por nuk i pëlqeu pyetja e tij.” Të tjerë thanë: “Jo, përkundrazi, ai nuk e dëgjoi.” Kur e përfundoi bisedën, Profeti (a.s) tha: “Ku është ai që pyeti për Kiametin?” Ai u përgjigj: “Ja ku jam, o i Dërguari i Allahut!” Profeti (a.s) tha: “Kur të humbayë amaneti, atëherë prite Kiametin!” Ai pyeti: «Si humbet amaneti?” Profeti (a.s) u përgjigj: “Kur çështja t’u besohet atyre që nuk janë të denjë për të, atëherë prite Kiametin!”[1]
Amaneti është një nga virtytet e larta morale:
Vëllezër të nderuar!
Amaneti është një nga virtytet e larta morale dhe një nga vlerat fisnike të karakterit, drejt të cilave na thërret feja jonë e drejtë. Allahu i Madhëruar thotë: “Allahu ju urdhëron që amanetet t’ia ktheni atyre që u përkasin dhe, kur të gjykoni mes njerëzve, të gjykoni me drejtësi. Vërtet, sa këshillë të mirë ju jep Allahu! Allahu është Gjithëdëgjues dhe Gjithëshikues.”
Ebu Hurejra (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Ktheja amanetin atij që ta ka besuar dhe mos e tradhto atë që të ka tradhtuar!”[2]
Vëllezër të nderuar!
Amaneti është një virtyt madhështor dhe një cilësi e domosdoshme, me të cilën duhet të karakterizohet çdo përgjegjës, ndërkohë që të gjithë ne jemi përgjegjës për dikë a për diçka. Argument për këtë është fjala e Profetit (a.s): “Secili prej jush është përgjegjës dhe secili prej jush do të japë llogari për ata që ka nën përgjegjësi.”[3]
Çdo përgjegjës duhet të jetë i sinqertë dhe i përkushtuar ndaj atyre që Allahu i Madhëruar ia ka besuar nën përgjegjësi, si dhe ta përmbushë amanetin atyre që u takon. Po ashtu, ai duhet të jetë i pajisur me forcë dhe aftësi, sepse njeriu që gëzon besueshmëri duhet të jetë edhe i fuqishëm. Ai tek i cili janë bashkuar cilësitë e besueshmërisë dhe të forcës është i dashur tek Allahu i Madhëruar dhe tek njerëzit, si dhe është ai që kërkojnë njerëzit më të përkryer.
Këtë e ka përmendur Allahu i Madhëruar në fjalën e njërës prej dy bijave të zotërisë tonë Shuajbit (a.s), lidhur me Musain (a.s): “O babai im, punësoje atë! Më i miri që mund të punësosh është ai që është i fortë dhe i besueshëm.”
Amaneti përfshin çështjet materiale dhe jomateriale:
Vëllezër të nderuar!
Amaneti, për përmbushjen e të cilit na ka urdhëruar Allahu i Madhëruar, nuk kufizohet vetëm në ruajtjen e sendeve materiale, por ka një kuptim shumë më të gjerë dhe gjithëpërfshirës, pasi përfshin si çështjet materiale, ashtu edhe ato jomateriale.
Drejtësia ndërmjet pjesëtarëve të atyre që ke nën përgjegjësi është amanet.
Drejtësia ndërmjet fëmijëve është amanet.
Drejtësia ndërmjet bashkëshorteve është amanet.
Thënia e fjalës së vërtetë, kudo që të ndodhesh, është amanet.
Ruajtja e pasurisë dhe e nderit të njerëzve është amanet.
Ruajtja e moralit të njerëzve është amanet.
Ruajtja e fesë, me të gjitha urdhëresat dhe ndalesat e saj, është gjithashtu amanet që Allahu i Madhëruar na e ka besuar.
Allahu i Madhëruar thotë: “Ne ua ofruam amanetin qiejve, Tokës dhe maleve, por ato nuk pranuan ta merrnin përsipër dhe u frikësuan prej tij, ndërsa njeriu e mori përsipër. Vërtet, ai është i padrejtë dhe i paditur.”
Humbja e amanetit nuk ka ndodhur në kohën e Profetit (a.s):
Vëllezër të nderuar!
Humbja e amanetit nuk ishte dukuri e kohës së të Dërguarit tonë, Muhamedit (a.s), por është shfaqur në periudhat që erdhën më pas, sepse i Dërguari ynë (a.s) ka dëshmuar për njerëzit e kohës së tij se ishin brezi më i mirë.
Imran ibn Husajni (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Brezi më i mirë i ymetit tim është brezi im, pastaj ata që vijnë pas tyre, pastaj ata që vijnë pas këtyre.” Imrani thotë: “Nuk e di nëse pas brezit të tij përmendi dy apo tre breza.” Pastaj, pas jush do të vijnë njerëz që do të dëshmojnë pa u kërkuar të dëshmojnë, do të tradhtojnë dhe nuk do të jenë të besueshëm, do të zotohen, por nuk do t’i përmbushin zotimet e tyre, ndërsa mbipesha do të përhapet tek ata.”[4]
Pra, mbipesha do të përhapet tek ata për shkak të teprimit në ushqim dhe pije. Sipas një shpjegimi tjetër, kjo nënkupton shtimin e mishit në trup.
Humbja e amanetit ndodh në disa etapa:
Vëllezër të nderuar!
Meqenëse humbja e amanetit është një nga shenjat e Kiametit, ajo nuk ndodh menjëherë dhe as nuk zhduket e tëra përnjëherë nga zemrat e njerëzve. Përkundrazi, humbja e tij ndodh në disa etapa të njëpasnjëshme, duke u pakësuar gradualisht, derisa të zhduket plotësisht. Allahu na ruajtë nga kjo!
Hudhejfeja (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) na tregoi dy hadithe. Njërin prej tyre e kam parë të realizohet, ndërsa tjetrin vazhdoj ta pres. Ai na tregoi se amaneti zbriti në thellësitë e zemrave të burrave, domethënë, në vetë rrënjët e zemrave të tyre. Më pas, ata mësuan nga Kurani dhe pastaj nga Suneti.
Gjithashtu, na tregoi për humbjen e amanetit dhe tha: “Njeriu fle një gjumë dhe amaneti i hiqet nga zemra, duke lënë aty një gjurmë të zbehtë, si një pikë e vogël pa ngjyrën e pjesës përreth. Pastaj fle përsëri dhe amaneti i hiqet sërish, duke lënë një gjurmë si kalloja në pëllëmbën e dorës.”[5]
Kjo është një trashje e lëkurës që shkaktohet nga puna. Në librin “El-Faik” shpjegohet se dallimi ndërmjet gjurmës së parë dhe kallos qëndron në faktin se e para është një pikë e vogël pa ngjyrën e pjesës përreth, ndërsa e dyta është trashje e lëkurës e shkaktuar nga puna. “Kjo i ngjan një prushi që e ke rrokullisur mbi këmbë, duke e lëvizur dhe rrotulluar atë, derisa vendi ku ka prekur të fryhet. Kështu, e sheh atë të ngritur dhe të fryrë, por brenda tij nuk ka asgjë.
Më pas, njerëzit gdhihen dhe fillojnë të bëjnë tregti, por mezi gjen ndonjë që e përmbush amanetin. Madje, thuhet: “Në fisin filan ka një njeri të besueshëm.” Për një njeri tjetër thuhet: “Sa i zgjuar është! Sa i këndshëm! Sa i aftë dhe i zoti është!”, ndërkohë që në zemrën e tij nuk ka as sa pesha e një kokrre sinapi besim.”
Së fundmi: Allahut të Madhëruar i lutemi të na dhurojë një përfundim të mirë të jetës:
Vëllezër të nderuar!
Amaneti është virtyt i njeriut besimtar, ndërsa tradhtia është cilësi e njeriut hipokrit.
Enes ibn Maliku (r.a) ka thënë: “Sa herë që Profeti i Allahut (a.s) na mbante një ligjëratë, thoshte: “Nuk ka besim ai që nuk ka amanet dhe nuk ka fe ai që nuk i përmbahet besës.”[6]
Ndër cilësitë më të shëmtuara të një shoqërie është që njeriu i besueshëm të konsiderohet tradhtar, ndërsa tradhtarit t’i besohet.
Ebu Hurejra (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Do të vijnë mbi njerëzit vite mashtruese, gjatë të cilave gënjeshtarit do t’i besohet, i sinqerti do të përgënjeshtrohet, tradhtarit do t’i besohet, njeriu i besueshëm do të konsiderohet tradhtar dhe do të flasë er-ruvejbidah.” E pyetën: “Çfarë është er-ruvejbidah?” Ai u përgjigj: “Njeriu mendjelehtë që flet për çështjet e përgjithshme të njerëzve.”[7]
I lutem Allahut të Madhëruar që të na bëjë prej njerëzve të amanetit dhe të na mundësojë të largohemi nga kjo botë duke e përmbushur amanetin ndaj atyre që u takon. Amin!
Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi zotërinë tonë, Muhamedin, mbi familjen dhe shokët e tij!
Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve!
I Lartësuar është Zoti yt, Zoti i Fuqisë, mbi gjithçka që ata i përshkruajnë Atij! Paqja qoftë mbi të dërguarit! Dhe falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve!
Autor: Ahmet Sherif Na’san
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Buhariu.
[2] – Ahmedi.
[3] – Buhariu dhe Muslimi.
[4] – Buhariu dhe Muslimi.
[5] – Buhariu.
[6] – Ahmedi.
[7] – Ahmedi.



















