Nga ana gjuhësore, fjala meudua rrjedh nga “Uad`a” dhe ka kuptimin: “Të heqësh, të largosh, të ngjitësh, të humbasësh”.([1])
Në terminologjinë e hadithit, termi “hadith meudua” përkufizohet me fjalët: “Trillimi i fjalëve, duke ia cilësuar apo adresuar ato të Dërguarit të Allahut (a.s)”.([2])
Pra kur një transmetues gënjen, duke ia cilësuar disa fjalë të Dërguarit të Allahut (a.s), fjalë që ai (a.s) nuk i ka thënë kurrë, themi se hadithi është meudua.
Shembull:
Ibn Maxheh thotë: Na ka treguar Sehl ibn Ebi Sehli dhe Muhamed ibn Ismaili, të cilët kanë thënë: na ka treguar Abduselam ibn Salih Ebu Salt Hereviu, i cili ka thënë: na ka treguar Ali ibn Musa – Rrida -, i cili transmeton nga babai i tij, ky transmeton nga Xhafer ibn Muhamedi, i cili transmeton nga babai i tij, i cili transmeton nga Ali ibn Husejni, ky transmeton nga babai i tij, ndërsa ky transmeton nga Ali ibn Ebi Talibi (r.a), se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Besimi është: njohje me zemër, fjalë me gjuhë dhe punë me gjymtyrë”. Ebu Salti thotë: “Nëse vargu i këtij hadithi i lexohet ndonjë të çmenduri, ai shërohet”!!([3])
Abduselam ibn Salih Ebu Salt wshtw akuzuar si njw njeri gwnjeshtar dhe trillues, prandaj edhe ky hadith wshtw “Medu’u”
Hadithi i trilluar është lloji më i keq i hadithit (grada më e ulët). Pas tij (një gradë më lart se hadithi meudua) vjen hadithi metruk, pastaj vjen hadithi munker, pastaj vjen hadithi mual`lel, pastaj vjen hadithi mudraxh, më pas vjen hadithi Maklub dhe pas tij vjen hadithi mudtarib.
Gjykimi për transmetimin e hadithit meudua
Të gjithë dijetarët janë të mendimit, se nuk lejohet (është haram) të transmetohet hadithi meudua (i trilluar), kur dihet se ky hadith është i trilluar. Nëse një person tregon me vetëdije hadithe të trilluara, ai përfshihet nga fjala e të Dërguarit të Allahut (a.s): “Kush tregon një fjalë, duke e ditur se nuk e kam thënë unë, por ma cilëson mua, ai është njëri nga gënjeshtarët”.([4])
Hadithi i trilluar nuk vlen në asnjë fushë të Islamit, por lejohet të tregohet për të paralajmëruar të tjerët, që të mos bien pre e këtyre haditheve, apo për t`i sjellë si shembuj gjatë mësimit të shkencës së hadithit.
Trilluesit e hadithit dhe shkaqet e trillimit
Disa njerëz kanë trilluar hadithe dhe këtë e kanë bërë për shumë motive. Ata ndahen në disa kategori, të cilat janë:
Zindikët: Me këtë emër janë emërtuar ata, të cilët e kanë pranuar Islamin sa për sy e faqe, por mundohen me të gjitha format për ta shkatërruar atë. Duke pasur parasysh, se pasi nuk mundën të ndryshonin gjë nga Kurani, ata u munduan të shkatërronin Sunetin.
Rrëfimtarët: Këta tregonin rrëfime të ndyshme, duke i mbushur me hadithe të trilluara, për të tërhequr turmat dhe për të fituar sa më shumë para.
Një grup të përkushtuarish: Kur këta panë, se njerëzit filluan të largohen nga Islami dhe të jepen pas kënaqësive të kësaj bote, filluan të shpiknin hadithe, për t`i afruar njerëzit në Islam. Megjithëse qëllimi i tyre ishte i mirë, ajo që bënë ishte e kobshme dhe fatale.
Sahanlëpirësit e pushtetarëve: Këta shpiknin hadithe për pushtetarët, për të fituar ndonjë vend, pozitë apo pasuri.
Kundërshtarët apo përkrahësit e një individi apo një ideje: Këta filluan të shpiknin hadithe, për të hedhur poshtë kundërshtarët e tyre apo për të përkrahur një ide/individ të caktuar.
Faktorët që çuan në shpikjen e haditheve
Janë disa faktorë, që çuan në shpikjen e haditheve, si: faktori politik, faktori fetar; faktori medh`hebor; faktori ideor; faktori shoqëror; faktori ekonomik; faktori moral; faktori personal. Kishte edhe raste kur hadithi shpikej, për të fituar famë.
Si dallohet një hadith i trilluar
Një hadith dallohet lehtë se është i trilluar, pasi ka këto veçori:
1- Zmadhimet dhe legjendat; i tillë është trillimi: “Në natën e Israsë pashë një engjëll që kishte 70 koka, çdo kokë kishte 70 mijë gojë, çdo gojë kishte 70 mijë gjuhë (organ), çdo gjuhë kishte 70 mijë të folura (gjuhë të folura)…derisa Allahu i foli të Dërguarit të Tij me 99 mijë fjalë etj”.([5])
2- Përgënjeshtrimi i shqisave dhe logjikës: i tillë është trillimi: “Patëllxhani i bën mirë atij që e ha”.([6])
3- Ulja e elokuencës profetike në nivele tallëse; i tillë është trillimi: “Nëse orizi do të ishte gjallesë, do të ishte njeri, nëse do të ishte njeri, do të ishte burrë, nëse do të ishte burrë, do të ishte i përkushtuar, nëse do të ishte i përkushtuar, do të ishte profet, nëse do të ishte profet, do të ishte i dërguar e nëse do të ishte i dërguar, do të ishte unë”.([7])
4- Transmetimi është në kundërshtim me atë që njihet nga të gjithë; i tillë është trillimi i shi`itëve, të cilët thonë, se pasi i Dërguari i Allahut (a.s) u kthye nga Haxhi, e mori Aliun (r.a) për dore dhe tha: “Këtë po e le si kalife dhe si vëlla për ju”.([8])
5- Vetë fjalët e tekstit të trilluar tregojnë, se nuk bëhet fjalë për hadith; i tillë është trillimi: “Një galaktikë në qiell është djersa e një gjarpri, që qëndron poshtë Arshit”.([9])
6- Fjalët nuk kanë stilin e ligjërimit profetik: i tillë është trillimi; “Rrushi hahet çift, ndërsa hurma hahet tek”.([10])
7- Transmetuesi e pranon vetë, se e ka shpikur hadithin. Buhariu thotë: “Më ka treguar Jahja Eshkeri, i cili transmeton nga Ali ibn Xhabiri, i cili ka thënë: “E kam dëgjuar Umer ibn Subhin duke thënë: “Unë kam shpikur një hutbe, se gjoja e ka thënë i Dërguari i Allahut (a.s)”. ([11]) Ibn Mehdiu thotë: “E pyeta Mejsera ibn Abdurrabih: “Nga i ke gjetur këto hadithe: “Kush lexon këtë sure, ka këtë sevap” etj”? Ai më tha: “I kam trilluar, për t`i afruar njerëzit me Kuranin”. Them (Dhehebiu): “Ebu Zura ka thënë për Mejseran: “Ai ka shpikur 40 hadithe për vlerën e krahinës Kazuin dhe thoshte: “Shpresoj të marr sevape për këtë”. Ebu Daudi thotë: “Ai e ka pranuar vetë, se ka shpikur hadithe”. Buhariu thotë: “Ai është akuzuar si gënjeshtar”.([12])
Librat e përpiluar në këtë fushë, që nxjerrin në pah hadithet meudua
“ تذكرة الموضوعات – Tedhkiratu`l -Meuduat” me autor Ibn Tahir Makdisin.
“كتاب الأباطيل – Kitabu`l-Ebatil” me autor Xheuzekanin.
“الموضوعات – El-Meuduat” me autor Abdurrahman ibn Xheuzin.
“المنار المنيف في الصحيح والضعيف – El-Menaru`l-Munif fi`s-Sahihi ue`d-Daif” me autor Ibn Kajimin.
“اللآلئ المصنوعة في الأحاديث الموضوعة – El-Lae`liu`l-Mesnuati fi`l-Ahadithi`l-Meuduati” me autor Sujutin.
“تنزيه الشريعة المرفوعة عن الأخبار الشنيعة الموضوعة – Tenzihu`sh-Sheriat el-Merfua`ti ani`l-Akhabri`sh-Sheniati el-Meuduah” me autor Ibn Irak Kenanin.
“المصنوع في معرفة الحديث الموضوع – El-Mesnu`u fi Marifeti`l-Hadith el-Meudu`i” me autor Mulla Ali Karrij.
“الفوائد المجموعة في الأحاديث الموضوعة – El-Feuadiu`l-Mexhmuati fi`l-Ahadithi`l-Meuduati” me autor Sheukanin.
“سلسلة الأحاديث الضعيفة والموضوعة وأثرها السيئ في الأمة – Silsiletu`l-Ahadithi`d-Daifeti ue`l-Meuduah” me autor Albanin.
Autor: Rushit Musallari
By: ardhmëriaonline.com
([1]) – “Mukhtaru`s-Sihah”, (fq: 726-727), “El-Misbahu`l-Munir”, (fq: 341) dhe “El-Muxhemu`l-Uasit”, (fq: 1040).
([2]) – Ibn Salahu në “Ulumu`l-Hadith”, (fq: 98), “Nuz`hetu`n-Nadhar”, (fq: 107), “Tedribu`r-Raui”, (fq: 197), “Es-Saju`l-Hathith”, (fq: 283), “Kavaid fi Ulumi`l-Hadith”, (fq: 42), “Mebahith fi Ulumi`l-Hadith”, (fq: 132), “Ulumu`l-Hadith ue Mustalahuh”, (fq: 263), “Madkhal ila Ilmi`l-Hadith”, (fq: 204) dhe “Tahrir Ulumi`l-Hadith”, (fq: 1039).
([3]) – Hadith i trilluar. Ibn Maxheh (2780).
([4]) – Hadith i vërtetë. Muslimi në hyrjen e Sahihut të tij, si dhe Ibn Maxheh (39).
([5]) – Trillim. E përmend Safeviu në “Nuz`hetu`l-Mexhalis”, (fq: 353).
([6]) – Trillim. E përmend Sakhaui në “El-Mekasidu`l-Hasene”, (279).
([7]) – Trillim. E përmend Sagani në “El-Meuduat”, (92).
([8]) – Trillim. Taberiu në Tarikh (2/321).
([9]) – Trillim. E përmend Ebu Shejhu në Adhame (791) dhe Taberaniu në Kebir (20/67).
([10]) – Trillim. “El-Mekasidu`l-Hasene”, (718).



















