Turpi për të kundërshtuar të keqen

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Pyetje: Paqja, mëshira dhe begatitë e Allahut qofshin mbi ju.

Unë jam studente në universitet dhe prej kohësh përpiqem të përhap të mirën ndërmjet shoqeve dhe familjarëve të mi sa herë më jepet mundësia. Gjithmonë i nxis shoqet e mia të mësojnë përmendësh Kuranin, të kryejnë namaze vullnetare dhe të heqin dorë nga përgojimi. Megjithatë, ende përballem me vështirësi në këtë lidhje me këtë çështje. Edhe pse gjithmonë përpiqem ta kundërshtoj të keqen, ka çaste kur më kap dobësia dhe ligështimi, si dhe një ndjenjë e fortë turpi që më pengon të flas, veçanërisht me njerëz të panjohur ose me prindërit e mi. Ndoshta kjo ndodh, sepse ata zemërohen kur ua tërheq vëmendjen për ndonjë të keqe.

Fakti që jam studente në fakultet më detyron të gjendem në një mjedis ku ka shumë veprime të kundërligjshme ndaj normave fetare. Ndonjëherë marr guxim dhe i kundërshtoj me vendosmëri, për shembull, muzikën dhe shfaqjen e trupit pa mbulesë të përshtatshme; ndërsa herë të tjera mpakem dhe nuk arrij të flas fare.

Ajo që më shqetëson është se moskundërshtimi i të keqes mund të jetë prej mëkateve të mëdha, nëse bëhet fjalë për një mëkat të rëndë. Unë ndonjëherë – Allahu më udhëzoftë – ndiej turp edhe të kundërshtoj veprime të këqija që përmbajnë tallje me fenë, apo këto sjellje me karakter mohues të besimit që janë përhapur gjerësisht. Për këtë arsye jam e pakënaqur me veten dhe ndiej se synimet e mia në thirrjen fetare po veniten.

Nuk dua që kjo të bëhet një mëkat i madh, të cilin ta përsëris vazhdimisht. Sa herë ndodh, pendohem dhe, në fakt, kam filluar të përmirësohem ndjeshëm dhe të fitoj më shumë guxim. Mirëpo, kohët e fundit kam filluar të humbas shpresën dhe ndiej se Allahu do të më ndëshkojë për heshtjen time përballë të këqijave.

Sa herë që turpërohem dhe nuk arrij ta kundërshtoj të keqen, përfshihem nga një dëshpërim i madh, deri në atë pikë sa kjo gjë po më pengon në studimet e mia dhe në veprimtaritë e tjera të thirrjes fetare.

Përgjigja:

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit. Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve. Paqja dhe bekimet qofshin mbi zotërinë e të dërguarve, zotërinë tonë Muhamedin, mbi të cilin qofshin paqja dhe bekimet më të plota.

Atëherë,  aktualisht ti je 19 vjeçe, studion në universitet dhe përpiqesh të urdhërosh për të mirë ndërmjet familjarëve të tu dhe në fakultetin ku studion. Problemi yt qëndron në faktin se ndonjëherë merr guxim për ta ndaluar të keqen, ndërsa në shumicën e rasteve ndien turp kur bëhet fjalë për ndalimin e saj, veçanërisht kur bëhet fjalë për një mëkat të madh. Pyetja jote është: A do të të ndëshkojë Allahu i Lartësuar për heshtjen tënde ndaj të këqijave? Gjithashtu, ti përjeton një dëshpërim të madh sa herë që turpërohesh dhe nuk arrin ta kundërshtosh të keqen. Këtu qëndron edhe problemi, pasi kjo gjendje po të pengon në studimet e tua dhe në veprimtaritë e tua të thirrjes fetare.

Nuk e di nëse ke studiuar shkencat e Sheriatit apo nëse ke njohuri mbi mënyrën e thirrjes së njerëzve drejt Allahut, sepse kjo ka një disiplinë të veçantë, veçanërisht duke pasur parasysh se njerëzit dallojnë nga njëri-tjetri në mënyrën se si duhet këshilluar. Gjithashtu, a studion aktualisht në një fakultet që do të të ndihmojë në të ardhmen për të urdhëruar për të mirë dhe për të ndaluar të keqen?

Në përgjithësi, do ta trajtojmë përgjigjen hap pas hapi, në mënyrë që të përvetësosh hapat e duhur për urdhërimin për të mirë dhe ndalimin e të keqes.

Së pari: Dije se urdhërimi për të mirë dhe ndalimi i së keqes janë ndër shenjat më madhore të Islamit. Allahu i Lartësuar thotë: “Ju jeni populli më i mirë i nxjerrë për njerëzit: urdhëroni për të mirë, ndaloni të keqen dhe besoni Allahun. Sikur ithtarët e Librit të besonin, do të ishte më mirë për ta. Midis tyre ka besimtarë, por shumica e tyre janë të pabindur.”[1]

I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kush prej jush sheh një të keqe, le ta ndryshojë me dorën e tij; nëse nuk mundet, atëherë me gjuhën e tij; e nëse nuk mundet as këtë, atëherë me zemrën e tij, dhe kjo është shkalla më e dobët e besimit.”[2] Ky hadith është shpjeguar në mënyrë të hollësishme për të njohur mënyrat dhe rrugët e urdhërimit për të mirë dhe të ndalimit të së keqes.

Ajo që na intereson aktualisht është ndjenja jote e dobësisë, veçanërisht përballë mëkateve të mëdha, si dhe ndjenja e paaftësisë dhe dëshpërimit për shkak të pamundësisë për t’u përballur me to. Ndërkaq, ndjenja jote se je duke neglizhuar është dëshmi e mirëqenies së zemrës sate. Mund të fillosh duke u përpjekur të ndryshosh ato gjëra që ke mundësi t’i ndryshosh në rrethin tënd, veçanërisht te familjarët e tu të afërt, e në radhë të parë te babai yt, duke përdorur urtësinë, butësinë dhe fjalën e mirë. Në disa raste, mund të jetë më e dobishme të nxitësh drejtpërdrejt për të bërë mirë, në vend që të ndalosh drejtpërdrejt të keqen. Mos ia ngarko vetes atë që tejkalon mundësitë e tua. Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu nuk e ngarkon asnjë njeri përtej mundësive të tij.”[3]

Më e rëndësishmja është nijeti yt për ta ndryshuar të keqen. Shmangi përballjet me babanë tënd, sepse pasojat e tyre mund të mos jenë të mira. Mëso se si të zhvillosh dialog në mënyrë që ta bindësh palën tjetër për të hequr dorë nga e keqja, siç janë: lënia e namazit, mospërdorimi i hixhabit, stolisja dhe parfumosja e grave jashtë shtëpisë, pirja e alkoolit, lojërat e fatit, dëgjimi i muzikës, pirja e cigareve, si dhe të këqija të tjera, si përgojimi, bartja e fjalëve, mosbindja ndaj prindërve dhe shkëputja e lidhjeve farefisnore.

Shiko në librin “Mëkatet e mëdha” dispozitën që lidhet me secilën prej këtyre të këqijave dhe mëso se çfarë ndëshkimi ka për to në Ditën e Kiametit. Kur i drejtohesh personit që kryen një të keqe, pyete veten: A do të jetë ai në gjendje ta përballojë këtë ndëshkim, qoftë në varr apo në Ditën e Kiametit?

Këtë dije duhet ta mësosh nëpërmjet dijetarëve. Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve, sepse e mira do të vazhdojë të ekzistojë në këtë umet deri në momentin kur të bëhet Kiameti.

Gjithashtu, ji e bindur se, nëse ndjek online një program që të mëson mënyrën e urdhërimit për të mirë dhe ndalimit të së keqes, si dhe të njeh me metodat që mund të të ndihmojnë në vendin ku jeton, do të përfitosh shumë. Çdo vend ka zakonet dhe traditat e veta.

E rëndësishme është që, në fund të fundit, ti vetë të jesh shembull i mirë. Ti duhet ta zbatosh së pari mbi veten tënde atë që kërkon nga të tjerët në lidhje me ndalimin e së keqes. Ndikimin më të fuqishëm e ka shembulli dhe modeli i mirë.

Çështja e dytë: Është përdorimi i butësisë në urdhërimin për të mirë dhe ndalimin e së keqes. Allahu i Lartësuar thotë: “Flitini atij me fjalë të buta, ndoshta ai do të përkujtohet ose do të frikësohet.”[4]

Çështja e tretë: Është zgjedhja e kohës së përshtatshme. Disa situata nuk e pranojnë këshillën e drejtpërdrejtë, por mund të flasësh për to më vonë, me qetësi, ose të dërgosh një përkujtim të butë apo një shkrim të dobishëm.

Dije se, kur dikush sheh një të keqe dhe nuk e kundërshton me gjuhën e tij, ndonëse ka mundësi ta bëjë këtë, atëherë frika nga ndëshkimi nuk lidhet vetëm me ty, por me çdo përgjegjës dhe thirrës fetar të cilit i është ngarkuar kjo detyrë. Allahu i Lartësuar thotë: “E mallkuar qenë ata që nuk besuan prej bijve të Israilit, me gjuhën e Davudit dhe të Isait, birit të Merjemes. Kjo për shkak se ata nuk iu bindën Allahut dhe e tejkalonin kufirin. Ata nuk e ndalonin njëri-tjetrin nga e keqja që bënin. Sa e keqe ishte ajo që bënin!”[5]

Ai që nuk urdhëron për të mirë dhe nuk ndalon të keqen në mënyrë të vazhdueshme është kërcënuar me mallkim dhe përjashtim nga mëshira e Allahut. Prandaj, mos lejo që shejtani të të dëshpërojë apo të të bindë se Allahu nuk do të të falë. Mund të ndodhë që një dobësi e sinqertë të jetë më e dobishme për njeriun sesa një vetëbesim i rremë që e çon në mashtrim të vetvetes.

Vazhdo në rrugën tënde të thirrjes fetare me hapa të vegjël, por të qëndrueshëm. Mëso nga jeta e të Dërguarit të Allahut (a.s) dhe nga mënyra se si ai i thërriste shokët e tij fisnikë drejt së mirës. Gjithashtu, në tregimet e profetëve do të gjesh mësime dhe këshilla të çmuara.

Lus Allahun të të forcojë, ta bëjë kënaqësinë e Tij synimin tënd, si dhe të të shtojë urtësinë, butësinë dhe dritën në rrugën tënde të thirrjes drejt Allahut.

Në përfundim, kërkoji Allahut që të të japë qëndrueshmëri dhe lute Atë gjatë namazit të natës që të të ndihmojë në këtë detyrë.

Lutja jonë e fundit është: Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.

By: ardhmëriaonline.com

[1] – Sure Ali Imran: 110.

[2] – Muslimi.

[3] – Sure Bekare: 286.

[4] – Sure Taha: 44.

[5] – Sure Maide: 78 – 79.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *