Allahu (xh.sh) thotë: “E megjithatë, ata qenë urdhëruar vetëm që të adhuronin Allahun me përkushtim të sinqertë, duke qenë në fenë e të pastër (të Ibrahimit), si dhe të falnin namazin e të jepnin zekatin. Kjo është feja e drejtë.”[1]
01 – Omer ibn Hatabi (r.a) thotë: “Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (a.s) duke thënë: “Me të vërtetë veprat varen sipas nijeteve. Çdokujt i takon ajo që ka pasur për nijet. Kush ka emigruar për të fituar diçka të kësaj bote, apo për t`u martuar me ndonjë grua, ai përfiton nga emigrimi i tij vetëm atë që ka pasur për qëllim.”[2]
02 – Tek Muslimi dhe te të tjerët, tranmetohet fjala e tij (a.s): “Me të vërtetë veprat varen sipas nijetit dhe çdo njeriu i takon ajo që ka pasur për qëllim. Ai, i cili ka emigruar për hir të Allahut dhe të Dërguarit të Tij, emigrimi i tij konsiderohet për Allahun dhe të Dërguarin e Tij,ndërsa kush ka emigruar për të fituar diçka të kësaj bote, apo për t`u martuar me ndonjë grua, ai përfiton nga emigrimi i tij vetëm atë që ka pasur për qëllim.”
Imam Buhariu (r.h) ka thënë “Nga hadithet e Profetit (a.s) nuk gjen diçka më gjithëpërfshirëse, më të dobishme dhe me dobi më të madhe se ky hadith.”
Unë them — dhe suksesi është prej Allahut – se: “Dijetarët e umetit kanë rënë në ujdi për saktësinë e këtij hadithi dhe për pozitën e tij të madhe, pasi ai hyn në të gjitha veprat e robit: të fshehtat dhe të dukshmet, të fshehurat dhe të shfaqurat. Mbi bazë të tij vërtiten të mirat dhe të këqijat, si dhe hyrja në Xhenet apo në Zjarr. Prandaj, ai meriton të jetë hadithi i parë në Islam. Allahu (xh.sh) e di më së miri.”
03 – Ebu Hurejra (r.a.) ka thënë: I Dërguari i Allahut ka thënë: “Allahu (xh.sh) ka thënë: “Nëse robi Im dëshiron të bëjë një të keqe, mos ia shkruani atë, nëse e kryen atë, shkruajani si një të keqe të vetme! E nëse dëshiron të bëjë një të mirë por nuk e kryen, shkruajani si një të mirë. E nëse e kryen atë, shkruajani si dhjetë të mira!”[3]
04 – Në një transmetim te Muslimi[4] – po ashtu – transmetohet thënia e tij (a.s): “Allahu (xh.sh) ka thënë: “Nëse robi Im dëshiron të bëjë një të mirë dhe nuk e kryen, Unë ia shkruaj atij si një të mirë. E nëse e kryen atë, Unë ia shkruaj nga dhjetë të mira deri në shtatëqind fish. E nëse dëshiron të bëjë një të keqe dhe nuk e kryen, Unë nuk ia shkruaj atij. E nëse e kryen atë, Unë ia shkruaj si një të keqe të vetme.”
05 – Hemmam ibn Munebbih ka thënë: Kjo është ajo që na ka transmetuar Ebu Hurejra (r.a) nga Muhamedi, i Dërguari i Allahut (a.s), ku përmendi disa hadithe prej tij, e ndër to tha: I Dërguari i Allahut (a.s) : “Allahu (xh.sh) ka thënë: “Nëse robi Im thotë se do të bëjë një të mirë, Unë ia shkruaj atij si një të mirë për sa kohë nuk e ka kryer. E kur ta kryejë, Unë ia shkruaj si dhjetë të tilla. E nëse thotë se do të bëjë një të keqe, Unë ia fal atij për sa kohë nuk e ka kryer. E kur ta kryejë, Unë ia shkruaj si një të keqe të vetme.”[5]
06 – Te Muslimi në transmetimin e tij, hadithi trasnmetohet me një shtesë: “I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Engjëjt thonë: “O Zot, ky robi Yt dëshiron të bëjë një të keqe — ndërsa Ai sheh më mirë se ata — e Ai thotë: “Vëzhgojeni! Nëse e kryen atë, shkruajani si një të keqe të vetme. E nëse e lë atë, shkruajani si një të mirë, sepse ai e la atë vetëm për hatrin Tim.”
Fjala e të Dërguarit të Allahut (a.s) — duke përcjellë nga Zoti i Madhërishëm — “Ai e la atë vetëm për hatrin Tim” domethënë: për shkakun Tim. Allahu (xh.sh) e di më së miri.
07 – Ibn Sirini transmeton nga Ebu Hurejra (r.a.), i cili ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s): “Kush dëshiron të bëjë një të mirë e nuk e kryen atë, i shkruhet si një e mirë. E kush dëshiron të bëjë një të mirë e më pas e kryen atë, i shkruhet dhjetë deri në shtatëqind fish. E kush dëshiron të bëjë një të keqe e nuk e kryen atë, nuk i shkruhet; e nëse e kryen atë, i shkruhet.”[6]
8 – Abdulla ibn Abasi (r.a) transmeton nga i Dërguari i Allahut (a.s), në atë që transmeton nga Zoti i Tij i Bekuar e i Lartësuar, se ka thënë: “Vërtet Allahu i ka shkruar, se cilat janë veprat e mira dhe cilat janë veprat e këqija, pastaj i ka sqaruar ato: Kush dëshiron (me zemër) të kryejë një vepër të mirë, por nuk e kryen atë, Allahu do t’ia shkruajë (shpërblimin e saj) si një vepër të mirë, të plotë dhe nëse dëshiron të kryejë një vepër të mirë dhe e kryen atë, Allahu do t’ia shkruajë (shpërblimin e saj) nga 10 – 700 fish, apo edhe më tepër. Mirëpo nëse dëshiron të kyejë një vepër të keqe, por nuk e kryen atë, Allahu do t’ia shkruajë (shpërblimin e saj) si një vepër të mirë, të plotë dhe nëse ai dëshiron të kryejë një vepër të keqe dhe e kryen atë, atëherë Allahu do t’ia shkruajë vetëm si një vepër të keqe.”[7]
Përzgjodhi: Irfan ibn Sulejm
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Sure Bejjine: 5.
[2] – Buhariu (1), Muslimi (1907), Ahmedi (168), Maliku (983) në “Muueta” dhe të tjerë. Ky është teksti i Buhariut.
[3] – Buhariu (7501), Muslimi (128), Ahmedi (7300) dhe të tjerë. Ky është teksti i Muslimit.
[4] – Muslimi (128/204).
[5] – Buhariu (42), Muslimi (129), Ahmedi (8172) dhe të tjerë. Ky është teksti i Buhariut.
[6] – Muslimi (130), Ahmedi (7200), Ibn Hibani (384) dhe të tjerë. Ky është teksti i Muslimit.
[7] – Buhariu (6491), Muslimi (131), Ahmedi (2001) dhe të tjerë. Ky është teksti i Muslimit.



















