Ekuilibri në jetën e Profetit (a.s)

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

I Dërguari i Allahut (a.s) është modeli më i madh i ekuilibrit në histori: ai ishte rob i Allahut pa teprim, udhëheqës pa ashpërsi, njeri pa dobësi të tepruar dhe edukator pa shtirje. Kush mediton mbi jetën e tij e kupton se ekuilibri nuk është thjesht një slogan apo fjalë që përsëritet, por një moral i thellë profetik.

Prandaj erdhi urdhri nga Allahu i Lartësuar për ta pasuar dhe marrë shembull atë, ku thotë: “Ju keni pasur në të Dërguarin e Allahut një shembull të mrekullueshëm për atë që shpreson në Allahun dhe në Ditën e Fundit dhe e përmend shumë Allahun.” [1]

7 tipare të metodës profetike në ekuilibër

Ai që e studion jetën e Profetit (a.s) gjen shenja të ekuilibrit në personalitetin e tij në disa aspekte, ndër to:

Ekuilibri midis adhurimit dhe ndërtimit të jetës:

Profeti (a.s) në adhurimin e tij ishte më i miri i njerëzve, megjithatë ai nuk e bëri fenë barrë apo vështirësi të përhershme, por mëshirë dhe lehtësi. Ai (a.s) ka thënë: “Kjo fe është e lehtë dhe askush nuk e rëndon fenë përveç se ajo e mposht atë; prandaj ecni drejt, afrohuni, jepni lajme të mira dhe lehtësoni.”[2]

Kur tek ai erdhën tre persona dhe pyetën për adhurimin e tij, ata e konsideruan atë të pakët, njëri tha: “Do të agjëroj gjithmonë dhe nuk do të ha”, tjetri tha: “Do të falem gjithë natën dhe nuk do të fle”, dhe i treti tha: “Nuk do të martohem me gra.” Atëherë Profeti (a.s) tha: “Për Allahun, unë jam që e kam frikë Allahun më shumë  se ju dhe më i devotshmi ndaj Tij, por unë agjëroj dhe ha, falem dhe fle, dhe martohem me gra. Kush largohet nga suneti im, nuk është prej meje.”[3]

Ekuilibri midis të drejtës së Allahut, të drejtës së vetes dhe të drejtës së njerëzve:

Medito mbi historinë e Selman el-Farisiut dhe Ebu Derdasë, Allahu qoftë i kënaqur me ta, kur Selmani pa se Ebu Derda shtonte adhurimin në mënyrë të tepruar deri sa po neglizhonte të drejtën e vetes dhe të familjes së tij. Ai i tha: “Me të vërtetë, vetja jote ka të drejtë mbi ty, Zoti yt ka të drejtë mbi ty, mysafiri yt ka të drejtë mbi ty dhe familja jote ka të drejtë mbi ty; prandaj jepi secilit të drejtën e tij.” Kur ata shkuan te Profeti (a.s) dhe ia treguan këtë, ai tha: “Selmani ka thënë të vërtetën.”[4]

Ekuilibër do të thotë shpërndarje e drejtë e të drejtave, pa lejuar që një anë të mbizotërojë mbi tjetrën.

Ekuilibri midis mëshirës dhe vendosmërisë:

Profeti (a.s) ishte njeriu më i mëshirshëm, Allahu i Lartësuar thotë për të: “Falë mëshirës së Allahut, ti u solle butë me ta.”[5]

Megjithatë, ai ishte i palëkundur në të vërtetën dhe nuk hiqte dorë nga parimet; ai ishte i vendosur kur shkeleshin kufijtë e Allahut.

Aishja (r.a), thotë: “I Dërguari i Allahut (a.s) nuk zgjidhte mes dy gjërave përveçse merrte më të lehtën prej tyre, përderisa nuk ishte mëkat; por nëse ishte mëkat, ai ishte më i largëti prej tij. Pasha Allahun, ai nuk hakmerrej për veten e tij në asgjë, por kur shkeleshin kufijtë e Allahut, ai hakmerrej për Allahun.”[6]

Pra, ekuilibri është se mëshira nuk do të thotë shuarje e së vërtetës, dhe vendosmëria nuk do të thotë ashpërsi e zemrës.

Ekuilibri në trajtimin e gabimit midis butësisë dhe udhëzimit:

Profeti (a.s) nuk i trajtonte gabimet me qortim shkatërrues, por me mësim të qetë dhe edukim.

Shiko rastin e beduinit që urinoi në xhami, ku sahabët u ngritën për ta ndaluar ashpër. Por Profeti (a.s) tha: “Lëreni dhe hidhni mbi urinën e tij një kovë me ujë (ose një enë me ujë), sepse ju jeni dërguar lehtësues dhe jo vështirësues.”[7]

Pra, edukimi i ekuilibruar nuk fillon me ndëshkim, por me kuptim, korrigjim dhe ruajtje të dinjitetit të atij që gabon.

Ekuilibri i ndjenjave midis trishtimit pa dëshpërim dhe gëzimit pa shkujdesje:

Profeti (a.s) qau kur i vdiq i biri Ibrahim dhe tha: “Syri loton, zemra pikëllohet, por ne nuk themi veçse atë që e kënaq Zotin tonë.”[8]

Ekuilibri i Profetit (a.s) manifestohet në atë se ndjenjat ishin të sinqerta, por të rregulluara nga besimi; ato nuk kalojnë kufijtë e kënaqësisë me caktimin e Allahut. Islami nuk i vret ndjenjat, por i disiplinon dhe i edukon ato.

Ekuilibri në familje midis dashurisë, drejtësisë dhe përgjegjësisë:

Profeti (a.s) në shtëpinë e tij ishte i butë dhe i afërt; ai i ndihmonte familjarët e tij dhe merrte pjesë në punët e tyre. Kur e pyetën Aishen (r.a) se “Çfarë bënte Profeti (a.s) në shtëpinë e tij?” Ajo tha: “Ai ishte në shërbim të familjes së tij.”[9]

Ai gjithashtu ishte i drejtë mes grave të tij në shpenzime dhe qëndrime, dhe kërkonte falje nga Allahu nëse zemra e tij anonte më shumë nga njëra.

Kështu, ekuilibri familjar nuk është vetëm fjalë, por vepra të vogla të përditshme që ndërtojnë qetësi, mëshirë dhe dashuri.

Ekuilibri në udhëheqje midis guximit pa çmenduri dhe planifikimit pa frikë:

Profeti (a.s) ishte njeriu më i guximshëm, por nuk ishte i pamatur; ai i mbështetej Allahut të Madhëruar por në të njëjtën kohë merrte dhe masa.

Shiko hixhretin e tij nga Meka në Medinë, ku ai e planifikoi me kujdes: zgjodhi shokun e udhëtimit, përgatiti dy deve, fshehu rrugën, qëndroi në shpellë dhe mori një udhërrëfyes të aftë. Megjithatë, zemra e tij ishte e qetë me Allahun dhe i tha Ebu Bekrit (a.s): “Mos u pikëllo, Allahu është me ne.”[10] Pra ekuilibri është t’i mbështetesh Allahut me planifikimin e mirë, jo njërën pa tjetrën.

Kështu pra, ekuilibri në jetën e Profetit (a.s) nuk është një ide teorike që përsëritet, por një metodë jete: adhurim pa teprim, mëshirë pa dobësi, vendosmëri pa ashpërsi, ndjenja pa shfrenim dhe udhëheqje pa hezitim.

Prandaj, o ti që kërkon ekuilibrin, merre Profetin tënd (a.s) një model praktik dhe një shembull për t’u ndjekur në një kohë kur zërat janë përzier dhe idetë janë shtuar.

Autor: Adnan Dervishi

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

[1] – Sure Ahzab: 21.

[2] – Buhariu.

[3] – Buhariu dhe Muslimi.

[4] – Buhariu.

[5] – Sure Ali Imran: 159.

[6] – Buhariu.

[7] – Buhariu.

[8] – Buhariu.

[9] – Buhariu.

[10] – Sure Teube: 40.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *