El Haxhetu esh Sher’ije – Nevoja Sheriatike (06)

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Raporti reciprok midis “nevojës sheriatike” dhe “interesit komplementar”[1]

Me fjalën arabe “tahsinijat” nënkuptohet aplikimi i traditave dhe sjelljeve të hijshme dhe shmangia nga gjërat e ulëta (të ndyta) prej të cilave logjika e shëndoshë i refuzon. Të gjitha këto përfshihen në virtytet e lartë të moralit.[2]

“Interesat komplementare”, për nga rëndësia e dobive vijnë në rang të tretë, pas domosdoshmërive sheriatike dhe pas nevojave sheriatike. Kjo do të thotë se neglizhimi i tyre nuk shpie në shkatërrim si në rastin e domosdoshmërive dhe as në vështirësi si në rastin e nevojave, por ato kanë lidhje me gjërat komplementare. “Nëpërmjet tyre realizohet përsosmëria e gjendjes së Umetit në sistemin e tij, në mënyrë që të jetojë i sigurt dhe i qetë, duke pasur bukurinë dhe hijeshinë e shoqërisë në sytë e popujve të tjerë, në mënyrë që Umeti Islam të jetë i dëshirueshëm për t’u integruar në atë ose për t’u afruar tek ajo.”[3]

Do të ishte mirë që përpara se të flasim për raportin reciprok midis “nevojës sheriatike” dhe interesit komplementar” të përmendnim disa shembuj të këtij rangu, sepse kështu do të ishte më e qartë tek lexuesi raporti reciprok midis atyre të dyjave. Shembujt e këtij rangu janë të shumtë, por do të mjaftohem me përmendjen e disa prej tyre:

1 – Urdhëri për të pastruar rrobën, trupin dhe vendin. Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe rrobat e tua pastroji!”[4] E në një ajet tjetër, Allahu i Madhëruar thotë: “Vërtet, Allahu i do ata që pendohen dhe ata që pastrohen”[5]

2 – Legjitimiteti i edukatës dhe rregullave të ngrënies dhe pirjes si për shembull fjala “Bismilah” para ngrënies dhe pirjes, ngrënia e ushqimit dhe pijes me dorën e djathtë, falenderimi i Allahut pas përfundimit të ushqimit dhe pijes, pirja ulur, ndalimi i marrjes frymë në enë, etj.

3 – Ndalimi i shitjes së gjërave të ndotura (të papastra)

Kështu pra nëpërmejt këtyre shembujve ne arrijmë të kuptojmë se Sheriati ka nxitur për realizimin për secilën prej “nevojës sheriatike” dhe “interesit komplementar”, madje ka përligjur edhe rregulla e dispozita fetare për secilën prej tyre. Duke qenë se Sheriati ia ka lehtësuar njerëzve vështirësitë dhe stërmundimet, padyshim se ai nuk do i neglizhojë pa i përligjur edhe ato gjëra të cilat janë në një rang më të ulët. Kështu që sheriati ka përligjur edhe ato rregulla dhe dispozita fetare të cilat kanë karakter komtplementar, zbukurues dhe përmirësues.

Nuk ka dyshim se këto “interesa komplementare” kanë një lidhje të ngushtë me “nevojat sheriatike”, sepse ato i shërbejnë dhe janë plotësuese të “nevojave sheriatike”, ashtu sikur edhe kemi thënë se “nevoja sheriatike” është plotësuese e “domosdoshmërisë sheriatike”

Shembuj të këtij raporti reciprok ka shumë, por do të mjaftohem me përmendjen e vetëm një shembulli. Veshmbathja është e rëndësishme sepse e mbron trupin e njeriut nga i ftohti, i nxehti dhe shumë faktorë të tjerë të dëmshëm. E parë në këtë këndvështrim, ajo konsiderohet “nevojë sheriatike”, pasi mungesa e saj do të sillte vështirësi të mëdha në jetën e njeriut. Nga ana tjetër veshmbathja e trupit me rroba të bukura e të hijshme konsiderohet prej “interesave komplementare”.

Gjithashtu nuk duhet të harrojmë se si “nevoja sheriatike” po ashtu edhe “interesi komplementar” i shërbejnë dhe janë plotësuese të “domosdoshmërisë sheriatike”.

Le të japim një shembull për këtë[6]: Ruajta e jetës është një domosdoshmëri themelore për ekzistencën e individëve dhe shoqërisë. E kjo padyshim konsiderohet “domosdoshmëri sheriatike”. Për të mbrojtur jetën është e nevojshme që të ketë spitale, shërbime mjekësore dhe ilaçe. Këto në vetvete nuk janë domosdoshmëri ablsolute, por ndihmojnë në parandalimin e sëmundjeve dhe përmirësojnë shëndetin e njerëzve dhe kjo konsiderohet “nevojë sheriatike”. Për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve dhe mirëqënien e njerëzve, spitalet duhet të kenë një infrastrukturë sa më të mirë dhe shërbimet të jenë sa më profesionale. Këto gjëra nuk janë të domosdoshme dhe as të nevojshme por e bëjnë procesin më të lehtë dhe më efektiv. Padyshim këto konsiderohen “interes komplementare”.

Pasi kam përmendur pikat e përbashkëta midis “nevojës sheriatike” dhe “interes komplementare” e shoh me vend që të përmend ato pika që i dallojnë ato të dyja nga njëra – tjetra:

1 – “Nevoja sheriatike” qëndron në një rang më të lartë se “interesi komplementar”. Një gjë e tillë vërehet qartë në përkufizimin e secilës prej tyre. “Nevoja sheriatike” është ajo që, në mungesë të saj, shkakton vështirësi, stërmundim dhe mundim, sepse lidhet me çështje thelbësore për njerëzit, të cilat ata i kërkojnë dhe e kanë të vështirë të jetojnë pa to. Ndërsa “interesat komplementare” nuk sjellin ndonjë vështirësi apo ngushtim në mungesë të tij, sepse ka lidhje me përmirësimin e zakoneve dhe virtytet e moralit.

2 – “Nevoja sheriatike” ka prioritet ndaj “interesit komplementar”. E nëse ato të dyja bien ndesh me njëra – tjetrën, atëherë i jep prioritet “nevojës sheriatike”, sepse ajo është më e rëndësishme dhe më primare. Si për shembull: Njeriu mund të sëmuret – sëmundje jo vdekjeprurëse – dhe ka nevojë që të përdorë ilaçe, mirëpo ilaçet që do të përdorë mund të jenë të “papastra”[7]. Nuk ka dyshim se largimi nga gjërat e “papastra” dhe mos përdorimi i tyre konsiderohet prej “interesit komplementar”. Në këtë rast kemi përplasje midis “nevojës sheriatike” dhe “dobisë komplementare” dhe si rrjedhojë i jepet prioritet “nevojës sheriatike” sepse është më e rëndësishme. Që do të thotë se lejohet të pihet ky ilaç, megjithëse është “i papastër”. Në lidhje me këtë Iz ibn Abdus Selam thotë: “Ruajtja e jetës është interes më i plotë (primar) se largimi nga papastërtirtë.”[8]

Ky dallim midis tyre ndodh atëherë kur midis tyre ka përplasje, por nëse nuk ka përplasje atëherë duhet t’i përdorim të dyja. Në këtë rast një gjë e tillë është detyrë e obligim.

3 – “Nevoja sheratike” ndikon tek dispoziat fetare, herë duke i ndryshuar, herë duke i zëvendësuar, herë duke i vënë në pararojë dhe herë tjetër duke i vënë në fund. Kurse përsa i përket “interes komplementar” – megjithëse ajo në përgjithësi është e konsiderueshme nga sheriati – ajo nuk ka asnjë lloj ndikimi tek dispozitat fetare ashtu sikurse “nevoja sheriatike”.

Autor: Ahmet ibn Abdurrahman ibn Nasir Er Reshid

Përshtati: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

[1] – Fjala arabe “tahsinijat” sipas juristëve mbart dy kuptime: 1 – Përmirësim dhe 2 – Komplementar. Prandaj kam përdorur edhe këtë term. Sh.pk.

[2] – Ky është përkufizimi i imam Shatibiut të cilin e ka përzgjedhur autori. Sh.pk.

[3] – Ky është një përkufizim tjetër i cituar nga Ibn Ashuri. Sh.pk.

[4] – Sure Muddethir: 4.

[5] – Sure Bekare: 222.

[6] – Këtë shembull nuk e ka përmendur autori, por e jap unë sa për ilustrim që çështja të jetë më e qartë. Sh.pk.

[7] – Që konsiderohen si të tilla nga Sheriati. Sh.pk.

[8] – “Kauaidul Ahkam” i Iz Abdus Selamit, fq: 1/142.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.