Sira profetike për Pejgamberin (a.s) është, në të vërtetë, një përshkrim i mesazhit që ai solli për njerëzimin, duke nxjerrë njerëzit nga errësira në dritë, dhe nga adhurimi i krijesave në adhurimin e vetëm të Allahut. Pamja e saj e plotë dhe madhështore nuk mund të kuptohet pa hedhur një sy në gjendjen e botës përpara Islamit, veçanërisht në Gadishullin Arab, dhe në mangësitë e mëdha që ekzistonin në të gjitha aspektet e jetës, të cilat do t’i shqyrtojmë në artikullin tonë vijues:
1 – Gjendja politike dhe ekonomike:
Gjendja politike:
Gadishulli Arab ishte i pjesëtuar politikisht, pa një shtet të unifikuar dhe pa një qeveri që ta drejtonte. Shtetet e lashta që ekzistonin në Jemen, Nexhd dhe në pjesë të Irakut dhe Sham-it ishin zhdukur. Jetesa beduine kishte mbizotëruar mbi qytetet e mbetura në Hixhaz, dhe tribu ishte njëkohësisht njësia politike dhe shoqërore. Meka drejtohej nga pleqtë e qytetit në Dar en Neduah.
Në Medinë, gjendja ishte e tensionuar për shkak të mosmarrëveshjeve midis fisit të Eus dhe Hazrexh. Ky tension solli tentativën për të krijuar një monarki, por përhapja e Islamit pengoi realizimin e saj.
Shteti i Menadhirëve në Hira dhe shteti i Gassanidëve në Jordani dhe Golan u lejuan nga persët dhe romakët të formohen si dy shtete barrierë, për të penguar sulmet e fiseve arabe dhe për të mbrojtur karvanët tregtarë. Persët shkatërruan shtetin e Menadhirëve në vitin 602 të erës sonë, tetë vjet para lindjes së Pejgamberit.
Gjendja ekonomike:
Në pjesën e shkretëtirës, ekonomia bazohej kryesisht në blegtori. Fiset arabe vendoseshin aty ku kishte ujë dhe toka të përshtatshme për kullotjen e deveve, deleve dhe dhive. Kur mungonte uji, ato detyroheshin të zhvendoseshin, gjë që shkaktonte lufta midis tyre për të siguruar burimet më të mira.
Në Gadishull ekzistonin edhe oaze të shpërndara, ku vendoseshin banorët, por ato ishin të prekshme nga sulmet e beduinëve.
Në qytete kishte një aktivitet tregtar, bujqësor dhe industrial, dhe zakonisht një aktivitet mbizotëronte mbi të tjerët. Meka, për shembull, dominonte nga tregtia, pasi gjendej në një luginë pa tokë pjellore, por kontrollonte rrugët tregtare mes Jemenit dhe Sham-it, ku kalonin karvane të mbushura me erëza, lule e aromëra.
Meka përfitonte edhe nga pozicioni i saj fetar, për shkak të Qabes, e cila mbrohej nga karvanët dhe lejonte që të lidhnin marrëveshje “I’laf” me fiset që kalonin në territorin e tyre. Ajo ishte e njohur për udhëtimet e verës drejt Sham-it dhe udhëtimet dimërore drejt Jemenit.
Sa i përket Medinës – e cila para Islamit njihej si Jethrib – ajo dominohej nga ekonomia bujqësore, dhe ishte e njohur për palmat, vreshtat, frutat e tjera, drithërat dhe perimet.
Sa i përket Taifit, mbi të mbizotëronte bujqësia, veçanërisht kopshtet e rrushit, frutave dhe perimeve. Po ashtu, ishte e përhapur edhe gjuetia, pasi aty gjendeshin kafshë të egra si lopët e egra, gomerët e egër, gazelat, drerët dhe lepujt.
Kurse Jemameja njihej për farat e grurit, të cilat tejkalonin nevojat e saj dhe dërgoheshin në Hixhaz.
Jemeni kishte një bujqësi të gjerë dhe toka të kullotshme natyrore, përveç se kishte një tregti të madhe duke transportuar erëza, tym, parfume, druri i zi, dhëmbë elefanti dhe mëndafsh nga India në vendet arabe dhe Sham.
Bregdetet lindore të Gadishullit Arab lidhin tregtinë e Kinës dhe Indisë me Gjysmëhënën pjellore (Iraku dhe Siria). Gadishulli Arab importonte miell, vaj dhe pëlhura nga Shami, si dhe importonte hurma dhe lëkura nga Iraku. Tregjet arabe në periudhën e xhahilijes ndihmuan në gjallërimin e shkëmbimeve tregtare; ndër më të njohurat ishin tregjet e Ukadhit, Mexhenes, Dhi’l-Mexhazit, Dumat el-Xhendelit, Neta (në Hajber), Bedrit dhe Hubashes.
Arabët përdornin dinarin bizantin dhe dirhemin persian për tregti, si dhe njësitë matëse dhe peshore në shitje – blerje.
Sa i përket industrisë, Jemeni njihej për prodhimin e aromave dhe parfumeve.
Medina ishte e njohur për punimin e stolive prej ari dhe argjendi, si dhe për prodhimin e shpatave, shtizave, harqeve, shigjetave, mburojave dhe heshtave. Po ashtu, në qytetet arabe u zhvilluan zanate si tregtia, farkëtaria, argjendaria, përpunimi i lëkurës, tjerrja dhe endja, rrobaqepësia dhe ngjyrosja. Megjithatë, shumica e zejtarëve ishin nga maëali-t dhe skllevërit dhe nuk ishin arabë.
Praktika e kamatës – gjithashtu – u përhap në Mekë, Taif, Jethrib dhe Nexhran; ajo u praktikua nga hebrenjtë dhe kaloi prej tyre te arabët, dhe ishte e dy llojeve:
Kamatë e vonesës (riba en-nesie): është shtimi i shumës ndaj debitorit në këmbim të shtyrjes së afatit të pagesës.
Kamatë e tepricës (riba el-fadl): është shtesa që lind nga shitja e mallrave të njëjta për shkak të dallimit në cilësi.
Kjo kamatë shpesh merrej në shumëfish dhe Islamit e ndaloi të dyja llojet, siç thotë Allahu: “Allahu e lejon shitjen dhe e ndalon kamatën”[1].
Arabët njihnin disa lloje të marrëdhënieve financiare si kiradi (qirad), mudarebeja (mudaraba) dhe pengu (rahn). Megjithatë, pasiguria (garari) përfshinte shumë prej kontratave të shitblerjes, si munabedheja, mulameseja, nexhshi dhe shitja e banorit të qytetit për atë të fshatit. Po ashtu, edhe monopoli ishte i pranishëm në marrëdhëniet e tyre tregtare, ndërsa mbi to vendoseshin edhe taksa të padrejta.
Islami i ndaloi shitjet që përmbajnë pasiguri ose dëm, si dhe ndaloi kamatën dhe monopolin, me qëllim realizimin e drejtësisë mes njerëzve. Kështu, njerëzit jetuan në mirësi dhe mirëqenie kur iu përmbajtën udhëzimit të Islamit në politikën dhe ekonominë e tyre, ndërsa i goditi vështirësia dhe ngushtica kur u larguan nga rruga e drejtë.
Allahu është Dhënësi i suksesit.
Autor: Ekrem Dija El Umeri
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Sure Bekare: 275.



















