Allahu i Madhëruar urdhëron dhe thotë në librin e Tij fisnik: “Zoti yt ka dhënë urdhër të prerë dhe në përjetësi që të mos adhuroni tjetër pos Tij dhe ndaj prindërve të silleni me mirësi.”([1])
Ky ajet kur’anor realisht na mban gjatë për disa arsye. Arsyeja e parë është se Allahu i Madhëruar urdhrin e Tij për të adhuruar vetëm Atë e paraqet në formën “Ue kada” domethënë ka mbaruar, është kryer. Është vendosur përfundimisht me një vendim që nuk ka më kthim mbrapa Zoti yt ka dhënë urdhër të prerë dhe në përjetësi që të mos adhuroni tjetër pos Tij.”([2]) Mirëpo në të njëjtin kontekst me këtë lloj urdhri të prezantuar në këtë lloj forme, të parevokueshme, të pakthyeshme dhe të padiskutueshme, Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe ndaj prindërve të silleni me mirësi.”([3])
Fakti që Allahu i Madhëruar bashkëshoqëron urdhrin për adhurimin e Allahut, dhe askënd tjetër veç Tij, me urdhrin për bamirësi të vazhdueshme ndaj prindërve, ky fakt neve si muslimanë duhet të na tërheqë vëmendjen dhe duhet të na mbajë gjatë kohës që lexojmë Kur’anin. Ky lloj bashkëshoqërimi tregon për një rëndësi të veçatë të urdhrit të dytë të Allahut të Madhëruar. “Dhe ndaj prindërve të silleni me mirësi.”([4])
Allahu i Madhëruar e lartëson respektin ndaj prindërve dhe kujdesin në sjellje me ta në të njëjtin nivel që ka lartësuar adhurimin ndaj Tij. Po ta analizojmë urdhrin për respektin ndaj prindërve me urdhrin për adhurimin e Zotit pa i bërë shok, do të kuptojmë se të njëjtin perfeksion vëmendjeje që kërkon teuhidi i Allahut të Madhëruar dhe njësimi i Tij, pra të adhuruarit e Tij dhe askujt tjetër veç Tij, të njëjtën vëmendje dhe perfeksion kërkon edhe respektimi i prindërve.
Selman Farisiu (r.a) kat thënë: “Dikush u fut në Xhenet për shkak të një mize dhe dikush u fut në Xhehenem për shkak të një mize.”
Dikujt i thanë: “Bëj kurban për hatër të dikujt tjetër veç Allahut të Madhëruar!”
Tha: “Unë nuk bëj kurban për dikë veç Allahut të Madhëruar asnjë gjë.”
I thanë: “Bëj kurban qoftë edhe një mizë!”
Tha: “Asnjë mizë nuk e bëj kurban përveçse për hir të Allahut.”
Ky person e kishte kuptuar se ç’do të thotë t’i bësh teuhid Allahut të Madhëruar, ta njësosh Atë dhe vetëm Atë. Qoftë edhe një grimcë po t’ia atribuojë njeriu dikujt tjetër veç Allahut të Madhëruar kjo është shirk. Nuk pranoi dhe ra shehid.
Dikujt tjetër i thanë: “Bëj kurban për hir të dikujt tjetër veç Allahut të Madhëruar!
Tha: “Nuk i bëj shok Zotit asnjë gjë.”
I thanë: “Bëj kurban qoftë edhe një mizë!”
“Mirë”- u tha “Një mizë po e bëj kurban.”
E kapi një mizë, ia këputi kokën.([5]) Kjo mjaftoi për të përfunduar në Xhehenem sepse ishte shokbërje ndaj Allahut të Madhëruar.
Në këtë kontekst Allahu i Madhëruar thotë për respektimin e prindërve: “Dhe ndaj prindërve të silleni me mirësi.”([6])
Ajo që të mban shumë te ky urdhër kur’anor është ky lloj cilësimi që i ka bërë Allahu i Madhëruar respektit të prindërve duke thënë “Ihsana”, po ç’është Ihsani? Ne e dimë mirë hadithin e gjatë të Xhibrilit a.s kur shkoi dhe e pyeti pejgamberin a.s pasi kishte ardhur në formën e një njeriu. “Ç’është Islami? Dhe Pejgamberi a.s iu përgjigj për pesë shtyllat e Islamit. (Ç’është Imani? Pejgamberi a.s iu përgjigj për gjashtë shtyllat e imanit. (Ç’është Ihsani? Tha: “Të adhurosh Allahun sikur ti e sheh edhe pse ti nuk e sheh, Ai të sheh ty.” ([7])
Të njëjtin cilësim i Allahu Madhëruar i bën respektimit të prindërve: “Dhe ndaj prindërve të silleni me mirësi”([8]), domethënë me respekt të përsosur dhe perfekt. Kur diskutojmë për adhurimin e Zotit ne e falim namazin kemi apo nuk kemi qejf, jemi apo nuk jemi në humor të mirë, vjen muaji i Ramazanit dhe mobilizohemi ta agjërojmë, kemi apo nuk kemi terezi, jemi apo nuk jemi në humor të mirë, e njëjta gjë është me respektin e prindërve. Allahu i Madhëruar respektin e prindërve nuk ia ka lënë në dorë qejfit të njeriut; sot jam mirë po u bëj respekt, nesër nuk jam mire dhe do shoh terezinë time, nuk kam kohë t’i respektoj sepse kam lënë takim me miqtë apo gruaja sot nuk ka mundësi t’i respektojë sepse ka lënë takim me shoqet, apo fëmijët janë sëmurë dhe po u jap përparësi atyre. Allahu i Madhëruar thotë: “Zoti yt ka dhënë urdhër të prerë dhe në përjetësi që të mos adhuroni tjetër pos Tij dhe ndaj prindërve të silleni me mirësi.”([9])
Këtu nuk flitet për thjesht respekt, pra “kur të kem mundësi” po u lë një pjesë të kohës, të vëmendjes, të mallit, të pasurisë, një pjesë të përkujdesjes, dhe kur nuk ke të thuash: “Kanë punën e vet, Allahu i ndihmoftë”. Allahu i Madhëruar na thotë: “Nëse njëri prej tyre apo të dy arrijnë te ty moshën e thyer tek ti mos u thuaj atyre as “Of!”([10])
Allahu i Madhëruar për të mos u thënë atyre as “Of” na e sjell në kontekstin e moshës së thyer për të na treguar se kur prindërit arrijnë në moshë të thyer do t’u fillojnë ankesat; zemra, krahu, reumatizma etj. Allahu i Madhëruar na kujton që mos të na shkojë mendja të turfullojmë sepse kjo e përbrendshmja i thotë njeriut: “Vallahi u lodha ditë për ditë spitaleve një herë këmba një herë dora, një herë veshi, një herë syri, një herë zemra, një herë mushkëria, kur do mbarojë kjo lodhje?!”
Allahu i Madhëruar na thotë: “Nëse njëri prej tyre apo të dy arrijnë te ty moshën e thyer tek ti mos u thuaj atyre as “Of!”([11]) pra thekson: “tek ti” që mos të shkojë në mend do i mbaj apo nuk do i mbaj, do i marr apo nuk do i marr. Ata janë “tek ti”, do apo nuk do për të na thënë Allahu i Madhëruar: Kujdes! Ti që ke prindër mos të të shkojë ndonjëherë në mendje t’i bësh llogaritë e jetës tënde vetëm me fëmijët dhe me gruan tënde duke i nxjerrë nga llogaria prindërit e tu sepse kur ti ke qenë i vogël dhe ke pasur nevojë për përkujdesjen e tyre , ata kur i kanë bërë planet, të kanë vendosur në vend të parë.
Sot s’duam të dalim sepse e kemi fëmijën me temperaturë, sot duam të dalim por nuk mundemi sepse vajza ka provim, sot duam të dalim por nuk mundemi sepse fëmijët nuk i kemi shumë në terezi! As nuk u ka shkuar ndërmend prindërve t’i bënin llogaritë e tyre duke të nxjerrë ty nga llogaria sepse e kanë trajtuar të padiskutueshëm faktin se ti je pjesë e tyre dhe nuk i ka shkuar ndërmend të të braktisin dhe të shohin qejfin e vet. Prandaj Allahu Madhëruar na thotë: “Nëse njëri prej tyre apo të dy arrijnë te ty moshën e thyer tek ti!”([12]) pra Allahu i Madhëruar e quan fakt të kryer “tek ti” përderisa janë në moshë të thyer. Dikujt i bie skleroza, dikush ka problem me dëgjimin, dikush ka problem me sytë. “Vallahi nuk mundem t’i jap selam babës se duhet me ia përsërit pesë herë derisa ta dëgjojë selamin. Shtatëdhjetë herë duhet t’ia thuash “Selam alejkum! Si ia kalove? A je mirë? A u lodhe?’’ Afrohu aty te veshi që ta dëgjojë. Por Allahu i Madhëruar na thotë që këtë ta bëjmë jo me mërziti. Rriji ballë për ballë që të të shikojë dhe ndjekë me sy, sepse njeriu kur vjetërohet i humb instinktet e veta, dhe afrohu që ta kuptojë se çfarë je duke i thënë deri në fund.
“Mos u thuaj atyre as “Of!”([13]) domethënë përbrenda vjen shejtani i mallkuar dhe të thotë: “Vallahi është duke të lodhur, sot në spital, nesër në spital, sot këmba, nesër syri dhe njeriu fillon të akumulojë brenda. “Mos të të shkojë ndërmend të thuash “Of“ e as mos i zbo ata”.
Ndonjëherë prindin mund ta lëshojnë nervat dhe na thotë ndonjë fjalë që nuk na pëlqen, nuk duhet të reagojmë keq sepse kur ti ke reaguar keq kur ke qenë i vogël ata ta kanë dëgjuar fjalën e të kanë kushtuar vëmëndje. Prindi ka bërë plane tjera me ty, ndërsa ti për shkak të arrogancës së adoleshencës i ke thënë: “Nuk dua, nuk bëhet” dhe ai përsëri të ka duruar, nuk të ka mohuar dhe nuk ka hequr dorë nga detyrat dhe obligimet e tij për ty.
“As mos i zbo” ([14]) Pas gjithë kësaj, edhe pse të mundojnë, stërmundojnë, akumulon brenda dhe mund të të thonë ndonjë fjalë që nuk duhet të ta thonë, përgjigjen duhet ta thuash me të butë. Nëna ose babai e thotë një fjalë të keqe, ti buzëqesh, merre me sportivitet dhe me shaka.
Pastaj ajeti tjetër kur’anor na thotë: “Dhe thuaj: O Allah mëshiroji prindërit e mi ashtu siç më kanë mëshiruar ata kur kam qenë i vogël.”([15]) O rob i Zotit! Kur ti ke qenë i vogël deri në moshën katër apo pesë vjeç kur ti ke filluar të perceptosh, t’i konceptosh dhe t’i mbash mend gjërat, kanë hequr të zinjtë e ullinjve. Nëna ka hequr të zinjtë e ullirit për të të lindur, për të të mbajtur në barkun e saj, mund pas mundi, stërmundim pas stërmundimi ku vetëm lindja që konsiderohet dhimbja më e fortë në botë saqë barazohet me shumëfishin e dhimbjes së thyerjeve të kockave të njeriut, pastaj dy vjet rresht në gji me dhjetra herë duke u zgjuar natën, pastaj plan pas plani. A do e dërgojmë në çerdhe apo jo? Do e çojmë në kopsht apo jo? Apo te cila shkollë do e çojmë? Lodhje pas lodhjeje dhe llogari pas llogarie , nëna dhe babai kanë pasur nevojë ta blinin një gjë të re por nuk kanë pasur mundësi sepse kanë thënë duhet ti rezervojmë për fëmijët.
“Dhe thuaj: O Allah mëshiroji prindërit e mi ashtu siç më kanë mëshiruar ata kur kam qenë i vogël.”([16]) Domethënë mos e harro kur ke qenë i vogël, mundin më të madh nëna dhe babai e kanë dhënë për ty atëherë kur ti nuk ke marrë vesh asgjë dhe ka qenë faza deçizive e jetës tënde dhe kur ti rritesh dhe bëhesh i pavarur, kujdes mos të të shkojë mendja të thuash as “of” apo të të shkojë mendja t’i zbosh dhe t’u flasësh ashtu siç nuk duhet dhe t’i trajtosh me ligësi.
Pejgamberi a.s urdhëron e thotë: “Kur vdes biri i Ademit i ndërpriten të gjitha punët përveç tre; Një sadaka rrjedhëse, një dije që ka lënë trashëgimi dhe një fëmijë që lutet për të”.([17])
Duhet të theksojmë, në kontekstin e këtij aktualiteti ku jetojmë, se dynjaja ia shkëput vëmendjen njeriut edhe nga vetja. Nëse realisht duam të jemi prindër të respektuar duhet të edukojmë fëmijë të respektuar. Nëse duam të jemi prej atyre prindërve që fëmijët i duan, i respektojnë, i ledhatojnë, kanë dhembje dhe mëshirë për ta, duhet të jemi vetë prindër të atillë që të dimë të edukojmë fëmijë të tillë dhe kjo bëhet me vëmendje te fëmija dhe me përkujdesje të vazhdueshme për t’ia kultivuar në mënyrë të vazhdueshme këto vlera.
Për të të mbajtur ty kur të kesh nevojë duhet të të shohë fëmija me sytë e tij duke respektuar prindin tënd, kjo është shkolla më e mirë, kjo është një nga vlerat më madhore në Islam. Mënyra më e mirë për ta kultivuar është që fëmija të shikojë me sytë e tij se si babai i tij apo nëna e tij respekton prindërit e tij. Pejgamberi a.s na thotë se “Çdo lloj ndëshkimi apo shpërblimi Allahu e vonon për botën tjetër përveç ndëshkimit apo shpërblimit të imoralitetit, sjelles së keqe me prindërit dhe shkëputjen e lidhjeve farefisnore. Allahu ia jep robit në dynja para se t’ia japë në botën tjetër.”([18])
Transmetohet se dikush shkoi te Omeri r.a dhe i tha: “O Omer fëmija im më keqtrajton!” Mirëpo Omeri ishte i drejtë dhe e dinte mirë sesi funksionon kjo çështje prandaj duhet të kishte nje shkak esencial që ky fëmijë sillej keq me babain e vet prandaj i tha: “Ma sill fëmijën këtu!” dhe e pyeti: “Përse sillesh keq me babain tënd?” Fëmija iu përgjigj: “Kur u martua nuk ma zgjodhi nënën, asnjëherë nuk më ka dërguar te hoxha që të më mësojë një ajet kur’anor apo të më mësojë se si falet Namazi. Emrin nuk ma ka zgjedhur, më ka vendosur një emër që fëmijët tallen me mua.” Omeri r.a i drejtohet këtij prindi dhe i thotë: “Fëmija yt paska të drejtë që të keqtrajton.”([19])
Domethënë duhet punuar me brezin e ri që ata të shohin konkretisht sesi ne i respektojmë prindërit tanë që edhe brezi i ri kur të plakemi të mos na kapin për dore dhe të na dërgojnë në azile, fenomen i cili është përhapur shumë dhe njeriut bashkëkohor shpeshherë i shkon mendja t’i japë zgjidhje në këtë lloj forme detyrës madhore të respektit ndaj prindit.
Allahu na ruajtë nga fenomeni i grindjes së vëllëzërve dhe motrave me njëri-tjetrin se kujt t’ia lënë prindërit si “dopio gjashtë” në dorë dhe të ikin prej kësaj përgjegjësie e cila në vetvete është nder, lavdi, krenari dhe derë Xheneti. Mjafton hadithi i Pejgamberit a.s i cili thotë: “Qëndro me nënën, pasi Xheneti gjendet poshtë këmbëve të saj!”([20])
Imam- Hatib: Sabaudin Jashari
By: ardhmëriaonline.com
([1]) – Kurani: Isra, ajeti: 23.
([2]) – Kurani: Isra, ajeti: 23.
([3]) – Kurani: Isra, ajeti: 23.
([4]) – Kurani: Isra, ajeti: 23.
([5]) – Thënie e pranuar. Ahmedi, “Kitabu`z-Zuhd”, f. 15-16; Ibn Ebi Shejbeh, v. 12, f. 358; Bejhakiu, “Shuabu`l-Iman”, (6962).
([6]) – Kurani: Isra, ajeti: 23.
([7]) – Hadith i vërtetë. Muslimi (8); Ebu Daudi (4695); Tirmidhiu (4695).
([8]) – Kurani: Isra, ajeti: 23.
([9]) – Kurani: Isra, ajeti: 23.
([10]) – Kurani: Isra, ajeti: 23.
([11]) – Kurani: Isra, ajeti: 23.
([12]) – Kurani: Isra, ajeti: 23.
([13]) – Kurani: Isra, ajeti: 23.
([14]) – Kurani: Isra, ajeti: 23.
([15]) – Kurani: Isra, ajeti: 24.
([16]) – Kurani: Isra, ajeti: 24.
([17]) – Hadith i vërtetë. Muslimi (1631).
([18]) – Hadith i vërtetë. Ebu Daudi (4902); Tirmidhiu (2511); Ibn Maxheh (4211); Ahmedi (20374).
([19]) – Samarkandi, “Tenbihu`l-Gafilin”, f. 95.
([20]) – Hadith i vërtetë. Nesaiu, “Es-Sunenu`l-Muxhteba”, (3104); Ahmedi, (15538).



















