Ndërtimi qytetërues i kombeve mbështetet para së gjithash në fuqinë e referencave të tyre, përpara zgjerimit të mundësive të tyre; sepse referenca i jep fuqisë drejtimin e saj, formëson ndërgjegjen që ruan identitetin, e lidh të tashmen me rrënjët e saj dhe i jep mesazhit aftësinë për t’u përcjellë brez pas brezi. Çdo qytetërim e ruan pozitën e tij në varësi të ruajtjes së ekuilibrit mbi të cilin mbështetet për të kuptuar njeriun, për të lexuar realitetin dhe për t’i dhënë drejtim rrugëtimit të tij. Allahu i Madhëruar ka dashur që këtij umeti t’i japë një referencë të përjetshme rabbanije, të mbështetur mbi Librin e Tij të Çmuar dhe Sunetin e Profetit të Tij (a.s), dhe ka përgatitur për ta mbartur këtë amanet dijetarë rabbanijunë, të cilët bashkuan qëndrueshmërinë në dije, sinqeritetin në besim, thellësinë në fik’h, mprehtësinë e depërtimit, si dhe urtësinë në shpjegim. Kështu, ata u bënë vazhdimësia e sinqertë e trashëgimisë profetike, besnikët e shpjegimit të Sheriatit dhe ura që lidh udhëzimin e shpalljes me rrjedhën e jetës.
Kurani i Shenjtë e ka përcaktuar këtë pozitë në mënyrën më të qartë, kur Allahu i Madhëruar thotë: “Allahu do t’i lartësojë në shkallë ata që besuan prej jush dhe ata të cilëve u është dhënë dija.”[1] Ai e ka lidhur dijen me frytin e saj më të lartë, duke thënë: “Në të vërtetë, Allahut i frikësohen nga robërit e Tij vetëm dijetarët.”[2]
Edhe Suneti i Profetit (a.s) e ka vërtetuar këtë pozitë. I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Dijetarët janë trashëgimtarët e profetëve. Profetët nuk kanë lënë si trashëgimi dinarë apo dirhemë; ata kanë lënë dijen. Kush e merr atë, ka marrë një pjesë të madhe.”[3]
Imam Ibn Kajimi (r.h) e ka përshkruar këtë funksion me fjalët: “Dijetarët në tokë janë si yjet në qiell; përmes tyre i humburi gjen rrugën në errësirë, ndërsa nevoja e njerëzve për ta është më e madhe se nevoja e tyre për ushqim dhe pije.”[4]
Ashtu siç yjet u tregojnë udhën udhëtarëve në errësirën e rrugës, dijetarët u ndriçojnë mendjeve rrugën kur konceptet ngatërrohen, vendosin ekuilibrin kur ai tronditet dhe u ndriçojnë njerëzve rrugën e drejtë në kohë sprovash dhe trazirash.
Nga kjo pikëpamje, dija në konceptimin islam është e lidhur ngushtë me funksionin e udhëzimit dhe reformimit. Ajo bëhet një amanet që duhet ruajtur, një mesazh që duhet përcjellë dhe një metodologji që i jep drejtim lëvizjes së shoqërisë nën dritën e shpalljes. Ndikimi i dijetarit rabbanij shtrihet kështu edhe në ndërtimin e njeriut, orientimin e ixhtihadit dhe rigjallërimin e objektivave të Sheriatit në realitetin e jetës, derisa dija shndërrohet në një fuqi që i jep drejtim mendimit, vendos rregull në veprim dhe bëhet burim përmes të cilit ripërtërihen kuptimet e ndërtimit qytetërues.
Njerëzimi po përjeton sot transformime të shpejta, të cilat kanë riformësuar burimet e dijes, kanë zgjeruar hapësirat e ndikimit në formësimin e ndërgjegjes dhe kanë krijuar hapësira të hapura, ku referencat e ndryshme konkurrojnë për t’i dhënë drejtim njeriut dhe për të formësuar këndvështrimin e tij ndaj fesë, jetës dhe vlerave. Në mes të këtij realiteti, nevoja për dijetarët rabbanijunë bëhet gjithnjë e më e madhe, sepse ata i kthejnë zhvillimet e reja te bazat e tyre, i peshojnë ndryshimet me peshojën e shpalljes dhe lidhin parimet e pandryshueshme të Sheriatit me kërkesat e kohës. Kështu, përparësitë vendosen në vendin e duhur, ndërgjegjësimi forcohet dhe lëvizja e ripërtëritjes merr drejtimin e saj të drejtë.
Pikërisht këtu shfaqet rëndësia qytetëruese e dijetarëve rabbanijunë. Ata janë kujtesa e umetit, që ruan rrënjët dhe bazat e tij; mendja e tij e gjallë, që sheh rrugën nëpër të cilën duhet të ecë; dhe ndërgjegjja e tij, që ruan dhe mbron misionin e tij. Me praninë e tyre, konsolidohet autoriteti referues, lulëzon ixhtihadi dhe shpallja vazhdon të jetë e pranishme në udhëzimin e njeriut, në ndërtimin e shoqërisë dhe në krijimin e qytetërimit.
Sa më shumë të zgjerohen fushat e transformimit, aq më e madhe bëhet nevoja për modelin rabbanij, i cili bashkon autenticitetin e dijes, lartësinë e edukimit dhe ndërgjegjësimin për realitetin. Ky është modeli mbi të cilin është ngritur udhëheqja shkencore e umetit dhe prej të cilit ajo ka marrë misionin, ndikimin dhe aftësinë për ta përcjellë mesazhin e saj brez pas brezi përgjatë historisë.
Dijetari Rabbanij: Pikënisja e udhëheqjes së drejtë shkencore
Udhëheqja shkencore në Islam buron nga dijetari rabbanij, e cila i jep dijes shpirtin e saj dhe lidh fik’hun me besimin, dijen me veprën dhe shpjegimin me pastrimin shpirtëror. Përmes këtij integrimi, dijetari e mbart udhëzimin e shpalljes në kuptimin e tij, objektivat e Sheriatit në këndvështrimin e tij dhe sinqeritetin në qëllimin e tij. Kështu, në personalitetin e tij bashkohen cilësitë që e aftësojnë për t’u prirë mendjeve, për të orientuar ndërgjegjen dhe për t’i dhënë drejtim umetit. Prandaj, ai është pikënisja mbi të cilën ngrihet udhëheqja shkencore: ajo formëson personalitetin e dijetarit, i jep dijes së tij drejtim dhe i siguron misionit të tij ndikim.
Kurani i Shenjtë e ka përcaktuar këtë parim në fjalën e Allahut të Madhëruar: “Por bëhuni rabbanijunë (dijetarë të mësimeve të Zotit), për shkak se ua mësoni njerëzve Librin dhe sepse e studioni atë.”[5]
Abdulla ibn Abbasi (r.a) i ka shpjeguar rabbanijunët me fjalët: “Ata janë të urtët dhe fakihët.”[6] Ndërsa imam Taberiu ka thënë: “Rabbanijunët janë ata që i edukojnë njerëzit fillimisht me dijen e vogël, përpara asaj të madhe.”[7] Këto dy shpjegime tregojnë se të qënurit dijetar rabbanij është një proces edukativ i përshkallëzuar, i cili nis me rrënjosjen e bazave, vijon me ndërtimin e koncepteve dhe më pas me zhvillimin e aftësisë së të kuptuarit dhe nxjerrjes së përfundimeve, derisa dija të ngulitet fort dhe të japë si fryt veprën dhe udhëzimin.
Hafizi Ibn Haxheri ka sqaruar se me “dijen e vogël” nënkuptohet ajo që është më e qartë dhe më e afërt për t’u kuptuar dhe se edukimi shkencor ndërtohet në mënyrë graduale, duke i dhënë përparësi asaj që formon aftësinë shkencore përpara hollësive të çështjeve. Ky udhëzim nxjerr në pah se formimi i aftësisë shkencore është baza që i jep dijetarit saktësi në vështrim, përpikëri në nxjerrjen e përfundimeve dhe maturi në gjykim.
Kuptimi i dijetarit rabbanij u zgjerua te imamët e Islamit, derisa u bë një cilësi e personalitetit të plotë shkencor. Ibn Haxheri përcjell nga Ibn el-A‘rabi se: “Dijetari nuk quhet rabbanij derisa të jetë dijetar, mësues dhe veprues.”[8] Po ashtu, ai përcjell nga Asmeiu dhe Ismailiu se rabbanij është ai që, përmes dijes dhe veprës së tij, synon atë që ka urdhëruar Allahu; ndërsa është thënë se emërtimi lidhet me edukimin, sepse ai është një nga karakteristikat më të spikatura të tij.[9]
Është përcjellë nga Ali ibn Ebi Talibi (r.a) se rabbanijunët janë ata që “i ushqejnë njerëzit me urtësi dhe i edukojnë me të”[10]. Abdulla ibn Mes’udi (r.a) e ka shpjeguar ajetin me fjalët: “Të urtë e dijetarë”, ndërsa Seid ibn Xhubejri ka thënë: “Të urtë e të devotshëm.”[11]Të gjitha këto thënie bashkohen në përshkrimin e personalitetit të dijetarit që bashkon dijen, mësimdhënien, veprën, edukimin dhe pastrimin shpirtëror, duke u bërë kështu i denjë për të mbartur trashëgiminë e profetësisë.
Dijetar rabbanij është ai i cili e ka mision të tijin që të jetë i përfshirë dhe i integruar në çështjet dhe kauzat e Umetit. Imam Kurtubiu ka vënë në dukje se ndër kuptimet e rabbanijut është njohja e politikës dhe e drejtimit të çështjeve, ndërsa përcjell nga Ebu Ubejda se ai është dijetari që njeh të lejuarën dhe të ndaluarën, si dhe njeh historinë e umetit, atë që ka ndodhur dhe atë që do të ndodhë.[12]Këto të dhëna tregojnë gjerësinë e horizontit të dijetarit rabbanij: ai bashkon kuptimin e teksteve me njohjen e ligjeve që rregullojnë shoqërinë dhe ndërgjegjësimin për rrjedhën e historisë. Ai i trajton çështjet e reja nën peshoren e shpalljes, duke bashkuar në ixhtihadin e tij saktësinë e themelimit mbi baza, urtësinë në zbatimin e tyre dhe maturinë në gjykim.
Imam Ebu Suudi e ka përshkruar rabbanijun si “të përsosurin në dije dhe vepër, të vendosur fort në bindjen ndaj Allahut të Madhëruar dhe fesë së Tij”[13] Ndërsa Sejid Kutbi, duke u nisur nga fjala e Allahut të Madhëruar: “Përse rabbanijunët dhe dijetarët nuk i ndalojnë ata…”[14] ka dalë në përfundimin se përmbushja nga dijetarët e detyrës së shpjegimit dhe reformimit është një nga shtyllat e shëndetit të shoqërisë dhe se moskryerja e këtij roli hap dyert e korrupsionit dhe dobësimit qytetërues.”[15] Në këtë mënyrë, dijetari rabbanij shndërrohet në një përgjegjësi të ripërtërirë shkencore, edukative dhe reformuese, e cila ruan ndërgjegjen e umetit dhe mbron rrugëtimin e tij.
Mbi këtë bazë u themelua udhëheqja shkencore përgjatë historisë së umetit. Dijetarët e fituan pozitën e tyre përmes qëndrueshmërisë në dije, sinqeritetit në vepër, shëndoshjes së metodologjisë dhe besimit të umetit tek ata. Kështu, ata u bënë referenca për udhëzimin, besnikë të Sheriatit dhe ruajtës të ndërgjegjes së myslimanëve brez pas brezi. Nga ky parim formohet personaliteti në të cilin dija ndriçon përmes moralit dhe besimi mishërohet në sjellje, duke u bërë shembulli i mirë vazhdimësia e natyrshme e dijetarit rabbanij. Dhe pikërisht kjo na çon te boshti vijues:
Dija dhe mësimet hyjnore (rabbanije) formësojnë personalitetin shembullor
Kur mësimet e Zotit vendosen si themel i udhëheqjes shkencore, gjurmët e saj fillojnë të shfaqen në formimin e personalitetit të dijetarit; dija shndërrohet nga njohuri të memorizuara në moral të dukshëm, dhe nga një kuptim mendor në sjellje që e përkthen udhëzimin e shpalljes në realitetin e jetës. Në këtë pikë, personaliteti i dijetarit plotësohet në dije, besim dhe vepër, duke u bërë shembulli i mirë fryt i natyrshëm i këtij ndërtimi. Prania e tij te njerëzit bëhet më ndikuese se vetë fjalimi i tij, sepse jeta dhe sjellja e tij i japin dijes fuqi ndikuese dhe fjalës së tij besueshmëri e pranim.
Kurani i Shenjtë e ka bërë frikërespektin ndaj Allahut frytin e parë të dijes. Allahu i Madhëruar thotë: “Në të vërtetë, Allahut i frikësohen nga robërit e Tij vetëm dijetarët.”[16] [Fatir: 28]
Frikërespekti nuk është thjesht një gjendje emocionale, por është dije që sjell madhërimin e Allahut, sinqeritetin në qëllim, drejtësinë në gjykim, mëshirën në marrëdhënie dhe qëndrueshmërinë në të vërtetën. Në këtë mënyrë, dija shndërrohet në një fuqi që e pastron shpirtin, e rregullon sjelljen dhe i jep dijetarit një ekuilibër që shfaqet në fjalët dhe veprat e tij.
Pikërisht për këtë arsye, dijetarët e Islamit i kushtuan rëndësi formimit të personalitetit të dijetarit përpara zgjerimit të njohurive të tij dhe e konsideruan edukatën shpirtin dhe bukurinë e dijes. Imam Maliku ka thënë: “Mëso edukatën përpara se të mësosh dijen.”
Abdulla ibn Mubareku ka thënë: “Edukata gati sa nuk përbën dy të tretat e dijes.”
Ndërsa Hasen el-Basriu ka thënë: “Njeriu kërkonte dijen dhe nuk vononte shumë pa u parë ajo në përulësinë e tij, në sjelljen e tij, në gjuhën e tij, në shikimin e tij dhe në dorën e tij.”
Këto tekste tregojnë se formimi shkencor në konceptimin islam nis me pastrimin e shpirtit, derisa dija e formëson moralin e atij që e mbart, po aq sa i formëson edhe mendimet e tij.
Për këtë arsye, biografitë e imamëve kanë mbetur shkolla praktike në formimin e personalitetit të dijetarit rabbanij. Imam Neveviu, për shembull, bashkoi gjerësinë e dijes me adhurimin e vazhdueshëm dhe devotshmërinë e thellë. Për të, imam Dhehebiu ka thënë: “Ishte zotëri, imam, hafiz, asket, adhurues, urdhërues i së mirës dhe ndalues i së keqes.”[17]
Abdulla ibn Mubareku mishëroi bashkimin e fikhut, adhurimit, përpjekjes në rrugën e Allahut, bujarisë dhe hijeshisë së sjelljes, ndërsa imam Ahmedi ibn Hanbeli e rrënjosi kuptimin e qëndrueshmërisë në të vërtetën, derisa qëndrimet e tij u bënë vazhdimësi e dijes së tij dhe dëshmi e sinqeritetit të tij.
Vlera e këtij personaliteti bëhet edhe më e madhe në kohën e sotme, kur imazhi i dijetarit formësohet përmes hapësirave të hapura dhe mjetet e ndikimit në formësimin e bindjeve po zhvillohen me shpejtësi. Besimi i njerëzve tek dijetari rritet kur parimet e tij përputhen me sjelljen e tij dhe kur në personalitetin e tij bashkohen qëndrueshmëria në dije, pastërtia e besimit, bukuria e moralit dhe urtësia në komunikim. Atëherë jeta e tij bëhet burim qetësie dhe sigurie, përpara se fjalët e tij të bëhen burim bindjeje.
Dhe kur ky personalitet rrënjoset në ndërgjegjen e umetit, ndikimi i tij i kapërcen kufijtë e edukimit individual dhe shtrihet deri te orientimi i ndërgjegjes së përgjithshme, duke krijuar referencën përmes së cilës mendjet udhëzohen në kuptimin e fesë dhe të realitetit.
Dijetarët rabbanijunë dhe formësimi i ndërgjegjes dhe i autoritetit referues
Kur personaliteti i dijetarit plotësohet me dije, mësimet e Zotit (rannanijen) dhe shembullin e mirë, ndikimi i tij zgjerohet nga edukimi i individit në ndërtimin e ndërgjegjes së umetit. Dijetari rabbanij shndërrohet kështu në një autoritet referues që orienton mënyrat e të menduarit, vendos bazat e metodave të të kuptuarit dhe i lidh njerëzit me udhëzimin e shpalljes në çështjet e tyre të reja. Atëherë dija bëhet një fuqi që formëson mendësinë kolektive, unifikon peshoren e vështrimit dhe i ruan umetit aftësinë për të dalluar mes asaj që është e pandryshueshme dhe asaj që ndryshon, mes bazave dhe degëzimeve, si dhe mes çështjeve të përcaktuara prerazi dhe atyre që i nënshtrohen ixhtihadit.
Kurani fisnik e ka përshkruar këtë funksion në fjalën e Allahut të Madhëruar: “Përse të mos shkojë nga çdo grup i tyre një palë, që të thellohet në mësimet e fesë dhe, kur të kthehen te populli i tyre, ta paralajmërojnë, me qëllim që ata të ruhen?”[18]
Kështu, ai e bëri thellimin në dije fetare bazë të përcjelljes së mesazhit dhe e bëri këtë përcjellje mjet për ndërtimin e një shoqërie që ndriçohet nga shpallja në të kuptuarin dhe veprimtarinë e saj. Më pas, Allahu e udhëzoi umetin që, kur çështjet bëhen të paqarta, t’u drejtohet njerëzve të dijes: “Pyetini njerëzit e dijes, nëse nuk dini.”[19]
Ndërsa trajtimin e çështjeve të reja e lidhi me aftësinë e njerëzve për të nxjerrë përfundime, duke thënë: “Sikur ta kishin kthyer atë te i Dërguari dhe te autoritetet përgjegjëse ndër ta, ata që janë të aftë të nxjerrin përfundime prej tyre do ta kishin kuptuar atë.”[20]
Në këto ajete shfaqen qartë tiparet e autoritetit shkencor referues, si autoritet për kuptimin dhe ixhtihadin, i cili ruan unitetin e metodologjisë dhe rregullon procesin e zbatimit të udhëzimit të shpalljes në realitet.
Edhe Suneti i Profetit (a.s) e thekson se misioni shkencor nuk qëndron vetëm në përcjelljen e tekstit, por edhe në përcjelljen e kuptimit të saktë. I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Allahu ia ndriçoftë fytyrën atij që dëgjon prej nesh një hadith dhe e përcjell ashtu siç e ka dëgjuar; sepse ndodh që ai të cilit i përcillet të jetë më i vëmendshëm dhe ta kuptojë më mirë se ai që e ka dëgjuar.”[21]
Hatib el-Bagdadi ka thënë: “Allahu i ka bërë ata mëkëmbësit e Tij në tokë dhe argumentin e Tij ndaj robërve të Tij; dhe përmes tyre nuk pati më nevojë të dërgohej profet apo paralajmërues…” Më pas ai solli si dëshmi fjalën e Allahut të Madhëruar: “Allahu dëshmon se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Tij, po ashtu edhe engjëjt dhe njerëzit e dijes…”[22] si dhe fjalën e Tij: “A janë njësoj ata që dinë dhe ata që nuk dinë?”[23]
Shejhul-Islam Ibn Tejmije ka thënë: “Njerëzit me autoritet janë dy kategori: dijetarët dhe sundimtarët. Kur ata janë të mirë, njerëzit përmirësohen; dhe kur ata korruptohen, njerëzit korruptohen.”[24]
Këto tekste bashkohen në një përfundim: autoriteti shkencor referues ruan shëndoshinë e të kuptuarit, vendos ekuilibrin e ixhtihadit dhe e mbron umetin nga çrregullimi.
Shkollat e imamëve e kanë mishëruar këtë mision në mënyrën më të bukur. Imam Ebu Hanife vendosi një metodologji të ixhtihadit që bashkonte tekstin me fikhun e realitetit; imam Shafiu hodhi bazat e argumentimit mbi të cilat u sistemuan metodat e nxjerrjes së dispozitave; imam Ahmedi ibn Hanbeli e forcoi qëndrueshmërinë e autoritetit referues në kohën e sprovës; ndërsa imam Izz ibn Abduselami bashkoi fikhun me reformimin e përgjithshëm, derisa meritoi titullin “Sulltani i dijetarëve”. Falë këtyre shkollave, u konsoliduan kriteret e të kuptuarit, rruga e ixhtihadit u drejtua dhe autoriteti shkencor referues vazhdoi ta udhëzonte umetin përgjatë epokave.
Nevoja për këtë autoritet bëhet edhe më e dukshme në kohën e sotme, me zgjerimin e burimeve të dijes, përshpejtimin e mjeteve të ndikimit dhe shumëllojshmërinë e diskurseve intelektuale e kulturore. Nevoja për dijetarë që i kthejnë zhvillimet e reja te bazat e tyre, e lexojnë realitetin nën dritën e objektivave të Sheriatit dhe i japin umetit një ndërgjegje të qëndrueshme, e cila dallon mes fakteve dhe përshtypjeve, si dhe mes ixhtihadit të disiplinuar dhe leximeve të nxituara, bëhet gjithnjë e më e madhe. Kështu, forcohet besimi te dija e themeluar mbi baza, konsolidohet siguria intelektuale dhe lëvizja e ripërtëritjes drejtohet në rrugën e saj të duhur.
Nga kjo ndërgjegje e matur dhe nga ky autoritet referues i themeluar mbi baza, buron misioni qytetërues i dijetarëve rabbanijunë; dija bëhet themel i projekteve reformuese, pikëmbështetje e rilindjes së umetit dhe portë drejt ndërtimit të së ardhmes së tij.
Dijetarët rabbanijunë dhe ndërtimi i së ardhmes së umetit
Kur ndërgjegjja mbështetet mbi një autoritet referues të qëndrueshëm, misioni i dijetarëve rabbanijunë i kapërcen kufijtë e trajtimit të realitetit të sotëm dhe shtrihet në pjesëmarrjen në ndërtimin e së ardhmes. Dijetari rabbanij shndërrohet kështu në një fuqi qytetëruese që i jep drejtim lëvizjes së umetit, i siguron atij aftësinë për t’i përballuar transformimet dhe për të ndërtuar zgjedhjet e veta nën dritën e udhëzimit të shpalljes dhe ligjeve të ndërtimit qytetërues. Në këtë mënyrë, dijetari rabbanij bëhet pjesëmarrës në formësimin e së ardhmes, sepse ai ndërton njeriun që krijon qytetërimin, themelon vizionin që i jep drejtim procesit të ripërtëritjes dhe mbjell te umeti besimin në aftësinë e tij për t’u ngritur, pa e humbur identitetin e vet.
Kurani fisnik e ka lidhur udhëheqjen me udhëzimin përmes dy elementeve: bindjes së palëkundur dhe durimit. Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe prej tyre Ne bëmë prijës, të cilët udhëzonin sipas urdhrit Tonë, kur ata duruan dhe ishin të bindur plotësisht në shenjat Tona.”[25]
Ajeti tregon se ndërtimi i së ardhmes fillon me ndërtimin e udhëheqjes. Bindja e palëkundur i jep asaj qartësi në vizion, ndërsa durimi i jep aftësinë për të vijuar përpjekjet reformuese. Nga bashkimi i këtyre dy elementeve formohet vullneti që i jep drejtim umetit në kohë transformimesh dhe i hap përpara horizonte të reja për përparim.
Suneti i Profetit (a.s) e ka vërtetuar vazhdimësinë e këtij misioni brez pas brezi. I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Këtë dije do ta mbartin nga çdo brez njerëzit e drejtë të tij; ata do ta pastrojnë atë nga shtrembërimi i ekstremistëve, nga pretendimet e të pavërtetëve dhe nga interpretimet e të paditurve.”[26]
Ky hadith tregon se ripërtëritja e umetit fillon me ripërtëritjen e bartësve të tij besnikë, të cilët ruajnë pastërtinë e metodologjisë, e ripërtërijnë praninë e shpalljes në realitetin e jetës dhe mbrojnë identitetin intelektual të umetit përballë faktorëve të devijimit.
Për këtë arsye, imam Shatibiu ka përcaktuar se “myftiu në umet zë vendin e Profetit (a.s) në shpjegim dhe sqarim”[27] Ndërsa imam Karafi ka theksuar se marrja parasysh e ndryshimit të rrethanave, në përputhje me bazat e Sheriatit, është pjesë thelbësore e fikhut. Ai ka thënë: “Ngurtësimi i përhershëm pas teksteve të transmetuara është devijim në fe dhe padije për objektivat e dijetarëve myslimanë.”[28] Prej këtu, ndërtimi i së ardhmes mbështetet mbi një ixhtihad që bashkon qëndrueshmërinë e bazave, ripërtëritjen e zbatimit të tyre, si dhe marrjen në konsideratë të pasojave, në mënyrë që Sheriati të mbetet burim udhëzimi në çdo epokë.
Historia e umetit ka sjellë modele që e kanë mishëruar këtë rol qytetërues. Imam Izz ibn Abduselami udhëhoqi lëvizjen e reformimit të përgjithshëm përmes autoritetit të dijes; Shejhul-Islam Ibn Tejmije bashkoi themelimin mbi parimet e Sheriatit me fikhun e çështjeve të reja; ndërsa imam Shatibiu themeloi qasje objektive, e cila hapi horizonte të gjera për ripërtëritjen e ixhtihadit. Ndikimi i këtyre përpjekjeve nuk u kufizua vetëm në trajtimin e çështjeve të kohës së tyre, por u shndërrua në baza shkencore ku u mbështetën breza të njëpasnjëshëm për t’u përballur me sfidat e reja.
Rëndësia e këtij roli bëhet edhe më e madhe në një epokë ku transformimet shkencore dhe teknologjike po përshpejtohen, aplikimet e inteligjencës artificiale po zgjerohen, format e dijes dhe të ndikimit po ndryshojnë dhe po shtohen pyetjet etike e qytetëruese që lindin nga këto zhvillime. Bëhet e domosdoshme prania e dijetarëve që bashkojnë qëndrueshmërinë në themelimin shkencor, thellësinë në fikhun e objektivave, ndërgjegjësimin për ligjet e zhvillimit qytetërues dhe aftësinë për ta lexuar të ardhmen, në mënyrë që të kontribuojnë në orientimin e transformimeve, drejtimin e rrjedhës së tyre dhe lidhjen e arritjeve të tyre me vlerat që ruajnë dinjitetin e njeriut dhe realizojnë të mirën e përgjithshme.
Kështu, dijetari rabbanij bëhet një projekt qytetërues i ripërtërirë, që lidh shpalljen me rrjedhën e historisë, bashkon qëndrueshmërinë e mesazhit me ndryshueshmërinë e realitetit dhe i jep umetit aftësinë për ta ndërtuar të ardhmen e vet nga brenda identitetit të tij, jo nga jashtë tij. Kur dijetarët e përmbushin këtë mision, dija mbetet burim i përparimit, ndërgjegjja themel i ndërtimit qytetërues dhe autoriteti referues pikënisje e ripërtëritjes. Kështu, të gjitha këto ide përgatiten të bashkohen në përfundimin gjithëpërfshirës që i jep fund këtij artikulli.
Përfundim
Kjo rrugë e përshkuar na tregon se dijetarët rabbanijunë përfaqësojnë fuqinë që i ruan umetit kujtesën e tij, i ripërtërin mendjen dhe i ndriçon rrugën nëpër të cilën duhet të ecë, sa herë që kalojnë epokat dhe ndryshojnë rrethanat. Përmes tyre vazhdon lidhja e shpalljes me jetën, organizohet lëvizja e ixhtihadit, rrënjosen kuptimet e besimit, ruhet ekuilibri i mendimit dhe lulëzon ndërtimi qytetërues. Kjo sepse dijetari rabbanij bashkon qëndrueshmërinë në dije, pastërtinë e besimit, lartësinë e moralit, thellësinë e depërtimit dhe urtësinë në shpjegim. Kështu, personaliteti i dijetarit shndërrohet në një fener që ndriçon mendjet, i jep qetësi zemrave dhe ndërton njeriun e aftë për ta mbartur mesazhin e Islamit në çdo epokë.
Historia e umetit ka dëshmuar se rilindja e tij ka qenë e lidhur me praninë e dijetarëve që kanë bashkuar themelimin mbi parime me zbatimin në realitet, e kanë lidhur tekstin me realitetin, si dhe të pandryshueshmen me të ndryshueshmen. Ata kanë ruajtur identitetin e umetit, kanë vendosur peshoret e të kuptuarit, i kanë dhënë drejtim procesit të ripërtëritjes dhe kanë forcuar besimin te Sheriati si burim udhëzimi, peshore e drejtësisë dhe themel i ndërtimit qytetërues. Vlera e këtij misioni bëhet edhe më e madhe në kohën e sotme, me zgjerimin e revolucionit të dijes, përshpejtimin e transformimeve digjitale dhe shumëllojshmërinë e autoriteteve referuese që ndikojnë në formësimin e ndërgjegjes. Për këtë arsye, umeti ka gjithnjë e më shumë nevojë për dijetarë që zotërojnë qëndrueshmëri në njohjen e shpalljes, fikhun e objektivave, kuptimin e ligjeve të epokës dhe aftësinë për të ndërtuar një diskurs që bashkon forcën e argumentit, bukurinë e shprehjes dhe urtësinë në zbatimin e tij në realitet.
Prandaj, dijetarët rabbanijunë mbeten kujtesa e umetit dhe mendja e tij e gjallë. Ata e mbartin me besnikëri trashëgiminë e profetësisë, mbjellin bindjen e palëkundur në shpirtra, ripërtërijnë ndërgjegjen, formësojnë njeriun dhe i japin drejtim rrugëtimit të umetit me besim dhe largpamësi, në mënyrë që mesazhi i Islamit të mbetet i pranishëm në ndërtimin e qytetërimit, në udhëzimin e njeriut dhe në ndërtimin e së ardhmes.
Autor: Zybejr Sulltan
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Sure Muxhadile: 11.
[2] – Sure Fatir: 28.
[3] – Ebu Daudi dhe Tirmidhiu.
[4] – “Miftahu Darus Seadeti”.
[5] – Sure Ali Imran: 79.
[6] – Buhariu.
[7] – “Xhamiul Bejan”
[8] – “Fet’hul Bari”.
[9] – “Fet’hul Bari”.
[10] – “Zadul Mesir”.
[11] – “Fet’hul Bari”.
[12] – “Tefisiri i Kurtubiut.”
[13] – “Tefsiri
[14] – Sure Maide: 63.
[15] – “Fi Dhilalil Kurani”.
[16] – Sure Fatir: 28.
[17] – “Siiretul A’lamun Nubela”.
[18] – Sure Teube: 122.
[19] – Sure Nahl: 43.
[20] – Sure Nisa: 83.
[21] – Tirmidhiu.
[22] – Sure Ali Imran: 18.
[23] – Sure Zumer: 9.
[24] – “Mexhmuul Fetaua”.
[25] – Sure Sexhde: 24.
[26] – Bejhakiu.
[27] – “El Muvafekat”
[28] – “El Furuk”



















