Pyetje: “Si e gjykoni leximin e Kuranit për një të sëmurë? A lejohet ti lexojmë atij Kuran dhe lutje nga tradita profetike?
Përgjigje: “Auf ibn Maliku ka thënë:”Para islamit u lexonim të sëmurëve tanë lutje të ndryshme. Një ditë i thamë Profetit (a.s) :”O i dërguar i Allahut! Çfarë mendon ti për këto lutje që i këndojmë të sëmurëve?” Ai na tha:”Mi tregoni këto lutje!” dhe pasi i dëgjoi shtoi:”Nuk prish punë të luteni për të sëmurët, me lutje të cilat nuk përmbajnë shirk.”[1]
Transmetohet nga Xhabiri se: “I dërguari i Allahut (a.s) na pati ndaluar të këndojmë lutje (rukje).” Familja e Amr ibn Hazmit i thanë:”O i dërguar i Allahut! A mund ta lusim Zotin në rast pickimi akrepi?” Ai ua ktheu: “Mi tregoni fjalët me të cilat e lusni!” dhe pasi i dëgjoi u tha:”Nuk prish punë! Kushdo që mund ti bëjë dobi vëllait të tij, le ta bëjë!”[2]
Hafiz Ibn Haxheri ka thënë: ”Disa njerëz janë mbështetur tek hadithet e përgjithshme rreth kësaj meseleje, e për rrjedhojë kanë lejuar çdo formulë lutjesh e cila ka dhënë efekte pozitive, edhe pse mund të jetë e pakuptimtë. Por hadithi i Aufit, tregon se lutjet që përmbajnë shirk, janë të ndaluara.”[3]
Ligjshmëria e rukjes (këndimi i të sëmurit) është vërtetuar në traditën profetike, si me fjalët, veprat dhe miratimin e Profetit (a.s.) Vetë i dërguari i Zotit (a.s) u këndonte shokëve të tij të sëmurë lutje. Madje, Profetit (a.s) i ka kënduar lutje Xhibrili (a.s.) Profeti (a.s) i urdhëronte disa shokë të tij dhe ua sugjeronte familjarëve dhe të afërmve të tij.
Transmeton Aisheja, se i dërguari i Zotit (a.s), kur dikush ankohej nga një plagë, vendoste gishtin përtokë dhe duke e ngritur citonte: “Me emrin e Zotit. Dheu i tokës tonë, i përzier me sekrecionet (e gojës) që shëron të sëmurin tonë, me lejen e Zotit tonë.”[4]
Kuptimi i hadithit, është që Profeti (a.s) e lagte gishtin e tij tregues me sekrecionet e gojës, mandej me të prekte tokën. Me dheun që i ngjitej për gishti, ai fërkonte vendin e dhimbjes. Fjalët e mësipërme i thoshte dhe gjatë fërkimit.
Tregon po Aisheja, se kur Profeti (a.s) ankohej nga ndonjë dhimbje, vinte Xhibrili (a.s) dhe i këndonte lutje.[5]
Ebu Seidi ka thënë:”Një herë, Profetit (a.s) i erdhi Xhibrili (a.s) i cili e pyeti:”O Muhamed! A vuan nga ndonjë dhimbje!” Profeti (a.s) iu përgjigj:”Po.” Pasaj Xhibrili (a.s) i tha:”Me emrin e Zotit të këndoj, që të mbrojë nga çdo gjë që të lëndon, nga e liga e çdo shpirti dhe syri i ziliqarit. Zoti të shëroftë! Me emrin e Zotit të këndoj!”[6]
Tregon Aisheja se sa herë që Profeti (a.s) kishte ndonjë dhimbje, i këndonte vetes suret Felek dhe Nas. Gjatë leximit, ai frynte gjymtyrët e trupit. Kur u sëmur para vdekjes, isha unë ajo që ia lexoja këto sure duke i fryrë dhe duke e përkëdhelur me dorë.”[7]
Po Aisheja thotë se i dërguari i Zotit (a.s) e urdhëronte ti lexojë vetes për tu mbrojtur nga syri i keq.[8]
Transmeton Xhabiri se Profeti (a.s) e pyeti një ditë Esma bintu Amisin: ”Ç’ne që fiziku i bijve të xhaxhait tim (fëmijët e Xhaferit) është i ligsht?” Ajo u përgjigj: ”Nuk kanë gjë, por i kap syri i keq shumë shpejt.” Profeti (a.s) i tha: ”Këndoju diçka!”[9]
Një herë, njëri nga shokët e tij i pati lexuar Fatihanë një kryetari fisi arab, pasi ishte kafshuar nga një gjarpër. Pasi ishte shëruar, ai u kishte dhënë një tufë dele si dhuratë, por personi në fjalë i kishte refuzuar, derisa të pyesë Profetin (a.s). Ai i tha Profetit (a.s) :”Pasha Zotin, nuk i kam kënduar gjë tjetër përveç Fatihasë.” Profeti (a.s) i tha: “Merre dhuratën dhe më jep diçka dhe mua!”[10] (Buhari dhe Muslim, 1420)
Zoti e di më mirë!
Myfti: Jusuf Kardavi
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Muslimi.
[2] – Muslimi.
[3] – “Fet’hul Bari”
[4] – Buhariu dhe Muslimi.
[5] – Muslimi.
[6] – Muslimi.
[7] – Buhariu dhe Muslimi.
[8] – Buhariu dhe Muslimi.
[9] – Muslimi.
[10] – Buhariu dhe Muslimi.



















