Çdo fatkeqësi, pa dyshim, ka më të madhe se ajo vetë. Që në kohët e hershme njerëzit kanë thënë: “Disa të këqija janë më të lehta se disa të tjera”, “Një bela është më e lehtë se një tjetër”, dhe “Kush sheh fatkeqësinë e tjetrit, i lehtësohet e vetja.”
Besimtari sheh me syrin e zemrës dhe falënderon Allahun për dy gjëra: e para: për shmangien e një fatkeqësie që mund të kishte qenë më e madhe, dhe e dyta: për ruajtjen e një begatie që mund të kishte humbur. Ai shikon më parë te begatitë që ende i ka, para se të qajë për ato që i kanë ikur; dhe shikon edhe te fatkeqësitë që mund të ndodhnin, krahas asaj që i ka ndodhur realisht. Kjo, pa dyshim, sjell shumë qetësi dhe kënaqësi shpirtërore, sepse shumë fatkeqësi të mundshme janë shmangur, dhe shumë begati të mëdha janë ende të pranishme.
A ke dëgjuar Urveh ibn Zubejrin? Ai është një prej dijetarëve të mëdhenj nga gjenerata e tabi’inëve, shembull i besimtarit të durueshëm dhe të kënaqur me caktimin e Zotit, i vetëdijshëm për begatitë e Tij. Është transmetuar se këmbën ia zuri gangrena, dhe mjekët vendosën t’ia prisnin për të mos u përhapur në tërë këmbën, më pas në kofshë dhe më tej në trupin e tij. Ai pranoi që t’ia prisnin me qetësi. I ofruan një lëndë për ta dehur që të mos ndiente dhimbje gjatë prerjes, por ai tha: “Nuk mendoj se ndonjë që beson në Allahun do të pijë diçka që ia humb mendjen e nuk e njeh më Zotin e tij të Madhëruar. Prandaj, hajdeni e priteni.” Dhe ia prenë këmbën nga gjuri, ndërsa ai qëndroi i heshtur, pa folur, pa bërtitur, madje as pa lëshuar një psherëtimë.
Por caktimi i Allahut është i tillë që njeriu sprovohet sipas shkallës së besimit të tij. Po atë natë që iu pre këmba, një nga djemtë e tij – më i dashuri për të – ra nga çatia dhe vdiq. Të afërmit hynë te ai për ta ngushëlluar, por ai tha: “O Allah, Ty të takon falënderimi. I kisha shtatë fëmijë, më more një dhe më le gjashtë; i kisha katër gjymtyrë, më more një dhe më le tri. Nëse Ti më more, Ti ke qenë Ai që më ke dhënë; dhe nëse më sproveve, Ti më ke dhënë edhe mirësi.”
Autor: Jusuf Kardavi
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com



















