Egoizmi, vrasësi i heshtur: Si i shkatërron familjet?

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Egoizmi është një prej faktorëve që kërcënojnë qetësinë dhe qëndrueshmërinë e familjes. Ai është shndërruar në një dukuri të kohës sonë, të cilën rrjetet sociale dhe mediat e promovojnë në forma të ndryshme. Sot mund të dëgjosh ose të lexosh shprehje të tilla, si: “Gjëja më e rëndësishme je ti vetë” ose “Vetja jote duhet të jetë përparësia jote”. Slogane të tilla mund ta nxisin secilin anëtar të familjes të jetojë për veten, në dëm të të tjerëve.

Këtë dukuri, në terminologjinë dhe kulturën tonë, e përshkruajmë me fjalë të tilla si egoizmi, mendimi vetëm për veten dhe vendosja e interesit personal mbi të tjerët. Secili anëtar i familjes kërkon të drejtat e veta, por nuk mendon për detyrimet që ka. Kështu, “unë” bëhet më e madhe se “ne”, dhe pikërisht këtu fillon dobësimi e më pas shpërbërja e familjes.

Vitet e fundit janë shtuar mesazhet që e nxisin njeriun të mendojë vetëm për veten, të mos sakrifikojë për të tjerët dhe të tërhiqet shpejt nga marrëdhëniet bashkëshortore apo prindërore sapo përballet me një problem që kërkon durim ose lëshim.

Kështu, burri i shmanget përgjegjësive të tij, gruaja heq dorë nga roli dhe përgjegjësitë e saj, ndërsa fëmijët refuzojnë të marrin përsipër çdo detyrim brenda familjes. Për pasojë, barrat grumbullohen mbi njërin prej anëtarëve të familjes, derisa ai të ndihet se i kanë bërë padrejtësi. Me kalimin e kohës, pakësohet përkushtimi ndaj familjes dhe bashkë me të zbehet edhe dashuria dhe kënaqësia e jetës së përbashkët.

Marrëdhënia familjare fillon të ngjajë me një libër llogarish, ku secili shënon se çfarë ka dhënë dhe çfarë ka marrë. Në fund, marrëdhëniet shkëputen dhe secili prej anëtarëve të familjes fillon të jetojë më vete: ha vetëm, blen vetëm, fle vetëm dhe komunikon me veten ose me pajisjen e tij.

Kështu, çdo anëtar i familjes mund të bjerë në një egoizëm të sëmurë dhe shkatërrues. Burri egoist kërkon vetëm rehati; gruaja egoiste kërkon vetëm të drejtat e veta, pa qenë e gatshme të përmbushë detyrimet që ka; ndërsa fëmijët egoistë kërkojnë gjithçka, pa e vlerësuar atë që prindërit bëjnë dhe sakrifikojnë për ta.

Në këtë mënyrë, familja shndërrohet në një marrëdhënie thjesht funksionale, e cila nuk ndërtohet më mbi bashkëpunimin, dashurinë, vetëmohimin dhe përkushtimin. Në vend që familja të jetojë si një ekip i vetëm, ku secili ndihmon tjetrin, secili fillon të jetojë më vete. Kështu zbehet kuptimi i familjes dhe në vend të tij shfaqen vetmia dhe egoizmi.

Pikërisht për këtë realitet na ka paralajmëruar i Dërguari ynë i dashur (a.s) kur ka thënë: “Pas meje do të përballeni me përvetësim të të mirave për vete dhe me gjëra që do t’i kundërshtoni.” Ata (të pranishmit) thanë: “O i Dërguari i Allahut, çfarë na urdhëron?” Ai tha: “Përmbusheni detyrimin që keni ndaj jush dhe kërkojini Allahut të drejtën që ju takon.” Në një transmetim tjetër thuhet: “Bëni durim derisa të më takoni pranë Haudit.”

Me fjalën “përvetësim” nënkuptohet që disa njerëz t’i marrin për vete të mirat ose të drejtat, duke i privuar të tjerët prej tyre.

E bukura në udhëzimin profetik është se ai nuk e trajtoi këtë dukuri duke nxitur një egoizëm të ngjashëm. Përkundrazi, Profeti (a.s) urdhëroi përmbushjen e detyrimeve dhe ndaloi që padrejtësia të shndërrohej në kaos apo në një zinxhir padrejtësish të ndërsjella, duke kërkuar njëkohësisht që të drejtat të kërkohen përmes rrugëve të ligjshme.

Këtë e vërejmë qartë edhe sot në familje. Kur njëri prej bashkëshortëve kërkon të përvetësojë rehatinë, të marrë i vetëm vendimet dhe të kërkojë të gjitha të drejtat e veta pa marrë parasysh të drejtat e tjetrit, atëherë fillon të dobësohet dhe të shpërbëhet shpirti i familjes.

Ndërsa vetëmohimi dhe përkushtimi ndaj tjetrit e bëjnë njeriun brenda familjes të pyesë veten: “Çfarë mund të jap unë?”, egoizmi e shtyn të pyesë: “Çfarë do të marr unë?”

Prandaj, dhurata më e madhe që bashkëshortët mund t’u bëjnë fëmijëve të tyre nuk është vetëm pasuria apo edukimi, por t’u paraqesin çdo ditë një shembull të gjallë të sakrificës, bashkëpunimit, marrjes së përgjegjësive dhe luftës kundër egoizmit dhe përvetësimit të së mirës vetëm për vete.

Fëmijët nuk mësojnë aq shumë nga fjalët sa mësojnë nga shembulli që shohin para syve të tyre.

Familja nuk fillon të shpërbëhet vetëm atëherë kur pakësohet dashuria për të tjerët, por edhe kur dashuria për veten dhe egoizmi rriten në kurriz të dashurisë për familjen.

Autor: Xhasim Mutava

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *