Nga ana gjuhësore, fjala “Gusl” do të thotë “larje”. Fikhu e përkufizon Guslin me fjalët: “Larja e plotë e trupit pas kryerjes së veprimeve që e obligojnë larjen e plotë të trupit”
Veprimet që e obligojnë guslin
1- Xhunubllëku apo dalja e spermës: Me këtë kuptohet akti seksual, apo çdo formë e cila çon në daljen e spermës nga organi i mashkullit apo lëngut seksual nga organi i femrës. I Dërguari i Allahut (a.s ) ka thënë: “Uji është nga uji”[1] Kjo do të thotë: “Uji (sperma) pastrohet nga uji i pastër”.
I Dërguari i Allahut (a.s) u pyet se ç’duhet të bëjë një person, i cili shikon gjurmë sperme në rrobë, mirëpo nuk ka parë ëndërr. Ai (a.s) tha: “Të lahet”. Kurse për atë që ëndërron dhe nuk shikon gjurmë sperme në rroba, ai tha: “Nuk ka përse të lahet”.
Ummu Seleme (r.a) pyeti për gratë që kanë përjetime seksuale në ëndërr. I Dërguari i Allahut (a.s) u përgjigj: “Gratë janë njësoj si burrat (kanë të njëjtin gjykim)”[2]
2- Bashkimi i organeve seksuale, edhe nëse nuk del gjë prej tyre: Aishja (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Nëse bashkohen organet [fillohet akti intim], obligohet larja e plotë e trupit”[3]
3 – Ndërprerja e gjakut të lehonisë dhe menstruacioneve: Aishja (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) i tha Fatime bint Xhahshit: “Kur të të vijë cikli menstrual, mos u fal dhe kur të të mbarojë cikli menstrual, lahu (merr gusul) dhe pastaj falu!” Muadhi (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Nëse gruaja lehonë kalon shtatë ditë dhe i pushon gjaku, le të lahet dhe të falet.”
Farzet e guslit
Gusli ka tre farze. Ato janë:
1- Shpërlarja e gojës
2- Larja e hundës sa më në brendësi që të jetë e mundur
3- Larja e plotë e trupit.
Ibn Abasi (r.a) tregon, se Mejmunja (r.a), – bashkëshortja e të Dërguarit të Allahut (a.s), – i përgatiti ujin për t’u larë. Ai (a.s) i lau duart dy-tre herë, më pas hodhi ujë në grushtin e dorës së majtë dhe lau organin, më pas fshiu dorën për toke, lau gojën duke e shpërlarë atë dhe pastaj lau hundën. Më pas hodhi ujë në trupin e tij, u largua pak më tutje dhe në fund lau këmbët”[4]
Sunetet e guslit
Gusli ka shtatë sunete. Ato janë:
1- Fillimi me “bismil`lah”: I Dërguari i Allahut (a.s) thotë:“Mbulesa mes xhindëve dhe pjesëve të turpshme të njeriut, kur ai futet në banjo, është thënia Bismilah”[5]
2- Nijeti: I Dërguari i Allahut (a.s) thotë: “Veprat janë sipas qëllimeve…”[6]
3- Pastrimi i papastërtisë: Aishja (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) e fillonte larjen nga e djathta, hidhte ujin në vendin ku kishte papastërti, të cilën e lante me dorën e majtë”[7]
4- Larja e duarve deri në kyçe: Aishja (r.a) tregon, se kur i Dërguari i Allahut (a.s) donte të lahej nga xhunubllëku, lante duart e më pas merrte abdes si për namaz”[8]
5- Larja e pjesëve intime: Ibn Abasi (r.a) tregon, se Mejmunja (r.a) – bashkëshortja e të Dërguarit të Allahut (a.s) – i përgatiti ujin për t’u larë. Ai (a.s) i lau duart dy-tre herë, më pas hodhi ujë në grushtin e dorës së majtë dhe lau pjesët intime”[9]
6- Marrja abdes si për namaz: Aishja (r.a) tregon, se kur i Dërguari i Allahut (a.s) dëshironte të lahej nga xhunubllëku, lante duart para se t`i fuste në enë, më pas lante pjesët intime, merrte abdes siç merrte për namaz dhe pastaj lahej komplet, duke e hedhur ujin me grushta”[10]
7- Shpërlarja e trupit 3 herë: Hadithet që flasin për Guslin e të Dërguarit të Allahut (a.s), përshkruajnë se ai shpërlahej tre herë. Nuk është kusht, që femra të zgjidhë gërshetat gjatë larjes. Umu Seleme (r.a) tregon, se e pyeti të Dërguarin e Allahut (a.s): “Unë jam një femër, e cila i lidh flokët gërshtet. A duhet t`i zgjidh ato, kur të lahem nga xhunubllëku”? I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) tha: “Jo! Të mjafton që t`i hedhësh kokës tre grushta me ujë dhe më pas laj komplet trupin”[11]
Mendubet (të preferuarat) e guslit
Pëlqehet që personi të lahet në një vend, ku nuk e sheh askush dhe të mbulohet. Ibn Abasi (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) e urdhëroi Aliun (r.a) që t’i sillte një enë me ujë që të lahet dhe i tha: “Më mbulo dhe largohu”[12]
Jala ibn Umeje (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) pa një person, i cili po lahej lakuriq në një vend të hapur. Ai (a.s) u ngjit në Minber, falenderoi Allahun dhe më pas tha: “Allahu i Madhëruar është i Turpshëm, i Mbuluar, e do turpin dhe mbulimin. Kur ndonjëri prej jush lahet, le të mbulohet (të fshihet nga sytë e njerëzve)”[13] Pëlqehet që të mos flitet gjatë kohës që merret Gusl.
Rëndësia e guslit
Gusli ka rëndësi shumë të madhe, sepse është kusht për kryerjen e shumë adhurimeve, prandaj besimtari duhet të lahet nga xhunubllëku, sapo t`i jepet mundësia dhe në kohën më të shpejtë. Është tepër e papëlqyeshme, që personi të qëndrojë xhunub pa pasur arsye.
Ibn Umeri (r.a) tregon nga babai i tij, se kur Xhibrili (a.s) e ka pyetur të Dërguarin e Allahut (a.s) për Islamin, ai i është përgjigjur: “Islami është: të dëshmosh se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Tij, të falësh namazin, të japësh Zekatin, të kryesh Haxhin dhe Umran, të lahesh nga xhunubllëku, të përsosësh abdesin, të agjërosh Ramazanin”. Umeri (r.a) thotë: “Xhibrili (a.s) e pyeti: “A jam musliman, nëse i bëj të gjitha këto”? I Dërguari i Allahut (a.s) ia ktheu: “Po”. Xhibrili (a.s) tha: “Të vërtetën the”[14]
Amar ibn Jasir (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Tre personave nuk u afrohen engjëjt; kufomës së jomuslimanit, mashkullit që lyhet me këna dhe atij që është xhunub. Përjashtim bën personi xhunub, i cili merr abdes”[15]
Ali ibn Ebi Talib (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Engjëjt nuk hyjnë në atë shtëpi që ka pikturë, qen ose person xhunub (qoftë femër apo mashkull)”[16]
Ibn Abasi (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Tre personave nuk u afrohen engjëjt; atij që është xhunub, të dehurit dhe atij që lyhet me këna dhe parfum femrash”[17]
Rastet kur pëlqehet të merret gusl
1- Në ditën e Xhuma: Semurah ibn Xhundub (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kush merr abdes në ditën e Xhuma, ka vepruar mirë, ndërsa kush lahet (Gusl) në ditën e Xhuma, ka vepruar edhe më mirë”[18] Koha e larjes në ditën e Xhuma është nga agimi i kësaj dite deri para faljes së namazit.
2- Në ditën e Fitër Bajramit dhe Kurban Bajramit: Ibn Abasi (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) merrte Gusl në ditën e Xhuma, në ditën e Fitër Bajramit dhe në ditën e Kurban Bajramit.”[19]
Është vërtetuar gjithashtu, se një grup sahabësh dhe tabi`inësh merrnin Gusl në këto dy ditë. Një person e pyeti Aliun (r.a) për guslin. Aliu (r.a) iu përgjigj: “Po të duash, lahu për çdo ditë”. Personi i tha: “Po të pyes për Guslin (që merret për adhurime të veçanta)”. Aliu (r.a) tha: “Merr Gusul ditën e Xhuma, ditën e Arafatit, ditën e Kurbanit dhe ditën e Fitër Bajramit”
3- Personi që ka larë të vdekurin: Ebu Hurejra (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kush e lan të vdekurin, le të lahet edhe vetë, kush e mbart të vdekurin, të marrë abdes”[20]
4- Kur bëhet nijeti për të veshur Ihramin për Haxh ose për Umra: Zejd ibn Thabit (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) zhvishte rrobat e zakonshme dhe merrte Gusl, para se të vishte Ihramin.[21]
5- Para hyrjes në Meke: Ibn Abasi (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) lahej, para se të hynte në Meke”[22]
6- Kur personi që i ka rënë të fikët vjen në vete: Aishja (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) deshi të falej me njerëzit. Ai u la dhe kur po shkonte për t’u falur, i ra të fikët. Atij i ndodhi kjo gjë disa herë, pra sa herë që i binte të fikët, merrte gusul”[23]
7- Nuk pëlqehet marrja e abdesit pas Guslit: Aishja (r.a) thotë: “I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) nuk merrte abdes, pasi kishte marrë Gusul”[24]
Çfarë i ndalohet personit që është xhunub
Dijetarët kanë përmendur disa gjëra, të cilat i ndalohen personit që është xhunub. Ato janë:
1- Falja e namazit: Allahu i Madhëruar thotë: “O besimtarë! Kur doni të falni namaz, lani fytyrën dhe duart deri në bërryla, kurse kokën fshijeni me dorë të lagët; lani edhe këmbët deri në nyje. Nëse jeni të papastër (si pasojë e marrëdhënieve bashkëshortore apo e derdhjes së farës), pastrohuni”[25]
2- Tavafi: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Tavafi është namaz, por Allahu i ka lejuar fjalët gjatë Tavafit, prandaj ai që flet le të flasë vetëm fjalë të mira”[26] Pra, siç është abdesi kusht për namazin, është kusht edhe për Tavafin.
3- Prekja e Kuranit: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Askush të mos e prekë Kuranin, përveç atij që është i pastër”[27] Dijetarët përfshijnë edhe leximin e librave të Tefsirit të Kuranit. Personit që është xhunub, nuk i lejohet të mbartë Kuranin.
4- Leximi i Kuranit dhe shkrimi i tij: Aliu (r.a) ka thënë: “I Dërguari i Allahut (a.s) na lexonte Kuran, përveç rasteve kur ishte xhunub”[28] Ibn Umeri (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Ai që është xhunub dhe femra me cikël menstrual nuk lexojnë Kuran”[29]
Disa dijetarë përjashtojnë nga ky rregull: leximin e Fatihasë, ajetit Kursij dhe sureve Ikhlas, Felek dhe Nas, kur ato këndohen si lutje, si dhe mësimin e Kuranit nga femra, kur ajo është me menstruacione, mirëpo ajo nuk duhet që ta prekë Kuranin. Allahu e di më mirë!
5- Qëndrimi në xhami: Allahu i Madhëruar thotë: “O besimtarë! Mos u falni kur jeni të dehur, prisni të kthjelloheni e të dini se ç’flisni; as kur jeni të papastër – përveçse nëse kaloni kalimthi (nëpër xhami), derisa të laheni”[30]
Umu Seleme (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Femra me menstruacione dhe ai që është xhunub nuk lejohet të qëndrojnë në xhami”
Personi i cili është xhunub, lejohet që të dëgjojë Kuran, të bëjë dhikër, të bëjë dua, të takojë njerëzit, të hajë me ta etj. Aishja (r.a) ka thënë: “I Dërguari i Allahut (a.s) e përmendte Allahun në çdo rast (dhe në çdo gjendje)”
Autor: Rushit Musallari
[1] – Muslimi.
[2] – Ebu Daudi, Tirmidhiu, etj. Hadithi është i saktë.
[3] – Muslimi.
[4] – Buhariu dhe Muslimi.
[5] – Tirmidhiu, Ibn Maxheh, etj. Hadithi është i saktë.
[6] – Buhari dhe Muslimi.
[7] – Buhariu dhe Muslimi.
[8] – Buhariu dhe Muslimi.
[9] – Buhariu dhe Muslimi.
[10] – Buhariu dhe Muslimi.
[11] – Muslimi.
[12] – Ahmeti. Hadithi është i saktë.
[13] – Ebu Daudi. Hadithi është i saktë.
[14] – Ibn Huzejme, Darakutni,etj. Hadithi është i saktë.
[15] – Ebu Daudi. Hadithi është i saktë.
[16] – Ebu Daudi. Hadithi është i saktë.
[17] – Bezari në Keshaf. Hadithi është i saktë.
[18] – Ebu Daudi, Tirmidhiu, etj. Hadithi është i saktë.
[19] – Ibn Maxheh dhe Ahmeti. Hadithi është i dobët.
[20] – Ebu Daudi, Tirmidhiu, etj. Hadithi është i saktë.
[21] – Tirmidhiu dhe Ibn Huzejme. Hadithi është i saktë.
[22] – Buhariu dhe Muslimi.
[23] – Buhariu dhe Muslimi.
[24] – Ebu Daudi, Tirmidhiu, etj. Hadithi është i saktë.
[25] – Sure Maide: 6.
[26] – Tirmidhiu. Hadithi është i saktë.
[27] – Tabaraniu në Kebir. Hadithi është i saktë.
[28] – Ebu Daudi, Tirmidhiu,etj. Hadithi është i saktë.
[29] – Tirmidhiu dhe Ibn Maxheh. Hadithi është i saktë.
[30] – Sure Nisa: 45.