Ç’është humanizmi?
Humanizmi është definuar si vijon: “Ndjenjë e lartë dhe dashuri e thellë ndaj njerëzve, kujdes për mirëqenien e njerëzve, qëndrim njerëzor”[1]
Personaliteti dhe misioni i Pejgamberit (s.a.v.s) ka qenë mishërim i humanizmit të vërtetë dhe reflektim i ndjenjave të thella njerëzore, përpjekje për mirëqenien e njeriut dhe qëndrim i thellë njerëzor ndaj të gjithëve.
Misioni i tij qe shpëtim i njeriut nga ankthi i idhujtarisë dhe bestytnive të kota, që në fakt, flet se ka kalitur dashuri të lartë ndaj njeriut, sepse sikur të mos ishte i këtillë, nuk do të vepronte në drejtim të kthimit të dinjitetit të njeriut, të nëpërkëmbur nga besimet pagane alogjike.
Pejgamberi (s.a.v.s.) vendosi raporte të reja në marrëdhëniet ndërnjerëzore në të gjitha segmentet jetësore, gjegjësisht: në atë shoqëror, ekonomik, politik, etj.
I luftoi ashpër dhe i sanksionoi rreptë, të gjithë ata që e prishnin imazhin e shoqërisë dhe të njeriut, dhe një kohësisht shkaktonin trazira e tollovi, i frynin anarkisë dhe tentonin që t’i dëmtojnë njerëzit e ta humbin shijen e jetës, si rezultat i kaosit, pasigurisë, tendencave destruktive dhe përhapjes së sherrit në shoqëri.
I Dërguari i Allahut, paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, i luftoi të gjitha format e veprimit dhe sjelljes, të cilat e prishin baraspeshën shoqërore, dhe nuk ofrojnë kushte për mirëqenie njerëzore, si: racizmi, shkelja e të drejtave të njeriut, dhuna, birokracia, politika pa moral, ekomomia dhe biznesi pa norma morale, ose thënë ndryshe pa besim në Zot, korrupsioni, trathtia, dukuritë devijante etj.
Me një fjalë, çdo gjë që ndikon negativisht në mirëqenien e njeriut dhe stabilitetin e shoqërisë, i Dërguari i Allahut, paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, e ka luftuar energjikisht. Transmentohet se i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) ka thënë: “Njeriu është vepër madhështore e Allahut, i mallkuar është ai që që e rrënon atë”.
Qëndrimi njerëzor ndaj të gjithë individëve dhe bashkësive, ka qenë thelbi i misionit pejgamberik, ai me qëndrimin e tij korrekt ndaj tjerëve, i hodhi bazat e dialogut ndërfetar, respektit të ndërsjellë mes njerëzve dhe luftimit të të gjitha formave të shkeljes së dinjitetit njerëzorë, si në aspektin nacional, racor, lokal, të prejardhjes, social, etj.
Në vazhdim, do të nënvizojmë disa fakte, që demonstrojnë qartë humanitetin e Muhammedit (s.a.v.s.)
1 – Dekorimi i njeriut si qenie njerëzore:
Njeriu në koncepcionin islam shihet si qenie më e dalluar e Zotit, dhe si i tillë e ka vendin e vetë meritor. Së këndejmi, Islami energjikisht i ka luftuar të gjitha format dhe trajtat e zhvleftësimit të njeriut, nga cilido aspekt qoftë, gjegjësisht: në bazë të racës, kombit, prejardhjes, vendit, statusit social, pasurisë etj.
Islami njeriun e nderon si njeri, pa marrë parasysh se cilës race, komb, vend etj, i takon. Do të thotë, nga ky aspekt, Islami njerëzit i konsideron të barabartë. Allahu i Madhërishëm thotë: “O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s’ka dyshim se tek Allahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur e Allahu është shumë i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë.”[2]
Edhe Muhammedi (s.a.v.s.) në shumë hadithe të tij, e ka potencuar çështjen e barazisë së njerëzve në aspektin e krijimit dhe të qenit e tyre robër të Allahut të Madhërishëm, gjegjësisht apstrahimit të vlerësimit të njerëzve në bazë të kombit apo ngjyrës së lëkurës, e të ngjashme.
Kështu, tansmentohet se i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) ka thënë: “Njerëzit janë të barabartë, si dhëmbët e krëhërit”.
Po ashtu, në një hadith tjetër, thotë: “Nuk është më i vlefshëm arabi ndaj jo arabit, as i bardhi ndaj të ziut, përpos se me devotshmëri”.
Në një hadith tjetër thotë: “Njëmend, Allahu nuk e shiqon pamjet dhe pasurinë tuaj, por jua shiqon zemrat dhe veprat tuaja”[3]
2 – Ndihma e ndërsjellë:
Muhammedi, paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, në shumë thënie të tij, u bën thirrje njerëzve që të ndihmohen mes veti, të soldiarizohen dhe mos ia kthejnë shpinën njëri tjetrit. Me këtë, vë në dukje faktin se ata kanë përgjegjësi ndaj njëri-tjetrit, edhe nëse nuk i lidh farefisnia. Kjo ndjenjë e përgjegjësisë shoqërore, realisht e humanizon njeriun dhe e bën më të ndjeshëm ndaj nevojave të të tjerëve.
Në këtë kontekst, duhet theksuar se i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) ka folur në drejtim të ndihmës dhe solidaritetit, si në mes pjestarëve të të njejtës fe, po ashtu edhe atyre të feve tjera.
Allahu i Madhërishëm thotë: “Urrejtja ndaj një populli, që iu pat penguar nga xhamia e shenjtë, të mos ju shtyjë të silleni në mënyrë të padrejtë kundër tyre. Ndihmohuni mes vete me të mira dhe në të mbara, e mosni në mëkate e në armiqësi. Kini droe dënimit të Allahut, se me të vërtetë Allahu është ndëshkues i fortë.”[4]
Në këtë drejtim ka folur edhe i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) në shumë hadithe.
Kështu, transmentohet se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Muslimani është vëlla i muslimanit, nuk i bën padrejtësi dhe nuk e dorëzon.Kush është në ndihmë të vëllaut të tij, Allahu do të jetë në ndihmë të tij. Kush ia largon muslimanit një brengë, Allahu do t’ia largojë atij një brengë nga brengat e botës tjetër, e kush e mbulon një musliman, Allahu do ta mbulojë atë në ditën e gjykimit”[5]
Në një hadith tjetër, i dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë:” Mos e kini zili njëri tjetrin, mos i ngritni çmimet e gjërave pa patur për qëllim t’i bleni, mos e urreni njëri tjetrin, mos ia ktheni shpinën njëri-tjetrit, mos të blejë dikush diçka që e ka bërë pazar tjetri për ta blerë, por, jini robër të Allahut vëllezër.Muslimani është vëlla i muslimanit, nuk i bën padrejtësi, nuk e len në baltë dhe nuk e nënçmon…”(Transmenton Muslimi).
Po ashtu, Muhammedi (s.a.v.s.) dorën e ndihmës e ka zgjatur edhe për pjestarët e feve tjera. Në këtë drejtim, ai ka porositur që të respektohet dhe të mbrohet e drejta e fqiut maksimalisht, duke mos nënvizuar se fqiu duhet të jetë musliman. Pra, respektimi dhe mbrojtja e të drejtës së fqiut, nënkupton edhe fqiun e fesë tjetër.
Në një rast, i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) u interesua në veçanti a i është dërguar mish kurbani një hebreji që ishte fqiu i tij.
Po ashtu, ai i vizitonte fqinjët e tij, edhe nëse nuk ishin musliman. Bile, në një rast, një djalosh ishte në shtratin e vdekjes, dhe e vizitoi i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) të cilin edhe e thirri në Islam. Prindi i tha: Vepro si të thotë babai i Kasimit (Pejgamberi)!
Këto dhe shumë transmentime tjera, faktojnë se misioni i tij ka qenë human, i cili ka thirrur në solidaritet, ndihmë të ndërsjellë dhe respekt të të gjithë njerëzve.
3 – Ndalimi i padrejtësisë:
Misioni i Pejgamberit të Allahut, në veçanti vuri theks në ndalimin e zullumit-padrejtësisë të të gjitha llojeve dhe ndaj të gjithë njerëzve.
Pejgamberi (s.a.v.s.) nuk pranoi në asnjë mënyrë që në shoqërinë Islame të shkelet njeriu dhe të nëpërkëmben të drejtat e dinjiteti i tij.
Në këtë drejtim, i ndaloi të gjitha format e nënçmimit të personalitetit të njeriut, si: shpifja, përgojimi, sharja, fyerja, publikimi i të metave, llagapet e këqija, theksimi i dyshimeve, dëshmia e rrejshme, etj.
Po ashtu, ndaloi të bëhet padrejtësi ndaj njeriut edhe në aspektin material. Për këtë, e ndaloi: kamatën, miton, korrupsionin, ngrënien e pasurisë së jetimit, vjedhjen, abuzimin me detyrën, ngrënien e pasurisë së njerëzve në mënyrë të pa drejtë, mos pagesën e hakut të punëtorit, deponimin e pasurisë dhe mos dhënien e zekatit, monopolin etj.
Transmentohet se i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) ka thënë: “Çdo musliman ndaj muslimanit i ka të ndaluar: Gjakun, pasurinë dhe nderin e tij”[6]
I Dërguari i Allahut, paqa dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të, ka folur konkretisht edhe për zullumin-padrejtësinë, dhe thotë: “Ruajuni nga zullumi, sepse zullumi është errësira në ditën e gjykimit. Ruajuni nga kopracia, sepse kopracia i shkatërroi ata të cilët ishin para jush. I çoi t’i derdhin gjaqet e tyre dhe i shkelën gjërat e ndaluara”[7]
Në drejtim të mbrojtjes së të drejtave të pjestarëve të feve tjera, i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) ka ndaluar që të dëmtohen ata.
Kështu, transmentohet se i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) ka thënë: “Kush e dëmton një dhimmij (jo musliman ,hebrej a krishter, i cili jeton në shtetin islam), unë do të jemë paditësi i tij në ditën e gjykimit”[8]
Po ashtu, me ardhjen e tij në Medine, ku kishte edhe një numër të konsiderueshëm të hebrenjve, i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) e përpiloi kartën e Medines-kushtetutën, ku i përcaktoi të drejtat dhe obligimet e tyre. Pra, i mori në mbrojtje të shtetit.
Humanizmi i Pejgamberit të fundit të Allahut, Muhammedit (s.a.v.s) shihet edhe në luftë. Ai, edhe në luftë ka qenë i mëshirshëm. Ka ndaluar nga të gjitha format e masakrës dhe sjelljes shtazarake me njerëzit, edhe nëse janë armiq.
Kështu, shokët e tij, përcjellin se ai vazhdimisht i ka porositur ushtarët e shtetit islam, kur janë nisur për në ndonjë luftë, që mos vrasin gra që nuk luftojnë, mos vrasin fëmijë, pleq të mbetur që nuk marrin pjesë në luftë, adhurues që qëndrojnë të mbyllur në faltore dhe bëjnë adhurim e luten, mos shaktërrojnë gjëra pa nevojë, si: toka bujqësore, bagëti, ndërtesa etj.
4 – Qëndrimi ndaj botës shtazore:
I Dërguari i Allahut, paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi, jo vetëm që ndërtoi qëndrim të qartë dhe human ndaj njerëzve, por thirri edhe në qëndrim human edhe ndaj kafshëve.
Në këtë drejtim, ai ndaloi që kafshët të shndërrohen në cak për t’u gjuajtur, vetëm që dikush të shfryjë epshin e tij. Ndaloi të mundohen dhe të ngarkohen kafshët përtej fuqisë së tyre reale që kanë, si dhe të rrihen për kot.
I Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) ka shkuar edhe më larg në këtë drejtim. Gjegjësisht, tregoi se një grua kishte hyrë në zjarr, për shkak të qëndrimit jo njerëzor ndaj kafshëve. Me fjalë tjera, ajo kishte patur një mace, të cilën e kishte mbyllur dhe nuk e kishte të lënë të lirë të hajë ç’ka të gjejë në natyrë, po as ajo e kishte ushqyer. Kështu, maca ngordhi, kurse ajo për këtë u dënua me Xhehenem.
Nga ana tjetër, tregon për një grua mëkatare se Allahu ia kishte falur, për shkak se i kishte dhënë ujë një qeni të këputur nga etja. Ajo kur e kishte parë, kishte zbritur në pus dhe kishte marrë ujë me këpucët e i kishte dhënë qenit. Për këtë vepër humane, Allahu i Madhërishëm ia fali mëkatet.
Pra, Pejgamberi (s.a.v.s.) ndërtoi raporte humane të njeriut me njeriun, të mirat materiale dhe kafshët d.m.th. i përfshiu të gjitha llojet e krijesave.
Njëmend, jam shumë i vetëdijshëm se jo këto pak fletë, po sado që të jenë, nuk mund ta përfshijnë gjithë atë që mund të thuhet për humanitetin e Muhammedit, paqa dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të. Por, unë do ta përfundoj me fjalët e një mendimtari musliman të shekullit njëzet, i cili thotë: “Faktikisht Muhammedi si njeri është magjepsës. Mirëpo, kur me atë dikush prezantohet, atëherë madhëria e tij tejkalon çdo kufi të lëvdatës…
Por krejt ç’ka dëshiroj të arrij me atributin njeri, është vërejtje se tregimin tim do t’ia kushtoj anës njerëzore e cila është e përbashkët edhe për Muhammedin (a.s.) edhe për të gjithë njerëzit, por me këtë ai, njëkohësisht dallohet prej njerëzve tjerë.
Ky dimension i tij njerëzor, të cilin e karakterizon emotiviteti, ndjenjat e pastërta të barabarësisë dhe të spontanitetit, është apostafat ajo që e çudit dhe e mahnit njeriun…”[9]
Lutja jonë e fundit është: I tërë falënderimi i sinqertë i takon vetëm Allahut, Zot i botëve.
Autor: Bashkim Aliu
[1] – Shih Fjalorin e sotshmë të gjuhës shqipe, fq: 697, Tiranë: 1980. Kryeredaktor: Androklli Kostallari
[2] – Sure Huxhurat: 13.
[3] – Muslimi.
[4] – Sure Maide: 2.
[5] – Buhariu dhe Muslimi.
[6] – Muslimi.
[7] – Muslimi.
[8] – Buhariu.
[9] – “Humaniteti i Muhamedit” fq: 8 – 9, Halid Muhamed Halid.