“Përse, pra, të mos dalë…” Si arrin një ajet i vetëm të përvijojë projektin e umetit për përvetësimin e dijes, kthimin te njerëzit dhe reformimin e tyre?

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Allahu i Madhëruar thotë: “Përse, pra, të mos dalë nga çdo grup i tyre një pjesë, që të thellohen në njohjen e fesë dhe që ta paralajmërojnë popullin e tyre kur të kthehen tek ata, në mënyrë që ata të ruhen?”[1]

Ky ajet fisnik mbart një ndërtim kuranor jashtëzakonisht të thellë dhe të ekuilibruar, pasi paraqet një projekt hyjnor të plotë për formësimin e vetëdijes, ndërtimin e umetit, lidhjen e dijes me veprimin, përgatitjen, kthimin, reformimin dhe rifillimin e ngritjes së tij.

Komentuesit e Kuranit e kanë trajtuar këtë ajet në kontekstin e sqarimit të obligimit kolektiv (farz kifaje), domosdoshmërisë së thellimit në dije fetare dhe ngritjes së një grupi nga umeti për detyrën e mësimdhënies dhe paralajmërimit, siç shihet në tefsiret e imam Tabariut, Kurtubiut, Ibn Kethirit dhe të tjerëve. Megjithatë, ndërtimi kuranor i këtij ajeti shtrihet gjithashtu në një horizont të gjerë qytetërimor, që lidhet me lëvizjen e umetit, funksionin e dijes dhe përgjegjësinë e reformimit e të ndërtimit.

Duke medituar mbi renditjen e ajeteve, shpalosen tiparet e një projekti kuranor të plotë, pjesët e të cilit organizohen në një strukturë graduale, tejet harmonike dhe të ndërlidhur.

Së pari: Thirrja për lëvizje dhe rifillimin e ngritjes

“Përse, pra, të mos dalë…”

Kurani e hap këtë projekt me një thirrje që mbart kuptimin e ngritjes, lëvizjes, daljes për kërkimin e dijes dhe rifillimin e veprimtarisë; sepse kombet ripërtërihen përmes vetëdijes, forcohen përmes lëvizjes dhe e zgjerojnë aftësinë e tyre për ndërtim kur drejtohen kah mësimi, përvoja dhe përgatitja.

Fjala “nefir” (dalje, mobilizim) në Kuran është përdorur e lidhur me veprimin dhe marrjen e përgjegjësisë, si në fjalën e Allahut: “Dilni në luftë, qofshi të lehtë apo të rënduar!”[2]

Prandaj, nocioni i daljes këtu e tejkalon kuadrin e një udhëtimi të kufizuar dhe shndërrohet në një shpallje hyjnore se umeti i gjallë është një umet që lëviz, mëson dhe ndërton mjetet e ngritjes së vet në fusha të ndryshme.

Kështu, kërkimi i dijes së dobishme bëhet pjesë e lëvizjes së madhe të umetit, sepse dija, sipas konceptimit kuranor, vepron brenda një projekti që formon njeriun, ruan largpamësinë dhe i jep umetit aftësinë për të rikthyer praninë dhe mesazhin e tij.

Së dyti: Vizioni i plotësimit të ndërsjellë dhe shpërndarjes së roleve

“Nga çdo grup i tyre një pjesë…”

Kjo shprehje kuranore zbulon një vizion të gjerë që mbështetet në plotësimin e ndërsjellë të roleve dhe larmishmërinë e specializimeve, sepse umeti ndërtohet përmes zgjerimit të fushave të kontributit, shpërndarjes së energjive dhe plotësimit të funksioneve sipas nevojave të realitetit dhe kërkesave të ngritjes.

Në këtë kuptim përfshihen dijetarët, edukatorët dhe mendimtarët, por gjithashtu edhe ekspertizat mjekësore, inxhinierike, mediatike, teknologjike, ekonomike dhe të gjitha specializimet e tjera që ruajnë forcën, qëndrueshmërinë dhe aftësinë ndërtuese të umetit.

Dijetarët e tefsirit kanë vënë në dukje se veçimi i një “pjese” nga çdo grup tregon organizimin e funksioneve brenda umetit, në mënyrë që lëvizja e shoqërisë të mbetet e ekuilibruar dhe secili grup të kryejë detyrën e vet në reformim dhe ndërtim.

Prandaj, umeti në konceptimin kuranor paraqitet si një sistem i integruar, ku energjitë shpërndahen dhe aftësitë orientohen drejt një qëllimi të përbashkët, i cili ruan ekuilibrin dhe i hap umetit dyert e ngritjes dhe të rikthimit të rolit të tij aktiv.

Së treti: Qëllimi i formimit dhe ndërtimi i largpamësisë

“Që të thellohen në njohjen e fesë”

Thellimi në dije këtu përqendrohet në kuptimin e shpalljes dhe në përvetësimin e fesë, por ndikimi i tij shtrihet edhe në formimin e largpamësisë, orientimin e lëvizjes së njeriut dhe drejtimin e marrëdhënies së tij me jetën dhe qytetërimin.

Në thelbin e vet, fikh-u është ndërtim i një vizioni, formësim i vetëdijes dhe lidhje ndërmjet tekstit hyjnor dhe realitetit, ndërmjet udhëzimit që vjen nga qielli dhe zhvillimeve të jetës.

Për këtë arsye, Kurani e lidh fikh-un me kuptimin e thellë dhe perceptimin e saktë. Allahu i Lartësuar thotë: “Ç’kanë këta njerëz që mezi e kuptojnë fjalën?”[3]

Po ashtu, Kurani nxit vëzhgimin, meditimin dhe zbulimin e ligjeve të Allahut në univers dhe në jetë. Allahu i Madhëruar thotë: “Vërtet, në këto ka shenja për njerëzit që mendojnë.”[4]

Këtu bëhet i qartë harmonizimi ndërmjet udhëzimit të shpalljes dhe dijes së dobishme, sepse Islami formon njeriun që bashkon besimin me largpamësinë, vlerat me përvojën, udhëzimin me aftësinë për të kontribuar në ndërtimin e jetës.

Për këtë arsye Allahu thotë: “Ai ju krijoi nga toka dhe ju ngarkoi me detyrën e ndërtimit e të përparimit të saj.”[5]

Kështu, Allahu e bëri ndërtimin dhe zhvillimin e tokës pjesë të misionit të njeriut në ekzistencë, duke e lidhur dijen me mesazhin e ndërtimit, reformimit dhe përmirësimit të jetës.

Së katërti: Misioni i kthimit dhe rifillimi i ndërtimit

“Kur të kthehen tek ata”

Në këtë pjesë shfaqet një nga çështjet madhore të ndërtimit kuranor, sepse ajeti e lidh të mësuarit me kthimin dhe përvetësimin e dijes me përgjegjësinë e ndërtimit dhe reformimit.

Dija, sipas konceptimit kuranor, vepron brenda jetës së umetit, lidhet me nevojat e tij dhe orientohet drejt shërbimit të njeriut, shoqërisë dhe krijimit të kushteve për ngritje.

Prandaj ajeti e rendit thellimin në dije përpara kthimit, sepse ai që është më pranë popullit të vet e kupton më mirë dhimbjen e tyre, i sheh më qartë nevojat e tyre dhe është më i aftë ta shndërrojë dijen në një projekt të gjallë reformues.

Shoqëritë kuptohen përmes bashkëjetesës me to, lexohen nga brenda mjedisit të tyre dhe ndryshimet e tyre zbulohen përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me njerëzit dhe realitetin e tyre të përditshëm. Kjo përvojë i jep njeriut aftësinë të dallojë çrregullimet në sistemin e vlerave, dobësimin e kohezionit shoqëror apo devijimet në orientim.

Për këtë arsye, bijtë e umetit mbajnë një përgjegjësi të madhe për t’u kthyer te vendet, shoqëritë dhe mjediset e tyre njerëzore. Ai që jeton mes popullit të vet prek nga afër hollësitë e jetës së tyre, kupton gjuhën e tyre psikologjike, shoqërore dhe kulturore, si dhe arrin të përthithë natyrën e ndryshimeve që ndikojnë në mendimet, prioritetet dhe orientimet e tyre.

Në këtë nivel, kthimi nuk mbetet më thjesht një lëvizje gjeografike, por shndërrohet në një kthim misionar e ekzistencial; një kthim që ndan me njerëzit dhimbjet e tyre, kontribuon në ndërtim dhe rikthen lidhjen e dijes me jetën, të shkencës me nevojat e shoqërisë dhe të përvojës me përgjegjësinë e reformimit.

Në realitetin e sotëm të umetit – me atë që shumë shoqëri përjetojnë nga shpërngulja, trazirat dhe dobësimi i kohezionit të brendshëm – ky ajet shfaqet si një projekt kuranor për rilidhjen e njeriut me umetin e tij, për lidhjen e dijes me mbrojtjen e identitetit, restaurimin e strukturës së brendshme dhe rifillimin e ngritjes pas etapave të gjata të dobësisë dhe thyerjes.

Ky kuptim gjithashtu zbulon rrezikun që migrimi për dije ose mërgimi intelektual të shndërrohet në një shkëputje të gjatë nga shoqëritë dhe atdheu. Një umet që humbet bijtë e tij të specializuar humbet një pjesë të aftësisë së vet për të rikthyer ekuilibrin, për të përshpejtuar ngritjen dhe për të rindërtuar forcën e brendshme.

Prandaj, kthimi te populli mbetet një pjesë thelbësore e frymës së mesazhit islam dhe një vazhdimësi e natyrshme e kuptimit të thellimit në dije, paralajmërimit dhe reformimit që ka vizatuar ky ajet fisnik.

Së pesti: Funksioni i reformimit dhe krijimi i vetëdijes së zgjuar

“Dhe që ta paralajmërojnë popullin e tyre”

Pra, që të përmbushin detyrën e ndërgjegjësimit, reformimit, udhëzimit dhe ndërtimit të një vetëdijeje kolektive të zgjuar; sepse qëllimi i dijes shtrihet përtej vetvetes, duke përfshirë mbrojtjen e shoqërisë nga çrregullimet në besim, paqartësitë intelektuale, shpërbërja morale dhe humbja e orientimit.

Për këtë arsye, dija në konceptimin islam është lidhur ngushtë me misionin e sqarimit dhe udhëzimit. Allahu i Lartësuar thotë: “Kur Allahu mori besëlidhjen prej atyre që iu dha Libri: “Ju do t’ua sqaroni atë njerëzve dhe nuk do ta fshihni.”[6]

Kështu, dija shndërrohet në një mesazh që ndërton njeriun, ruan largpamësinë dhe ia rikthen umetit aftësinë për të kuptuar drejt dhe për të bërë zgjedhje të mençura.

Prandaj, dijetarët, reformatorët dhe edukatorët kanë mbetur gjatë gjithë historisë faktorë të rëndësishëm për ruajtjen e stabilitetit të shoqërive, sepse ata mbartin funksionin e paralajmërimit në kuptimin e tij të gjerë: zgjojnë umetin nga pakujdesia, riorganizojnë vizionin e tij dhe e drejtojnë drejt shkaqeve të shpëtimit dhe të ngritjes.

Së gjashti: Fryti i vetëdijes dhe mbrojtjes qytetëruese

“Në mënyrë që ata të ruhen”

Kurani e përmbyll projektin e tij me këtë fryt të thellë, ku dija shndërrohet në një vetëdije të zgjuar që e mbron umetin dhe ruan fenë, mendjen, identitetin dhe të ardhmen e tij.

Këtu, ruajtja dhe kujdesi nënkuptojnë një vetëdije që riorganizon prioritetet dhe u jep shoqërive aftësinë për të mbrojtur veten nga shkrirja në të tjerët, nga paqëndrueshmëria, humbja e orientimit dhe endja e verbër që përpin shumë popuj kur humbasin kuptimin e misionit dhe drejtimit të tyre.

Prandaj, dija bëhet një forcë mbrojtëse përpara se të jetë thjesht një mjet njohjeje, dhe një projekt stabiliteti përpara se të jetë një rrugë për përparimin individual.

Në këtë mënyrë, njerëzit mund të rikthehen te maturia, uniteti, kohezioni dhe aftësia për ta ndërtuar të ardhmen e tyre me qëndrueshmëri dhe ekuilibër.

Në realitetin e popujve të shpërngulur, emigrantë apo të dëbuar nga trojet e tyre, kjo vetëdije shndërrohet në një domosdoshmëri që e mbron njeriun nga tretja dhe humbja e identitetit. Kështu, dija bëhet një forcë për ngritje pas thyerjes, dhe një projekt që ia rikthen umetit aftësinë për të rifilluar ndërtimin dhe jetën.

Përfundimi

Ajeti në fjalë zbulon se dija, në vizionin kuranor, e tejkalon kufirin e një lëvizjeje gjeografike dhe shndërrohet në një proces ringjalljeje të njeriut, një rrugë ndërtimi për umetin dhe një ripërtëritje të kuptimit të misionit në një kohë kur shtohen shkaqet e trazirës dhe humbjes së orientimit.

Nga fjalët e këtij ajeti merr formë një udhëtim i plotë kuranor:

Një thirrje që zgjon vullnetet dhe aspiratat;

Një formim që ndërton largpamësinë;

Një kthim që rilidh dijen me umetin;

Një mesazh që ndërton vetëdijen dhe ruan ekuilibrin dhe

Një fryt që mbron shoqëritë nga shpërbërja dhe humbja.

Në këtë nivel, kërkuesi i dijes nuk mbetet më thjesht një përfitues i njohurive, por shndërrohet në bartës të një mesazhi dhe në një kontribuesi aktiv. Po ashtu, specializimi nuk mbetet një rrugëtim individual i kufizuar, por bëhet një forcë që ndihmon në restaurimin e shoqërive, ndërtimin e njeriut dhe rikthimin e kohezionit të brendshëm të umetit.

Kështu, ky ajet mbetet një projekt kuranor i hapur për rifillimin e ngritjes; një projekt që rilidh dijen me jetën, e lidh njohurinë me përgjegjësinë dhe i jep umetit aftësinë për ta ripërtërirë veten sa herë që rëndohet nga krizat, sa herë që ndryshimet e mëdha i shpërndajnë energjitë e tij, apo sa herë që largohet nga kuptimi që i jep ekzistencës së tij misionin dhe drejtimin.

Autor: Zubejr ibn Sulltan Rabbanij

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

 

[1] – Sure Teube: 22.

[2] – Sure Teube: 41.

[3] – Sure Nisa: 78.

[4] – Sure Ra’d: 3.

[5] – Sure Hud: 61.

[6] – Sure Ali Imran: 187.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *