Krijimtaria dhe inovacioni në epokën profetike

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Falënderimi i takon Allahut, i Cili ia zbriti robit të Tij Librin, si një pishtar ndriçues për ata që ecin në rrugën e drejtë, dhe e bëri Sunetin profetik sqarim dhe udhëzim për të devotshmit. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut, të Vetmit, pa ortak, i Vetmi që krijon dhe administron gjithçka, i Cili ia mësoi njeriut atë që nuk e dinte dhe i dha atij arsyen si peshore për të menduar. Dëshmoj gjithashtu se zotëria dhe Profeti ynë, Muhamedi, është robi dhe i Dërguari i Allahut, i pajisur me kuptimin më të plotë dhe vështrimin më të lartë, të cilit iu dha përmbledhja e fjalës dhe aftësia për të shprehur qartë të vërtetën. Allahu e bekoftë atë, familjen e tij, shokët e tij dhe të gjithë ata që i ndjekin me përkushtim udhëzimin e tyre deri në Ditën e Kthimit.

O rob i Allahut!

1 – Shijoje bukurinë e metodave novatore profetike në mësimdhënie dhe edukim:

Mësuesi i parë (a.s) themeloi një shkollë të plotë edukative, e cila bashkonte qëndrueshmërinë e qëllimit me fleksibilitetin e mjetit. Ai i ndryshonte metodat e mësimdhënies për të tërhequr vëmendjen dhe për të zgjuar zemrat. Përdorte mënyrën e thirrjes së përzemërt dhe zgjidhte fjalë të qarta e të kuptueshme, larg fjalëve të stërholluara dhe shtirjes. Ngrinte zërin dhe i përsëriste fjalët tri herë, me qëllim që të ushqente mendjet me dije dhe të largonte shkujdesjen. Dëgjonte me vëmendje të plotë çdo pyetës, derisa ai ta përfundonte fjalën e tij, dhe urdhëronte dëgjimin e përqendruar të Fjalës së Allahut të Lartësuar ose të hadithit të tij fisnik.

Ai parashtronte pyetje të mençura, të shoqëruara me kureshtje dhe nxitje, për të matur aftësitë e të kuptuarit. Gjithashtu, mësonte përmes shembullit praktik, merrte parasysh dallimet individuale, mbështetej në dialog dhe bindje të qetë racionale, rrëfente tregime prekëse për të mbjellë bindjen dhe sillte shembuj që i qartësonin kuptimet. Kështu, në rastin e tij mishërohej plotësisht përshkrimi i përjetshëm hyjnor: “Është Ai që nga mesi i analfabetëve dërgoi një të Dërguar prej tyre, i cili u lexon atyre vargjet e Tij, i pastron ata dhe u mëson Librin dhe Urtësinë, ndonëse më parë ishin vërtet në një humbje të qartë.”

2 – Vëre bukurinë e metodës së madhërishme profetike në përvetësimin e ideve novatore dhe në shfrytëzimin e aftësive të shokëve të tij

Ai u jepte mundësi atyre të paraqisnin zgjidhje të reja dhe ide krijuese. Ai pranoi mendimin e Hubab ibn el-Mundhirit në Betejën e Bedrit, shpikjen e Selman el-Farisiut për hapjen e hendekut dhe këshillën e Umu Selemes në Marrëveshjen e Hudejbijes.

Ai nuk i trajtonte shokët e tij sikur të ishin kopje të njëjta, por i njihte talentet e tyre. Ai vlerësoi mënyrën e leximit të Ibn Mesudit dhe Ebu Musa el Esh’ariut, e udhëzoi Zejd ibn Thabitin të mësonte gjuhët, shfrytëzoi gjenialitetin ushtarak të Halid ibn Velidit dhe ia besoi Usama ibn Zejdit komandën e ushtrisë, duke u mbështetur te aftësia dhe kompetenca. Kjo përputhet me fjalën e tij (a.s): “Njerëzit janë si mineralet; më të mirët prej tyre në kohën e injorancës janë më të mirët prej tyre në Islam, nëse e kuptojnë mirë fenë.”

3 – Vëzhgo me syrin e mprehtësisë gjendjen e nderuar profetike dhe mënyrën se si adhurimin e bëri themel të dijes dhe pikënisje të krijimtarisë:

Nga mihrabi i adhurimit u nis për të themeluar një shoqëri të dijes dhe veprimit. Ai e bëri shpërblimin për lirimin e robërve të Bedrit mësimin e fëmijëve shkrim e lexim, e shndërroi xhaminë në një pishtar të dijes dhe edukimit, përdori gjeste dhe gjuhën e trupit për ta lehtësuar përçimin e informacionit, si dhe u shërbye me vizatime shpjeguese dhe vija të hequra në tokë për të qartësuar atë që synonte.

Ai u linte hapësirë shokëve të tij që ta nxirrnin vetë përgjigjen, përdorte pyetjen për të zgjuar vëmendjen, i nxiste nxënësit të pyesnin, e vlerësonte pyetësin në përputhje me gjendjen e tij dhe ia korrigjonte përgjigjen me butësi e dhembshuri.

Kjo tërësi e plotë paraqet një udhërrëfim të veçantë, prej të cilit mund të marrim metodat më të bukura për nxitjen, përkrahjen e mendjeve dhe ndërtimin e brezave krijues. Kjo dëshmohet nga fjala e Profetit të besueshëm (a.s) “Kush ndjek një rrugë për të kërkuar dije, Allahu ia lehtëson nëpërmjet saj një rrugë drejt Xhenetit.”

4 – Medito mbi metodën kuranore në vënien në përdorim të arsyes dhe në krijimtarinë e mendimit:

Ajo është një thirrje hyjnore e ripërtërirë drejtuar arsyes sate, e cila të bën të përshkosh mbretërinë e Allahut duke kërkuar krijimtarinë e Krijuesit tënd dhe bukurinë e krijimit të Allahut brenda vetes sate. Kështu, ti kalon nga meditimi te përsiatja, nga pyetja te përgjigjja, nga vëzhgimi te krijimtaria, për të sjellë ndër mend madhështinë e krijimtarisë njerëzore të udhëzuar nga drita e Shpalljes.

A nuk e ke parë historinë e Dhul Karnejnit, i cili ishte shembull i përsosmërisë në punë; mrekullitë e mjeshtërisë së Daudit dhe Sulejmanit; urtësinë e Jusufit (a.s) në administrimin e vendeve; si dhe përpjekjen e palodhur të të Madhëruarit për të nxjerrë në pah talentet e fshehura?

Kështu, ti ke arritur të kuptosh metodën hyjnore të veçantë, e cila ndriçoi mendjet e vetëdijshme dhe i nxiti mendimet krijuese, në mënyrë që të nxjerrësh nga thesaret e gjithësisë mjete që realizojnë objektivat, mbrojnë interesat, ndërtojnë strukturat, ndërtojnë njeriun dhe krijojnë një qytetërim.

Prandaj, nxite ambicien tënde përmes të menduarit, zgjoje brenda vetes energjinë e krijimtarisë dhe vështro me vëmendje gjithësinë që të rrethon, në përmbushje të fjalës së Allahut të Vërtetë në Shpalljen e Tij të prerë: “Me të vërtetë, në këtë ka shenja për një popull që mediton.”

O baba! Me fillimin e një viti të ri shkollor, në të cilin ripërtërihen shpresat dhe shtohen ambiciet, të cilat kërkojnë punë serioze dhe një përpjekje të pandërprerë, sepse dija kërkon përkujdesje, zbulimi i talenteve është një synim, ndërsa kultivimi i mendjeve është një detyrë përkujdesjeje; dëshirat e vetme nuk mjaftojnë për këtë. Prandaj, bëje përkujdesjen tënde ndaj fëmijës tënd dhe vëmendjen që i kushton atij një synim me të cilin i afrohesh Allahut.

Sot, teksa presim një vit të ri shkollor, prej të cilit frymëzojmë vlerat e besnikërisë, që i lartësojnë mendjet e fëmijëve tanë, besnikëria ndaj këtij udhëzimi të madh profetik arrihet duke e shndërruar atë në një kulturë arsimore dhe në praktika konkrete: duke i nxitur fëmijët tanë të pyesin dhe duke zhvilluar në shkollat dhe universitetet tona një arsimim që mbështetet në krijimtari dhe inovacion, në kuptim, analizë dhe zgjidhje të problemeve. Gjithashtu, duhet të ndërtojmë në institucionet tona një mjedis që mirëpret nismat dhe i shpërblen krijuesit, në zbatim të fjalës së Tij të Lartësuar: “Allahu i lartëson në shkallë ata që besojnë prej jush dhe ata të cilëve u është dhënë dija.”

O kërkues i dijes! Bëje seriozitetin, përpjekjen dhe sinqeritetin e qëllimit për Allahun metodë të jetës sate. Pajisu me etikën e nxënësve dhe përulësinë e të devotshmëve në të gjitha gjendjet e tua. Ji i zellshëm në kërkimin e dijes që herët dhe me gjallëri, duroji vështirësitë e përvetësimit të saj dhe udhëtimin në kërkim të saj, ashtu si udhëtimi i profetëve dhe dijetarëve. Largohu nga mendjemadhësia dhe mbështetja te vetja, dhe frymëzohu nga vendosmëria e njerëzve të mëdhenj dhe e të talentuarve.

Kur ta bësh kërkimin e dijes vetëm për hir të Allahut, ta nderosh mësuesin tënd dhe ta marrësh Librin me vendosmëri e përkushtim, atëherë do të arrish lartësimin në grada dhe frikërespektin ndaj Zotit të krijesave, ashtu siç u premtoi Allahu i Lartësuar njerëzve të besimit dhe dijes, duke thënë: “Me të vërtetë, Allahut i frikësohen nga robërit e Tij vetëm dijetarët.”

O Allah, na vendos në pozitën e trashëgimisë së plotë profetike të Muhamedit, së bashku me përsosmërinë e butësisë dhe mirëqenies.

Burimi: Ministria e Vakëfit të Egjiptit

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *