Nuk varfërohet ai që është i matur

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Ndër fjalët përmbledhëse të Profetit (a.s) është edhe kjo: “Nuk varfërohet ai që është i matur.”[1]

Kuptimi është se ai që shpenzon me masë dhe nuk e tepron duke shpërdoruar, nuk varfërohet. Pra, ai nuk e kalon kufirin dhe nuk tregohet as dorështrënguar, duke i ngushtuar kushtet familjes së tij, as duke penguar ndonjë të drejtë që i takon dikujt, nga koprracia dhe mosbesimi se Allahu do t’ia zëvendësojë atë që ka shpenzuar.

Imam Gazaliu thotë: “Me maturi në shpenzim nënkuptojmë të qenët i kujdesshëm në shpenzime dhe shmangien e shpërdorimit. Ai që tregohet i matur në shpenzime mund të jetë i përmbajtur edhe në kërkesat e tij. Prandaj është thënë: “Miku i njeriut është maturia e tij, ndërsa armiku i tij është shpërdorimi.” Gjithashtu është thënë: “Nuk ka mirësi në shpërdorim dhe nuk ka shpërdorim në mirësi”, si dhe: “Nuk ka pasuri të madhe kur shoqërohet me shpërdorim.”

Mund të jetë gjithashtu se kuptimi i hadithit është: Kush i drejtohet Allahut me devotshmëri dhe mbështetet tek Ai, Allahu nuk e lë të ketë nevojë për dikë tjetër, por kujdeset për të dhe i mjafton. Allahu i Madhëruar thotë: “Kush i frikësohet Allahut, Ai do t’i hapë rrugëdalje dhe do t’i japë furnizim prej nga nuk e pret. Kush mbështetet tek Allahu, Ai i mjafton atij.[2]

Pra, kuptimi është se kush i drejtohet Allahut me devotshmëri dhe largohet nga çdo gjë tjetër përveç Tij, Allahu i krijon mundësi dhe lehtësi. Ai që i drejtohet Allahut të Madhëruar nuk goditet nga varfëria, e cila nënkupton çrregullimin e gjendjes ekonomike ose nevojën për t’u varur nga njerëzit.

Maturia në shpenzim, mes teprimit dhe mangësisë

Myslimani duhet të jetë i matur në shpenzimet e tij: të mos tregohet dorështrënguar dhe as të mos shpërdorojë. Allahu i Madhëruar thotë: “Mos e mbaj dorën të lidhur pas qafës dhe as mos e shtrij atë plotësisht, që të mos mbetesh i qortuar dhe i dëshpëruar.”[3]

Allahu e ka ndaluar njeriun që të kursejë në atë masë sa t’ia vështirësojë jetën vetes dhe familjes së tij. Po ashtu, e ka ndaluar që të zgjerohet në shpenzime përtej nevojës, duke rënë kështu në shpërdorim. Pra, janë ndaluar të dyja skajet: teprimi dhe mangësia. Nga kjo kuptohet se shpenzimi i matur është i ligjshëm dhe i pëlqyeshëm, sepse ai përfaqëson drejtësinë dhe ekuilibrin që Allahu e ka nxitur.

Për këtë arsye është thënë: “Mos u bëj as i tepruar, as i mangët, sepse të dy skajet e çështjeve janë të qortueshme.”

Në këtë ajet, Allahu i Madhëruar e ka përshkruar gjendjen e koprracit si gjendjen e atij që e ka dorën të lidhur pas qafës, në mënyrë që të mos jetë në gjendje ta përdorë. Ndërsa gjendjen e atij që e tejkalon kufirin në shpenzime e ka përshkruar si atë të një njeriu që e shtrin dorën plotësisht, pa mbetur më asgjë në të. Në këtë përshkrim ka një figuracion të fuqishëm.

Pastaj Allahu ka sqaruar pasojat e të dyja skajeve të ndaluara, duke thënë: “që të mos mbetesh i qortuar” për shkak të koprracisë dhe dorështrëngimit tënd ndaj njerëzve, dhe «i dëshpëruar», për shkak të shpërdorimit tënd; domethënë, të mbetesh pa mundësi për të përmbushur nevojat e tua për shkak të varfërisë.

Maturia në shpenzim është prej cilësive të robërve të Mëshiruesit

Allahu i Madhëruar e ka bërë maturinë në shpenzim një prej cilësive të robërve të Tij të devotshëm. Ai thotë: “Ata që, kur shpenzojnë, nuk shpërdorojnë dhe nuk janë dorështrënguar, por qëndrojnë mes këtyre dyjave në një masë të drejtë.”[4]

Pra, ata nuk janë shpërdorues që shpenzojnë përtej nevojës, por as dorështrënguar ndaj familjeve të tyre, duke ua mohuar të drejtat dhe duke mos u siguruar atyre atë që u nevojitet. Përkundrazi, ata ndjekin rrugën e mesme dhe të drejtë: as këtë skaj, as atë tjetrin. Siç thotë Allahu i Madhëruar: “Mos e mbaj dorën të lidhur pas qafës dhe as mos e shtrij atë plotësisht.”

Hasan el-Basriu ka thënë: “Nuk ka shpërdorim në shpenzimin për hir të Allahut.”

Ijasi ibn Muavije ka thënë: “Çdo gjë në të cilën e tejkalon urdhrin e Allahut të Madhëruar është shpërdorim.”

Ndërsa dikush tjetër ka thënë: “Shpërdorimi është shpenzimi në atë që e zemëron Allahun e Madhëruar.”

Ebu Derda (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Prej kuptimit të mirë të fesë së njeriut është maturia e tij në mënyrën se si e menaxhon jetesën.”

Muxhahidi ka thënë: “Secili prej jush le të jetë i matur me atë që ka në dorë dhe të mos e interpretojë në mënyrë të gabuar fjalën e Allahut të Madhëruar: “Çfarëdo që të shpenzoni, Ai do t’jua zëvendësojë.”[5] Furnizimi është i përcaktuar. Ndoshta furnizimi i dikujt është i kufizuar, ndërsa ai shpenzon sikur të ishte i pasur dhe për pasojë mbetet i varfër deri në vdekje. Kuptimi i ajetit është se çdo zëvendësim vjen prej Allahut të Madhëruar. Prandaj, nëse njeriu shpenzon pa shpërdorim dhe pa dorështrëngim, kjo mund të jetë më e mirë për të sesa të përpiqet të sigurojë jetesën përmes disa llojeve të tregtisë.”

Autor: Sejjid Ahmed Sahlul

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

[1] – Ahmedi dhe Tabarniu. Hadithi është Daif.

[2] – Sure Talak: 2 – 3.

[3] – Sure Isra: 29.

[4] – Sure Furkan: 67.

[5] – Sure Sebe: 39.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *