Kurani është dritë me të cilën udhëzohen mendjet dhe zemrat, dhe një kushtetutë që rregullon jetën e shoqërive dhe të popujve. Allahu e ka zbritur atë si dritë, siç thotë i Larti në Kuran: “O njerëz, ju ka ardhur një argument i qartë nga Zoti juaj dhe Ne ju kemi zbritur një dritë të qartë.” Dhe ka thënë: “Besoni Allahun, të Dërguarin e Tij dhe dritën që Ne kemi zbritur.” Dhe për sahabët ka thënë: “Dhe ndiqni dritën që u zbrit me të.” Dhe ka thënë: “Ju ka ardhur nga Allahu një dritë dhe një Libër i qartë, me të cilin Allahu udhëzon ata që ndjekin kënaqësinë e Tij në rrugët e paqes dhe i nxjerr ata nga errësirat në dritë me lejen e Tij.”
Allahu e ka zbritur Kuranin tek ne që mendjet dhe zemrat tona të udhëzohen me të, dhe që ai t’u përgjigjet pyetjeve të përjetshme që e kanë hutuar njeriun që nga kohët e lashta, që kur ai filloi të mendojë për veten dhe për fatin e tij: Nga kam ardhur? Ku do të shkoj? Pse kam ardhur? Dhe pse jetoj mes jetës dhe vdekjes?
“Sa për “nga kam ardhur?”, përgjigjja është: “O njeri, çfarë të mashtroi ty ndaj Zotit tënd Fisnik, i Cili të krijoi, të përsosi dhe të drejtoi, dhe të formoi në çfarë forme deshi.”
Ajeti i parë që ka zbritur nga Kurani është fjala e Allahut: “Lexo në emër të Zotit tënd që krijoi.” Pra, Krijuesi është Allahu, dhe njeriu është i obliguar të besojë se ka një Zot që e ka krijuar.
Sa për “ku po shkoj?”, përgjigjja është: drejt përjetësisë. Njeriu nuk është krijuar për të jetuar disa ditë apo vite e pastaj të përfundojë, siç thonë materialistët: “Nuk është tjetër veçse mitra që lind dhe toka që përpin, dhe pas kësaj nuk ka asgjë; vdesim dhe jetojmë, dhe na shkatërron vetëm koha.”
Kurani i thotë njeriut se ti je krijuar për përjetësi, dhe se me vdekjen kalon nga një botë në një tjetër. Vdekja nuk është fundi i udhëtimit, por fillimi i një udhëtimi të ri. Prandaj Allahu i Madhëruar thotë: “Ai që krijoi vdekjen dhe jetën për t’ju sprovuar se kush prej jush është më vepërmirë.”
Sa për pyetjen “pse jam krijuar?” dhe cili është qëllimi i jetës, përgjigjja sipas Kuranit është se njeriu është krijuar për një mision që përmblidhet në tre qëllime:
1 – Adhurimi i Allahut: “Nuk i kam krijuar xhinët dhe njerëzit përveçse që të më adhurojnë.”
2 – Kalifati (përfaqësimi) në tokë: “Kur Zoti yt u tha engjëjve: Unë do të vendos në tokë një mëkëmbës.”
3 – Ndërtimi dhe zhvillimi i tokës: “Ai ju krijoi nga toka dhe ju caktoi ta zhvilloni atë.”
Këto qëllime janë të ndërlidhura dhe të pandara. Njeriu, përmes ndërtimit të tokës, përmbush rolin e tij si mëkëmbës; dhe përmes mëkëmbësisë dhe ndërtimit, ai përmbush adhurimin ndaj Allahut. Dhe e gjithë kjo në thelb është adhurim i Allahut në tokë.
Kurani, me përgjigjet e tij të qarta ndaj pyetjeve të përjetshme të njeriut, ndërton një mendje besimtare që nuk huton e nuk devijon, që e njeh qëllimin dhe rrugën e saj, larg hutimit të materialistëve dhe dyshimit të ateistëve, të cilët nuk i japin jetës as qëllim, as kuptim, as drejtim.
Kurani e ndërton besimin e njeriut mbi një bazë racionale dhe të sigurt, jo mbi dëshirë të verbër apo imitimin pa mendim.
Kurani ka ardhur për të rregulluar marrëdhënien e njeriut me Krijuesin e tij, marrëdhënien e njeriut me shoqërinë dhe shtetin e tij, marrëdhënien e shoqërive me njëra-tjetrën, si dhe marrëdhënien e shtetit islam me shtetet dhe popujt e tjerë.
Kurani është një kushtetutë gjithëpërfshirëse që sqaron çdo gjë, siç thotë Allahu i Lartësuar: “Dhe Ne të kemi zbritur ty Librin si shpjegim për çdo gjë, udhëzim, mëshirë dhe përgëzim për muslimanët.” Ai shpjegon çdo gjë me dijen, urtësinë dhe fuqinë e Zotit të çdo gjëje.
Kurani është “sqarim për çdo gjë” nuk do të thotë se ai hyn në detajet e imta, por vendos rregulla të përgjithshme dhe dispozita bazë që i nevojiten jetës, që i duhen individit, shoqërisë dhe njerëzimit.
Nga veçoritë që e dallojnë Kuranin është lehtësia dhe qartësia e tij. Ai është një libër i qartë, siç thotë Allahu: “Këto janë ajetet e Kur’anit dhe një Libër i qartë.” Dhe që të jetë i qartë dhe i kuptueshëm, Allahu e ka bërë të lehtë për t’u kuptuar dhe për t’u mësuar përmendësh: “Ne e kemi bërë Kuranin të lehtë për përkujtim; a ka ndonjë që merr mësim?”
Nuk ka asnjë libër në botë që të mësohet përmendësh nga miliona njerëz si Kurani. Ungjijtë nuk i mëson përmendësh askush, as edhe dijetarët apo priftërinjtë e krishterë më të mëdhenj; as kushtetutat njerëzore nuk mësohen përmendësh. Ndërsa fëmijët e muslimanëve e mësojnë Kuranin përmendësh pavarësisht gjuhëve të tyre të ndryshme, qofshin arabë apo joarabë.
Veçoria e tretë e Kuranit si kushtetutë hyjnore është se ai përfaqëson drejtësinë absolute, drejtësinë e Allahut në tokën e Allahut mbi robërit e Allahut. Ai nuk ka vendosur një shtresë shoqërore kundër një tjetre, as të pasurit kundër të varfërve, as burrat kundër grave, as të bardhët kundër të zinjve, as të fuqishmit kundër të dobëtve, por e ka vendosur atë Zoti i njerëzve, Sundimtari i njerëzve, prandaj ai përfaqëson drejtësinë hyjnore.
Në lidhje me drejtësinë e Kuranit, kjo drejtësi përfshin muslimanët dhe jomuslimanët. Janë nëntë ajete që zbritën nga qielli për të mbrojtur një hebre që ishte akuzuar padrejtësisht nga një grup muslimanësh për vjedhje, dhe gati sa Profeti (a.s) nuk vendosi kundër tij, por atëherë Allahu zbriti fjalët e Tij: “Ne të kemi zbritur Librin me të vërtetën që të gjykosh mes njerëzve me atë që Allahu të ka treguar dhe mos u bëj mbrojtës i tradhtarëve…” deri në fund të ajeteve.
Drejtësia hyjnore është absolute dhe nuk anon nga askush, ndërsa drejtësia njerëzore është relative, e ndikuar nga dëshirat, prirjet dhe interesat, të cilat e largojnë nga drejtësia e vërtetë.
Një veçori tjetër e Kuranit është universaliteti, përjetësia dhe pavdekshmëria e tij. Kurani është një kushtetutë e përjetshme, jo për një vit apo dy, jo për një shekull apo dy, por për të gjitha kohërat dhe vendet. Ai është mëshirë për botët në shtrirjen e tij hapësinore dhe i përjetshëm në shtrirjen e tij kohore.
Kurani është një mesazh që është shtrirë në gjatësi duke përfshirë kohën, është shtrirë në gjerësi duke përfshirë të gjitha popujt dhe kombet, dhe është shtrirë në thellësi duke përfshirë çështjet e kësaj bote dhe të botës tjetër.
Bereqeti i Kuranit qëndron në ndjekjen e tij dhe në zbatimin e tij në praktikë, siç thotë Allahu i Lartësuar: “Dhe ky është një Libër që Ne e kemi zbritur, i bekuar; prandaj ndiqeni atë dhe kini frikë Allahun, që të mëshiroheni.”
Nuk është e rëndësishme që ne vetëm ta lexojmë Kuranin për të vdekurit, por Kurani duhet të sundojë jetën e të gjallëve. Po ashtu, bereqeti i Kuranit nuk qëndron në varjen e tij si “hajmali”, por që të gjykohet me të në gjykatat mes njerëzve.
Muslimanët duhet t’i japin Kuranit të drejtën që i ka dhënë umeti ynë në fillimet e tij, dhe Kurani është ai që e ndryshoi popullin arab nga barinj delesh në udhëheqës të kombeve dhe i ngriti ata në pozitën e mësuesve të njerëzimit mbarë.
Autor: Jusuf Kardavi
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com



















