Asgjë nuk është më e rrezikshme për logjikës sesa inoranca e fshehtë. Nga injoranca e hapur mund të ruhesh, sepse njerëzit mund ta trajtojnë atë si një mangësi të dukshme që ka nevojë për mësim dhe korrigjim. Por rreziku i vërtetë fillon atëherë kur ajo vesh petkun e dijes, flet me gjuhën e njerëzve të sigurt në atë që thonë dhe del në krye të tubimeve e platformave si referencë, udhëzues dhe analist. Atëherë nuk ngatërrohet vetëm e vërteta me të pavërtetën, por tronditet edhe peshorja që i dallon ato dhe çrregullohen kriteret që i ruajnë dijes vendin dhe autoritetin e saj.
Pseudo-dija nuk është thjesht mungesë njohurish, por pretendim për dije, hyrje në fushat e saj pa pasur aftësinë e nevojshme dhe vetëbesim i tepruar në një vend ku nuk duhet të ekzistojë. Ai që pretendon dije nuk ndalet në kufijtë e padijes së vet, por i kapërcen ato duke ndikuar edhe te të tjerët. Ai flet për atë që nuk e zotëron, përgjigjet për atë që nuk e di, i huton njerëzit ndërkohë që mendon se po u tregon rrugën dhe shkakton prishje ndërkohë që mendon se po sjell përmirësim.
Ibn Hazmi (r.h) ka thënë: “Asgjë nuk është më e dëmshme për dijet dhe njerëzit e tyre sesa të huajt që futen në to; sepse ata nuk janë prej njerëzve të saj. Ata nuk dinë dhe mendojnë se dinë; prishin dhe mendojnë se përmirësojnë.”
Prandaj erdhi paralajmërimi i fuqishëm i Sheriatit. Allahu i Lartësuar e ka bërë të folurit për Të pa dije ndër gjërat më të rënda të ndaluara. Ai thotë: “Thuaj: Zoti im vetëm se ka ndaluar imoralitetet, të dukshmet dhe të fshehtat, mëkatin, padrejtësinë pa të drejtë, t’i shoqëroni Allahut ortakë për të cilët Ai nuk ka zbritur asnjë argument dhe të thoni për Allahun atë që nuk e dini.”[1]
Vëre se si ajeti përmbyllet me të folurit për Allahun pa dije, pas përmendjes së mëkateve të mëdha. Kjo ndodh sepse dëmi i një fjale, kur i atribuohet fesë ose së vërtetës, mund të shtrihet deri te brezat e ardhshëm, t’i përmbysë konceptet dhe ta paraqesë të pavërtetën në formën e bindjes së sigurt.
Kur injoranti del në krye
Profeti (a.s) e ka përshkruar me saktësi të madhe këtë rrezik, kur ka thënë: “Vërtet, Allahu nuk e heq dijen duke e shkulur atë nga njerëzit, por e heq dijen me vdekjen e dijetarëve. Kur të mos mbetet më asnjë dijetar, njerëzit do të marrin për prijës injorantë. Ata do të pyeten dhe do të japin fetva pa dije; kështu do të humbasin vetë dhe do t’i çojnë edhe të tjerët në humbje.”[2]
Pra, problemi nuk qëndron vetëm te mungesa e informacionit, por te dalja në krye e atij që nuk ka dije: ai që pyetet dhe përgjigjet, që ndiqet dhe i çon të tjerët në humbje, që e mbush boshllëkun me një siguri të pambështetur në dije dhe të papërforcuar nga përvetësimi i thellë i saj.
Allahu i Lartësuar gjithashtu thotë: “Kush është më i padrejtë se ai që shpif gënjeshtër ndaj Allahut, për t’i çuar njerëzit në humbje pa dije? Vërtet, Allahu nuk e udhëzon popullin keqbërës.”[3]
Domethënë: nuk ka askush më të padrejtë se ai që vepron kështu.
Edhe në Kuran gjejmë një udhëzim me domethënie shumë të thellë për mënyrën se si duhen trajtuar çështjet publike dhe lajmet me ndikim. Allahu i Lartësuar thotë: “Kur u vjen atyre ndonjë lajm që ka të bëjë me sigurinë ose frikën, ata e përhapin atë. Por, sikur t’ia përcillnin atë të Dërguarit dhe përgjegjësve të tyre, do ta dinin atë ata prej tyre që dinë ta nxjerrin përfundimin.”[4]
Ky ajet vendos themelet e një metodologjie të plotë për trajtimin e informacionit dhe çështjeve publike. Jo çdo gjë që dihet duhet thënë dhe jo çdokush që ka dëgjuar diçka është i kualifikuar për ta analizuar dhe për të dhënë udhëzime. Komentuesit e Kuranit kanë përmendur se ajeti përmban qortim për ata që nxitojnë t’i përhapin lajmet pa u siguruar dhe pa iu kthyer njerëzve të specializuar dhe të mendimit të pjekur.
Ky kuptim, ndonëse i lashtë, është thuajse një përshkrim i saktë i kohës sonë: një epokë në të cilën shumë njerëz komentojnë për çdo ngjarje, japin gjykime për çdo çështje dhe hyjnë në çështjet më të ndërlikuara politike, fetare dhe intelektuale me fjalë të shpejta, të paraprira nga asnjë dije dhe të pakontrolluara nga devotshmëria.
Autoriteti i fetvasë te të parët
Të parët tanë të devotshëm nuk ishin të paditur për rrezikun e kësaj fushe. Përkundrazi, ata ishin njerëzit që e nderonin më shumë fjalën dhe që kishin frikën më të madhe se mos flisnin pa dije.
Njëri prej tyre pyetej për dhjetëra çështje, përgjigjej për disa prej tyre dhe për shumicën e të tjerave ndalej, madje ndoshta thoshte me qetësi të plotë: “Nuk e di” ose “Nuk jam në dijeni.” Kjo fjalë nuk konsiderohej prej tyre mangësi, por shenjë e ndershmërisë, sinqeritetit dhe frikërespektit ndaj Allahut. Si mund të ishte ndryshe, kur ata e dinin fjalën e Abdulla ibn Abbasit, Allahu qoftë i kënaqur me të dy: “Kur dijetari heq dorë së thëni: “Nuk e di”, goditet në pikat e tij më të rrezikshme.”
Imam Maliku (r.h) ka thënë: “Nuk kam dhënë fetva derisa shtatëdhjetë vetë dëshmuan se isha i denjë për këtë.”
Kjo fjalë përmbledh një kuptim që sot i ka munguar shumë njerëzve: dija nuk është entuziazëm, as prani mediatike dhe as aftësi për të folur; ajo është kompetencë, zotërim i thellë i dijes dhe dëshmi e njerëzve të fushës dhe të njohjes.
Në një përshkrim tejet të saktë të gjendjes së atij që pretendon dije, disa prej të parëve kanë thënë: “Dikush prej tyre flet për një çështje, ndërkohë që, po t’i paraqitej ajo Omer ibn Hattabit (r.a), do t’i mblidhte për të njerëzit e Bedrit.”
Sa i madh është dallimi ndërmjet atij që e madhëron dijen dhe për këtë arsye ndalet, dhe atij që e nënvlerëson dhe, për këtë arsye, futet pa të drejtë në të!
Epoka e platformave… kur përhapja bëhet zëvendësuese e kualifikimit
Rreziku i pretendimit të dijes është shumëfishuar në epokën e medias digjitale, sepse mjetet e ndikimit tashmë janë të disponueshme për të gjithë. Arritja te publiku nuk kërkon më dije të konsoliduar apo përvojë të gjatë; ndoshta mjaftojnë vetëm aftësia për ta paraqitur diçka, shpejtësia e publikimit dhe një paraqitje e mirë.
Me një klikim të vetëm, mendimi personal shndërrohet në “analizë”, përshtypja kalimtare në “lexim të thellë” dhe hamendësimi në “informacion të përhapur”.
Në këtë klimë, pyetja nuk është më: “Kush është më i dituri?” Por: “Kush është më i pranishëm?”
As vlera e një ideje nuk matet më me thellësinë dhe saktësinë e saj, por me shpejtësinë e përhapjes dhe numrin e njerëzve që reagojnë ndaj saj.
Kështu, kriteret e qeta mbi të cilat ngrihet dija tërhiqen dhe zëvendësohen nga kritere zhurmëmadhe, të cilat ngrenë në piedestal atë që di të shfaqet, jo atë që di të kuptojë.
Me kalimin e kohës, ky kaos depërton edhe në vetë ndërgjegjen e shoqërisë. Referencat ngatërrohen dhe njerëzit e kanë të vështirë të dallojnë dijetarin nga folësi, specialistin nga ai që shpreh thjesht përshtypjen e vet.
Këtu shfaqet pasoja më e rrezikshme e pseudo-dijes: dija dëmtohet në emër të dijes dhe njerëzit humbin besimin te dija e vërtetë për shkak të zhurmës që e rrethon atë.
Ai që pretendon dije… viktima e parë e vetvetes
Dëmi i pseudo-dijes nuk kufizohet vetëm te shoqëria. Edhe ai që pretendon dije është viktima e parë e saj, sepse jeton në iluzionin e mjaftueshmërisë së vet, duke e privuar veten nga kënaqësia e të mësuarit të vërtetë dhe duke ia mbyllur vetes derën e rishikimit dhe korrigjimit.
Me kalimin e kohës, gabimet e tij grumbullohen dhe tërheqja prej tyre bëhet gjithnjë e më e vështirë, sepse imazhi i tij para njerëzve bëhet për të më i rëndësishëm se vetë e vërteta.
Prandaj dijetarët e konsideronin përulësinë çelësin e dijes dhe mendonin se hapi i parë i njohjes është që njeriu të kuptojë masën e padijes së vet dhe të mbetet gjithmonë i gatshëm për të mësuar e për të rishikuar, sado larg të ketë arritur.
Ndërsa ai që mendon se ka arritur në pikën përfundimtare, ka filluar rënien e tij pikërisht nga vendi ku mendon se është ngritur.
Si ta ruajmë autoritetin e dijes?
Trajtimi i dukurisë së pseudo-dijes nuk bëhet me një zhurmë të kundërt, as duke e kthyer debatin në beteja personale. Përkundrazi, çështjet duhet të kthehen në natyrshmërinë e tyre:
T’i njihet dijes vlera e saj, në mënyrë që të mos trajtohet me lehtësi.
T’u njihet specialistëve vendi i tyre, në mënyrë që ata të mos barazohen me të tjerët.
Të edukohen njerëzit me virtytin e të thënit “Nuk e di”, si shprehje e ndershmërisë dhe jo e dobësisë.
Dhe përgjegjësit duhet t’i ndalojnë ata që nuk janë të përshtatshëm dhe nuk janë kualifikuar, që të dalin në krye për të dhënë udhëzime dhe për të ndikuar te njerëzit.
Edhe ai që dëgjon ka një përgjegjësi të madhe: jo çdo njeri i famshëm është dijetar dhe jo çdo folës është i kualifikuar për t’u ndjekur.
Dija e vërtetë njihet nga njerëzit e saj përmes zotërimit të thellë, ekuilibrit, verifikimit dhe përulësisë, jo përmes zërit të lartë dhe as përmes shfaqjes së vazhdueshme.
Në një kohë kur zhurma ngrihet lart dhe opinionet shtohen, shpëtimi mbetet te njohja e masës së vetes dhe te mosdalja përpara dijes pa largpamësi.
Kështu ruhen mendjet, ruhet ekuilibri i umetit dhe dija e ruan dritën dhe autoritetin e saj.
E lusim Allahun për dije të dobishme, zemër të përulur dhe gjuhë që të mos thotë për Allahun veçse të vërtetën.
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Sure A’raf: 33.
[2] – Buhariu.
[3] – Sure En’am: 144.
[4] – Sure Nisa: 83.



















