Thirrja e Ibrahimit (a.s) për ta veçuar Allahun në adhurim dhe për të kërkuar furnizimin vetëm prej Tij

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Ibrahimi (a.s) erdhi me argumente logjike dhe fetare për të vërtetuar pavlefshmërinë e adhurimit të idhujve dhe zbuloi mashtrimin e besimeve që politeistët i kishin mbështjellë me një aureolë shenjtërie. Kjo shprehet në fjalën e Allahut të Lartësuar: “Vërtet, Ju adhuroni, përveç Allahut, vetëm idhuj dhe trilloni gënjeshtra. Ata që ju adhuroni në vend të Allahut nuk zotërojnë furnizim për ju. Prandaj, kërkojeni furnizimin tek Allahu, adhurojeni Atë dhe falënderojeni Atë. Tek Ai do të ktheheni.”[1]

Argumentimi i Ibrahimit (a.s ) u përqendrua në nxjerrjen në pah të paaftësisë së idhujve për të sjellë dobi apo për të larguar dëm, e aq më tepër për të zotëruar furnizimin e njerëzve. Ai theksoi se vetëm Allahu i Madhëruar është Furnizuesi dhe Bamirësi ndaj robërve të Tij.

“Vërtet, Ju adhuroni, përveç Allahut, vetëm idhuj”

Fjala “vërtet” do të thotë se gjithçka që ata adhuronin në vend të Allahut ishte thjesht një idhull. Idhulli nuk sjell as dobi e as dëm. Idhull konsiderohet çdo gjë që vendoset për t’u shenjtëruar: qoftë gur gëlqeror, granit apo mermer; qoftë metal si ari, argjendi apo bakri; apo edhe dru.

Madje, tregohet se disa arabë, të cilët kanë jetuar në kohën e Profetit Muhamed (a.s) ose edhe para tij, i krijonin idhujt nga një lloj hurme të ngjeshur të quajtur “axhue”; e kur i zinte uria, i hanin. Këtë e ka treguar edhe Umeri (r.a).

Me çfarë arsyeje dhe logjike njeriu shkon te mali, zgjedh një gur që i pëlqen, e gdhend në një formë të caktuar, pastaj e merr për zot dhe e adhuron në vend të Allahut, ndërkohë që ai është vepër e duarve të tij? Nëse e rrëzon era, ai e ngre përsëri; nëse thyhet, ai përpiqet ta riparojë dhe ta rregullojë. Cili mendje e shëndoshë mund ta pranojë një veprim të tillë?

“…dhe trilloni gënjeshtra”

Gjithçka që adhuroni përveç Allahut janë idhuj që nuk sjellin as dobi dhe as dëm. Ndërsa arsyetimet, shpjegimet, justifikimet dhe analizat që paraqisni për t’i mbrojtur ato janë gënjeshtra mbi gënjeshtra dhe shpifje mbi shpifje. Fjala “ifk” nënkupton gënjeshtër të qëllimshme që përmbys të vërtetën dhe shtrembëron realitetin.

Ibrahimi (a.s) u thoshte: Ju flisni për këta idhuj sikur ata të kenë fuqi dhe veprim, sikur japin e ndalojnë, zemërohen e kënaqen. Ju i mbështillni me një petk shenjtërie dhe i bëni njerëzit të besojnë se janë të shenjtë, ndërsa në të vërtetë po shpifni kundër Allahut të Madhëruar. E gjithë kjo është fjalë pa bazë, mospajtim dhe trillim pa kuptim, të cilin realiteti nuk e vërteton atë. Sepse ai që ju adhuroni është vetëm një idhull që nuk sjell as dobi e as dëm. Këto justifikime janë fjalë të rreme dhe dëshmia për këtë është se këta idhuj:

“Vërtet, ata që ju adhuroni në vend të Allahut nuk zotërojnë furnizim për ju.”

Në një vend tjetër, Ibrahimi (a.s) u sqaroi se ata adhuronin hyjni që as dëmtojnë e as sjellin dobi. Këtu ai përmend një çështje thelbësore për vazhdimësinë e jetës së njeriut: ushqimin dhe furnizimin që ne e quajmë rizk. Këto hyjni që adhuroni në vend të Allahut nuk zotërojnë asnjë furnizim për ju. Nëse shiu do të ndalej dhe toka do të thahej, ju do të vdisnit nga uria.

Prandaj, duhej të mendonit: nga vijnë mjetet e jetës suaj? Kush është Zotëruesi i mirësive që ju mbajnë gjallë? Pikërisht Atij duhet t’i drejtoheni me adhurim dhe bindje.

“Prandaj, kërkojeni furnizimin tek Allahu!”

Furnizimi është një prej shqetësimeve më të mëdha të zemrave njerëzore, sidomos të atyre që nuk janë mbushur plotësisht me besim. Por kërkimi i furnizimit vetëm prej Allahut është një e vërtetë e patundshme dhe jo thjesht një nxitje për t’iu drejtuar prirjeve të fshehta të njerëzve. Ai është Furnizuesi i vërtetë dhe tek Ai duhet të mbështetet zemra, duke marrë njëkohësisht edhe shkaqet e lejuara që Ai ka vendosur në këtë botë.

Pra, Ibrahimi (a.s) i sqaroi popullit të tij se furnizimin duhet ta kërkojnë prej Allahut dhe jo prej idhujve të tyre. Vetëm kështu ata mund të arrijnë te e vërteta. Ai i udhëzoi drejt asaj që u sjell dobi si në këtë botë, ashtu edhe në botën tjetër. Furnizimi është në Dorën e Allahut të Madhëruar; Ai është Zotëruesi i tij, Ai e cakton dhe Ai i lehtëson shkaqet që çojnë tek ai. Krijesat nuk zotërojnë asgjë prej tij, përveçse me lejen e Allahut. Vetëm Allahu ka në dorë zgjerimin e furnizimit dhe ndarjen e tij sipas urtësisë dhe dëshirës së Tij. Askush prej krijesave nuk e ka këtë pushtet. Prandaj, kërkimi dhe synimi i furnizimit duhet të bëhet vetëm prej Allahut të Madhëruar, sepse vetëm Ai është i Fuqishëm ta japë atë dhe vetëm Ai e zotëron. Për këtë arsye, vetëm Ai meriton të adhurohet dhe të falënderohet, dhe tek Ai është kthimi dhe përfundimi i të gjithëve.

Çdo krijese i është caktuar furnizimi i saj dhe ai është i njohur tek Allahu i Madhëruar. Ai, i Lartësuar qoftë, përgatit për krijesat e Tij shkaqet nëpërmjet të cilave u arrin furnizimi i tyre. Ndjekja, kërkimi dhe shfrytëzimi i këtyre shkaqeve është pjesë e adhurimit ndaj Tij, Lavdi dhe Madhështi i qoftë. Megjithatë, Allahu mund të pezullojë të gjitha ose disa prej këtyre shkaqeve për disa nga krijesat e Tij, sipas urtësisë që dëshiron. Por ky nuk është rregulli i përgjithshëm; por përjashtim, sepse rregulli bazik është marrja dhe përdorimi i shkaqeve.

Askush nuk mund t’i sjellë njerëzve furnizim nëse Allahu e ndalon atë. Kjo është një e vërtetë që çdo musliman duhet ta kuptojë mirë, sepse kundërshtimi ose shpërfillja e saj është marrëzi dhe largim nga e vërteta e qartë. Allahu i Madhëruar thotë: “Kush është ai që mund t’ju furnizojë, nëse Ai jua ndalon furnizimin e Tij? Por ata vazhdojnë me kryeneçësi dhe largim (nga e vërteta).”[2]

Çështja e furnizimit është shumë e rëndësishme dhe delikate në jetën e njeriut. Ngjarjet e së kaluarës dhe të së tashmes tregojnë se kafshata e gojës mund ta bëjë njeriun skllav të njerëzve të tjerë. Për këtë arsye, Kurani e trajtoi këtë çështje me një sqarim të plotë, për ta çliruar njeriun nga robëria ndaj krijesave. Njeriu nuk është rob i askujt tjetër përveç Allahut të Madhëruar, Krijuesit dhe Furnizuesit të tij. Kurani sqaroi se vetëm Allahu meriton të adhurohet, sepse Ai është Krijuesi i krijesave dhe Zotëruesi i furnizimit. Prandaj, furnizimi nuk duhet të kërkohet veçse prej Tij dhe askush tjetër nuk meriton adhurim e falënderim të vërtetë përveç Tij, Lavdi dhe Madhështi i qoftë. Prej Tij është fillimi dhe tek Ai është fundi.

Kurani Fisnik e ka lidhur furnizimin me adhurimin. Allahu i Lartësuar thotë:

“Prandaj, kërkojeni furnizimin tek Allahu, adhurojeni Atë dhe falënderojeni Atë. Tek Ai do të ktheheni.”

Kjo tregon rëndësinë e madhe të furnizimit dhe ndikimin e tij në jetën e njeriut. Po ashtu, sqaron se Ai që zotëron furnizimin e të gjitha krijesave, qofshin xhinë apo njerëz, është më i denji për t’u adhuruar. Kurani Fisnik ka përmendur gjithashtu se ata që adhurohen në vend të Allahut nuk zotërojnë asnjë lloj furnizimi. Allahu i Madhëruar thotë: “Ata adhurojnë, në vend të Allahut, gjëra që nuk zotërojnë për ta asnjë furnizim nga qiejt dhe toka dhe as nuk kanë fuqi për këtë.”[3]

Autor: Ali Muhamed Salabi

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

[1] – Sure Ankebut: 17.

[2] – Sure Mulk: 21.

[3] – Sure Nahl: 73.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *