Ligjet hyjnore përbëjnë sistemin normativ që sundon procesin e zhvillimit të qytetërimit njerëzor, rregullon lëvizjen e jetës, të qenieve të gjalla, të misionit të mëkëmbësisë njerëzore, të ekzistencës kozmike dhe të rrjedhës së shoqërive në përgjithësi. Ato rregullojnë gjithashtu sjelljen dhe veprimin e njeriut në shoqëri, dinamikën e tij në botën e dëshmisë tokësore dhe rolin e tij në histori në veçanti. Qëllimi i tyre është reformimi i njeriut në vetvete, në shoqëri, në umet dhe në qytetërim gjatë jetës tokësore, si dhe lumturimi i tij në jetën e përtejme, duke realizuar dëshminë e tij qytetëruese në mesin e umetit.
Përkujdesja ndaj ligjeve hyjnore përbën një fushë të hapur që kërkon mendim të thellë, themelim shkencor, vetëdije, përvetësim dhe zbatim praktik. Po ashtu, Kurani Fisnik përfaqëson një përmbledhje tërësore, gjithëpërfshirëse të një sistemi ligjor hyjnor fetar, qytetërues dhe kozmik, gjë që e bën këtë tematikë ndër më të rëndësishmet për studimet bashkëkohore fetare dhe shoqërore. Ky nivel i vetëdijes, do t’i mundësonte umetit të përfitonte maksimalisht nga udhëzimet e tij madhështore dhe nga dritëhijet e tij ndriçuese.
Cili është pozicioni i ligjeve hyjnore në Kuranin Fisnik?
Cilat janë efektet e tyre shoqërore dhe dimensionet e tyre objektiviste?
Pikënisja e parë: Kurani në fushën e ligjeve hyjnore
Kurani Fisnik flet në mënyrë të përmbledhur për popujt e mëparshëm dhe për ligjet hyjnore, duke urdhëruar vështrimin, meditimin dhe udhëtimin nëpër tokë për ta kuptuar këtë përmbledhje në mënyrë të detajuar, me qëllim që kjo njohje të na çojë drejt përparimit dhe përsosjes.
Një nga burimet më të rëndësishme të ligjeve hyjnore është rrëfimi kuranor, përmes të cilit shpallja hyjnore na tërheq vëmendjen ndaj përfundimeve që arritën ato popuj, qoftë në mënyrë pozitive apo negative.
Si për shembull ligjet e besimit dhe mohimit, të krijimit dhe urdhrit, të fitores dhe humbjes, të lehtësisë dhe vështirësisë, të shkaqeve dhe pasojave. Thirrja kuranore për të vështruar dhe udhëtuar nuk është një thirrje për t’u mbyllur në të kaluarën, por për të përvetësuar përvojat dhe njohuritë me qëllim nxjerrjen e mësimit dhe reflektimit.
Ligjet hyjnore janë ndër konceptet qendrore mbi të cilat Kurani Fisnik ka ndërtuar vizionin e tij për ekzistencën, universin, jetën, njeriun dhe misionin e mëkëmbësisë.
Pikënisja e dytë: Efektet shoqërore të ligjeve hyjnore
Efekti i parë: Mbrojtja nga rënia shoqërore
Ligjet hyjnore u ofrojnë njerëzve njohuri teorike dhe praktike për të mos rënë në gabimet e shoqërive të mëparshme, u japin qëndrueshmëri morale, zbulojnë shkaqet e devijimit, zgjojnë instinktin e mirësisë dhe virtytit, dhe i ftojnë njerëzit drejt drejtësisë, vetëreflektimit dhe korrigjimit të qëndrimeve.
Efekti i dytë: Drejtimi i shoqërive kah siguria dhe stabiliteti
Udhëzimi hyjnor për të kuptuar dhe zbatuar ligjet hyjnore është shprehje e mëshirës së Allahut ndaj njerëzimit, duke e udhëhequr atë drejt brigjeve të sigurisë përballë sfidave shoqërore dhe mjedisore.
Efekti i tretë: Ligjet hyjnore si bazë e ringritjes qytetëruese
Zbatimi dhe përvetësimi i ligjeve hyjnore është hyrja kryesore dhe rruga e saktë për ringritjen e shoqërive dhe ndërtimin e një qytetërimi të shëndoshë.
Efekti i katërt: Nevoja për respektimin e ligjeve hyjnore për të shmangur shkatërrimin e shoqërive
Shkatërrimi i shoqërive të kaluara nuk erdhi për shkak të mangësive materiale, por për shkak të devijimit nga adhurimi i Allahut dhe nga metodologjia e Tij ligjore, duke përmendur edhe hadithin profetik mbi dobësimin e umetit.
Efekti i pestë: Ligjet hyjnore si busull orientuese për shoqëritë
Umeti islam posedon tekstin hyjnor autentik, i cili shërben si kriter vlerësimi, busull orientimi dhe standard për drejtësinë e veprimit njerëzor.
Efekti i gjashtë: Parashikimi i së ardhmes shoqërore
Ligjet e Allahut janë të pandryshueshme dhe veprojnë njësoj në të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen, duke siguruar mirëqenie në dynja dhe ahiret për ata që i respektojnë.
Pikënisja e tretë: Dimensionet objektiviste të ligjeve hyjnore
Konsolidimi i teuhidit dhe adhurimi i Allahut.
Vërtetimi i profetësisë së Muhamedit (a.s).
Korrigjimi i besimit dhe i sjelljes individuale e shoqërore.
Reformimi i njeriut në tërësinë e tij.
Siguria shpirtërore dhe ekuilibri psikologjik.
Parandalimi dhe menaxhimi i krizave.
Përfitimi nga e kaluara dhe ndërtimi i së ardhmes.
Kuptimi i fenomeneve shoqërore dhe kozmike.
Përmbushja e amanetit të mëkëmbësisë.
Lidhja e njeriut me fatin e tij në botën e përtejme.
Kështu mosperceptimi i ligjeve hyjnore është sikur të ecësh në errësirë dhe të humbësh orientimin, sepse përjashton një pjesë thelbësore të dijes që e përgatit njeriun për sprovat dhe i mundëson përfitimin nga begatitë.
Autor: Rashid Kuhus
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com



















