Mbi litarin e jetës

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Autor: Nexhib Zemil

Secili prej nesh ecën mbi një litar, të ngjashëm me atë të akrobatëve të cirkut. Kam ndërmend që të ndaj me ju katër rregulla, të cilat na shërbejnë si shkop i ekuilibrit, të cilin akrobatët e mbajnë në duar për të ruajtur ekuilibrin dhe për të mos rënë. Të rinjve, u them se unë vetë i kam përjetuar dhe i kam respektuar këto rregulla në jetën time. Falënderoj Zotin, bëj një jetë të qetë dhe të stabilizuar, por jo lumturi absolute dhe gëzim absolut. Por, siç e  thashë në fillim, njëlloj si akrobati që ecën mbi litar, herë hutohet, lëkundet, frikësohet etj… por qe vazhdon të përparojë derisa ti dalë në qoshen tjetër.

Këto katër rregulla, janë: Gabimet ndaj të tjerëve, guximi, marrja me veten dhe ndërgjegjësimi i vetes.

E para: Gabimet ndaj të tjerëve.

Kam mësuar se ndër gjërat më të rëndësishme të cilat më ndihmojnë ta ruaj veten, ekuilibrin, respektin për veten dhe të tjerët, është reflektimi i përditshëm në lidhje me komunikimin me njerëzit që kam takuar për atë ditë. Reflektoj për gabimet që mund të kem bërë, gabime verbale, me akte, duke i injoruar, shkaktuar plagë zemre etj…

Me kalimin e kohës, kam arritur që me njerëzit qe do të takoj të nesërmen për çështje të caktuara, paraprakisht i diskutoj me veten se çfarë duhet tu them dhe çfarë jo, me qëllim që të shmang ndonjë fjalë të rëndë dhe lënduese, që të mos i cenoj tek diçka që për ta është e shenjtë. Mandej, një ditë më pas, kthehem dhe u kërkoj falje të gjithë atyre me të cilët kam gabuar. Kështu, ata e kuptojnë se unë po përpiqem që ti korrigjoj sjelljet e mia, se jam njeri i maturuar dhe kam pjekurinë e nevojshme, gjë e cila ua shton bindjen dhe qetësinë për ta ruajtur komunikimin dhe bashkëpunimin me mua në të ardhmen.

E dyta: Motivimi i vetes, guximi

Nuk jam i guximshëm dhe trim, nuk jam iniciator, madje do të thosha se hezitoj dhe kam frikë të hedh hapin. E kam kuptuar që kjo nuk do të më çojë asgjëkundi. Me kalimin e kohës, fillova të zbuloj se guximin dhe trimërinë, e fiton falë kontaktit të fizikut me shpirtin, më shumë sesa me materien. Është krejt e lehtë që njeriu të tregohet euforik dhe tu hyjë gjërave pa i bërë llogaritë. Euforia e pa studiuar, nuk ka të bëjë fare me guximin dhe trimërinë. Guxim dhe trimëri, do të thotë ti hysh një beteje që e fiton, jo një beteje ku merr më qafë veten, sepse ke hyrë pa u përgatitur dhe pa e njohur. Trimëri është kur fluturon krejt i qetë, me nervat në kontroll, me shpirt të patrazuar, i bindur se zjarrin e ke shndërruar në energjinë tënde, jo të shndërrohesh ti në energji për zjarrin.

A e kam guximin dhe trimërinë të jem i ndershëm, besnik, i drejtë dhe i matur? Vetëm kështu gjithësia fluturon bashkë me shpirtin. Dy krahë që të ngrenë lart në fluturim, në harmoni me qiellin e hapur, nën dritën dhe rrezet e diellit të cilin nuk e trazon asnjë vranësirë. Kam zbuluar se pjesë e guximit dhe trimërisë, është që të merresh dhe ti sfidosh pengesat dhe vështirësitë gjatë rrugës, jo të ulesh e të qaravitesh duke fajësuar personat që i kanë ngritur këto pengesa.

E treta: Marrja me veten

Shumica jonë, orvatet që jetën e tij ta ndërtojë ashtu siç e kërkojnë ligjet e vendosura në librin për një jetë të suksesshme, shkojmë në shkollat më të mira, ulemi për të studiuar dhe lexuar gjatë gjithë kohës, e ngarkojmë veten me profesione, punë, sukses dhe pasuri, për një jetë më të mirë…Por gjatë rrugës, ndjejmë mërzi si të ishte një shpim gjilpëre në zemër. Sa kohë të bukura nga jeta kemi humbur në këtë rrugë që gëlon nga ambiciet…sa orë na kanë humbur me prindërit, fëmijët, miqtë, ceremoni, lojëra dëfryese… po për ku jemi nisur? Mos po kërkojmë lumturinë, ndërkohë që zbulojmë se kemi humbur shumë stacione të lumturisë? Pusho pak o vëlla! Jepi kohë vetes dhe mbushu me frymë, shijoje bukurinë përreth ose eksploroje nëse nuk e ke bërë akoma. Koha nuk ka përfunduar akoma. Po, është e vërtetë se rruga e drejtë është e shkurtër, ndërkohë që kthesat, tatëpjetat e maloret përbëjnë shumicën, por ne kemi nevojë për momente lumturie dhe  gëzimi, kaq është e mundur. Stacionet e lumturisë janë të shumta përgjatë rrugës.

E katërta: Ndërgjegjësimi i vetes

Ndoshta, rrugëtimi më i gjatë dhe më i rëndësishëm i jetës tonë, është udhëtimi i brendshëm,  brenda vetes tonë. Nëse nuk e njohim veten tonë, pikat e saj të forta, kapacitetet dhe aftësitë e vërteta, nuk do të mund ti ofrojmë dhe as të marrim nga bota që na rrethon. Besoj se secili prej nesh është i veçantë dhe i rrallë për nga përbërja e tij mendore, morale dhe sjellore. Si unë nuk është askush mbi sipërfaqen e botës, si ti askush nuk është tjetër. Secili prej nesh, është një kopje e vetme dhe unike, e papërsëristshme. Prandaj, lipset që secili të mendohet dhe ta eksplorojë unitetin dhe dhuntitë e tij. Ndonjëherë, aftësitë tona digjen sepse ne ndjekim aftësitë e dikujt tjetër dhe jo tonat. Kështu, ne dështojmë kurse ata kanë sukses. Ajo mbi të cilën duhet të pajtohemi, janë vlerat, parimet, dispozitat dhe virtytet e fefsë, mandej lëshoja frerin aftësive dhe talenteve të tua. Kush arrin ti zbulojë aftësitë dhe dhuntitë e tij unike, ka zbuluar një thesar që askush nuk e ka zbuluar dhe nuk do e zbulojë. Ai ka arritur në një vend ku askush nuk ka arritur dhe nuk do të arrijë. Bazuar në këtë, edhe kontributi i tij për jetën, do të varet nga zbulimi dhe eksplorimi i vetes.

Zoti më rregulloftë mua dhe juve, Zoti na furnizoftë me shkopin e ekuilibrit, teksa hedhim hapat në litarët e jetës! Amin!

Autor: Nexhib Zemil

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.