Ndoshta kjo është pyetja e parë që i vjen lexuesit ndërmend kur lexon një artikull të tillë – dhe kjo nuk është e çuditshme, pasi në vetëdijen tonë bashkëkohore shura është lidhur me demokracinë për shkak të pranisë së madhe të demokracisë dhe koncepteve të saj në kohën tonë, gjë që ka bërë që përmendja e saj të jetë thuajse e domosdoshme në çdo studim mbi sistemet politike. Prandaj, kushdo që shkruan për shurën, patjetër do të përmendë demokracinë, me qëllim që të tregojë se shura është më e dalluar ose më e mirë.
Pavarësisht qëndrimit ndaj demokracisë, krahasimi i shurës me demokracinë sjell një problem metodologjik të dukshëm: shura nuk është vetë një sistem politik që të krahasohet me demokracinë. Shumë studime moderne nisen nga supozimi se shura është një sistem politik dhe më pas përpiqen të nxjerrin dallimet mes saj dhe demokracisë, duke theksuar përparësitë e shurës dhe mangësitë e demokracisë. Por ky është një supozim që nuk mund të pranohet pa u diskutuar.
E vërteta është se shura nuk është vetë një sistem politik. Fakti që sistemi politik islam funksionon në bazë të shurës, nuk do të thotë që shura, në kuptimin juridik fetar, është vetë një sistem politik. Prandaj, krahasimi i drejtë duhet të bëhet mes sistemit politik islam dhe sistemit demokratik, jo mes demokracisë dhe shurës. Krahasimi duhet të bëhet duke marrë parasysh parimet, rregullat dhe burimet juridike që themelojnë sistemin politik në Islam, dhe më pas të krahasohen me ato të demokracisë – jo thjesht të krahasohet demokracia me konceptin e shurës.
Shura përmendet në Kuran në tri vende:
“Dhe çështjet e tyre janë çështje shure mes tyre”[1]
“Këshillohu me ta në çështje”[2]
“Por nëse pas këshillimit, ata vendosin me pëlqim të ndërsjellë…”[3]
Siç shihet, një nga këto raste i referohet marrëdhënies bashkëshortore, prandaj shura nuk është e kufizuar vetëm në aspektin politik që ka të bëjë me marrëdhënien mes udhëheqësit dhe popullit, por ajo përfshin edhe çështje të jetës familjare.
Ndërsa ajeti: lidhet me çështje madhore të interesit të umetit, pra ka të bëjë me një aspekt të udhëheqjes. Afër këtij kuptimi është edhe ajeti: që nënkupton se çështjet e rëndësishme që i prekin ata trajtohen përmes shurës. Edhe pse këto janë më afër temave të udhëheqjes, ajeti mund të përfshijë edhe çështje që nuk kanë të bëjnë drejtpërdrejt me pushtetin, por gjithsesi hyjnë në kuadër të shurës.
Pra, shura është koncept i përgjithshëm, që aplikohet në: “çështjet e rëndësishme dhe të ndërlikuara që lidhen me vetë individin, me fisin apo me tërë umetin.”
Kur shura trajtohet si një sistem politik në vetvete, disa bashkëkohës detyrohen t’i shtojnë asaj elemente që nuk janë pjesë e saj në mënyrë natyrale, gjë që ka prodhuar përfundime jo shkencore – disa prej të cilave do të përmenden më tej. Ndërkohë, sikur të bëhej qartë dallimi mes shurës siç është në tekstet hyjnore, kufijtë e saj në sheriat dhe përdorimi i saj tek juristët, dhe nga ana tjetër sistemi politik dhe parimet e tij, atëherë çështja do të sqarohej në mënyrë të drejtë dhe metodologjikisht të qëndrueshme.
Shura mes obligueshmërisë dhe rekomandimit, dhe mes informimit dhe detyrimit
Lidhja e konceptit të shurës me një sistem politik të plotë ka çuar disa mendimtarë bashkëkohorë në një problem të dukshëm me disa dispozita që lidhen me shurën. Në krye të këtyre çështjeve vjen pyetja: A është shura detyrim (vaxhib) apo e rekomanduar (mustehab)? Kjo është një nga temat që ka marrë një kujdes shumë të madh në studimet moderne. Dhe për të ndërtuar një sistem politik bashkëkohor mbi bazën e shurës, është e domosdoshme që shura të jetë detyrim.
Këtu lind një problem i thellë kur e krahasojmë me hulumtimin juridiko – fetar klasik për këtë çështje. Në këtë rast, gjejmë se shumica e juristëve islamë janë të mendimit se shura e udhëheqësit (e lidhur me administrimin e çështjeve të qeverisjes) është e rekomanduar, jo detyrim.
Nga kjo problematikë kalojmë te një tjetër: A është rezultati i shurës detyrues (ilzami) apo informues (i’lam)?. Natyrshëm, nëse ti dëshiron të ndërtosh një sistem politik mbi konceptin e shurës, duhet të thuash që rezultati i saj është detyrues, përndryshe si mund të ngrihet një sistem politik mbi një bazë jo detyruese?
Por ky përfundim has në një pengesë të fortë: vlerësimi juridik klasik nuk e mbështet atë.
Kjo qasje në trajtimin e shurës ka shkaktuar disa probleme:
Së pari, një ndjenjë psikologjike se qëndrimi i fukahave është pengesë për ndërtimin e një sistemi politik të drejtë, që ruan të drejtat dhe parandalon padrejtësitë.
Si rrjedhojë, shumë mendojnë se pengesa e parë që duhet tejkaluar është “korrigjimi i problemit juridik”.
Madje disa kanë shkuar edhe më tej, duke akuzuar haptazi juristët islamë, se për shkak të qëndrimit të tyre se shura është vetëm e preferuar dhe jo e detyrueshme, dhe se rezultatet e saj janë vetëm udhëzuese dhe jo detyruese, kanë qenë shkaktarë për padrejtësi dhe prishje që kanë ndodhur në historinë islame.
Së dyti, problemi nuk qëndron thjesht në vetë shurën, por në mënyrën si ajo është konceptuar dhe përdorur në përpjekjet moderne për ndërtimin e një sistemi politik të bazuar në Islam.
Mungesa e studimit objektiv të teksteve për shurën në Kuran dhe Sunet
Kur dikush e trajton çështjen e shurës duke pasur parasysh domosdoshmërinë e ndërtimit të një sistemi politik të drejtë që mbron të drejtat, ai nuk i lexon tekstet ashtu siç janë, por i sheh me mendësinë e dikujt të detyruar për të gjetur bazë shkencore për një ide që e ka marrë si të mirëqenë. Prandaj, lexuesi e di paraprakisht përfundimin: kushdo që flet për shurën me bindjen se duhet një sistem i drejtë, duhet medoemos të përfundojë se shura është e detyrueshme dhe me fuqi detyruese.
Ku qëndron gabimi? Gabimi fillon nga supozimi i rremë se shura është në thelb një sistem politik i plotë, ose se për të ndërtuar një sistem të drejtë politik duhet patjetër të mbështetesh mbi konceptin e shurës. Ky supozim i pranuar nga shumë studiues bashkëkohorë është ajo që e ka sjellë këtë ngërç. Në të vërtetë, shura nuk është ashtu, dhe një sistem politik i drejtë, që ruan të drejtat, ndalon padrejtësitë dhe përfiton nga përvojat bashkëkohore, nuk ka si pikënisje vetëm shurën, por mbështetet në parime dhe burime të tjera të sheriatit. Përmes tyre mund të vendoset legjitimiteti i ekzistencës së një sistemi politik të drejtë që realizon interesin publik.
Kjo qasje nuk ka nevojë as të shpallë shurën si detyrim, as të vendosë se rezultatet e saj janë detyruese. Këto janë çështje rreptësisht juridike (fikh), që trajtohen në mënyrë objektive e shkencore, dhe vlerësohen sipas argumenteve më të forta. Por, ndërtimi i një sistemi të drejtë politik nuk varet nga këto çështje.
Kur studiuesit modernë përpiqen të themelojnë rëndësinë e një kuvendi shuraje me fuqi detyruese, që nxjerr ligje të drejta, mbikëqyr qeverisjen dhe mbështetet nga një gjyqësor i pavarur, nuk është e drejtë që baza e këtij themeli të jetë shura. Ky është një fillim nga dera e gabuar. Prandaj, kush hyn nga kjo derë, do të përballet me vështirësi: ka interesa dhe synime të domosdoshme për kohën, por nuk i gjen ato në literaturën e fukahave, ose edhe mund të gjejë ndonjë gjë që e pengon, dhe kështu bie në ekzagjerime dhe devijime nga objektiviteti – nëse nuk shkon deri aty sa të sulmojë dijetarët.
Burimi kryesor i këtij gabimi është se i jepet shurës një barrë që ajo nuk e mban dot, dhe trajtohet sikur ajo është një sistem i plotë politik, ose sikur është baza e domosdoshme për çdo sistem të tillë. Në të vërtetë, themelimi i një sistemi politik në Islam nuk ndërtohet vetëm mbi gjykimin për shurën, por mbi parime të tjera të sheriatit. Ndërtimi i institucioneve gjyqësore dhe legjislative me fuqi detyruese mbështetet në burime të tjera juridike, përmes të cilave lejohet që sistemi të kufizohet me to.
Për ta sqaruar më tej këtë, le të shohim rastet e shurës së Profetit (a.s.) me shokët e tij, dhe se si kjo ndikon në temën: a është shura detyruese apo informuese?. Të dyja palët përdorin raste të shurës si argument:
Ata që thonë se shura është detyruese, përmendin rastin kur Profeti (a.s.) e pranoi mendimin e sahabëve në Betejën e Uhudit.
Ata që thonë se është informuese, përmendin raste kur Profeti (a.s.) nuk e zbatoi mendimin e sahabëve.
E vërteta është se kjo mosmarrëveshje nuk ka ndikim vendimtar: fakti që Profeti (a.s.) pranoi mendimin e shurës nuk do të thotë se ajo është detyrim, por se ajo është e lejueshme dhe e ligjshme. Po ashtu, fakti që nuk e zbatoi ndonjëherë mendimin e tyre nuk do të thotë që nuk lejohet ndërtimi i një sistemi që i jep shurës fuqi detyruese, përderisa ky sistem mbështetet në burime të tjera ligjore. Prandaj, ky debat nuk është vendimtar, dhe përfundimi nuk varet nga ai.
Ky ngërç – për të cilin flasim – pra ngërçi për të parë shurën si sistem të plotë politik, ka bërë që shumë njerëz sot të bien në padrejtësi ndaj fukahave.
Disa studime moderne kanë ndërtuar analiza politike, sipas të cilave padrejtësitë dhe shkeljet e të drejtave në historinë islame kanë ndodhur për shkak të qëndrimit të fukahave ndaj shurës. Si “provë”, përmenden:
Debati nëse shura është e rekomanduar apo e detyrueshme;
Dhe nëse rezultatet e saj janë informuese apo detyruese.
E vërteta është se kjo përmban dy gabime të qarta:
Gabim shkencor: Pikëpamja e fukahave për shurën nuk ka lidhje fare me padrejtësitë. Shura që ata e konsiderojnë si të rekomanduar ose informuese është ajo që ndodh për zgjedhjen mes disa çështjeve të lejueshme, që sjellin dobi. Por kur bëhet fjalë për çështje që përmbajnë padrejtësi, mëkate ose shkelje të drejtash, ato janë të ndaluara, dhe nuk lejohet të diskutohet shura për to, madje edhe nëse ndodh, vendimi i tyre nuk ka vlerë.
Gabim historik: Ajo që ka ndodhur në historinë islame prej padrejtësive, konflikteve dhe trazirave, nuk ka qenë për shkak të ndonjë dallimi juridik në këtë çështje, dhe kjo është një gjë e dukshme që del nga çdo lexim i thjeshtë i historisë. Këto ngjarje kanë ndodhur për arsye dhe faktorë të tjerë, që s’kanë lidhje me këtë diskutim juridik të imtësishëm mbi shurën.
Natyrisht, qëllimi këtu nuk është të mbrojmë domosdoshmërinë ose rekomandimin e shurës, këtë mund ta diskutojmë në një kontekst tjetër me argumente. Qëllimi këtu është të sqarojmë gabimin në metodologjinë e disa mendimtarëve bashkëkohorë në mënyrën si i afrohen konceptit të shurës.
Përmbledhje:
Shura është një dispozitë fetare dhe një praktikë profetike, dhe për ta kuptuar drejt duhet të bëjmë dallim midis:
Kuptimit të saj në tekstet e sheriatit,
Vlerësimit që i kanë bërë juristët islamë,
Dhe përdorimit të saj për të ndërtuar një sistem politik bashkëkohor.
Kjo me kusht që të kemi parasysh rrezikun e shndërrimit të shurës në një sistem të plotë politik, ose bazën e vetme për ndërtimin e një sistemi politik, gjë që në fakt është përpjekje për të arritur një qëllim të drejtë nëpërmjet një rruge të gabuar.
Autor: Fehd ibn Salah el-Axhlan
Përktheu: Elton Harxhi
[1] – Sure Shura: 38.
[2] – Sure Ali Imran: 159.
[3] – Sure Bekare: 233.



















