Në varrimin e fqinjit tonë.. meditoja mbi të vërtetën nga e cila të gjithë ne ikim

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Të gjallë për të vdekur..

Fqinji ynë i varfër vdiq dje, dhe ja ku sot po e përcjellim drejt varrit të tij. Po ecja pas xhenazes së tij dhe në mendjen time figura e tij nuk më largohej; ajo përsëritej si të mos donte të largohej.

Ishte një burrë në të pesëdhjetat, me trup të dobët, as i gjatë e as i shkurtër, me sy të thelluar, që mbante në tiparet e tij një qetësi të përzier me një trishtim të fshehtë.

Punonte si punonjës në arsim para se të dilte në pension të parakohshëm për shkak të sëmundjes. Jetonte me nënën e tij të moshuar dhe me vëllain e ri, student në fakultetin e drejtësisë. Nuk ishte  martuar kurrë. Ishte i qetë në natyrë, fliste pak dhe qëndronte shumë në shtëpi.

Zakonisht e takoja kur thirrej ezani i jacisë; kalonte para nesh në rrugën drejt xhamisë, me këmishën e tij të bardhë dhe hapat e tij të qetë e të ngadaltë. Na përshëndeste me zërin e tij të ulët, që e dëgjonte ai që ishte i vëmendshëm dhe nuk e shqetësonte atë që ishte i shpërqendruar. Sytë e mi i ndiqnin hapat e tij derisa zhdukej mes turmës së njerëzve.

E doja, dhe e doja natyrën e tij të qetë, hapat e tij të ngadalshëm dhe buzëqeshjen e tij të trishtuar. Edhe banorët e lagjes sonë e donin, dhe e donin largësinë e tij nga kjo botë dhe kënaqësitë e saj, dhe nga ajo që kanë duart e njerëzve.

Tani ai është larguar; vdekja e mori dhe e çoi larg. U largua siç thotë Muhamed Abdul Halim Abdullah në romanin e tij “E braktisura”: “i bindur se një dritë e re patjetër do t’i përfshijë ato errësira ku ai jetonte”.

Vazhdova të mendoj për vdekjen, këtë krijesë madhështore që i jep fund çdo gjëje: shpresave dhe dhimbjeve, ëndrrave dhe zhgënjimeve, që ndalon sukseset dhe shkatërron kënaqësitë.

Kurani fisnik na ka folur shumë për vdekjen, dhe po ashtu edhe Suneti, por unë e gjej të vështirë ta kuptoj atë në të vërtetën e saj: të kuptoj çfarë ndodh kur ajo vjen, çfarë ndjen i vdekuri, dhe çfarë sheh kur i vjen dhe pasi e merr dhe e largon.

Ne e shohim vdekjen dhe dëgjojmë për të çdo ditë, por për mua ajo mbetet një sekret i madh që nuk mund ta kuptojmë thelbin e saj, të paktën derisa ta provojmë vetë.

Ka njerëz që i frikësohen vdekjes, dhe disa të tjerë që nuk i frikësohen, ose të paktën kështu pretendojnë; sepse asnjëri prej tyre ende nuk e ka shijuar atë.

Kjo është ajo për të cilën u binda pasi pashë një aktore duke folur për përvojën e vdekjes. Ajo ishte duke interpretuar një skenë ekzekutimi në një vepër dramatike dhe, sapo veshi kostumin e ekzekutimit dhe iu vendos litari i varje­s rreth qafës, ajo ra në koma dhe u dërgua në spital; nuk u zgjua veçse pas më shumë se një ore. Atëherë ajo bërtiti: “E pashë vdekjen me sytë e mi, sapo vesha kostumin e kuq të ekzekutimit ndjeva një dridhje që më përshkoi trupin.”

Ky lajm më tronditi shumë dhe unë shtrova pyetjen: a duhet patjetër të na vendoset një litar rreth qafës që të kujtojmë vdekjen? Dhe a duhet të humbasim dikë afër nesh që trupat tanë të ndjejnë atë dridhje të ftohtë dhe të na mbulojë ai ankth i panjohur, në mënyrë që të mendojmë thellë se kemi një fund të vetëm, pa dyshim dhe pa kundërshtim?

Dhe pse vallë i frikësohemi vdekjes? A nuk është ajo e vërteta e vetme që mbetet? A nuk është fundi i pashmangshëm? Atëherë pse të tmerrohemi prej saj?

Po, duhet të tmerrohemi prej saj. Sepse megjithëse vdekja është një realitet i domosdoshëm, unë mendoj se ajo është një gjë madhështore dhe e frikshme. Si të mos jetë, kur është diçka që nuk e kemi provuar? Një urë kalimi drejt një bote tjetër që nuk e dimë si është dhe as çfarë na pret atje.

Vdekja e fqinjit tonë të mirë më zgjoi shumë gjëra nga të cilat isha i pakujdesshëm. Çfarë është jeta? Çfarë është vdekja? Dhe ku po shkojmë pas vdekjes? Dhe cili është destinacioni ynë?

Shikoja gjatë atë trup të shtrirë në tokë, pa lëvizje, dhe i shtroja vetes pyetjen: çfarë ishte ajo që e bënte këtë trup të gjallë e aktiv, dhe tani është bërë një kufomë e pajetë që nuk ka fuqi për asgjë? Diçka e ka lënë dhe është larguar prej tij, duke e lënë kështu të palëvizshëm. Është shpirti ai që është ngritur atje ku është vendbanimi dhe kthimi i tij, dhe e ka lënë këtë trup të shtrihet në tokë, pastaj të zhduket në dhe, sikur të mos ishte asgjë, sikur të ishte hiç.

Sikur të kishe qenë i pranishëm në çastet e agonisë së dikujt, mendoj se nuk do të ndaloje së pyeturi atë trup ndërsa e shikon: pse o trup nuk dëgjon? Ke qenë i krijuar për të folur, atëherë përgjigju; çfarë ke që po hesht dhe nuk flet? Ku është ajo madhështi? Ku është ajo? Ku është ajo dorë që godiste, dhe ajo këmbë që nxitonte drejt çdo gjëje? Ku janë ato shtëpi madhështore, ato karrige të rehatshme dhe ato mjete luksoze? Ku janë ato pasuri të mëdha dhe ato barqe të mbushura deri në ngopje? Ku janë?

Ku janë ato kamxhikë me të cilët padrejtësisht sundoje, dhe ajo fuqi me të cilën sundoje mbi njerëzit? Ku është e gjitha kjo? Ku ka shkuar?

Në rrugën e kthimit nga varrezat, ku lamë fqinjën tonë të varfër përballë fatit të tij të pashmangshëm, në mendjen time vazhdonin të qarkullonin shumë pyetje. Dhe kujtova se si vdekja vjen çdo çast për të marrë dikë nga çdo vend.

Ndonjëherë vjen për të marrë një njeri një ose dy ditësh, dhe ndonjëherë vjen për dikë që është bërë plak i moshuar, që ka arritur në fundin e jetës së tij. Dhe mes këtyre dy skajeve, ajo vazhdon të vijë çdo ditë për të marrë të voglin dhe të madhin, të shëndoshin dhe të sëmurin, princin dhe të varfrin, të diturin dhe nxënësin.

Dhe vdekja do të vazhdojë të vijë kështu, për të na kujtuar të vërtetën e përjetshme që nuk vdes: se ne jemi të gjallë vetëm për të vdekur… dhe se kjo botë është një iluzion, një e pavërtetë që do të kalojë.

Autor: Abdulatif Leftat

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *