Rijadus Salihin (1301 – 1400)

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

1301 (17) – Ebu Seid el Hudri (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kush është i kënaqur me Allahun si Zot, me Muhamedin si pejgamber dhe me Islamin si fe, e meriton Xhenetin”. Këto fjalë më gëzuan pa masë dhe i thashë Profetit (a.s): “O i Dërguari i Allahut! Përsëriti edhe një herë?! Profeti (a.s) i përsëriti dhe më pas tha: “Është edhe diçka tjetër, me të cilën Allahu e lartëson robin njëqind shkallë në Xhenet. Distanca e njërës shkallë nga tjetra, është sa distanca mes qiellit dhe tokës”. I thashë: “O i Dërguari i Allahut! Çfarë është ajo? I Dërguari i Allahut tha: “Xhihadi në rrugë të Allahut.”[1]

1302 (18) – Ebu Bekër ibn Ebu Musa el-Esh‘ari ka thënë: “E kam dëgjuar babanë tim (r.a) teksa ishte përballë armikut, duke thënë: I Dërguari I Allahut (a.s) ka thënë: “Vërtet, dyert e Xhenetit janë nën hijet e shpatave.” Një burrë me rroba të rreckosura u ngrit dhe tha: “O Ebu Musa, a e ke dëgjuar ti vetë të Dërguarin e Allahut (a.s) duke e thënë këtë?” Ai tha: “Po.” Ai u kthye te shokët e tij dhe tha: “Ju përcjell selamin tim. Pastaj theu këllëfin e shpatës së tij dhe e hodhi, më pas u drejtua me shpatën në dorë kah armiku dhe luftoi me të derisa u vra (ra dëshmor).”[2]

1303 (19) – Abdurrahman ibn Xhubejri (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Zjarri nuk do t`i prekë kurrë ato këmbë, që pluhurosen në rrugë të Allahut.”[3]

1304 (20) – Ebu Hurejra (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Nuk do ta prekë zjarri atë person që qan nga frika e Allahut, ashtu siç nuk kthehet qumështi pasi del nga gjinjët. Nuk bashkohet pluhuri në rrugë të Allahut me tymin e Xhehenemit.”[4]

1305 (21) – Ibn Abasi (r.a) ka thënë: E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (a.s): “Dy sy nuk ka për t’i prekur Zjarri; një sy që qan për shkak të frikës ndaj Allahut dhe një sy i cili e kalon natën duke ruajtur në rrugën e Allahut.”[5]

1306 (22) – Zejd ibn Halidi (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kush përgatit një luftëtar për në rrugë të Allahut , edhe ai vetë ka luftuar. Kush kujdeset mirë (financiarisht) për familjen e luftëtarit edhe ai vetë ka luftuar.”[6]

1307 (23) – Ebu Umamete (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Sadakaja më e mirë është: hija e një çadre (tende) në rrugën e Allahut, dhurimi i shërbimit të një shërbëtori në rrugën e Allahut, ose vënia në dispozicion e një deveje femër që është e gatshme për shumim (për çiftëzim) në rrugën e Allahut.”[7]

1308 (24) – Enesi (r.a) transmeton se një djalosh i ri nga fisi Eslem tha: “O i Dërguar i Allahut! Dëshiroj të marr pjesë në luftë, por nuk kam me çfarë të përgatitem.” I Dërguar i Allahut (a.s) tha: “Shko te filani, sepse ai ishte përgatitur për luftë, por është sëmurë (dhe nuk do ta marrë pjesë në luftë).” Djaloshi i ri shkoi tek ai person dhe i tha: “I Dërguari i Allahut (a.s) të çon selam dhe thotë: “Më jep atë që ti je përgatitur!” Ai tha: “Oj filane (gruaja e tij), jepi atij gjithçka që kam përgatitur dhe mos mbaj asgjë për vete. Pasha Allahun mos mbaj asgjë për vete, sepse ti do të bekohesh për këtë gjë.”[8]

1309 (25) – Ebu Seid el Hudri (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) dërgoi (lajm) te fisi Benu Lehjan dhe tha: “Le të dalë (të niset) nga çdo dy burra njëri prej tyre, dhe shpërblimi do të ndahet mes tyre.”[9]

Dhe në një transmetim tjetër po nga ai thuhet: “Le të dalë nga çdo dy burra njëri!” Pastaj i tha atij që mbeti: “Cili prej jush që e zëvendëson atë që ka dalë, duke u kujdesur me mirësi për familjen dhe pasurinë e tij, do të ketë një shpërblim të barabartë me gjysmën e shpërblimit të atij që ka dalë.”[10]

1310 (26) – Berra (r.a) tregon: “Një person i armatosur deri në dhëmbë erdhi tek Profeti (a.s) dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut! A të luftoj apo të bëhem mysliman”? I Dërguari i Allahut (a.s) i tha: “Bëhu mysliman pastaj lufto!” Ai pranoi Islamin dhe u fut në luftë, dersia u vra”. I Dërguari i Allahut  (a.s) tha: “Punoi shumë pak, por u shpërblye pa masë.”[11]

1311 (27) – Enesi (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kushdo që hyn në Xhenet, nuk dëshiron që të dalë më nga aty, sepse çdo gjë që e ka në tokë e ka aty në Xhenet, përveç shehidit (dëshmorit), i cili shpreson të kthehet përsëri në dunja dhe të vritet dhjetë herë. Këtë e shpreson, pasi shikon nderimin e madh që i bëhet”[12].

Në një transmetim tjetër qëndron se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Këtë e shpreson, pasi sheh vlerën e madhe që ka rënia dëshmor”.

1312 (28) – Abdulla ibn Amër ibn el Asi (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Allahu i fal dëshmorit (në rrugë të Allahut) çdo mëkat, përveç borxhit.”[13]

Dhe në një transmetim tjetër po tek imam Muslimi thuhet: “Vrasja (rënia dëshmor) në rrugë të Allahut i shlyhet (falet) çdo mëkat përveç borxhit.”

1313 (29) – Ebu Katade tregon: “Një ditë i Dërguari i Allahut (a.s) u foli njerëzve për xhihadin në rrugë të Allahut dhe për besimin në Allahun. Ai (a.s) u tha se këto janë punët më të mira dhe më me vlerë. Një person u ngrit dhe tha: “O i Dërguari i Allahut! A më falen të gjitha mëkatet, nëse unë vritem në rrugë të Allahut?!” I Dërguari i Allahut (a.s) tha: “Po! Nëse vritesh në rrugë të Allahut, të falen të gjitha mëkatet, me kusht që të jesh durues, të shpresosh shpërblimin nga Allahu, të jesh përballë armikut dhe të mos e braktisësh frontin e luftës”. Pak më vonë i Dërguari i Allahut (a.s) i tha: “Si më the më parë? Të thashë: “A më falen të gjitha mëkatet, nëse vritem në rrugë të Allahut?! I Dërguari i Allahut (a.s) tha: “Po, nëse vritesh në rrugë të Allahut duke qenë durues, shpresues në shpërblimin nga Allahu, qëndrues përballë armikut dhe duke mos ia kthyer shpinën. Do të të falen të gjitha mëkatet, përveç borxhit. Këtë të fundit ma tha Xhibrili.”[14]

1314 (30) – Xhabiri (r.a) ka thënë: “Një njeri e pyeti Profetin (a.s): “Nëse unë luftoj e vritem ku do të jetë vendi im (në botën tjetër)?” Ai (a.s) tha: “Në Xhenet.” Njeriu (që pyeti) i hodhi hurmat që kishte në dorë, shkoi të luftonte derisa u vra.”[15]

1315 (31) – Enesi (r.a) tregon: “I Dërguari i Allahut (a.s) dhe shokët e tij u nisën drejt Bedrit dhe arritën atje para ushtrisë së idhujtarëve. I Dërguari i Allahut (a.s) tha: “Askush të mos bëjë një hap përpara, pa dhënë urdhër unë”. Kur idhujtarët u afruan, i Dërguari i Allahut (a.s) tha: “Ngrihuni për tek Xheneti, gjerësia e të cilit është sa e qiejve dhe tokës”. Umejr ibn Himami el Enarij tha: “O i Dërguari i Allahut! Gjerësia e një Xheneti është sa gjerësia e qiejve dhe tokës?!” I Dërguari i Allahut (a.s) tha: “Po”. Umejri tha: “Oh, çfarë kënaqësie! Oh, çfarë kënaqësie (bakhin, bakh)”. I Dërguari i Allahut (a.s) i tha: “Përse thua ashtu?” Umejri tha: “O i Dërguari i Allahut! I thashë ato fjalë vetëm me shpresën që të jem nga banorët e Xhenetit”. I Dërguari i Allahut (a.s) i tha: “Ti je nga banorët e Xhenetit”. Umejri nxorri disa hurma që i mbante tek këlliçi i shpatës dhe filloi të hante. Ai tha: “Të rrish gjallë duke ngrënë këto hurma është jetë e gjatë”. Ai i hodhi ato dhe u fut në luftë. Pastaj luftoi kundër idhujtarëve deri në vdekje.”[16]

1316 (32) – Enesi (r.a) ka thënë: “Disa njerëz erdhën te Profeti (a.s) dhe i thanë: “Dërgo me ne disa burra që të na mësojnë Kuranin dhe Sunetin.” Ai (a.s) dërgoi me ta shtatëdhjetë burra prej ensarëve, të cilët quheshin “El-kurra” (lexuesit e Kuranit); mes tyre ishte edhe daja im Harami. Ata lexonin Kuranin, e studionin atë natën për të mësuar, ndërsa ditën sillnin ujë, e vendosnin në xhami, mblidhnin dru, i shisnin dhe me të ardhurat blinin ushqim për banorët e Suffes dhe për të varfrit. Profeti (a.s) i dërgoi ata, por atyre u doli përpara armiku dhe i vrau para se të arrinin në vendin e caktuar. Ata thanë: “O Allah, përcille nga ne te Profeti ynë se ne të kemi takuar Ty, u kënaqëm me Ty dhe Ti u kënaqe me ne.” Një burrë iu afrua Haramit, dajës së Enesit, nga pas dhe e goditi me shtizë, duke ia kaluar tej përtej trupit. Harami tha: “Fitova, pasha Zotin e Qabes!” Më pas i Dërguari i Allahut (a.s) tha: “Vërtet, vëllezërit tuaj janë vrarë, dhe ata thanë: “O Allah, përcille nga ne te Profeti ynë se ne të kemi takuar Ty, u kënaqëm me Ty dhe Ti u kënaqe me ne.”[17]

1317 (33) – Enesi (r.a) ka thënë: “Xhaxhai im Enes ibn Nadr nuk mori pjesë në betejën e Bedrit. Ai tha: “O i Dërguar i Allahut, unë nuk mora pjesë në betejën e parë, në të cilën ti luftove kundra idhujtarëve. Nëse Allahu më jep mundësinë të marr pjesë në betejë për të luftuar kundra idhujtarëve, Allahu ka për ta parë se  çfarë do të bëj.” Kur muslimanët pësuan disfatë gjatë betejës së Uhudit, ai tha: “O Zot, unë kërkoj ndjesë për veprimin e këtyre – duke pasur për qëllim shokët e tij – dhe jam i pafajshëm ndaj Teje prej veprimit të këtyre” – duke pasur për qëllim idhujtarët. Pastaj ai bëri përpara dhe u takua me Sa’d ibn Muadhin. Ai tha: “O Sa’d ibn Muadh, Xheneti për Zotin e Nadrit, unë po e ndjej aromën e tij në Uhud.” Sa’di tha: “O i Dërguar i Allahut nuk pata mundësi ta ndaloj për atë që bëri.” Enesi thotë: “Ne e gjetëm atë (xhaxhain) i cili kishte marrë tetëdhjetë e ca goditje nga shpata, shtiza e shigjeta. E gjetëm atë të vrarë dhe idhujtarët e kishin gjymtuar atë saqë askush nuk e njohu atë përveç  motrës së tij nga mollëzat e gishtave.”

Enesi tha: Ne mendonim se ajeti kuranor: “Midis besimtarëve ka të atillë, që e kanë mbajtur besëlidhjen me Allahun.”[18]është shpallur për të dhe të tjerë të ngjashëm si ai.”[19]

1318 (34) – Semure (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Sonte pashë dy persona (melekë), të cilët më morën dhe më ngjitën lart deri tek pema (e madhe e Xhenetit). Më futën në një shtëpi të përsosur dhe të mrekullueshme. Nuk kam parë (në Xhenet) shtëpi më të bukur sesa ajo. Ata më thanë: “Kjo është shtëpia e dëshmorëve.”[20]

1319 (35) – Enesi tregon: “Ummu Rabia bintu Bera, nëna e Harithe ibn Suraka, erdhi tek Profeti (a.s) dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut! A po më tregon për djalin tim Harithen”? – i cili ishte vrarë në luftën e Uhudit nga një shigjetë qorre. Nëse është në Xhenet, do të duroj dhe nëse nuk është në Xhenet, do ta vajtoj”. I Dërguari i Allahut (a.s) i tha: “O Ummu Harithe! Ka xhenete në Xhenet, ndërsa djali yt është në xhenetin më të lartë, në xhenetin Firdeus.”[21]

1320 (36) – Xhabiri (r.a) tregon: “Babanë tim e sollën para Profetit (a.s). Idhujtarët e kishin masakruar dhe shpërfytyruar trupin e tij. Atë e lanë para të Dërguarit të Allahut (r.a). U ngrita që ta zbuloj dhe t’ia shikoj fytyrën, por familjarët e mi më ndaluan. U dëgjua një zë vajtimi. Thanë: “Është vajza e Amrit ose motra e Amrit”. I Dërguari i Allahut (a.s) tha: “Përse qan?! Ndoshta i tha: “Mos qaj! Engjëjt akoma po i bëjnë hije me flatrat e tyre.”[22]

1321 (37) – Sehl ibn Hunejf (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kush kërkon me sinqeritet prej Allahut të Madhëruar që të vdesë shehid (të bie dëshmor), Allahu do t’ia japë gradën e shehidit (dëshmorit) edhe nëse vdes në shtratin e tij.”[23]

1322 (38) – Enesi (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kush e kërkon shehidllëkun (të rënit dëshmor) me sinqeritet, do t’i jepet ajo (shpërblimi i saj) edhe nëse nuk bie dëshmor.”[24]

1323 (39) – Ebu Hurerja (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Shehidi (dëshmori) nuk ndien nga dhimbja e vrasjes veçse atë që ndien dikush prej jush nga ndonjë pickim.”[25]

1324 (40) – Abdulla ibn Ebi Eufa (r.a) tregon: “Në një nga betejat, i Dërguari i Allahut (a.s) priti derisa dielli perëndoi. Më pas u ngrit në mesin e njerëzve dhe tha: “O ju njerëz, mos shpresoni të takoheni me armikun dhe kërkoni prej Allahut t’ju ruajë nga lufta. Nëse ndesheni me ta (armikun), atëherë bëhuni të qëndrueshëm dhe dijeni se Xheneti është nën hijen e shpatave”. Më pas ai u lut me fjalët: “O Zot, Ti që ke zbritur Librin, që i ke bërë retë të ecin dhe që i ke shkatërruar grupacionet, shkatërroi ata dhe na ndihmo ndaj tyre.”[26]

1325 (41) – Sehl ibn Sa’di (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Lutja nuk refuzohet ose nuk ndodh që të refuzohet në dy raste; lutja kur bëhet ezani (ose ikameti) dhe lutja kur merr flakë lufta, në çastin kur përplasen trupat.”[27]

1326 (42) – Enesi (r.a) ka thënë: Kur i Dërguari i Allahut (a.s) dilte për në luftë ka pasë thënë: “Allahumme ente adudi ue nasiri, bike ehulu, ue bike esulu, ue bike ukatilu. (Zoti im, Ti je Ndihmësi dhe Përkrahësi im, me Ty lëviz, me Ty sulmoj dhe me Ty luftoj.)”[28]

1327 (43) – Ebu Musa (r.a) transmeton se Profeti (a.s) kur kishte frikë nga një popull (armiësor) ka pasë thënë: “Allahumme inna nexh’aluke fi nuhurihim ue neudhu bike min shururihim. (O Zoti im, ne të vendosim Ty përballë tyre dhe kërkojmë mbrojtje prej Teje nga e keqja e tyre.”[29]

1328 (44) – Ibn Omeri (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Mirësia është e lidhur me balluket e kuajve (të xhihadit)  deri në Ditën e Kiametit.”[30]

1329 (45) – Urvete el Barikijju (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Mirësia është e lidhur me balluket e kuajve deri në Ditën e Kiametit: Shpërblimi (në botën tjetër) dhe plaçka e luftës (në këtë botë).”[31]

1330 (46) – Ebu Hurejra (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kush e mban një kalë në rrugë të Allahut, me besim tek Allahu dhe bindje tek premtimi i Tij, atëherë ngopja e tij (kalit), shuarja e etjes, plehu dhe urina e tij do të peshojnë në peshoren (e veprave) të tij në Ditën e Kiametit.”[32]

1331 (47) – Ibn Mes’udi (r.a) tregon: “Një burrë erdhi tek Profeti (a.s) me një deve me kapistall dhe tha: “Këtë deve do ta jap në rrugë të Allahut”. I Dërguari i Allahut (a.s) tha: “Në Ditën e Kiametit ti do të kesh shtatëqind deve, të gjitha do të kenë kapistall.”[33]

1332 (48) – Ebu Hammad, është thënë Ebu Suad, është thënë Ebu Amir, është thënë Ebu Amër, është thënë Ebu Esued dhe është thënë Ebu Abs, Ukbe ibn Amir el Xhuhenij (r.a) tregon: “Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (a.s) të lexonte në hytbe ajetin: “Dhe kundra tyre përgatitni aq sa të keni mundësi prej kuajve dhe  forcës”[34] dhe më pas të thoshte: “Gjuajtja (qitja) është forcë e vërtetë (goditja me shtizë, hark, armë etj). Gjuajtja është forcë e vërtetë. Gjuajtja është forcë e vërtetë.”[35]

1333 (49) – Ukbe ibn Amir el Xhuhenij (r.a) ka thënë: E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (a.s) duke thënë: “(Shumë) vise do t’ju çlirohen juve dhe Allahu do t’ju mjaftojë, prandaj askush prej jush mos të tregohet i paaftë (për të luftuar) duke u argëtuar me shigjetat e tij.”[36]

1334 (50) – Ukbe ib Amir el Xhuhenij (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Atij të cilit ia mësojnë gjuajtjen me shigjeta (heshta, raketa..etj) dhe pastaj e braktis të gjuajturën nuk është prej nesh, ose ka kundërshtuar (urdhrin tonë)”[37]

1335 – (51) Ukbe ibn Amir el Xhuhenij (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Allahu fut në Xhenet tre veta me anën e një shigjete. Prodhuesin e saj, i cili me këtë punë ka për qëllim vetëm të mirën (e myslimanëve), gjuajtësin e saj dhe dhe ndihmuesin e shigjetarit. Gjuani sa më shumë me shigjeta (stërvituni) dhe kalëroni sa më shumë. Për mua gjuajtja është më e dashur sesa kalërimi. Kush e lë gjuajtjen, pasi e ka mësuar, për shkak se nuk i nevojitet, ka lënë një të mirë, ose ka mohuar një mirësi.”[38]

1336 (52)– Seleme ibn Ek’ue (r.a) ka thënë: “I Dërguari i Allahut (a.s) kaloi (pranë) një grupi njerëzish që po gjuanin me shigjeta, ai (a.s) tha: “Gjuani o bijtë e Ismailit, sepse babai jua ka pasë qenë gjuajtës!”[39]

1337 (53) – Amër ibn Abesete (r.a) ka thënë: E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (a.s) se ka thënë: “Kush gjuan me shigjetë në rrugë të Allahut, është sikur të ketë çliruar një skllav.”[40]

1338 (54) – Ebu Jahja, Hurejm ibn Fatik (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kush shpenzon në rrugë të Allahut, i regjistrohet shtatëqind fish.”[41]

1339 (55) – Ebu Seid el Hudri (r.a)  tregon se i Dërguar i Allahut (a.s) ka thënë: “Kush agjëron një ditë në rrugë të Allahut, Allahu ka për t’ia larguar fytyrën agjëruesit nga Zjarri për shtatëdhjet vjet.”[42]

1340 (56) – Ebu Umamete (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Kush agjëron një ditë në rrugë të Allahut, midis tij dhe Zjarrit Allahu do të vendosë një hendek sa distanca midis qiellit dhe tokës.”[43]

1341 (57) – Ebu Hurejra (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kush vdes dhe nuk ka luftuar, apo nuk ka ëndërruar që të luftojë, ai do të vdesë me një dozë hipokrizie.”[44]

1342 (58) – Xhabir ibn Abdulla (r.a) tregon: “Ishim me të Dërguarin e Allahut (a.s) në një betejë, kur ai (a.s) na tha: “Vërtet në Medine ka burra, të cilët kanë qenë me ju dhe nuk janë ndarë prej jush edhe kur keni ecur nëpër kodra, edhe kur keni ecur nëpër lugina. Ata nuk kanë qenë fizikisht me ju, sepse i ka penguar sëmundja”[45].

Në një transmetim tjetër qëndron se Profeti (a.s) ka thënë:“Ata i ka penguar një arsye e fortë”

Në një transmetim tjetër qëndron se Profeti (a.s) ka thënë:“Ata janë pjesëmarrës me ju në shpërblim.”

1343 (59) – Ebu Musa (r.a) tregon: Një beduin erdhi tek i Dërguari i Allahut (a.s) dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut! Një person lufton, që të përfitojë plaçkë lufte. Dikush tjetër lufton, që t’i përmendet emri, ndërsa një tjetër lufton për famë.”[46]

Në një transmetim tjetër qëndron se beduini i ka thënë: “Dikush lufton për trimëri dhe për fanatizëm fisnor”.

Në një transmetim tjetër qëndron se beduini i ka thënë: “Lufton për shkak të zemërimit”. Cili nga këto tre është në rrugë të Allahut?! I Dërguari i Allahut (a.s) tha: “Kush lufton që të lartësojë fjalën e Allahut, ai është në rrugë të Allahut.”

1344 (60) – Abdulla ibn Amër ibn el As (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s)ka thënë: “Çdo ushtri ose çetë që lufton në rrugë të Allahut, por shpëton dhe fiton, do të marrë dy të tretat e shpërblimit. Çdo ushtri ose çetë që lufton në rrugë të Allahut dhe nuk fiton plaçkë lufte, por goditet nga armiku, merr shpërblimin e plotë.”[47]

1345 (61) – Ebu Umamete (r.a) transmeton se një burrë tha: “O i Dërguari i Allahut më jep leje që të udhëtoj nëpër Tokë! Profeti (a.s) tha: “Udhëtimi i umetit tim është në xhihadin në rrugë të Allahut (xh.sh).”[48]

1346 (62) – Abdulla ibn Amër  ibn el As (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Kthimi (nga beteja) është sikur pjesmarrja në betejë (në shpërblim)”[49]

“kthimi” që do të thotë kthimi nga ekspedita ushtarake (lufta) pas përfundimit të saj. Pra, njeriu shpërblehet edhe për kthimin e tij, pasi ka përfunduar ekspeditën ushtarake.

1347 (63)  – Saib ibn Jezid (r.a) ka thënë: “Kur Profeti (a.s) erdhi nga beteja e Tebukut njerëzit (dolën) e pritën. Unë dhe fëmijët (dolëm) e pritëm në Thenijetul Ueda.”[50] Në një transmetim tjetër thuhet: “Shkuam së bashku me fëmijë ta takonim të Dërguarin e Allahut (a.s) në Thenijetul Ueda.”[51]

1348 (64) – Ebu Umamete (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Kushdo që nuk lufton, nuk e pajis me armatime një luftëtar apo nuk kujdeset mirë për familjen e një luftëtari, Allahu ka për ta goditur me një gjëmë përpara Ditës së Kiametit.”[52]

1349 (65) – Enesi (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Luftojini idhujtarët me pasurinë, veten dhe gjuhët tuaja!”[53]

1350 (66) – Ebu Amër dhe është thënë Ebu Hakim, Nu’man ibn Mukarrin (r.a) ka thënë: “E kam parë (dëshmuar) të Dërguarin e Allahut (a.s) se kur nuk luftonte në fillim të ditës, e shtynte luftën derisa dielli ishte në zenit, erërat frynin dhe ndihma (e Allahut) zbriste.”[54]

1351 (67) – Ebu Hurejra (r.a) tregon se Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Mos e shpresoni takimin me armikun tuaj. E nëse ndesheni me ta, atëherë bëhuni të qëndrueshëm dhe duroni!”[55]

1352 (68) – Ebu Hurejra (r.a) tregon se Profeti (a.s) ka thënë: “Lufta është dredhi.”[56]

235 – Kapitulli: “Sqarimi i një grupi dëshmorësh sa i përket shpërblimit të botës tjetër, të cilët lahen dhe u falet namazi, ndryshe nga i vrari në luftë kundër jobesimtarëve”

1353 (01) – Ebu Hurejra (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Dëshmorët janë pesë; Ai që vdes nga murtaja, ai që vdes nga sëmundjet e barkut (sëmundje të brendshme), ai që mbytet, atë që e zë ndërtesa dhe ai që lufton në rrugë të Allahut.”[57]

1354 (02) – Ebu Hurejra (r.a) tregon se Dërguari i Allahut (a.s) pyeti: “Kë konsideroni ju dëshmor”? Të pranishmit thanë: “O i Dërguari i Allahut. Ne dimë se kush vritet në rrugë të Allahut është dëshmor”. Ai (a.s) tha: “Atëherë, dëshmorët e Umetit tim qenkan shumë pak”. Të pranishmit pyetën: “Atëherë kush janë ata o i Dërguar i Allahut”? Ai (a.s) tha: “Kush vritet në rrugë të Allahut ai është dëshmor. Kush vdes në rrugë të Allahut ai është dëshmor. Kush vdes në murtaja ai është dëshmor. Kush vdes prej sëmundjeve të barkut ai është dëshmor. Kush mbytet në ujë është dëshmor.”[58]

1355 (03) – Abdulla ibn Amër ibn el Asi (r.a)  tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kush vdes duke mbrojtur pasurinë e tij (ose për pasurinë e tij), bie dëshmor.”[59]

1356 (04) – Ebu el A’uer, Seid ibn Zejd ibn Amër ibn Nufejli (r.a), një prej dhjetë sahabëve të përgëzuar me Xhenet, ka thënë: E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (a.s) se ka thënë: “Kush vritet duke mbrojtur pasurinë e tij, është dëshmor. Kush vritet duke mbrojtur jetën e tij, është dëshmor. Kush vritet duke mbrojtur fenë e tij, është është dëshmor. Kush vritet duke mbrojtur familjen e tij, është dëshmor.”[60]

1357 (05) – Ebu Hurejra (r.a) tregon: “Një person erdhi tek Profeti (a.s) dhe e pyeti: “O i Dërguari i Allahut! Çfarë duhet të bëj, nëse dikush kërkon të më rrëmbejë pasurinë?!” I Dërguari i Allahut (a.s) i tha: “Mos ia jep pasurinë tënde”. Personi pyeti përsëri: “Po nëse ai më sulmon”? I Dërguari i Allahut (a.s) i tha: “Vrite”. Personi i tha: “Po nëse ai më vret”? I Dërguari i Allahut (a.s) tha: “Ti je dëshmor (shehid)”. Personi e pyeti prapë: “Po nëse unë e vras atë”? I Dërguari i Allahut (a.s) tha: “Ai është në zjarrin e Xhehenemit.”[61]

236 – Kapitulli: “Vlera e madhe e dhurimit të lirisë një skllavi”

Allahu (xh.sh) thotë: “Atëherë, le të ndjekë rrugën e vështirë! E kush mund ta shçjegojë ty se ç’është rruga e vështirë? Ajo është të lirosh një skllav.”[62]

1358 (01) – Ebu Hurejra (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) më ka thënë: “Kush liron një skllav mysliman, Allahu do të shpëtojë nga zjarri çdo pjesë të trupit të tij për lirimin e pjesëve përkatëse të trupit të skllavit, madje edhe pjesët intime të pronarit për shkak të lirimit të pjesëve intime të skllavit (edhe për gjënë më të vogël në lidhje me skllavin do të shpërblehet).”[63]

1359 (02) – Ebu Dherr Xhundub ibn Xhunade (r.a) transmeton: “Unë pyeta: “O i Dërguar i Allahut! Kush është puna më e mirë?” Ai (a.s) tha: “Të besosh tek Allahu dhe të luftosh në rrugë të Tij.” Unë pyeta: “Cili është çlirimi më i mirë për skllavin? “Ai (a.s) tha: “Çlirimi i skllavit më të  çmuar dhe më të dashur për pronarin e tij.”[64]

237 – Kapitulli: “Vlera e bamirësisë ndaj atij që e ka në posedim”

Allahu (xh.sh) thotë: “Adhuroni Allahun dhe mos i shoqëroni Atij asgjë (në adhurim); silluni mirë me prindërit, të afërmit, jetimët, të varfrit, fqinjët e afërt dhe të largët, me atë që keni pranë, me udhëtarin (që ka mbetur ngushtë) dhe me ata që janë robër nën pushtetin tuaj. Në të vërtetë, Allahu nuk i do njerëzit arrogantë e mburravecë.”[65]

1360 (01) – Ma’rur ibn Suvejdi tregon: “Pashë Ebu Dherrin (r.a) që kishte veshur një pelerinë dhe po të tillë e kishte edhe një shërbëtor i tij. Unë e pyeta se përse ishin veshur njësoj. Ai më tregoi: “Në kohën e Profetit (a.s) unë ofendova njërin duke e sharë nga nëna dhe duke ia përmendur për të keq nënën e tij. Kur e mori vesh Profeti (a.s) më tha:“Ti je një njeri që mbart shenja të injorancës. Ata janë vëllezërit dhe shërbëtorët tuaj. Allahu i ka bërë ata që ju të kujdeseni për ta. Prandaj nëse ndonjëri prej jush  e ka për detyrë të kujdeset për vëllain e tij, atëherë le ta ushqejë atë me të njëjtin ushqim që ha vetë, le t’i veshë atij të njëjtën rrobë që vesh vetë. Mos i ngarkoni ata më tepër se ç’mund të mbartin, e nëse i ngarkoni me punë, atëherë i ndihmoni ata.”[66]

1361 (02) – Ebu Hurejra (r.a) tregon se Profeti (a.s) ka thënë: “Kur ndonjërit prej jush shërbëtori i tij t’i sjellë ushqimin, nëse nuk e ul me vete për të ngrënë, atëherë le t’i japë një kafshatë ose dy, ose një pjesë ushqimi apo dy pjesë, sepse ai është marrë me përgatitjen e tij.”[67]

238 – Kapitulli: “Mbi vlerën e skllavit që përmbush të drejtën e Allahut dhe të drejtën e zotërinjve të tij”

1362 (01) – Ibn Omeri (r.a) tregon se Profeti (a.s) ka thënë: “Kur skllavi e këshillon (sinqerisht) pronarin e tij, dhe e kryen adhurimin e tij në formën më të mirë, ai e ka shpërblimin dyfish.”[68]

1363 (02) – Ebu Hurejra (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Skllavi i zotëruar përmirësues (rregullues) ka dy shpërblime.” Pastaj Ebu Hurejra (r.a) tha: “Pasha Atë në të cilin shpirti i Ebu Hurejrës është në dorën e Tij, nëse nuk do të ishin xhihadi në rrugë të Allahut, haxhi dhe mirësjellja ndaj mamasë time, do të doja të vdisja duke qenë skllav.”[69]

1364 (03) – Ebu Musa el Esh’ari (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Skllavi i cili e kryen adhurimin në formën më të mirë ndaj Zotit të tij, i kryen detyrimet që ka ndaj pronarit të tij, jep këshilla dhe është i bindur shpërblehet dyfish.”[70]

1365 (04) – Ebu Musa el-Esh’ari (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Tre (persona) do të shpërblehen dyfish: Një burrë nga ithtarët e Librit që e besoi profetin e tij dhe besoi në Muhamedin, skllavi i zotëruar i cili i kryen detyrimet që ka ndaj Allahut dhe pronarit të tij dhe një burrë që ka nën zotërim një robëreshë, merret me edukimin e saj dhe e edukon në formën më të mirë, merret me arsimimin e saj dhe e arsimon në formën më të mirë, pastaj e çliron nga skllavëria dhe martohet me të. Këta (persona) kanë shpërblim dyfish.”[71]

239 – Kapitulli “Mbi virtytin e adhurimit në kohë trazirash, përçarjesh, spovash dhe të ngjashmet me to.”

1366 (01) – Ma’kil ibn Jesarin (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Adhurimi në kohë trazirash është si emigrimi që bëhet për tek unë.”[72]

240 – Kapitulli “Mbi virtytin e tolerancës në shitblerje, marrje dhe dhënie, mirësinë në gjykim dhe procese gjyqësore, rëndësinë e peshimit të drejtë dhe balancës, ndalimin e manipulimit në matje, dhe meritat e pritjes së pasanikut dhe borxhliut dhe lehtësimi ndaj tyre”

Allahu (xh.sh) thotë: “Çfarëdo të mire që e bëni, Allahu e di atë.”[73]

Allahu (xh.sh) thotë: “O populli im, matni drejt në litër dhe kandar, mos ua hani njerëzve hakun e tyre.”[74]

Allahu (xh.sh) thotë: “Mjerë për ata që hanë në peshë që, kur matin për veten, e marrin masën të plotë. Ndërsa kur u masin të tjerëve me litër ose me kandar ua pakësojnë. A nuk mendojnë ata se do të ringjallen në një Ditë të madhe, Ditën, kur të gjithë njerëzit do të dalin para Zotit të botëve?!”[75]

 

1367 (01) – Ebu Hurejra (r.a) tregon se një burrë erdhi te Profeti (a.s) për të zgjidhur një mosmarrëveshje, por u tregua i ashpër ndaj tij (Profetit). Shokët e tij u shqetësuan për këtë, por Profeti (a.s) tha: “Lëreni atë, sepse personi që ka të drejtë ka të drejtën e fjalës!” Pastaj tha: “Blejini atij një deve në të njëjtën moshë që kishte deveja e tij!” Ata thanë: “O i Dërguar i Allahut, ne nuk gjejmë tjetër deve më të mirë se deveja e tij, përveçse njërën.” Ai tha: “Jepini atij, sepse më i miri prej jush është ai që ka gjykim më të mirë!”[76]

1368 (02) – Xhabiri (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Allahu e mëshiroftë atë njeri që është tolerant kur blen, kur shet dhe kur kërkon të drejtën e vet.”[77]

1369 (03) – Ebu Katade (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) se ka thënë: “Kush dëshiron që Allahu ta shpëtojë nga një prej vështirësive të Ditës së Kiametit, atëherë le t’ia shtyjë afatin atij që është në vështirësi (borxhliut), ose le t’ia falë borxhin.”[78]

1370 (04) – Ebu Hurejra tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Një person u jepte borxh njerëzve dhe pastaj i thoshte djaloshit (çirakut) të tij: “Kur të shkosh tek ai që është në vështirësi të madhe, fale atë, sepse ndoshta Allahu do të na falë edhe neve. Kur ai u takua me Allahun, Allahu e fali atë.”[79]

1371 (05) – Ebu Mes’ud Bedriu (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Njërit që ka qenë në popujt para jush, iu bë llogaria dhe nuk iu gjet asnjë punë e mirë, përveç faktit se ai u jepet hua njerëzve dhe ishte shumë tolerant. Ai i urdhëronte djelmoshat (çirakët) e tij që t’ia falnin borxhin atyre që ishin në vështirësi të mëdha. Allahu (xh.sh) thotë: “Ne jemi më falës se ai, prandaj lëreni atë!”[80]

1372 (06) – Hudhejfe (r.a) tregon: “Allahu i Madhëruar do të  marrë në llogari një rob prej robërve të Tij, të cilit i ka dhënë pasuri. Allahu do t’i thotë atij: “Çfarë bëre në Dynja – dhe Allahut nuk i fshihet asgjë. Ai (robi) do të thotë: “O Zot, ti më dhe pasuri dhe unë bëra tregti me njerëzit. Nga virtytet e mia ka qenë falja dhe tolerimi. Unë tolerja kur bëja tregëti. Unë ia lehtësoja borxhliut kthimin e borxhit, ia shtyeja afatin e shlyerjes”. Allahu i Madhëruar thotë: “Mua më takon më shumë sesa ti të fal, prandaj lëreni të lirë robin Tim”. Kur dëgjuan këto fjalë, Ukbe ibn Amir dhe Ebu Mes’ud Bedriu thanë: “Kështu i kemi dëgjuar këto fjalë nga goja e të Dërguarit të Allahut (a.s).”[81]

1373 (07) – Ebu Hurejra (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kush i jep afat debitorit (atij që është në vështirësi për ta shlyer borxhin) ose ia fal atë (borxhin), në Ditën e Kiametit, Allahu do ta fusë nën hijen e Arshit të Tij, në atë Ditë ku nuk do të ketë hije përveç hijes së Tij.”[82]

1374 (08) – Xhabiri (r.a) tregon se Profeti (a.s) bleu prej tij një deve, ia peshoi dhe i dha më shumë sesa pesha e saktë”[83]

1375 (09) – Ebu Safuan, Suejd ibn Kajs (r.a) ka thënë: “Unë dhe Mahremetu el-Abdi sollëm mall (copa rrobash) nga Hexheri. Na erdhi Profeti (a.s) dhe negocioi me ne për të blerë pantallona të gjera. Unë kisha një njeri që peshonte me pagesë dhe i Dërguari i Allahut (a.s) i tha peshuesit: “Pesho dhe llogarit më tepër!”[84]

Libri: “Diturisë”

241 – Kapitulli: “Vlera e diturisë”

Allahu (xh.sh) thotë: “Dhe thuaj: o Zot ma shto diturinë!”[85]

Allahu (xh.sh) thotë: “Thuaj: A krahasohen ata që dinë me ata që nuk dinë?!”[86]

Allahu (xh.sh) thotë: “Allahu i ngre në shkallë të lartë ata që besuan prej jush dhe atyre që iu është dhënë dija i ngre në shkallë më të larta.”[87]

Allahu (xh.sh) thotë: “Vërtet, dijetarët janë ata që e kanë frikë Allahun nga robërit e Tij.”[88]

1376 (01) – Muavije (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Atij që Allahu ia do të mirën, i jep kuptim të thellë në fe.”[89]

1377 (02) – Abdulla ibn Mes’udi (r.a) tregon  se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Zilia nuk lejohet përveçse në dy raste; 1) Të kesh zili një njeri që Allahu i ka dhuruar pasuri dhe e ka shpenzuar në mirësi (punë të mira). 2) Të kesh zili një njeri që Allahu i ka dhuruar urtësinë (Kur’anin apo njohjen e ligjeve islame) dhe ai gjykon me të dhe ua mëson edhe të tjerëve.”[90]

“Zili” në këtë rast nënkuptohet që të ketë të njëjtën gjë si ai.

1378 (03) – Ebu Musa el Esh’ariu (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë:“Shembulli i udhëzimit dhe diturisë me të cilin më ka dërguar Allahu për udhëzimin dhe mësimin e njerëzve, është si shembulli i shiut që bie në një tokë. Në atë tokë ishte një pjesë pjellore, që e thithi ujin, mbiu barin dhe sanën e shumtë. Gjithashtu në të kishte gropa ujëmbajtëse, me të cilat Allahu u bën dobi njerëzve. Ata pijnë prej saj, ujisin dhe mbjellin tokat me të. Ky shi ra edhe në toka djerrë, të cilat nuk e mbanin ujin dhe nuk e mbinin barin. Kështu është shembulli i atij, që mëson fenë e Allahut. Atij personi i bën dobi ajo që Allahu më dërgoi me të, e mësoi vetë dhe ua mësoi të tjerëve. Shembulli i atij që nuk ngre kokën (për shkak të refuzimit apo injorancës) dhe që nuk e pranon udhëzimin e Allahut, me të cilin u dërgova, është si toka djerr.”[91]

1379 (03) – Sehl ibn Sa’di (r.a) tregon: “Profeti (a.s) i tha Aliut (r.a): “Betohem në Allahun! Nëse Allahu të bën shkaktar të udhëzosh një njeri, do të jetë më e mirë për ty se të kesh devetë e kuqërremta (pasuritë më të shtrenjta).”[92]

1380 (04) – Abdulla ibn Amër ibn el Asi (r.a) tregon se Profeti (a.s) ka thënë: “Transmetoni prej meje qoftë edhe një ajet. Tregoni nga Benu Israilët pasi nuk ka problem. Kush gënjen në emrin tim me vetëdije, atëherë le të përgatisë karrigen e tij për në Zjarr.”[93]

1381 (05) – Ebu Hurejra (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Ai i cili ndjek një rrugë për të mësuar dijen, Allahu ia lehtëson rrugën për në Xhenet.”[94]

1382 (06) – Ebu Hurejra (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kush fton për tek udhëzimi, do të ketë shpërblimin e të gjithë atyre që e veprojnë pas tij, pa iu pakësuar atyre asgjë nga shpërblimi që meritojnë.”[95]

1383 (07) – Ebu Hurejra (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kur ndërron jetë njeriu, i ndërpritet shpërblimi i punëve të tij përveç tre gjërave: një Sadaka rrjedhëse (Vakëf), një dituri që ka lënë dhe që përfitohet prej saj dhe një fëmijë i përkushtuar që lutet për të.”[96]

1384 (08) – Ebu Hurejra (r.a) ka thënë: E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (a.s) se ka thënë: “Vërtet, kjo botë është e mallkuar, e mallkuar është gjithçka që ndodhet në të, përveç përmendjes së Allahut të Lartësuar, gjërave që lidhen me të, dijetarit dhe atij që mëson.”[97]

“gjërave që lidhen me të” në bindje dhe përkushtim ndaj Allahut.

1385 (09) – Enesi (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Ai që kërkon diturinë është në rrugë të Allahut derisa të kthehet në shtëpi.”[98]

1386 (10) – Ebu Seid el Hudriu (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Besimtari nuk ngopet së vepruari mirë derisa destinacioni i tij të jetë Xheneti.”[99]

1387 (11) – Ebu Umamete (r.a) tregon se Profeti (a.s) ka thënë: “Vlera e dijetarit ndaj adhuruesit është si vlera ime ndaj jush”. Më pas shtoi: “Allahu e mëshiron dijetarin. Engjëjt, banorët e qiellit, milingona në folenë e saj dhe peshqit luten për atë që u mëson njerëzve të mirën.”[100]

1388 (12) – Ebu Darda (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kush ndjek një rrugë për të kërkuar diturinë, Allahu do t’ia lehtësojë atij rrugën për në Xhenet, ndërsa engjëjt lëshojnë flatrat e tyre për kërkuesin e diturisë. Ata e bëjnë këtë nga kënaqësia për shkak të veprimit të tij. Për dijetarin kërkojnë falje çfarë ka në qiell dhe në tokë, madje edhe peshqit në ujë. Vlera e dijetarit ndaj adhuruesit është si vlera e hënës ndaj planetëve të tjera. Dijetarët janë trashëgimtarët e profetëve. Profetët nuk kanë lënë për trashëgimi ar dhe argjend por kanë lënë diturinë. Kush kapet pas saj, është kapur për gjënë e duhur.”[101]

1389 (13) – Ibn Mes’udi (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) se ka thënë: “Allahu ia ndriçoftë fytyrën atij, që dëgjon diçka nga ne dhe e përcjell siç e ka dëgjuar. Ndoshta ata që e dëgjojnë nga përcjellësi, e kuptojnë më mirë se ai.”[102]

1390 (14) – Ebu Hurejra (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kush pyetet rreth një dije dhe e fsheh atë, do t’i vendoset një kapistall nga zjarri i Xhehenemit në Ditën e Kiametit.”[103]

1391 (15) – Ebu Hurejra (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Ai që mëson një dituri, që është vetëm për Allahun (fetare), mirëpo nuk e ka mësuar për atë qëllim, por për të fituar diçka nga jete e kësaj bote, nuk do ta nuhasë erën e Xhenetit në Ditën e Kiametit.”[104]

“erën” aromën

1392 (16) – Abdulla ibn Amër ibn el Asi (r.a) tregon se i Dërguari e Allahut (a.s) ka thënë: “Nuk bëhet Kiameti derisa Allahu ta shkulë dijen. Mos mendoni se Allahu ka për ta shkulur dijen siç shkulet bima, por ka për ta shkulur me vdekjen e dijetarëve. Për pasojë njerëzit do të kthehen të marrin dijen tek të famshmit injorantë, të cilët do të japin fetva pa dije e kështu do të humbin veten dhe të tjerët.”[105]

13 – Libri  “Vlera e lavdërimit dhe falenderimit të Allahut të Lartësuar”

242 – Kapitulli: “Vlera e lavdërimit dhe falenderimit të Allahut”

Allahu (xh.sh) thotë: “Prandaj më kujtoni Mua që Unë t’ju kujtoj dhe falënderomëni Mua e mos i mohoni dhuntitë e Mia.”[106]

Allahu (xh.sh) thotë: “Nëse ju falënderoni, Ne do t’jua shtojmë mirësitë.”[107]

Allahu (xh.sh) thotë: “Dhe lutja e tyre e fundit do të jetë: I lëvduar qoftë Allahu, Zoti i botëve.”[108]

1393 (01) – Ebu Hurejra (r.a) tregon: “Në natën e Israsë, Profetit (a.s) i ofruan dy gota: njëra e mbushur me verë, kurse tjetra me qumësht. Ai i pa të dyja dhe zgjodhi gotën me qumësht. Xhibrili (a.s) tha:“I lëvduar qoftë Allahut, i Cili të udhëzoi për të zgjedhur natyrshmërinë e pastër (Islamin). Nëse do të kishte zgjedhur verën, atëherë Umeti yt do të kishte devijuar.”[109]

1394 (02) – Ebu Hurejra (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Çdo çështje me rëndësi e cila nuk fillohet me Elhamdulil lah (Lavdërimi i takon Allahut), është e mangët.”[110]

1395 (03) – Ebu Musa el Esh’ariu (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kur dikujt i vdes fëmija, Allahu (xh.sh) i thotë engjëjve të Tij: “A ia morët fëmijën robit Tim”? Ata do të përgjigjen: “Po”. Ai i thotë: “A ia morët frytin e zemrës së tij”? Ata do të përgjigjen: “Po”. Ai i thotë: “Çfarë tha robi Im”? Ata do të përgjigjen: “Të falëndroi Ty o Zot dhe tha se tek Ti është kthimi”. Allahu (xh.sh) tha: “Ndërtojini robit Tim një shtëpi në Xhenet dhe quajeni “Shtëpia e Falënderimit.”[111]

1396 (04) – Enesi (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Vërtet, Allahu kënaqet me robin e Tij, i cili kur ha ndonjë ushqim e falënderon Atë për ushqimin dhe është i kënaqur me robin e Tij, i cili kur pi ndonjë pije e falënderon Atë për pijen.”[112]

14 – Libri i Salavateve për të Dërguarin e Allahut (a.s)

243 – Kapitulli: “Vlera e salavateve për të Dërguarin e Allahut (a.s)”

Allahu (xh.sh) thotë: “Vërtet, Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për atë. O besimtarë, lutuni për atë dhe përshëndeteni me selam”[113]

1397 (01) – Abdulla ibn Amër ibn el Asi (ra.) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) se ka thënë: “Kush çon një salavat për mua, Allahu e mëshiron dhjetë herë.”[114]

1398 (02) – Ibn Mes’udi (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Njeriu më i afërt me mua në ditën e Kiametit do të jetë ai që më ka dërguar më shumë salavate.”[115]

1399 (03) – Eus ibn Eusi (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Dita më me vlerë është dita e Xhuma. Lutuni sa më shumë për mua në këtë ditë, sepse lutjet tuaja (salavatet) më paraqiten”. Dikush nga të pranishmit pyeti: “O i Dërguari i Allahut! Si do të të paraqiten salavatet ty, kur ti je tretur?! I Dërguari i Allahut (a.s) tha: “Allahu ia ka ndaluar tokës, që të hajë (tresë) trupat e të Dërguarve.”[116]

1400 (04) – Ebu Hurejra (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë :“I nënçmuar dhe i përbuzur është ai person, i cili nuk bie në salavate, kur përmendet emri im.”[117]

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

[1] – Muslimi (1884).

[2] – Muslimi (1902).

[3] – Buhariu (2811).

[4] – Tirmidhiu (1633). Hadithi është Hasen Sahih.

[5] – Tirmidhiu (1639). Hadithi është Hasen.

[6] – Buhariu (2843) dhe Muslimi (1895) me tekstin në fjalë.

[7] – Tirmidhiu (1627). Hadithi është Hasen Sahih.

[8] – Muslimi (1894).

[9] – Muslimi (1896).

[10] – Muslimi (1896) (138).

[11] – Buhariu (2808) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (1900).

[12] – Buhariu (2817) dhe Muslimi (1877).

[13] – Muslimi (1886).

[14] – Muslimi (1885).

[15] – Buhariu (4046) dhe Muslimi (1899) me pak ndryshim.

[16] – Muslimi (1901).

[17] – Buhariu (2801) dhe Muslimi (677) me tekstin në fjalë.

[18] – Sure Ahzab: 23.

[19] – Buhariu (2805) dhe Muslimi (1903). Ky hadith – në këtë libër – është përmendur në kapitullin (11) “Përpjekja për të bërë punë të mira” në hadithin me numër (109).

[20] – Buhariu (2791). Ky hadith është pjesë e një hadithi të gjatë që flet për llojet e dijes. Me lejen e Allahut (xh.sh) do ta përcjellim tek kapitulli i “Ndalimit të gënjeshtrës”.

[21] – Buhariu (2809).

[22] – Buhariu (2816) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (2471).

[23] – Muslimi (1909).

[24] – Muslimin (1908).

[25] – Tirmidhiu (1668). Hadithi është Hasen Sahih.

[26] – Buhariu (2965) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (1742). Kz hadith – në këtë libër – është transmetuar në hadithin me numër (53).

[27] – Ebu Daudi (2540). Hadithi është Sahih.

[28] – Ebu Daudi (2632) dhe Tirmidhiu (3584). Hadithi është Hasen.

[29] – Ebu Daudi (1537). Hadithi është Sahih.

[30] – Buhariu (2849) dhe Muslimi (1871).

[31] – Buhariu (2852) dhe Muslimi (1873).

[32] – Buhariu (2853).

[33] – Muslimi (1892).

[34] – Sure Enfal: 60.

[35] – Muslimi (1917).

[36] – Muslimi (1918).

[37] – Muslimi (1919).

[38] – Ebu Daudi (2513). Hadithi është Hasen.

[39] – Buhariu (3373). Ky hadith – në këtë libër – është transmetuar në version më të shkurtuar.

[40] – Ebu Daudi (3965) dhe Tirmidhiu (1638) me tekstin në fjalë. Hadithi është Hasen Sahih.

[41] – Tirmidhiu (1625). Hadithi është Hasen.

[42] – Buhariu (2840) dhe Muslmi (1153) me tekstin në fjalë.

[43] – Tirmidhiu (1624). Hadithi është Hasen Sahih.

[44] – Muslimi (1910).

[45] – Buhariu (2839) e transmeton nga Enesi dhe Muslimi (1911)nga Xhabiri. Ky hadith – në këtë libër – është transmetuar në hadithin me numër (4).

[46] – Buhariu (3126) dhe Muslimi (1904). Ky hadith – në këtë libër – është transmetuar në hadithin me numër (8).

[47] – Muslimi (1906).

[48] – Ebu Daudi (2486). Hadithi është Xhejjid.

[49] – Ebu Daudi (2487). Hadithi është Xhejjid.

[50] – Ebu Daudi (2779). Hadithi është Sahih.

[51] – Buhariu (4427).

[52] – Ebu Daudi (2503). Hadithi është Sahih.

[53] – Ebu Daudi (2504). Hadithi është Sahih.

[54] – Ebu Daudi (2655) dhe Tirmidhiu (1613). Hadithi është Hasen Sahih.

[55] – Buhariu (3026) dhe Muslimi (1741).

[56] – Buhariu (3030) dhe Muslimi (1739).

[57] – Buhariu (2829) dhe Muslimi (1914).

[58] – Muslimi (1915).

[59] – Buhariu (2480) dhe Muslimi (141)

[60] – Ebu Daudi (4772) dhe Tirmidhiu (1421). Hadithi është Sahih.

[61] – Muslimi (140).

[62] – Sure Beled: 11 – 13.

[63] – Buhariu (6715) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (1509).

[64] – Buhariu (2518) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (84). Ky hadith – në këtë libër – është transmetuar me version më të shkurtuar. Ky hadtih – në këtë libër – është përmendur edhe në hadithin me numër (117).

[65] – Sure Nisa: 36.

[66] – Buhariu (30) dhe Muslimi (1661) me tekstin në fjalë.

[67] – Buhariu (2557) dhe Muslimi (1663).  Imam Neveviju ka harruar të shënojë që këtë hadith e ka transmetuar edhe Muslimi.

[68] – Buhariu (2546) me pak ndryshim dhe Muslimi (1664).

[69] – Buhariu (2548) dhe Muslimi (1665) me pak ndryshim.

[70] – Buhariu (2551).

[71] – Buhariu (97) dhe Muslimi (154).

[72] – Muslimi (2948).

[73] – Sure Bekare: 215.

[74] – Sure Hud: 85.

[75] – Sure Mutaffifin: 1 – 6.

[76] – Buhariu (2606) dhe Muslimi (1601).

[77] – Buhariu (2076).

[78] – Muslimi (1563).

[79] – Buhariu (3480) dhe Muslimi (1562).

[80] – Muslimi (1561).

[81] – Muslimi (1560).

[82] – Tirmidhiu (1306). Hadithi është Hasen Sahih.

[83] – Buhariu (2604) dhe Muslimi (715).

[84] – Ebu Daudi (3336) dhe Tirmidhiu (1305). Hadithi është Hasen Sahih.

[85] – Sure Taha: 114.

[86] – Sure Zumer: 9.

[87] – Sure Muxhadele: 11.

[88] – Sure Fatir: 28.

[89] – Buhariu (71) dhe Muslimi (1037). Ky hadith – në këtë libër – është transmetuar me version më të shkurtuar.

[90] – Buhariu (73) dhe Muslimi (816).

[91] – Buhariu (79) dhe Muslimi (2283).

[92] – Buhariu (3009) dhe Muslimi (2406) me tekstin në fjalë. Ky hadith – në këtë libër – është transmetuar në hadithin me numër (175).

[93] – Buhariu (3461).

[94] – Muslimi (2699). Ky hadith – në këtë libër – është transmetuar me version më të shkurtuar. Ky hadith – në këtë libër – është transmetuar në hadithin me numër (245).

[95] – Muslimi (2674). Ky hadith – në këtë libër – është transmetuar në hadithin me numër (174).

[96] – Muslimi (1631). Ky hadith – në këtë libër – është transmetuar në hadithin me numarë (949).

[97] – Tirmidhiu (2322). Hadithi është Hasen.

[98] – Tirmidhiu (2647). Hadithi është Hasen.

[99] – Tirmidhiu (2868). Hadithi është Hasen.

[100] – Tirmidhiu (2685). Hadithi është Hasen.

[101] – Ebu Daudi (3641) dhe Tirmidhiu (2682). Hadithi është Sahih.

[102] – Tirmidhiu (2657). Hadithi është Hasen Sahih.

[103] – Ebu Daudi (3658) dhe Tirmidhiu (2649). Hadithi është Hasen.

[104] – Ebu Daudi (3664). Hadithi është Sahih.

[105] – Buhariu (100) dhe Muslimi (2673).

[106] – Sure Bekare: 152

[107] – Sure Ibrahim: 7.

[108] – Sure Junus: 10.

[109] – Muslimi (168). Këtë hadith e ka transmetuar edhe Buhariu (4709). Ky hadith – në këtë libër – është transmetuar në version më të shkurtuar.

[110] – Ebu Daudi (4840), Ibn Maxheh (1894) dhe Ahmedi (8712). Hadithi është Sahih.

[111] – Tirmidhiu (1021). Hadithi është Hasen.

[112] – Muslimi (2734).

[113] – Sure Ahzab: 56.

[114] – Muslimi (408).

[115] – Tirmidhiu (484). Hadithi është Hasen.

[116] – Ebu Daudi (1531). Hadithi është Sahih.

[117] – Tirmidhiu (3545). Hadithi është Hasen. Ky hadith – në këtë libër – është transmetuar me version më të shkurtuar.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *