Namazi nuk është adhurim që fillon vetëm me tekbir dhe përfundon me selam. Përkundrazi, ai është një udhëtim i plotë i shpirtit në shkallët e afrimit hyjnor, një miraxh që përsëritet çdo ditë, ku njeriu del nga bota e krijesave drejt vëzhgimit të gjurmëve të së Vërtetës, dhe nga ngushtësia e tokës në hapësirën e qiellit.
Njeriu, në rrjedhën e përditshme të jetës së tij, në zemrën e tij grumbullohet pluhuri i pakujdesisë dhe shpirti i rëndohet nga preokupimet e dynjasë, derisa pothuajse harron të vërtetën e tij të madhe: se ai është një shpirt në të cilin Allahu ka fryrë nga urdhri i Tij, dhe se vendbanimi i tij i vërtetë nuk është dheu mbi të cilin ecën, por drita për të cilën është krijuar. Prandaj namazi është një thirrje e përsëritur për t’u kthyer te origjina dhe te Allahu, prej të Cilit fillon çdo gjë dhe tek i Cili përfundon çdo gjë: “Fale namazin për të më përkujtuar Mua!”
Ky udhëtim fillon para vetë qëndrimit në namaz; ai fillon me abdesin. Abdesi në thelb nuk është thjesht larje e gjymtyrëve, por pastrim i shpirtit nga gjurmët e lidhjes me dynjanë dhe përgatitje e zemrës për hyrje në praninë hyjnore. Kur besimtari lan fytyrën, është sikur i lutet Allahut t’ia pastrojë shikimin e brendshëm nga çdo gjë që e largon prej Tij; kur lan duart, është sikur distancohet nga çdo vepër që nuk është bërë për hir të Allahut; kur fshin kokën, i dorëzohet urtësisë dhe caktimit të Allahut; dhe kur lan këmbët, kërkon që hapat e tij të jenë në rrugën e së vërtetës dhe të së mirës.
Pastaj ai drejtohet nga kibla. Kibla, në pamjen e saj të jashtme, është një drejtim i caktuar, por në të vërtetën e saj ajo është simbol i unitetit të synimit. Universi është i mbushur me drejtime të shpërndara, ndërsa zemra nuk drejtohet drejtësisht përveç nëse ka një orientim të vetëm. Prandaj Allahu i urdhëroi robërit e Tij që t’i kthejnë fytyrat e tyre nga Shtëpia e Shenjtë, për t’u mësuar se drejtimi i vërtetë nuk është guri, por Zoti i Gurit, dhe se unifikimi i drejtimit të jashtëm duhet të shoqërohet me unifikimin e qëllimit të brendshëm. Sa e bukur është fjala e Allahut: “Kudo që të ktheheni, aty është Fytyra e Allahut”; njohësit e thellë shohin se kibla e vërtetë është prania e zemrës me Allahun kudo që të jetë njeriu.
Pastaj ai që falet qëndron në këmbë para Zotit të tij. Qëndrimi në këmbë nuk është thjesht një formë fizike, por një pozitë e madhe shpirtërore; është shpallje e gatishmërisë së robit për të qëndruar para Zotit të tij në Ditën kur njerëzit do të qëndrojnë para Zotit të botëve. Në këtë qëndrim shpirti zhvishet nga iluzionet e fuqisë dhe pushtetit; njeriu nuk sheh për veten as forcë e as aftësi, por qëndron i varfër para të Pasurit Absolut. Dhe sikur ky qëndrim ia kujton njeriut gjendjen e tij të parë kur u krijua dhe gjendjen e tij të fundit kur do të ringjallet.
Pastaj vjen tekbiri: “Allahu është më i Madhi”. Kjo nuk është vetëm një fjalë hyrëse, por çelësi i hyrjes në një botë tjetër; një botë në të cilën Allahu bëhet më i madh se brengat, më i madh se frikërat, më i madh se dëshirat, dhe më i madh se çdo gjë që e mbush zemrën dhe konkurron me praninë e Tij.
Në ruku, shpirti përkulet para trupit, si një pranim i madhështisë dhe lavdisë së së Vërtetës (Allahut). Ky është një pozitë e njohjes së madhështisë hyjnore, ku robi kupton se çdo fuqi, pushtet apo dije që sheh nuk është veçse një pikë nga oqeani i fuqisë dhe dijes së Allahut. Prandaj rukuja është një shprehje praktike e fjalës së Allahut të Lartësuar: “Lavdia i përket Allahut, të Dërguarit të Tij dhe besimtarëve”
Sa i përket sexhdes, ajo është kulmi i miraxhit dhe sekreti më i madh i namazit. Në momentin kur njeriu vendos pjesën më të nderuar të trupit të tij në tokë, shpirti i tij ngrihet në shkallët më të larta të afrimit. Sa më shumë që robi përulet para Allahut, aq më shumë ngrihet tek Ai. Prandaj Allahu i Lartësuar ka thënë: “Bëj sexhde dhe afrohu!” Nuk ka thënë: “Bëj sexhde dhe ngrihu”, por “dhe afrohu”, sepse qëllimi i shpirtrave nuk është lartësia, por afrimi.
Pastaj ai që fale ulet për tesheh-hud, një pozitë e butë dhe e hollë e pranisë shpirtërore. Pas një udhëtimi të zemrës në horizontet e madhërimit, nënshtrimit dhe afrimit, ajo kthehet për të rikujtuar kuptimin e besës dhe marrëveshjes. Fjalët: “Përshëndetjet, lutjet dhe gjërat e mira i takojnë Allahut” nuk janë thjesht shprehje, por një shpallje se çdo lavdërim, bukuri dhe përsosmëri në ekzistencë i përket vetëm Allahut. Dhe tek salavatet për Profetin, besimtari ndjen përkatësinë e tij ndaj zinxhirit të bekuar që bart dritën e udhëzimit nëpër breza, sikur të ripërtërijë lidhjen e tij me karvanin e besimit që shtrihet nga profetët dhe njerëzit e mirë deri në Ditën e Kiametit.
Pastaj vjen selami në përfundim të namazit, jo si një dalje nga adhurimi, por si një kthim në botë pasi shpirti është larë në lumin e afrimit hyjnor. Ai që falet del nga namazi duke mbajtur me vete diçka nga drita e tij për njerëzit; ai mban paqe në zemrën e tij, mëshirë në shikimin e tij dhe qetësi në shpirtin e tij.
Kështu, namazi në të vërtetën e tij shfaqet si një shkollë hyjnore e plotë: rruga e tij fillon me pastrimin, kalon nëpër unifikimin e drejtimit, pastaj qëndrimin para Allahut, më pas përuljen ndaj madhështisë së Tij, afrimin me Të në sexhde, pastaj ripërtëritjen e besës me Të në tesheh-hud, dhe në fund kthimin në jetë me një shpirt të ri.
Ai nuk është një kalim nga një vend në një vend tjetër, por një kalim nga një gjendje në një gjendje tjetër; nga një shpirt i ngarkuar me barrët e tokës në një shpirt që prek dritat e qiellit. Dhe kush e ka shijuar këtë sekret, kupton se namazi nuk është një detyrë që e kryen, por një atdhe ku kthehet, dhe se udhëtimet më të mëdha të njeriut nuk janë nëpër anët e tokës, por në udhëtimin e tij të përsëritur nga vetja drejt Allahut.
Autor: Omer Ismail Rahimi
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com



















