Pesë metoda edukative për të formuar personalitet të pavarur tek fëmijët

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Në twitter dhe facebook shumë njerëz më pyesin rreth personalitetit të pavarur tek fëmijët dhe se a duhet me i lënë ata të lirë për të vepruar. Cila është mosha ideale kur fëmija duhet të ketë pavarësi dhe liri veprimi? Vëzhgimi dhe mbikqyrja e shumtë e fëmijëve a e shtyp dhe a e zbeh personalitetin e tyre? Si mund të arrijmë në atë nivel që fëmijët të kenë pavarësi, por në të njëjtën kohë të jenë të respektueshëm, të dinë të vlerësojnë dhe të sillen mirë me prindërit? Përgjigja e këtyre pyetjeve mund të jetë e vështirë, por jo e pamundur. Unë do të parashtroj pesë metoda me shpresën që edukonjësit t’i zbatojnë:

Së pari: Respektimi i vendimeve të tyre është metoda më efikase që duhet të kemi parasysh. Ne duhet t’i respektojmë vendimet e tyre dhe nuk duhet t’i zhvlerësojmë ato. Në rast të refuzimit të një urdhëri që është në dobi të tyre, si për shembull në rastin kur ata refuzojnë të pijnë ilaçin, detyra jonë është të diskutojmë me ta këtë vendim duke ju thënë: Mirë tani mos e pi ilaçin, por pas disa orësh duhet ta pish me patjetër, sepse përndryshe shëndeti yt do të përkeqësohet. Nëse fëmija është duke lozur me makinë, zëri i së cilës është shqetësues, i themi: Shko e loz tek dhoma jote! E nëse fëmija është i madh dhe kupton, duhet të flasim dhe të diskutojmë me të rreth kësaj, por duhet të bëjmë shumë kujdes dhe të mos përdorim fjalët: Dëgjo! Bindu! Pasi kjo metodë është metodë autoritare dhe e shkatërron personalitetin e tij në vend që ta rrisë.

Së dyti: Jepini atyre lirinë për të zgjedhur. Detyrë e jona është t’i lëmë atë të lirë të zgjedhin rrobat, ushqimin, shokët dhe lojrat, por me patjetër duhet me i këshilluar dhe orientuar. Nëse zgjedhja është e gabuar dhe i dëmton, ata do ta lënë vetvetiu. Si për shembull nëse ata zgjedhin të hanë ushqim me piper djegës, ata nuk do ta hanë më. E nëse zgjedhja e tyre ka të bëjë me shijet dhe nuk shkakton ndonjë dëm, si për shembull nëse veshin rroba që nuk kombinohen, nuk përbën ndonjë problem t’i japim këtë mundësi dhe ta respektojmë shijen e tyre. Në këtë rast nuk duhet t’i japim urdhëra, por i këshillojmë duke dhënë mendimin tonë, por i lëmë ata të zgjedhin.

Së treti: Inkurajimi i asaj që ata veprojnë. Nëse fëmija bën një makinë prej letre, ndihmon vëllain të ngjisë shkallët, lexon një tregim apo gatuan diçka të lehtë, inkurajojeni dhe lavdërojeni veprimin e tij, sepse kështu ai do të jetë më produktiv dhe nuk do të ngurrojë për të bërë një punë tjetër. Padyshim inkurajimi formon pavarësinë e personalitetit të tij, sepse e ndihmon atë të mendojë në mënyrë të pavarur dhe të jetë i aftë të mbështetet në forcën e tij.

Së katërti: Inkurajimi për t’u shprehur. Një nga gabimet më të mëdha që bëjmë kur shkojmë te mjeku është se ne flasin në emër të fëmijëve dhe nuk i lëmë vetë fëmijët të shprehen se çfarë dhimbje ndiejnë. Po kështu veprojmë edhe në shkollë. Mbaj mend se njëherë një baba e solli djalin 16-të vjeç në zyrën time dhe filloi të fliste vetë. Kush ka problem – e pyeta atë? Djali im – u përgjigj ai. Përse nuk e lë të lirë djalin të shprehet – i thashë?! Babai më pa i habitur. Pastaj unë iu drejtova djalit dhe i thashë: Fol! Djali filloi të fliste dhe u shpreh më mirë se i jati. Inkurajimi për t’u shprehur përpara mysafirëve, specialistëve dhe familjarëve është një veprim i mirë për të formuar një personalitet të pavarur tek fëmijët.

Së pesti: Administrimi i duhur i parasë. Nëse dëshirojmë të ndërtojmë një personalitet të pavarur tek fëmijët, është shumë e rëndësishme që t’i lëmë të kenë një pavarësi në menaxhimin dhe administrimin e parësë. Nëse hyjmë në treg, i japim atyre disa para dhe shohim se si do i shpenzojnë. Po ashtu i lëmë të lirë të blejnë disa gjëra që u mungojnë apo për të cilat kanë nevojë për dhomën e tyre. Megjithatë në rast të ndonjë shpenzimi të tepruar i këshillojmë dhe i orientojmë. Nëse fëmija është adoloshent, atëherë i japim atij përgjegjësinë e zgjedhjes së një programi turistik për këtë verë dhe i përcaktojmë atij shumën e të hollave të cilën nuk duhet ta kalojë.

Përdorimi i këtyre pesë metodave ndihmojnë në formimin e personalitetit të pavarur tek fëmijët. Kushdo që reflekton në raportet e Profetit (a.s) me fëmijë e vegjël ka për vërejtur këtë koncept. Profeti (a.s) ndikoi në mënyrë të drejtpërdrejtë në edukimin e Usame ibn Zejdit (r.a). E kur ai mbushi 17 vjeç e bëri komandant të ushtrisë muslimanë, pjesë e të cilit ishin Ebu Bekri (r.a) dhe Omeri (r.a). Çfarë përgjegjësie i ngarkoi, përgjegjësi e cila ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në formimin e personalitetit të tij të pavarur?! Ngarkimi me këtë përgjegjësi ishte një suport i madh për Usamen dhe dëshmi se profeti (a.s) besonte në aftësitë dhe dhuntitë e tij. Një shembull tjetër është rasti i Ibn Abasit (r.a), një djali të vogël, i cili ishte ulur në të djathtë të profetit (a.s). Profeti (a.s) kërkoi leje prej Ibn Abasit (r.a) që ta lejonte Ebu Bekrin (r.a) – që ishte ulur në të majtë të profetit (a.s) – të pinte përpara tij. Mirëpo Ibn Abasi (r.a) refuzoi që Ebu Bekri (r.a) të pinte para tij, sepse ai dëshironte që të pinte menjëherë nga ena e cila kishte pirë profeti (a.s). E profeti (a.s) e respektoi vendimin e tij. E kur Ibn Abasi (r.a) u rrit u bë dijetari i këtij umeti dhe u bë komentues i Kuranit. Një shembull tjetër është shembulli i Abdullah ibn Omerit (r.a), një djaloshi 11 vjeçar, i cili ulej me të mëdhenjetë në kuvendin e të profetit (a.s) në Medine. E kur u rrit ai u bë prej dijetarëve të mëdhenj të fesë. Shembuj të formimimit të personalitetit të pavarur tek fëmijët do të hasim shumë nga jeta e profetit (a.s).

Dhe së fundmi: i këshillojmë prindërit: Mos harroni të bëni lutje, sepse lutja është arma edukative që ka ndikim pozitiv në formimin e personalitetit të pavarur tek fëmijët.

Autor: Xhasim Mutaua

Përktheu: Elton Harxhi

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *